Në Mal të Zi të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare në të cilat 17 lista zgjedhore me 34 parti politike konkurruan për 81 vende në parlament.
Në orën 20 sipas kohës lokale janë mbyllur kutitë e votimit dhe sipas organizatave vëzhguese deri një orë para mbyllje së tyre, në zgjedhje morën pjesë rreth 71 për qind e afro 530 mijë votuesve të regjistruar.
Dita e zgjedhjeve u përcoll me njoftimet për arrestimin e 20 personave nga Serbia, nën dyshimin për krijimin e një organizate kriminale dhe veprime terroriste.
Drejtori i policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviç tha se “ata, siç dyshohet, kanë hyrë në Malin e Zi dhe kishin për qëllim që pasi të armatoseshin me armë automatike, të kryejnë sonte sulme mbi institucionet e sistemit, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarë të lartë të shtetit”.
Në mesin e grupit ishte edhe ish-komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratislav Dikiç.
Zyrtarë të policisë thanë se grupi në fjalë ka hyrë në Mal të Zi “në bazë të marrëveshjes me një grup politik”, me qëllim që të shkaktojë konflikt të armatosur në ditën e zgjedhjeve parlamentare.
Autoritetet serbë thanë ndërkaq se po presin informacion zyrtar nga Podgorica para se të komentojnë njoftimet për arrestimet e sotme të shtetasve të Serbisë.
Bratislav Dikiç, aktualisht është kryetar i Fronti Patriotik të Serbisë, organizatë nacionaliste e lidhur me qarqet ekstreme ruse. Vitin e kaluar në qytetin e Nishit në jug të Serbisë ai organizoi protesta kundër NATO-s, ndërkohë që dyshohet se protesta të ngjashme organizoi edhe në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë.
Drejtoria e policisë malazeze para tri ditësh paralajmëroi mundësinë që gjatë natës zgjedhore në vend të shkaktohet dhunë, transmetojnë këto media.
Zgjedhjeve u parapriu një fushatë tejet e ashpër midis Partisë Demokratike Socialiste të kryeministrit Milo Gjukanoviç dhe të një grupi të partive opozitare pro-ruse, të cilat janë kundër anëtarësimit në NATO.
Votimet e së dielës shiheshin si perballje e partisë në pushtet me sprovën më të rëndë në 27 vjet, e cila shpreson që zotimi i saj për ta anëtarësuar vendin në NATO dhe për ta afruar me Bashkimin Evropian, do të fitojë mbi pretendimet e opozitës për korrupsion dhe nepotizëm.
NATO-ja i bëri ftesë për anëtarësim shteti të vogël Ballkanik me rreth 620 mijë banorë .
Kryeministri Milo Gjukanoviç, 54 vjeçar, i paraqiti votimet si zgjedhje ndërmjet integrimeve perëndimore nëse fiton partia e tij ose shndërrimit të vendit në “koloni ruse”, nëse fiton opozita.
Ai akuzoi opozitën se është paguar nga rusët, një pretendimi që është hedhur poshtë nga opozita por edhe Rusia.
Opozita thotë se pohimet e tilla të kryeministrit janë përpjekje për të m buluar kulturën e favorizimeve që zoti Gjukanoviç ka lejuar të lulëzojë gjatë dominimit prej një çerek shekulli.
Burimi/Zeri i Amerikes/


Leave a Reply