Nga Prof. Paskal Milo
Jo vetëm dokumentet gjermane, por edhe ato shqiptare, britanike dhe amerikane, provojnë se konsullata gjermane në Tiranë dhe komanda e trupave gjermane në Shqipëri synuan që të siguronin edhe bashkëpunimin e një kreu krahinor me influencë e pasues si Abaz Kupi. Në projektet e tyre në vigjilje të pushtimit ai mendohej se do të qëndronte neutral dhe nuk iu kushtua vëmendje e veçantë deri në mesin e shtatorit 1943, edhe sepse ende ai ishte formalisht anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të F.N.Çl.
Interesimi për t’u afruar me Kupin u rrit vetëm në gjysmën e dytë të shtatorit e më tej. Atë në një farë mënyre e nxiti edhe vetë ai pas pushtimit të Shqipërisë nga trupat gjermane. Bazi i Canes siç njihej ndryshe ishte me bindje politike pasues i Mbretit Zog dhe si major i ushtrisë shqiptare kishte udhëhequr rezistencën e disa forcave të saj në 7 prill 1939 kundër trupave italiane që zbarkuan në Durrës. Ai ruajti deri në kohën e pushtimit gjerman emrin e mirë të antifashistit. Njeri pa shkollë, Kupi kishte intuitë e përvojë për t’u orientuar dhe si shumë politikanë shqiptarë nuk njihte parime e moral, veç interesa personale e klanore.
Ashpërsimi i klimës së marrëdhënieve midis F.N.Çl, e Ballit Kombëtar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Mukjes si dhe pushtimi gjerman e vendosën Kupin para dilemës së orientimit. Ai nuk mund të bashkëjetonte nën çatinë e F.N.Çl me komunistët jo vetëm për shkak të bindjeve të kundërta me ato të tyre, por edhe për arsye të karakterit, formimit e ambicies së tij prej bajraktari. Po kështu, ndonëse ishte i afërt me disa liderë të Ballit Kombëtar e ndante mjaft pikëpamje të përbashkëta me ata, nuk e pëlqente bashkimin me këtë organizatë edhe për faktin se ajo kishte një orientim republikan.
Në këto rrethana Bazi i Canes gjykoi se kishte ardhur momenti që ai të krijonte organizatën e vet politike me orientim monarkist e të shpaloste objektivat e saj. Këtë e bëri përmes publikimit të dy njoftimeve. I pari, në formën e Thirrjes në 18 shtator 1943 në emër të Partisë Nacional Zogiste të nënshkruar nga vetë Kupi së bashku me Fiqiri Dinen, Muharrem Bajraktarin, Aqif Lleshin, Sul Kurtin, Myftar Kaloshin e Cen Elezin. Në këtë adresim publik ftoheshin shqiptarët për luftë kundër pushtuesve dhe i thureshin lavde Mbretit Zog, i cili gjoja kishte takuar kryeministrin britanik Winston Churchill që i kishte premtuar se Shqipëria do të ishte e lirë me të gjitha të drejtat e sovranitetin e saj të mëparshëm.Një ditë më vonë, në 19 shtator, Kupi bëri një njoftim të dytë në të cilin pa i përmendur me emër aludonte për zënkat e F.N.Çl e të Ballit Kombëtar që ishin kundër vullnetit të tij e që deklarohej se do të luftonte ndaj çdo pushtuesi.
Në të dy këto dokumente ka ndër të tjera një element të përbashkët: pushtuesi është abstrakt, nuk përmendet me emër. Bazi i Canes ka mbajtur një qëndrim taktik në pritje të zhvillimit të ngjarjeve pa e prishur me asnjë nga palët ndërluftuese. Nga njëra anë flet për luftë kundër pushtuesve por hesht e nuk e cilëson me emrin e tyre dhe nga ana tjetër i referohet një takimi imagjinar Churchill – Zog për të lartësuar mbretin e për të sugjestionuar shqiptarët.
Neubacher në kujtimet e tij referuar muajit shtator-tetor 1943 në lidhje me Kupin ka shkruar: “Ne e lamë të qetë, dhe ai ne nuk na ka trazuar fare”.
Mesazhi i Kupit u kap si nga gjermanët ashtu edhe nga misionet britanike në Shqipëri. Me atë u
Mithat Frasheri dhe Abaz Kupi
Mithat Frasheri dhe Abaz Kupi
njohën edhe udhëheqjet e PKSH e të Ballit Kombëtar. Gjermanët menjëherë aktivizuan shqiptarët e vënë në shërbim të tyre sidomos Mehdi Frashërin për të bërë për vete liderin zogist. Jo pa qëllim në Kuvendin Kombëtar që konstituoi regjimin kolaboracionist atij iu thurën elozhe e kjo nuk mund të bëhej pa miratimin e gjermanëve. Me ndërmjetësinë diskrete të “miqve” të përbashkët u bënë edhe përpjekjet e para për ta afruar Bazin e Canes ose të paktën për të fituar neutralitetin e tij. Neubacher thotë se kjo përshëndetje “nuk na shqetësoi aspak ne” dhe “nuk ishte një demonstrim kundër nesh”.
Takimi i parë i dokumentuar për gjatë këtij procesi ishte ai i muajit tetor 1943 midis Abaz Kupit e kapitenit gjerman Lange. Bazi i Canes si dhelpër politike synoi të testojë e të dëgjojë se çfarë i propozonin gjermanët e t’i mbante dyert e hapura në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Takimi më tepër ka konfirmuar një marrëveshje mossulmimi të përkohshme mes palëve. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme dokumentare shqiptare apo të huaj që të dëshmojë qoftë edhe një aksion antigjerman të forcave të Kupit pas tetorit deri në verën e vitit 1944.
Bazi i Canes, i bindur se koha po punonte në favor të tij për të krijuar një lëvizje të gjërë politike dhe ushtarake zogiste, në 21 nëntor 1943, në Zall – Herr mblodhi një Kongres, në të cilin shpalli krijimin e Lëvizjes Kombëtare të Legalitetit.
Lëvizja e Legalitetit që në ditët e para të krijimit të saj u kundërshtua me forcë nga Partia Komuniste. Lideri i saj Abaz Kupi u vendos në qëndër të kritikave e të akuzave nga ana e F.N.Çl, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të të cilit ai ishte ende zyrtarisht. Disa ditë pasi u shpall trakti për krijimin e Partisë Nacional Zogiste në 18 shtator, Enver Hoxha udhëzoi komitetet qarkore të PKSH që ajo të luftohej si parti jo përparimtare e që bënte lojën e pushtuesit dhe demaskimi i saj të bëhej në mënyrë progresive e pa “shpejtuar deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të F.N.Çl që do të gjykonte këtë çështje”.
Në fund të tetorit Bazi i Canes shpalli divorcin përfundimtar me Frontin Nacional-Çlirimtar. Në një letër dërguar Këshillit të Përgjithshëm ai njoftoi se për shkak të mosmarrëveshjeve midis F.N.Çl e Ballit Kombëtar e të pamundësisë së bashkëpunimit midis tyre kishte vendosur të shpallte partinë e Legalitetit siç kishte qenë para 7 prillit 1939.
Fundi i vitit 1943 shënoi fillimin e armiqësive të hapura midis F.N.Çl e Legalitetit. Çdo urë komunikimi midis tyre u ndërpre përfundimisht. Asnjanësia e sforcuar e partisë zogiste, as kundër pushtuesve por as edhe në aleancë me Aleatët rezultoi pa perspektivë. Gjermanët i ndiqnin nga afër lëvizjet e Kupit. Shërbimi sekret i Wehrmacht-it i raportoi Neubacher-it se në 3 shkurt 1944 lideri zogist kishte patur jashtë Tiranës një takim me personalitete politike dhe anëtarë të qeverisë kolaboracioniste. Ishte koha kur po bëheshin negociata për të zgjeruar bazën e qeverisë me Ballin Kombëtar por edhe me Legalitetin. Balli Kombëtar dërgoi tre përfaqësues në qeverinë e Mitrovicës. Legaliteti nuk pranoi por edhe gjermanët ende nuk ishin të bindur për besnikërinë e kësaj partie, ndonëse kontaktet e fshehta nuk ishin ndërprerë. Në dhjetor 1943 Bazi i Canes ishte takuar përsëri me dy oficerë gjermanë të cilëve u kishte premtuar se forcat e tij nuk do të sulmonin gjermanët në rrugët që kalonin nëpër Mat.
Gjermanët në Tiranë
Gjermanët në Tiranë
Në mars 1944, Neubacher i kërkoi Konsullatës së Përgjithshme Gjermane në Tiranë një raport mbi qëndrimin e Abaz Kupit. Rreth një muaj më vonë përgjigja prej kësaj konsullate ishte se “Abaz Kupi ende ka qëndrim jo të prerë. Ai është vazhdimisht në kontakt me anglezët dhe po mbledh forca, mirëpo po i shmanget konflikteve me trupat gjermane”. Mehdi Frashëri si kryetar i Regjencës, bëri çmos për ta tërhequr Legalitetin në qeveri jo vetëm se kërkonte të largonte Mitrovicën e Devën por mendonte se i shërbehej edhe më mirë stabilitetit të vëndit. Me ndihmën e tij por edhe me “mirëkuptimin” e qeverisë kuislinge e të gjermanëve, pasues të Legalitetit ishin përfshirë në forcat e xhandarmërisë e të administratës.
Në kulmin e krizës qeveritare, në fund të majit, burimet gjermane dëshmojnë se Abaz Kupi ka marrë pjesë në një takim me Mehdi Frashërin, Mithat Frashërin, Lef Nosin, Gjon Marka Gjonin, Fiqiri Dinen e Cen Elezin për të gjetur një formulë për një qeveri të qëndrueshme e për një aleancë antikomuniste. Sipas burimeve britanike dhe amerikane një takim tjetër u zhvillua mes përfaqësuesve të Ballit Kombëtar (Mithat Frashërit), të Legalitetit (Abaz Kupi) dhe Fiqiri Dines, Gjon Marka Gjonit e Eqrem bej Vlorës po për të njëjtin qëllim. Kupi ka pranuar të bashkëpunojë por jo hapur e ka rënë dakord që një zogist i njohur si Fiqiri Dine të propozohej për kryetar qeverie. Gjermanët nuk mbetën të kënaqur nga Mehdi Frashëri për këtë zgjidhje dhe ushtruan presion ndaj kryetarit të Regjencës, por ai i siguroi se Kupi nuk do të luftonte kurrë kundër ushtrisë gjermane.
Në fund të qershorit Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare urdhëroi Divizionin I të kryente veprime luftarake në veri të lumit Shkumbin. Deri në këtë kohë Lëvizja Nacional-Çlirimtare ishte zhvilluar më shumë në jug të Shqipërisë. Në veri vepronin disa batalione e çeta partizane si në Dibër, Mat, Martanesh, malësitë e Shkodrës, etj. Kupi e quante zonën e vet ekskluzive të kontrollit veriun e Tiranës, Ishmin, Krujën e Matin, ashtu si Gjon Markagjoni Mirditën, Muharrem Bajraktari Lumën, Gani Kryeziu Malësinë e Gjakovës, Fiqiri Dine, Cen Elezi e Kaloshët pjesë të Dibrës, etj. Sundimi tradicional i bajraktarëve në këto zona ishte kthyer në institucion e në një të drejtë zakonore ku autoriteti i shtetit dhe i ligjit ose nuk funksiononte, ose respektohej fare pak.
Kapërcimi i Shkumbinit dhe marshimi i forcave partizane përmes luftimeve kundër trupave gjermane në malësitë e Tiranës e alarmoi Abaz Kupin dhe bajraktarët e tjerë të veriut. PKSH dhe F.N.Çl, kishin dhënë arsye e deklarata për të ngjallur panik e për të kërcënuar sundimin e tyre kanunor, aq më tepër se mjaft prej tyre ishin kompromentuar hapur në bashkëpunim me pushtuesit, në fillim italianë e më vonë gjermanë.
Për të përballuar këtë rrezik Kupi në fillim të korrikut ushtroi shumë më tepër se më parë politikën e tij të njohur e të dyfishtë, sa me gjermanët e me qeverinë kolaboracioniste në ikje të Rexhep Mitrovicës aq edhe me britanikët që në Shtabin e tij kishin dërguar një mision të ri ushtarak që në muajin prill me në krye të mirënjohurin Neil McLean. Legaliteti kalimin e forcave partizane në malësitë e Tiranës e të Krujës e quajti “provokim terrorist” e “vëllavrasje” dhe mobilizoi të gjitha trupat e tij kundër tyre.Në këto luftime ai bashkëpunoi hapur me forcat gjermane e ato të qeverisë kuislinge.
Kupi nuk hezitoi dhe këtë e vërtetojnë shumë qartë dokumentet gjermane për t’i kërkuar gjeneralit Fitzthum furnizime me armë për të konsoliduar pozitat e për t’i rezistuar ofensivës së forcave partizane. Por gjermanët dyshonin për vullnetin e tij për të “filluar luftën e hapur kundër komunistëve”. Dyshimi i tyre rritej edhe për faktin se ai ishte i lidhur me anglezët. Për të vënë në provë Kupin, Neubacher i rekomandoi Konsullatës së Përgjithshme në Tiranë që ai të ftohej për negociata pa ndërmjetësimin e Mehdi Frashërit të cilin në aspektin politik e quante të padobishëm. I Dërguari i Posaçëm Gjerman për Evropën Juglindore autorizoi Scheiger-in të mbante lidhjet me Abaz Kupin por me kushtin që ai të shkëputej nga anglezët. Neubacher e bëri të qartë se “në këtë fazë nuk lejohen furnizime me armë” për Kupin.
Bazi i Canes provoi që atë çfarë nuk e siguroi direkt nga gjermanët ta merrte tërthorazi përmes mikut të tij Dine. Kryeministri, një figurë jo aq e besueshme për gjermanët me zellin e fillimit si kryetar qeverie u premtoi atyre operacione të suksesshme kundër forcave partizane. Por u kërkoi që të merrnin përsipër armatosjen e dy divizioneve malore shqiptare dhe pajisjen e tyre edhe me tanke. Kërkesa e Dines u shoqërua me zhvillimin e operacioneve ushtarake të forcave të bashkuara gjermane, kolaboracioniste shqiptare por edhe të Legalitetit në fund të korrikut në zonën Mat – Dibër që rezultuan në një tërheqje të përkohshme të partizanëve. Projekti i formimit të dy divizioneve shqiptare i joshi gjeneralët gjermanë, Fitzthum dhe Fehn të cilët e dërguan me sugjerime pozitive te eprorët e tyre të Wehrmacht-it.
Në dallim prej tyre, Neubacher, Schliep dhe Scheiger që përfaqësonin vendimmarrjen politike gjermane në Shqipëri dhe Vilhelmshtrase e kundërshtuan projektin me dy argumente. I pari, se ai ishte i pa mbështetur, euforik dhe jo realist. I dyti, se prapa tij fshihej Abaz Kupi që me stilin e tij të njohur “urtë e butë e plotë tigani” synonte të krijonte një bazë të fuqishme armatimesh që do t’i shërbente për ballafaqimin e pritshëm final të armatosur me komunistët për pushtetin e ardhshëm. Scheiger nuk arriti ta bindë Kupin për të ardhur në Tiranë e për të biseduar sipas porosisë së Neubacher-it. Për rrjedhojë rekomandimi i tyre te Ribbentropi për ta furnizuar me armë atë dhe Dinen ishte negativ.
Çështja u diskutua midis niveleve të larta të Wehrmacht-it e të Vilhelmshtrases. Drejtoria Qendrore e Sigurimit Shtetëror informoi ministrinë e jashtme se “udhëheqësi anglofil i bandave Abaz Kupi ka kërkuar municion” dhe si kundërshpërblim për këtë “ka garantuar ruajtjen e lirisë së qarkullimit për forcat e armatosura gjermane në rrugën Tiranë – Shkodër në rast të tërheqjes eventuale gjermane”. Ribbentropi besoi më shumë në argumentet e Neubacher-it.
Gjithsesi partia zogiste kishte përfituar mjaft ndihma nga qeveria Mitrovica e në fund edhe nga ajo Dine dhe jo pa dijeninë e gjermanëve. Dokumente të administratës kuislinge dëshmojnë se në korrik forcat e xhandarmërisë me miratimin e mbështetjen e gjermanëve bashkëpunuan me forcat e Legalitetit në Mat për të ndaluar mësymjen e partizanëve dhe u furnizuan edhe me armatime të tilla si mortaja, mitraloza e municione. Kupi financohej e furnizohej me ushqime e me bukë nga depot e qeverisë e furrat e Tiranës. Në dispozicion të tij u vunë edhe kamiona ushtarakë gjermanë për transportimin e trupave e të municioneve.
Jo vetëm dokumentet gjermane por edhe ato britanike e amerikane të kohës kanë vërtetuar bashkëpunimin e Legalitetit me pushtuesit. Në përfundim të Luftës, Departamenti i Shtetit në Shtetet e Bashkuara në lidhje me Abaz Kupin kishte arritur në përfundimin se “ekzistojnë fakte të mbështetura mirë nga burimet sekrete amerikane dhe britanike se ai dhe pasuesit e tij kanë bashkëpunuar me gjermanët dhe regjimin kukull shqiptar në Tiranë pas tetorit 1943”.
*Shënim: Titulli i autorit, “Paqe në heshtje me Legalitetin”
Burimi/Gazetadita.al/


Leave a Reply