Kryeministri, Edi Rama, ka dhënë disa detaje rreth takimit që do të realizohet në Nish të Serbisë, mes dy qeverive, asaj shqiptare dhe serbe. Në një intervistë për Klan Kosova, kreu i qeverisë shqiptare, ka sqaruar se çfarë pritet të ndodhë në Nish dhe se sipas tij ai nuk kishte ushtruar ndikimin e tij që të thirreshin mysafirë nga Kosova.
“Në Nish, ky plan do të prezantohet në një forum ekonomik biznesi shqiptaro-serb. Kjo është e gjitha. Nuk e kam ndërmjetësuar pjesëmarrjen e niveleve të larta të qeverisë së Kosovës në këtë takim dhe as nuk më është kërkuar dhe as s’e kam kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Rama sqaroi se asnjëherë nuk ka bërë ndasi me Kosovën, por gjithashtu as nuk përzihet në punët e Kosovës me palët e treta.
“Ky forum biznesor që do të organizohet në Nish të Serbisë, sipas kryeministrit Rama ka kohë që po planifikohet”, – shtoi kreu i qeverisë.
“Ne jemi takuar si çdo vit tanimë në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor, dhe unë kam prezantuar me shumë krenari produktin fillestar të një pune të përbashkët, që e ka pasur zanafillën tek bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës për reduktimin e barrierave tregtare”, – tha Rama mes të tjerash.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply