Kam përjetuar emocione të veçanta, teksa hidhja në këto faqe libri, jetën time, më shumë se një gjysmë shekulli. Të shkruash për veten, është guxim, por edhe përgjegjësi e madhe përpara lexuesit.Dalja në dritë e këtij libri lidhet me eventin që kam, pasi në muajin maj mbush dyzet vjet që jam diplomuar gazetare dhe fillova karrierën.
Kjo ngjarje nuk më takon vetëm mua, por edhe njëzet studentëve të tjerë, që na bashkoi fati, të ishim të parët të çelnim degën e gazetarisë pranë fakultetit të shkencave politike-juridike në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Në trembëdhjetë kapitujt e gjashtëqind faqet e librit “Kjo është jeta ime”, unë zgjodha mënyrën, që përdoret rrallë tek ata që bëjnë jetëshkrimin. Copëzat e jetës të mbështeten jo thjeshtë në rrëfimin tim, por edhe në fakte, dëshmi, foto, emra konkretë.
Jam përpjekur, që të skicoj në vija të trasha, me vërtetësi, historinë e vajzës jetime, që me guxim, përmes vështirësive të mëdha, përballjes me mentalitetin e kohës dhe të regjimit, të hidhte hapat e duhur në jetë. Guximi dhe dëshira për të përshkuar rrugën e gjatë të dijes, bëri që autorja, në jetën e saj, të shfaqet disa herë e para. Është ndër pesë vajzat e para që çeli dyrt e konviktit në shkollën tetëvjeçare të qytetit të Librazhdit, e para që u diplomua mësuese në shkollën Normale të Elbasanit.Pavarësisht se vinte nga një qytet i vogël, është ndër pesë studentet e para, që diplomohet gazetare, por edhe e para femër gazetare, që fillon profesionin në gazetën lokale “Kukësi i Ri”,
Pas emërimit në Radio-Televizionin Shqiptar, përsëri është e para gazetare e këtij institucioni, që nis punën në terren, për të mbetur përsëri e para dhe i vetmi zë vajze, që përcolli me zërin e saj lajmin e hedhjes së themeleve
të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ngjarje e madhe e kohës për Shqipërinë.
Duke e konsideruar profesionin e gazetares njehsuar me të vërtetën, i është dashur të përballet me vështirësi të mëdha gjatë gjithë kohës si gazetare e terrenit.
Autorja e këtij libri, që mbush dyzet vjet gazetare, me dhjetëmijë shkrime të gjinive të ndryshme,botuar,në shtypin e kohës, pas viteve 90-të, është e vetmja gazetare që ka rriskuar, që ka provuar terrorin e dhunën, i cili vinte
nga të gjitha drejtimet.
Periudha më e vështirë ishte dekada kur punoi në gazetën e pavarur “Koha Jonë”, kohë, e cila përkon me ngjarjet e rënda që kaloi Vlora dhe i gjithë vendi.
Është fati i mirë dhe i keq, që rastisi të provojë eksperiencën më të dhembshme në jetën e saj, duke u përballur me trafikantët, bandat, të shkruajë me dorën,
që dridhej për viktimat e “luftës”më të çuditshme mes shqiptarëve, pa asnjë shkak e motiv në vitin 1997.
Është kërcënuar, goditur fizikisht, përballur në gjyqe me pushtetarë, politikanë, prokurorë e gjyqtarë, me gazeta, shërbëtore të pushtetit, për të mbërritur në aktin
fundamentalist të 10 majit 1998, ku me vendosjen e tritolit në banesë, u synua të zhdukej familjarisht.
Në këto fletë hidhërimi të thellë, që nuk janë thjeshtë rrëfime të autores, por fakte, dëshmi, sekuenca filmike dhe foto, nuk kanë mundur të më gllabërojnë brenda tyre, pasi bindja, që më ka shoqëruar gjatë jetës është: “Gazetaria nuk
është vetëm profesion, por edhe mision”.
Në këto rreshta, unë ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që i kam përmendur emrat në faqet e librit, pasi ka pasur të vetmin qëllim: të përcjell të vërtetën, që jetëshkrimi të mos jetë trill artistik, por gjithçka që ka ndodhur, që sot dhe kur të mos jem më, lexuesi të bindet, se dashur padashur, keni ndikuar në jetën
time të trazuar dhe se unë kurrë nuk i kam urryer.
Në jetën time të trazuar janë pjesë edhe vështirësitë e jetës si nënë, për të rritur e shkolluar fëmijët, që hodhën shtat me gjurmët e plagëve të bombës që u vendos, për shkak të profesionit të nënës së tyre. Të gjithë vështirësive u është shtuar edhe fakti, që punoj dhe jetoj në Vlorë.
Libri “Kjo është jeta ime”, ka edhe fletë lumturie, ku zë vend kënaqësia e profesionit, prania ime vazhdimisht mes njerëzve, që për t’i intervistuar kam udhëtuar me mushkë, në këmbë, me avion, në karrocerinë e skodave, me e tragete
dhe me çfarë kam mundur.
Kam shkuar unë tek ata, kudo që ishin: majë maleve, në thellësitë e galerive, tek piramidat në kufi, tek gjeologët, që shponin tokën për të gjetur mineral. Jam ngjitur në lartësinë e oxhakut të Kombinatit Metalurgjik,për të mbërritur në Kullën e Ankarasë, më pas në Kullën Lindore në Shangai në lartësinë katërqind e gjashtëdhjetë metra.
Me diktofonin në dorë, jam futur në burgjet e shteteve të Europës, ku vuanin padrejtësisht bashkatdhetarët e mi, të harruar nga shteti i tyre. Jam ndalur edhe tek semaforët, për të intervistuar vajzat shqiptare, që u bënë preh e dhunës
dhe trafikut, pas rënies së regjimit komunist. Në faqet e këtij libri, zënë vend edhe ndjenjat e sinqerta të miqve dhe mikeshave të mia, që janë presidentë, artiste
të mëdha, personalitete të shquar të kombit tim dhe nëpër shtete të botës. Dashuria e tyre më ka mbajtur ngrohtë edhe në ditët më të dhembshme të jetës sime. Në
jetën e vështirë, që i përngjan një dallge, më ka frymëzuar kënga e mikut tim dhe të shqiptarëve, këngëtarit të famshëm italian Al Bano Karrisi.
Kontributi në shoqërinë civile. ka qenë e mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Themeluese dhe kryetare e shoqatës “Al Bano Karrisi” dhe Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, që për dy dekada, bashkë me të tjerë, duke theksuar gratë e shquara të kombit tim, kemi dhënë kontribute të mëdha në fushën e kulturës dhe veçanërisht në mbështetje të gruas.
Duke përfunduar, ia lë radhën lexuesit që të shfletojë fletët e jetës sime, që nis në arën ku linda në Dardhën me buronja dhe për t’u ngjitur deri në Murin e Madh Kinez në pranverën e vitit 2011.
Jam një qytetare e botës, që kam bërë dhe bëj sa mundem për vendin tim, që kam qeshur dhe kam qarë, që kam vallëzuar me kurajo në valsin e jetës, por që kurrë nuk kam urryer.
Pasuria e vetme që ju lë fëmijëve dhe brezave, është: Emri im.
Kjo jam unë. Kjo është jeta ime. Jetë e trazuar!
Zenepe Luka
Maj 2013.
Burimi – Facebook


Leave a Reply