Në skenën e teatrit si dhe në kinemanë shqiptare është vlerësuar për punën mjeshtërore që ka bërë. Aktori dhe regjisori Bruno Shllaku i takon artistëve, që pasionin dhe dëshirën për punën në art e ka të madhe, e nga kjo çdo produksion artistik që mban ermin e tij si regjisor është vlerësuar, por dhe si aktor ka marrë mjaft duartrokitje. Edhe këto ditë vere aktori dhe regjisori i njohur Bruno Shllaku ka në vëmendjen aktivitetin e tij krijues. Tregon se gjatë kësaj kohe ka nisur punën dhe për një vepër teatrore që i takon antikitetit, me të cilën janë angazhuar aktorë të njohur të teatrit. Në intervistën e tij ai flet dhe për gjendjen e teatrit “Migjeni”, që sipas tij ndër vite nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga Bashkia e Shkodrës. Pjesë e intervistës janë dhe problemet që ka sot jeta artistike në përgjithësi, jo vetëm teatri, por dhe kinemaja shqiptare.-Si po kalojnë këto ditë për ju?
Ditët e verës unë jam duke i kaluar me pak pushime, kjo sepse po përgatitem për “Miss Bjeshkën”, që do të zhvillohet të shtunën e parë të muajit gusht, ku shumë vajza vijnë edhe nga Europa dhe Amerika dhe konkurrojnë në këtë aktivitet. Edhe këtë vit po mundohemi të bëjmë një spektakël më të mirë nga ai që kemi zhvilluar një vit më parë. Si regjisor dhe skenarist, ky konkurs bukurie që zhvillohet në Vermosh mund t’ju them që ka gjithmonë vëmendje. Po punojmë për këtë ndaj dhe vera na kalon me punë.
-Vera ju kalon me punë, por më herët ju keni nisur dhe punën për një tjetër vepër teatrore. Për çfarë bëhet fjalë?
Po punoj për një nga tragjeditë më të suksesshme që ka antikiteti, bëhet fjalë për tragjedinë “Antigona”. Unë fatmirësisht greqishten e njoh shumë mirë, kam një përkthim dhe të xhaxhait tim Gjon Shllaku. Kam krahasuar të dy veprat, duke qenë se njoh dhe greqishten shumë mirë, pra veprën origjinale të “Antigonës” në greqishten e sotme dhe përkthimin e veprës së xhaxhait tim, që nuk mund ti heq asnjë presje, sepse është një përkthim i jashtëzakonshëm, është një shqipërim i tekstit, ku nuk humb as edhe një bulëz nga ngjarja dhe asnjë bulëz nga emocionet që përcjellin personazhet e antikitetit.
-Cilët janë aktorët, që do të interpretojnë në këtë vepër teatrore?
Antigona do të interpretohet nga Paskualina Gruda Shllaku, mbase mund të jetë pak problem mosha, por ngjarja që përcjell Antigona nuk njeh limite të moshës, sepse ajo histori mund ti ndodhi edhe një plaku, edhe një të vdekuri, siç i ka ndodh në baladën e Palit dhe Kostandinit, ku Pali ngrihet nga varri dhe shkon për të mbajtur besën, edhe Antigona duhet të mbajë besën për ta varrosur vëllanë e vet. Pra është një dramë, të cilën mendoj që Antigonën, Paskualina do ta sjelli jashtëzakonisht mirë. Në rol është dhe Rajmonda Marku, një aktore me përvojë në rolin e Izmenës, gruaja e Kreonit, që do të interpretohet nga Drande Xhaj, që ka dhënë prova dhe në dramë. Rolin e mbretit, Kreoni, do ta luaj unë, për të vijuar më pas dhe me të tjerë aktorë. Me këtë vepër do të shkoj dhe në festivale të teatrit.
-Më herët keni reaguar dhe për problemin e pagave për një kategori artistësh në teatrin “Migjeni”. Aktualisht çfarë mund të na thoni?
Problemi i pagave të aktorëve në teatrin “Migjeni” është një broshit kronik. Kjo sepse teatri “Migjeni” si asnjë lloj teatri tjetër nuk ndodh që njerëzit e aftë janë më pak të paguar se sa të paaftit. Të paaftit ecin me paga drejt pagesave të majme, duke filluar që nga rroga, e duke vazhduar me projekte. Njerëzit që janë avangardë e teatrit “Migjeni” është fatkeqësi e madhe, një farsë që nuk e di se ku mund të jetë filli dhe durimi, nuk paguhen njerëzit që kanë lënë eshtrat. Për problemin e pagave në teatrin “Migjeni” për një kategori aktorësh mungon dashamirësia, nuk është punë ligjesh, sepse ligjet shpesh janë dhe në sirtare dhe ato pak veta që janë me atë rrogë është për të bërë një thirrje në popull, që paguani këta artistë, dhe jam i bindur që gjithsecili do të kishte dhënë një kontribut. U hap një fjalë para disa kohësh që ka një VKM për të ulur pagat, por nuk ishte e vërtetë, ishte një VKB. Bashkia e Shkodrës i teket dhe do të ulë rrogat pa asnjë arsye, aq sa u krahasua teatri me punonjës të ujësjellësit, ndërtimit. U bë një paçavure, një punë e ngatërruar dhe çuditërisht vazhdon e ka për të vazhduar pa gjetur zgjidhje kjo lloj epidemie mbi ato 3-4 veta, që meritojnë një pagë disi më ndryshe. Janë artistë, që nuk kanë diplomë, por kanë shumë vite që janë aktivizuar në teatër dhe që fatkeqësisht Bashkia ka sjellë probleme që nuk bën rritje të pagave.
-Ju jeni një artist i njohur, por çfarë ka munguar në teatrin “Migjeni” ndër vite kur flasim për investime?
Teatri “Migjeni” është i pa ujë, është një vend që nuk vaditet dhe po thahet nga dita në ditë. Është një teatër që të vjen keq kur mendon se sa njerëz me sa pasione hyjnë në mëngjes dhe kur ikin në shtëpi shikojnë që nuk është bërë asgjë. Është një zhgënjim i madh. Është gjynah që po na vjen dita për tu larguar nga ky teatër me këtë zhgënjim prej komedianësh. Vetëm nëpër komedi ndodhin këto, ku njerëzit gajasen dhe kur dalin nga shkallët dhe shikojnë se cila ishte tema që u vendos në këtë komedi fillojnë dhe ulen e qajnë duke thënë se si ne qeshëm. Pas atij humori është si tragjeditë e Çaplinit. Qesh për një moment dhe pastaj fillon dhe qan për fatin e tij. Kështu është dhe puna me teatrin “Migjeni”. Nuk di se sa vëmendja ka pasur teatri “Migjeni”, përderisa edhe ai kryetar bashkie që iku nuk erdhi të shikonte një shfaqje. Ai teatër përjetësisht ka qenë ballkoni më i mirë i kulturës, bukuritë e skenës kanë filluar gjithmonë nga teatri “Migjeni”. Bashkia nuk e ka në vëmendje teatrin, tashmë falë shtetit që i bëri një rikonstruksion është rregulluar. Teatri është bërë i mrekullueshëm tashmë dhe me rikonstruksionin, por nuk ke njerëz brenda. Janë paguar njerëz që pa asnjë lloj meritacioni të jenë aktorë, dhe ata që janë aktorë dhe aktore janë jashtë dyerve të teatrit që nuk kanë diploma, por kanë talente të jashtëzakonshme. Kjo është një pakënaqësi që unë e shpreh sa herë që flas, sepse më dhimbset teatri.
-Më herët jeni shprehur se teatri i Shkodrës nuk duhet të jetë më në varësi të bashkisë. Pse?
Unë e kam kërkuar dhe vazhdoj të them që teatri dhe kultura në përgjithësi duhet të jetë me çdo kusht në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ministria din të drejtojë, ndërsa bashkia e ka mendjen për ndonjë çerdhe apo kopshte për punë të saj. Nëse teatri i Shkodrës do të bëhet rajonal do të ishte gjë e mrekullueshme për artistët dhe jo vetëm teatri jonë, por dhe ai i Korçës, Vlorës, etj.
-Jo vetëm me teatrin por dhe me filmin ju jeni i vlerësuar si aktor. Për ju ku qëndron kinemaja shqiptare sot. Cilat janë ato probleme që ju shikoni?
Ka një problem që është i zgjidhshëm. Për derisa kinematografia shqiptare ka një trashëgimi, pasuri vërtetë kombëtare me të gjitha filmat e saj me disa përjashtime te vogla, filmat shqiptarë për fatbardhësinë tonë janë unikë dhe nuk do të rikthehen më. Janë dy gjëra, të cilat e vunë kinemanë shqiptare të dikurshme në atë që sot quhet nostalgji. E para, sepse kishim skenaristë të mrekullueshëm, dhe e dyta regjisori dhe aktori ishin pandarësisht të mrekullueshëm, gjë që sot mungon. Sot mblidhen 3-4 veta pa njohur absolutisht asnjërin, asnjë aktor, pa parë CV e tij thonë ky e ka syrin jeshil se e kam të shkruar në skenar syrin jeshil, në një kohë kur zemra e tij nuk përcjell asgjë. Nëse filmi fillon të bëhet, sepse ka sytë jeshil ashtu si bëhet videoklipi, sepse ke zbuluar një pjesë të padukshme të trupit, dhe e di se ajo është e bukur dhe do të tërheqë duartrokitje dhe nuk ke muzikantë, kështu përzgjedhjet bëhen shpeshherë të gabuara. Me rastin e filmit tim të fundit, ku unë luajta te “Burrneshat” me regjisoren italiane pata një befasi. Ishte i tillë për këtë tendencë edhe regjisori i ndjerë Artan Minarolli, zgjidhte aktorin për me i dhanë rolin jo me zgjedh aktorin që ka emrin. Në film nuk luhet me emër, në film luhet kur hyn në skenar, vendos portretin, shpirtin, zemrën dhe dëshirën. Këto mungojnë sot, janë më shumë miqësore, gjë që përshembull regjisori Minarolli nuk e kishte. Kujtoj që me regjisoren italiane kemi bërë me dhjetëra kinoprova. Edhe në kohën tonë kur u bënin filma nën siglën e Kinostudios që dhe sot pëlqehen, janë bërë në vëmendjen e regjisorit për ti dhënë rolin aktorit që e meriton jo me ia dhënë emrit. Po i jap emrit rolin, kjo është mangësi e madhe. Aktori dhe pa emër në kinema mund ti bie pikës me një rol dhe ai bëhet star. Në filmat e Artan Minarolli kupton që i vjen era jetë, sepse njerëzit janë të vërtetë, nuk janë emra, por janë ata që kanë dëshirën dhe pasionin për filmin dhe kanë punuar me shumë dëshirë në film.
-Ju po flisni për filmin, teatrin, por gjithmonë për artistët buxhetet vazhdojnë të mbeten problem. Në gjykimin tuaj, çfarë mund të na thoni?
Askush në Europë, në botë, mos të pres që Shqipëria do të jetë protagonistja e kapsulave atomike. Nuk kemi bërë ta kurrë. Por ama artistë mjeshtra të skenës, të ekranit, të kameras, skenarit, kemi me bollëk. Është një mëkat i madh që nuk jepen buxhete furishëm për jetën artistike. Unë e di se si janë problemet në Shqipëri, por kur për futbollin thuhet që u ble kaq para ky apo ai, sikur nga një presje ti heqim shifrës me shumë zero dhe ato presje të kalojnë në dobi të filmit dhe teatrit do të jetë jashtëzakonisht mirë. Nëse bëhet kjo rritje buxheti Shqipëria do të jetë jashtëzakonisht përparimtare, sepse kemi dhënë prova që jemi të frutshëm. Siç kanë thënë dhe më parë, më mirë një teatër, një kinema, se sa një burg. Kur ti bësh këto të jeni të bindur se do të keni një burg më pak. Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për kulturën. Arti dhe kultura është bariu më i mirë që udhëheq kombin. Mendoj që shteti, ministria duhet të japë më shumë buxhete për teatrin, për kulturën në përgjithësi, dhe për filmin në mënyrë të veçantë, sepse filmat shqiptarë kanë jehonë kudo. Intervistoi: Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/


Leave a Reply