![]()
Tirana në mbrëmje
Rrugët e Tiranës këtë mbrëmje janë në liri të plotë feste. Përveç hapësirave të ngushta që të zënë frymën nëpër trotuare për të kaluar apo shiut që pikon hera-herës imët, e pastaj prapë ndalon. Por çadrat ‘festexhinjtë’ i kanë me vete. Dhe për çudi mjaft prej tyre kuqëlojnë. I kanë blerë enkas për festën edhe çadrat të kuqe apo rastësisht? Edhe butikët s’kanë lënë më bluza, pardesy, pallto e këpucë të kuqe pa nxjerrë, të cilat ‘nuk i kanë lënë me këpucë të kuqe’. ‘Kemi fituar mirë këto ditë’, thonë dyqanxhinjtë. Por edhe baret-restorantet veç dekoreve me tepri të flamujve, tullumbaceve edhe mbulesa tavoline prej flamuri. Përveç rrugëve tejet të veshura me dekor, njerëzit nëpër rrugë nuk mbeten pas, edhe ata të veshur si për festë, shumica kuq e zi nëpër pulovra, xhupa, funde, bluza, shalle apo mbuluar nga flamuj hedhur supeve, qeleshe me flamur, fytyra të pikturuara si flamur…restorantet, fast-foodet dhe marketet, ato sidomos janë plot, sidomos prej të ardhurve nga trojet shqiptare, që pikasen prej dialektit, shtatlartësisë dhe blerjeve që bëjnë; ushqime bazike të konsumueshme shpejt. Në celular mund të dëgjosh edhe batuta për ngrënien e babëzitur të tortës nga shumica që nuk u bë pjesë e ‘gallatës’, e dikush dëgjon të thotë: ‘‘Lëre, lëre, se lamë nam!”..e të qeshura nga mbrapa. Por edhe ‘mjerimi dhe keqardhje’, do të thotë dikush tjetër. Por këta janë më të paktë.
Shumë duken të çliruar edhe prej faktit se mund të bëjnë ç’të duan me këtë ditë pushimi, plus shto dhe gëzimin e festës…Dhe tani po bëhen gati për koncertet e mbrëmjes. Gjallëri dhe festë unikale për Tiranën. Dmth më festë se kaq s’kishte ku shkonte.
Aktivitete plus
Gjatë ditës, qytetarët tejmbushën si kurrë më parë rrugët e Vlorës dhe Tiranës, ku kanë mbizotëruar këngë dhe vallet tradicionale nëpër rrugë nga ansamble popullore të ardhura nga të gjitha trevat dhe të shoqëruara nga gjithë banorët. Konkretisht në Tiranë duke parë nga afër në rrugën “Murat Toptani”, panairin “Blej Produkte Shqiptare”, kanë shijuar koncerte me këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë dhe popullore. Përpara Galerisë së Arteve, të shumtë kanë qenë ata që kanë vizituar ekspozitën “100 vjet Tirana”, ndërsa aktivitetet në lulishten tek parku “Rinia” i ishin dedikuar tërësisht fëmijëve. Telajo për pikturën me temë, “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime”, koncert për fëmijë, teatër për fëmijë, animatorë, foto-point me personazhe të Pavarësisë ishin disa nga aktivitetet e organizuara, që nga ora 10 e paradites së sotme.
Po kështu tek lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”, Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, Shkolla e Baletit kanë performuar për të rinjtë. Cirku i Tiranës dha shfaqje pranë urës tek rruga, “Ibrahim Rugova”. Në rrugën “Ismail Qemali”, qytetarët patën mundësi të ndiqnin ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit.
Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, qindra qytetarë kanë bërë foto me personazhe historike, ndërsa rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhur me festën, kanë shpërndarë flamurë të vegjël dhe organizuar lojra.
Forcat ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen në paradë
(Ora 16:26) – Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe një përfaqësi e Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë parakaluar në paradën e organizuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Parada ushtarake po organizohet në sheshin “Skendërbej”. Të pranishëm janë krerët e shtetit përfshirë Komandantin e Përgjithshëm të Forcave Ushtarake të Shqipërisë, Bujar Nishani. Gjatë parakalimit janë shënuar 100 të shtëna me top.
“Është shekulli kur shqiptarët duhet të bashkohen. Sot kemi fillimin e bashkimit të kombit dhe fuqizimit të kombit”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërsa gjatë fjalës së mbajtur nga Berisha, ai theksoi se sot është dita e qytetarëve të cilët kanë ndërtuar këtë vend me shumë sakrifica. “Sot në ditën e 100-vjetori të Pavarësisë unë dua të përulem me ndermin më të madh para teje qytetar i thjeshtë, sot këtë ditë ti je Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mit sokoli, Adem Jashari, je çdokush që ka luftuar për liri, ti je zot i kësaj toke”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë. “Edhe në kohërat më të vështirë nuk e lëshuar kurrë nga dora armën. Ti je Skënderbe i përjetshëm”, shtoi ai.
Dyndja e paparë e shqiptarëve vazhdon
(Ora 14-16)
Shqiptarët nga të gjitha trevat vijojnë të mbushin autostradën Tiranë-Durrës në hyrje të Tiranës. Pasi i lënë makinat diku tek rrethrrotullimi i Doganës, i sapopëruruari si sheshi “Shqiponja” apo te kthesa e Kamzës, ata ecin kolona, kolona, që mbushin rrugën tej e tej dhe nuk reshtin në këmbë drejt qendrës së Tiranës, sheshit ‘Skënderbej’. Të veshur thuajse të gjithë kuqezi apo me simbolika dyngjyrëshe të flamurit, me flamuj hedhur në shpatulla apo në duar, me pankarta “Gjilan”, “Preshevë”, “Gëzuar 100 vjet Shqipëri”, kurrë më parë rrugët dhe sheshet e Tiranës nuk kanë qenë kaq të mbushura me shqiptarë të të gjitha trevave kuqezi dhe kaq emocionuese njëkohësisht. Po kështu edhe në Vlorën e Flamurit. Shqiptarë të të gjitha moshave, të cilët tregojnë se janë nisur rreth orës 09:00, apo 10:00. Me pak ndalesa rrugës tani gjenden në Tiranë. Disa e kanë për herë të parë. “Drejt Tiranës, sepse është më afër se Vlora dhe meqë dëgjuam se do mblidhen shumë dhe këtu”, tregon një grua nga Presheva. ‘Si shkohet në qendër?”, pyet më pas. –“Ec vetëm drejt”, ia kthen një tjetër.
(Ora 14:00) – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në drekën e shtruar me rastin e festës së 100-vjetorit të Pavarësisë e ka krahasuar Shqipërinë me mitologjinë e Feniksit. “Shqipëria është përballur me pushtime të egra. Historia jonë 100-vjeçare në një mënyrë apo në një tjetër riprodhon historinë e 100 viteve. Kush do që vështron këtë histori gjen një ngjashmëri të madhe me Feniksin. Para shumë vitesh, Shqipëria u përball me dilemën hamletiane, të jetë apo mos të jetë. Por është ngritur njësoj si Feniksi, falë armëve të tij dhe ka mbijetuar”, tha Berisha para fillimit të drekës në hotel “Sheraton”.
Berisha, Basha, Thaçi e Jahjaga prenë tortën e 100-vjetorit të Pavarësisë
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentja e Kosovës Atifet Jahjaga dhe kryebashkiaku Lulzim Basha kanë prerë tortën e përgatitur për 100-vjetorin e Pavarësisë. Torta 14 tonë për fat të keq nuk ka hyrë dot në Librin e Rekordeve Guinness, për shkak se nuk është gatuar e gjitha në ambientet e Pallatit të Kulturës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka falënderuar 200 pastiçerët dhe qindra bizneset që ndihmuan në përgatitjen e asaj që ai e ka cilësuar torta më gjigante e ndërtuar ndonjëherë.
“Torta është e mjaftueshme sa për dy sheshe “Skënderbej” dhe do të shpërndahet kudo”, tha Basha. Torta gjigante është vendosur përpara Teatrit të Operës dhe Baletit ka të shkruar vitin 1912 u shpall pavarësia si dhe shqiponjën dy-krenare. Gjithashtu pastiçierët kanë përdorur shegë dhe ullinjtë për dekorin e saj ndërsa shqiponja është e përbërë nga çokollata.
Kryeministri Sali Berisha uroi edhe një herë shqiptarët para pritjes së tortës gjigante. “Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e lindjes së shtetit shqiptar. Edhe mijëra vite liri, shpresë dhe më të bashkuar se kurrë”, tha Berisha para se të priste tortën me sfond të kuq dhe shqiponjë të zezë.
Shtetarët nderojnë heronjtë e kombit
Përfaqësues të shtetit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e heronjve të kombit. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ajo e Kosovë Ahtifete Jahjaga, dy kryeministrat Berisha dhe Thaçi dhe dy kryetarët e parlamenteve Topalli dhe Krasniqi kanë vënë buqeta me lule pranë statujës “Nëna Shqipëri”. Në këtë ceremoni mungojnë përfaqësuesit e opozitës, të cilët ndodhen në Vlorë duke ndjekur aktivitetet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ndërkohë Partia Socialiste bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim do ta përkujtojnë nesër ditën e çlirimit të vendit.
Shqiptarët e trojeve etnike bashkohen në Vlorë
Sot ne kujtojmë 28 Nëntorin e viti 1912, ku shqiptarët u mblodhën në Vlorë për të shpallur Pavarasinë e që atëherë ka kaluar tashmë një shekull. Shqiptarët nga të gjitha trevat janë mbledhur sot në Vlorë për të kremtuar pikërisht këtë ngjarje, më e rëndësishmja e kombit, është dita që simbolizon bashkimin, prandaj të gjithë sot duhet të përulemi me nder e respekt para flamurit që ringjalli një komb!
Sot në Vlorë duket se historia do të përsëritet, pasi 40 pinjollë stërnipa të Isa Boletinit do t’i kthejnë qytetit flamurin origjinal kuqezi, që ky i fundit e mori nga Ismail Qemali, para se të kthehej në Kosovë. Shqiptarët nga të gjitha trevat kanë ardhur në Shqipëri për të kremtuar ngjarjen më të rëndësishme të kombit, ditën që simbolizon bashkimin. Aktivitete të shumta dhe festime mbarëkombëtare po zhvillohen sot si në Vlorë ashtu edhe në Tiranë, ku politika shqiptare për herë të parë do i harrojë problemet dhe do jetë e bashkuar, si për të vënë në vend ëndrrën e Ismail Qemalit!
Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kreu i PS-së Edi Rama, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi si dhe ministra dhe personalitete të larta të shtetit të gjitha bashkërisht kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.
Gjithashtu janë zhvilluar homazhe edhe në Monumentin e Pavarësisë dhe janë vendosur kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Gjithashtu do të mbajnë një fjalë përshëndetëse Presidenti Bujar Nishani dhe kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Nishani, flamuri unë, nga më të pastrit
“Një vend i vogël si Shqipëria, pothuaj i papërfillshëm në hartat e fuqive të mëdha, pre e synimeve shoviniste të shteteve fqinje lakmitare, nuk u rrëzua, nuk u shua, u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri; shpresën e madhe për pavarësi. Sepse pati bij të mirë që asnjëherë nuk u ngritën kundër një vendi tjetër. Thjesht deshën dhe mbrojtën trojet e tyre. Sot ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së Flamurit në Vlorën e 1912-s. Si krijesa të zjarrta të lashtësisë, energjikë dhe shpërthyes, ne shqiptarët dhe Flamuri ynë, nuk mund të ekzistojmë ndryshe veçse në simbiozë me simbolin tonë, me Flamurin tonë. Si të tillë, ne dhe Flamuri ynë jemi të pa ndarë dhe të pandashëm; Si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, Toka dhe Qielli, Trupi dhe Shpirti jemi një. Flamuri ynë është nga më të pastrit; në asnjë rast të historisë, Flamuri ynë nuk i priu asnjë pushtimi, asnjë shkatërrimi. Flamuri ynë na është dashur ne, dhe ne i jemi dashur Flamurit tonë, si simbol mbijetese, si çimento bashkimi. Aspak për t’i rënë kujt në qafë. Vetëm për të ndihmuar njëri-tjetrin; Flamuri ne, ne Flamurin, edhe ne edhe Flamuri, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër e të paprekur Flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë udhëndriçues dhe bashkues. Ashtu si Dielli ndrit dhe ngroh botën dhe mban gjallë jetën, ne na ndrit, na bashkon, shpirtrat na i ngroh, rrugën na e tregon, ky Flamur. Me pamje frymëzuese, me ngjyra ekzaltuese. Nga më të vjetrit, më krenarët, më madhështorët, më të bukurit në botë, është Flamuri ynë”, u shpreh Presidenti Nishani në fjalën e tij në Sheshin e Flamurit në Vlorë.
Rama: Flamuri është Atdheu ideal, në mungesë të Atdheut të përbashkët
U zhvillua ekspozita e flamurëve në Vlorë në teatrin, Petro Marko, ku të pranishëm ishin organizatorët dhe anëtarët e opozitës. Gjatë ceremonisë së ekspozitës së flamurëve fjalën e ka marrë kreu i opozitës, Edi Rama.
Kreu i Partisë Socialiste, në Vlorë ka thënë se mbërritëm në Vlorë e rrugën e flamurit. Sipas tij, ekspozita fillon më një flamur të ngritur jashtë kufijve nga Ded Gjo Lulu, duke u shpalosur bashkë me historinë e flamurit tonë. Rama ka vlerësuar flamurin, duke thënë se ai mbetet Atdheu ideal në mungesë të atdheut të përbashkët.
“Flamuri mbetet Atdheu ideal në mungesë të Atdheut të përbashkët. Sot ky 100-vjetor është i bekuar se atdheu është ilirë, sot flamuri është i lirë dhe i çliruar nga peshat e së shkuarës jemi të lumtur që ta shëtisim rrugën e flamurit në gjitha trojet shqiptare. Dhe është emocion i veçantë që këtë ekspozitë ta shohim me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Bujanovcit dhe Malit të Zi”, theksoi Rama.
Kreu i opozitës falënderoi kryetarin e bashkisë së Vlorës, i cili arriti të kalojë pengesat financiare që hasën gjatë rrugë për realizimin e kësaj ceremonie të jashtëzakonshme. Rama falënderon qytetarët e Vlorës, të cilët kanë hapur dyert për të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat. Rama tha se 100-vjetori është një momente historik dhe refleksion për të ardhmen.
“100-vjetori është një moment historik për të për të ardhmen përmes së shkuarës për një Shqipëri ndryshe dhe Europiane është e mundur dhe jemi krenar që jemi pjesë e Partisë Socialiste që ka mbrojtur interesin kombëtar në të gjitha momentet kyçe. Gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë”, përmbylli fjalën e tij Rama.
Nishani: Flamuri ynë do bashkojë të gjithë shqiptarët
Nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, Presidenti Bujar Nishani uroi gjithë shqiptarët për 100-Vjetorin e Pavarësisë.
Presidenti Nishani në fjalën e tij ka falënderuar figurat historike, të cilat i dhanë emrin Shqipërisë, pavarësisht mundit dhe përpjekjeve të armiqve për ta zhdukur këtë shtet. Në fjalën e tij, Presidenti i vendit Bujar Nishani ka theksuar se historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara dhe të pashkruara dëshmon për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme.
“Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëqytetar kudo që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Pikërisht sot e festojmë të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste që janë nga më të veçantat për mua”, tha Nishani.
Kreu i shtetit theksoi se, prej luftërave të kastriotëve dhe deri më sot simboli ynë, ky flamur që sot në këtë 100 vjetor ka bërë një rrugë të gjatë, sipas tij, gjatë kësaj rruge të mundimshme ia kemi arritur të mos ndahemi nga flamuri dhe ti dalim zot. Ai tha se shqiptarët nuk mund të jetojmë ndryshe veçse në simbiozë me flamurin, si të pandashëm njësh si trupi dhe shpirti, ku shtoi se shqiptarët janë një dhe të gjithë se bashku. “Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër simbolin tonë. Nën dritën që na bashkon dhe rrugën na e tregon ky flamur. Me ngjyra ekzaltuese, nga më të vjetrit dhe krenarët është flamuri ynë. Gëzuar festën të gjithë shqiptarët në trevat tona, qoftë e bekuar kjo ditë”, përmbylli fjalën e tij Nishani.
Një nga lajmëtarët nga Gjilani, i cili ka udhëtuar prej 18 ditë në këmbë në Vlorë në mënyrë simbolike i dorëzoi flamurin Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Anëtar i grupit nga Gjilani tha se lajmëtarët prurën flamurin në Vlorë dhe në këtë mënyrë përmbushën amanetin e të parëve për të qenë gjithmonë të bashkuar.
Kreu i bashkisë së Vlorës, Gjika uron shqiptarët
Fjalën e parë përshëndetëse e ka mbajtur Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, i cili u ka uruar të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Ja tek erdhën sot në këtë ditë të bekuar të 28 nëntor të viti 1912. I gjithë kombi i ka kthyer sytë nga Vlora, nga qyteti jonë e flamurit dhe te ky shesh që mban emrin sheshi i flamurit. Të gjithë shqiptarët u nisën nga të katër anët në një marshim emblematik drejt Vlorës, me kalë edhe me këmbë. Një përshëndetje plot me mall më lejoni t’ua drejtoj atyre që janë larg që nuk mundën dot të jenë këtu me ne. 28 nëntori është një ngjarje historike nga më të rëndësishmet. Ajo është ditëlindja e të parit shtet modern shqiptar” theksoi Gjika.
Berisha e Rama shtrëngojnë duart
Kryeministri Berisha pas përqafimit të ngrohtë me kryeministrin Hashim Thaçi, Berisha është përshëndetur edhe me kreun e PS-së Edi Rama. Ata kanë shtrënguar duart.
/Shekulli Online/ E.L/ E.Sh/
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply