George Seldes, një nga gazetarët më të mëdhenj të Amerikës, në librin e tij “Dëshmitar i një shekulli”, ka shkruar për takimet, intervistat, bisedat me njerëz të shquar të shekullit të njëzetë me politikanë si Lenini, Hitleri, Musolini, Tito etj., me artistë dhe shkrimtarë si Sara Bernardt, Heminguej, D’Anuncio, Teodor Drajzer, Ndwr ta edhe Isadora Dunkan
George Seldes
Vepra e vetme dhe e vetmja autobiografi e vërtetë e Isadora Dunkanit, kështu pra, e shkruar prej saj, jo e shkruar prej ndonjë shkrimtari anonim apo e shkruar nga ana e ndonjë adhuruesi – është kapitulli që i diktoi një sekretares, të cilën e kish pajtuar më 1924. Në kohën që më kishte premtuar të më shiste historinë e jetës të saj plus letrat e dashurisë (ku përfshiheshin njerëz të shquar duke filluar që nga Gordon Craig deri tek D’Annunzio) për 5,000$.
Dy mijë a tre mijë fjalët që ka diktuar na e bëjnë të ditur se Isadora mund të kishte shkruar një libër të mirë; ajo dinte të shprehej për së mbari. Isadora kishte ardhur nga Moska në Paris për ta rimarrë veten prej burrit të saj, poetit rus Esenin (apo Jesenin, siç e thërrisnin). Ajo grindej me të parreshtur e gjithë kohës, thuajse çdo ditë kur ai dehej. Ajo kish vajtur pas tij në Berlin, por ai sërish e la dhe u kthye në Moskë.
E gjeta Isadorën në Hotel Central, një shtëpi e klasës së tretë pranë stacionit të trenit në Friedrichstrasse, dikur në kohën time ajo pat qenë perëndesha e vallzimit ( Teatri Nikson, Pitsburg, 1909) tani e ngjallur, e mbajtur keq, e fryrë e tëra si ndonjë e burgosur në dhomën e saj, sepse nuk kish para për të paguar gjë prej gjëje. Ndoshta po vuante edhe urie.
Por para se unë t’i thoja se përse kisha vajtur, ajo më pyeti nëse mund të pinte diçka. Kur thirra kamerierin, ajo i tha atij t’i sillte një çerekshe xhini (0.94 l.). Pagova duke e vrarë mendjen se si do ta mbuloja llogarinë e një shpenzimi të tillë. Paragrafi i parë i asaj që do të ishte biografia e Isadorës tregon qartë se ajo do të vazhdonte me të. Më diktoi:
E kam të vështirë ta shkruaj këtë libër. E kam të vështirë të flas kur e di se çdo fjalë do të hiqet. Unë dua që ky libër, që do të le pas të ketë paksa vlerë. Do të kishte vlerë nëse do të ishte një libër, i cili do t’i ndihmojë njerëzit për të jetuar.
Unë dua të rrëfej të vërtetën rreth dashurive të mia dhe artit tim sepse tërë bota është e mbushur fund e krye me gënjeshtra. Ne ia fillojmë me gënjeshtra dhe mbarojmë po me gënjeshtra. Ne fillojmë me gënjeshtra dhe jetojmë së paku gjysmën e jetëve tona të mbushur me gënjeshtra.
Kjo është Isadora që flet – unë nuk i kam ndryshuar asnjë fjalë. Kapitulli i saj i parë endet nga një temë tek tjetra. Ajo nuk kish bërë ndonjë skemë a paraqitje në vija të përgjithshme. Vazhdoi të diskutonte për dashurinë: “Unë dua t’i tregoj njerëzimit se nuk di si të dashurojë…
Dashuria nuk është ajo e mishit. Si askush tjetër kam pasur nga ky lloj, të cilin burrat guxojnë ta quajnë dashuri – burra që u dilte shkuma nga goja – burra, të cilët qanin se do ta vrisnin veten nëse unë nuk i dashuroja. Dashuria – budallallëqe!… Nga të gjitha anët kam qenë e rrethuar prej të gjithë llojeve të burrave. Çfarë donin ata?… Ata i thonë shishes, “Kam etje. Dua të të pi.
Dua të të gëlltis të tërën:” Mua më thonë të njëjtat gjëra. “Jam i uritur të dëshiroj ty, dua të të zotëroj të gjithën trup e shpirt.” Oh, ata zakonisht e shtojnë fjalën shpirt ndërsa luten veç për trupin! A ishte ajo dashuri? Ishte histeri.
Po ashtu Isadora shprehu pikëpamje për të cilat dyshoja Kolonel McCormick do t’i kishte botuar në gazetën më të madhe të botës.
Ajo më tha: Gjithçka që është më e domosdoshme për ta bërë këtë botë një vend më të mirë për të jetuar është të dashurosh – të dashurosh siç dashuronte Krishti, siç dashuronte Buda.
Kjo ishte gjëja më e mrekullueshme që mund të themi për Leninin: ai me të vërtetë e donte njerëzimin.
Të tjerët duan veten e tyre, paratë, teoritë, pushtetin: Lenini i donte miqtë e tij.
Ata më thonë mua, “Si mund të jesh kaq entuziaste për Leninin – ai nuk besonte në Zot.
“Unë përgjigjem: Kjo është thjesht një frazë. Lenini ishte Zoti, sikurse Krishti ishte Zoti, sepse Zoti është Dashuri dhe Krishti e Lenini ishin plot e përplot Dashuri.”
Ndërsa po shkonim drejt përfundimit të diktimit të kapitullit të parë, ajo iu kthye temës së artit të vet:
Unë nuk jam valltare. Nuk kam vallzuar asnjë hap në jetën time. I urrej të gjitha vallzimet… Ajo që jam e interesuar të bëj është të gjej dhe të shpreh një formë të re të jetës. Grekët jetonin. Njerëzit e ditëve tona nuk jetojnë.
Nuk pati kapitull të dytë për këtë libër, kurrë më nuk u shkrua. Sekretarja angleze erdhi ditën tjetër në zyrën time duke sjellë me vete dorëshkrimin dhe kërkoi të paguhej. Ajo nuk donte më të shoqërohej me Isadora Dunkanin.
E dënonte atë për të dyja si për qëndrimin moral ashtu edhe për qëndrimin politik.
Kaluan disa ditë para se mund të gjeja dikë që të mund shkruante anglisht ndërsa i diktonin.
Kur i telefonova sërish, Isadora më ndërpreu për një farë shkaku, më tha se do të më telefononte dhe kur nuk më erdhi asnjë telefonatë, unë vajta prapë në atë hotelin e saj shkatarraq.
E gjeta Isadorën më esëll, të veshur me një rrobë të shkëlqyer dhe duke paketuar rroba në një valixhe të re me ndihmën e disa vajzave të qeshura (të paguara mirë me bakshish): “Po nisem për në Spanjë,” tha ajo. “Do të marr kurën. Kam për ta prerë pijen. Jam shumë e shëndoshë, por do të dobësohem… Kam ndërmend që të kem përsëri një studio.
Do të shkoj në Nisë për të kaluar dimrin…”
Çfarë kishte ndodhur në tri apo katër ditët e mëparshme? Filli i vetëm i shpjegimit u gjet kur Isadora më rrëfeu se në një farë mënyre historitë e saj po shfaqeshin nëpër gazetat europiane – ndoshta dhe në ato amerikanet – duke thënë se ajo po i shiste letrat e saj të dashurisë për botim.
Ajo kishte marrë disa telefonata dhe një a dy njerëz të rëndësishëm i luteshin të mos e bënte këtë gjë. Ajo do të vendoste pasi të këshillohej me mikun e saj në Paris – zotëria i cili i kishte premtuar studion në Nisë. Ajo mund ta shkruante autobiografinë e vet – po të shiste letrat e dashurisë? Isadora ishte e zemëruar për këtë çështje.
“Do të të telefonoj nga Parisi,” por, natyrisht kurrë nuk më telefonoi.
E pashë edhe njëherë tjetër, në Nisë, tre vjet më vonë. Studioja ishte e mbushur plot me miq dhe Isadora “vallzonte” për ne. Ishte vetëm një kujtim thjesht nostalgjik i artistes së madhe që kisha parë në Pitsburg më 1909.
Në vitin 1976 mbesa ime, Marian Seldes, kishte rolin kryesor në një pjesë të quajtur për ndonjë arsye, Isadora Dunkan fjeti me Marinën Luftarake Ruse. Marian më pyeste nëse dija diçka më shumë për Isadorën, përveç atyre që tashmë kisha shkruar – për shembull episodi i letrave të dashurisë.
Mendova se tani kishte ardhur koha, përderisa Isadora Dunkan ish një emër kaq i madh, kështu që nuk do ta lëndoja duke ndjekur atë që është diktuar në Biographie Universelle de France, se “të vdekurve ne nuk u detyrohemi gjë tjetër veç të vërtetës.” Iu përgjigja:
1 nëntor 1976
Shumë e dashur Marian,
Sigurisht ti di tre rastet e takimeve me të – dalldisjen time rinore pas balerinës së Këngës të Pranverës të Mendelsonit… dhe më 1924 aventura në Berlin…
Është dhe një episod për të cilin nuk kam shkruar kurrë sepse mendoja se do të kishte qenë shumë i pashpirt – megjithatë, ndoshta jo aq i pashpirt po të ishte luajtur në skenë.
Ja si ndodhi më 1924 në kohën që Isadora ishte në Hotel Central… e braktisur nga të gjithë, rastisi që një kompani muzikore e komedisë gjermane pruri edhe një shfaqje të quajtur E vogla Xhesi Xhejms solli edhe gjashtë vajza koriste për ta shfaqur këtë komedi muzikore gjermane.
Ato ishin tipa të zakonshëm, gjithsej gjashtë por ndoshta vetëm pesë ishin leshverdha, të bukura në kuptimin e atyre kopertinave të revistave, jo të gjitha por njëra të paktën ia vlente.
Eyre e gazetës World la takim me secilën prej tyre.
Dikush, ndoshta ndonjë gjerman ose amerikan i pasur, që kishte një apartament madhështor, dha një pritje të madhe për Isadora Dunkanin, duke ftuar çdo njeri që njihej me të, edhe shtypin, edhe të gjashtë vajzat e shfaqjes E vogla Xhesi Xhejms. Në kohën që mbërrita atje Isadora kishte ngrënë shumë dhe ishte shtrirë në një kanape e ngjallur dhe e fryrë. Ndonëse u përpoqëm ta sillnim në qejf, më tej vijoi skena e shëmtuar për të cilën do bëj fjalë.
Të gjashtë vajzat amerikane të korit, të cilat nuk kishin asnjë ide për vallzimin klasik për të thënë nuk dinin asgjë fare nga baleti, sajuan vallzimin e tyre, një kërcim sipas një komedie muzikore amerikane duke u vërtitur rreth e rrotull kanapesë ku ishte shtrirë gjysmë e dehur Isadora me sytë e qelqtë të hapur – secila vajzë e korit shqelmonte kofshët e saj dhe të gjitha këndonin diçka nga shfaqjet e tyre të fundit amerikane.
Është një skenë të cilën nuk kam për ta harruar kurrë megjithëse është nga të paktat gjëra ku kam qenë dëshmitar kurrë nuk jam kujdesur për ta shkruar ose për t’ia treguar dikujt.
Nga libri “Dëshmitar i një shekulli”


Leave a Reply