Shkodër 1831.
Spitali i parë në Shqipëri.
Pas rënies së Bushatlinjëve, vilajetin e Shkodrës e morën në dorëzim zyrtarët turq, ku vendosen një ushtri mjaft të madhe nën komandën e një general-divizioni, sepse Shkodra e kësaj periudhe ishte qëndër ushtarake civile dhe tregëtarë me rëndësi në Ballkan. Është fillimi i çerekut të dytë të shekullit të XIX, periudhë në të cilën qyteti gjithnjë e më tepër po shtrihej në drejtimin që është sot, por sidoqoftë ndoshta se edhe administrate turke qendrore gjithnjë në kala, lagjet kryesore të qytetit ishin Ajasma, Qafa, Alibegaj, Tepja dhe Tabakia, këto sepse këtu banonin edhe parija dhe të pasurit e Shkodrës së asaj kohe. I gjithë qyteti i kësaj periudhe kishte 32000 banorë.
Pikërisht në Ajasëm në vitin 1831 ngrihet në shërbim të ushtrisë turke spitali i parë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Spitali në fjalë kishte një kapacitet prej 80 shtretërish të vendosur në dy salla.
Autorë të ndryshëm, që kanë shkruar për Shkodrën e kësaj periudhe, japin hollësi për këtë spital, bile dr. Jozef Myler shton se në vitin 1836 përveç spitalit të Ajasmës ishte edhe një spital në Bahçallek, kryesisht për sëmundjet e jashtme të lëkurës, me kapaciltet prej 27 shtretërish, nga mund të themi se është institucioni i parë i dermatologjisë së vendit tonë.
Në periudhën në fjalë Drini kalonte plotësisht nga Lezha duke mos e “shqetsuar” Bahçallekun, prandaj spitali ishte i vendosur në një shtëpi përdhese.
Vitet 1844-1875 për qytetin e Shkodrës janë vite relativisht të qeta, ku gjithnjë e më shumë banor nga Ajasma, Qafa, Tepja dhe Tabakia ndërtojnë shtëpi dhe vendosen pikërisht ku është sot qyteti. Në gjysmës e parë të shekullit XIX Parruca na shfaqet si lagje e re e qytetit. Në vitet 1850-1860 Fushë-Çela filloi të bëhej qendra e qytetit, duke pasur parasysh se nga fshatrat përreth, malësia, bile edhe familje të ardhura nga Mali i Zi, Serbia etj, vendosën në afërsi të saj, duke ja rritur mjaft rrezen e qytetit. Në këtë periudhë relativisht të qetë edhe Valiu i Shkodrës la kalanë dhe u vendos në qytetin e sotëm. Pikërisht në këto vite u transferua edhe spitali nga Ajasma në Rus-Maxhar (lagjia Partizani). Ndërtesa ku u vendos spitali ishte e re, e ndërtuar për këtë qëllim, dy katëshe, në katin e parë ishte ambulance, farmacia, drejtoria dhe administrate, në të dytin dhoma për të sëmurë, ku normalisht ishin vendosur 200 shtretër, kapacitet që erdhi gjithnjë duke u rritur aq sa në dhjetë vjeçarin e parë të shekullit tonë kapaciteti i tij arriti në 300 shtretër, ku përveç ushtarakëve kuroheshin, ndonëse rradhë edhe civilë nga të tre besimet, që ishin në Shkodër, ky fakt del edhe nga rregjistrat e vdekjeve e sidomos të klerit katolik.
Spitali, sipas dokumentave të ndryshme, kaq qenë i pajisur me sallë operacioni, ku kryheshin të gjitha llojet e operacioneve, kishte autoklavë, sterilizator etj.. pati jetë deri në 1916, ku pasi e dëmtuan mjaft serbët, austro-hungarezët e kthyen në magazinë. Në fund të shekullit XX Austro-Hungaria gjithnjë e më tepër synonte të zëvendësonte Turqinë në Shqipëri, për këtë që në dhjetë vjeçarin e fundit të shekullit të kaluar ngriti një spital, që sipas konsullit të tyre në Shkodër, Ippen, kishte një spital, ku shërbenin një mjek e katër infermiere (murgesha), ambulancë dhe afër tij ngrihet edhe një shkollë për vajzat. Të sëmurët, që shtroheshin në këtë spital, shërbimin dhe barnat i kishin falas, bile shpesh personeli i këtij spitali dilte në fshat ku kuronte dhe shpërndante barna e ndihma të tjera falas, me qëllim që të përhapte influencën e shetit të tij në popullin shqiptar. Këtë e dëshmon edhe korrespondenca e konsullit austriak në Shkodër me Vjenën, i cili raportonte se: “Spitali i motrave të Mëshirës në Shkodër, u përmirësua dhe u zmadhua me godina anekse përkatëse, u pajis me një ambulancë dhe u emërua një mjek i ri, aktiviteti me shumë sukses i të cilit kontribuoi shumë për forcimin e pushtetit tonë në popull”.
Duhet theksuar se ky spital ishte i kompletuar me të gjitha anekset përkatëse, i pajisur me vegla e orendi nga më të mirat e kohës, ku kryheshin disa lloje operacionesh mjaft të vështira. Kjo është edhe arsyeja, që përveç shkodranëve qytetarë e fshatarë, në statistikat e këtij spitali gjejmë emrat e mjaft pacientëve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bile edhe nga jashtë shteti, në vitin 1904 përbënin 4% e të gjithë të shtruarve.
Spitali thuhet se kishte një rregull e pastërti shembullore, ndërsa mjekët, sidomos kirurgët ishin shumë të përgatitur dhe bënin operacione të padëgjuar deri në atë kohë. Nga statistikat e këtij spitali të bien në sy fakti se ky spital ka funksionuar nën kapacitetin e tij, kjo për mentalitetin e popullsisë në atë kohë për propogandën anti Austriake që bënte një rrymë vendase, që ishte kundër “ndihmave” që vinin nga jashtë me bindje se këto ndihma nuk ishin në interes të kombit shqiptar.
Popullariteti që pati spitali austriak ngjalli zilinë e italianëve, të cilët që në vitin 1900 hapën në Shkodër një qendër të vogël shëndetsore, gjoja private, por që investohej nga shteti, Italian, me qëllim që të shtrinte gradualisht influencën e tij në Shqipëri. Ndihmoi për hapjen e institucioneve italiane në Shkodër, termeti i vitit 1905, periudhë në të cilën italianët ngritën një ambulancë për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve, që shërbeu si fillim për ngritjen e një spitali Italian në Shkodër. Për të fituar kohë ato blenë një shtëpi dhe e adaptuan një spital me 10-12 shtretër e pranë tij ngritën një shkollë për infemiere, në të cilën grumbulluan disa vajza jetime.
Në dhjetë vjeçarin e parë të shekullit tonë italianët intensifikuan punën për ngritjen e spitalit të tyre që të revalizonte spitalin austriak, për këtë gjeti edhe mbështetjen e parandorisë otomane, e cila ishte e interesuar që ta përdorte si ekuilibër ndaj Austro-Hungarisë. Kështu në vitin 1913 italianët hodhën themelet për ndërtimin e një spitali, pikërisht aty ku deri tani ishte hotel “Sporti”, por që për shkak të Luftës së Parë Botërore mbeti pa u përfunduar. Kjo ndërtesë u prish nga plani rregullues i qytetit, ndërsa spitali ushtarak vazhdon të mbetet në këmbë, i adaptuar për shtëpi banimi.
Ndërsa kishte disa spitale në Shkodër, pavarsisht nga interest dhe qëllimet e atyre që i ngritën, në periudhën e rrethimit të Shkodrës nga Mali i Zi e Serbia (tetor 1912 – prill 1913) u dëgjua shumë nevoja e spitaleve për kurimin e të plagosurve. Për këtë u ngritën spitale fushore, u kthyen në spitale shumë banesa që disa besimtarë i kishin lënë “për shpirt të tyre “për smurtore”. Por spitali më i madh në Shkodër ishte ndërtesa ku është sot Komiteti Ekzekutiv i K.P të Rrethit në të cilën ishin vendosur 800 të plagosur më katër kirurg në dispozicion.
Në kohën e “pesë krajlave”, siç e quan populli, ushtrinë franceze, italiane, angleze, gjermane, austro-hungareze, u shtuan mjaft numri i mjekëve të huaj dhe i institucioneve shëndetsore, bile u ngritën edhe 4 laboratorë mjeksorë.
Nga Agim Parruca, Shkodra Bastioni i Qyteterimit Shqiptar
Gazeta “Bashkimi” Mars, 1981


Leave a Reply