Poete dhe shkrimtare, Irma Kurti është një nga emrat e vlerësuar të krijimtarisë letrare, ku çmimet dhe vlerësimet nuk kanë munguar jashtë kufijve shqiptarë. U rikthye në Shqipëri me dy libra të rinj për lexuesin, “Nuk është ky deti” me poezi ku autorja tregon se motivet janë malli, nostalgjia dhe zhgënjimet. Tek botimi tjetër me tregime “Lajmet vijnë dhe këtu”, dominon tema e kujtimeve dhe e emigrimit. Në intervistën e saj, autorja e njohur Irma Kurti flet jo vetëm për krijimtarinë letrare ndër vite, por dhe mosvëmendjen nga institucionet me të cilat përballet sot në aktivitetin krijues. Tregon se si autore letrare shikon se vëmendja e Ministrisë së Kulturës mungon për autorë, që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke pohuar se nuk ka mbështetje. Sipas poetes dhe shkrimtares, Irma Kurti duhet të ndërtohet një urë me themele të shëndosha, që t’i shërbejë inkurajimit e vlerësimit të letërsisë, që shkruhet në diasporë. Ju gjejmë këto ditë në Tiranë me rastin e daljes nga shtypi të dy librave tuaj të rinj. Çfarë përcjellin tek lexuesit “Nuk është ky deti” si dhe “Lajmet vijnë dhe këtu”?
Librat, të botuara në italisht në vitin 2014, vijnë për herë të parë në gjuhën shqipe. Krijimtaria ime i drejtohet lexuesit shqiptar por duke jetuar në Itali, e diktuar edhe nga rrethanat, ndodh që ta botoj fillimisht në italisht. Këto botime në vargje e në prozë sjellin diçka nga jeta ime si emigrante, po jo vetëm kaq. “Nuk është ky deti” është një përmbledhje me poezi që është vlerësuar me çmim të dytë në edicionin e katërt të konkursit ndërkombëtar: “Citta di Pontremoli” (Massa Carrara). Motivet kryesore janë malli e nostalgjia, zhgënjimet, tjetërsimi i marrëdhënieve midis njerëzve, dashuria dhe pështjellimi i ndjenjave që ajo krijon. Poezitë sipas tematikës janë ndarë në dy pjesë: “Në shpirtin tim bie shi” dhe “Hapat e një dashurie”. Po kështu dhe në përmbledhjen me tregime “Lajmet vijnë edhe këtu” dominon tema e nostalgjisë dhe kujtimeve, e emigrimit, etj. Tregimi që i jep titullin librit merr shkas nga një histori e vërtetë e dhunës ndaj gruas, një realitet që, për fat të keq, e ndeshim rëndom në të përditshmen tonë. Janë lajme që vijnë nga larg, shpesh të lodhura e të trishtuara, shpesh me më tepër detaje se ç’duhet e me ogure të këqija duke u bërë kështu më të vështira për t’u përballuar sidomos në një vend të huaj, atje ku më kot kërkon dikë që flet në gjuhën tënde për të ndarë lajmin e hidhur dhe dhimbjen.
Jetoni në Itali, merrni pjesë në konkurse dhe vlerësoheni. Si është atje konkurrenca për ju?
Çmimet e shumta që kam fituar nëpër konkurse letrare ndërkombëtare në Itali, pjesa më e madhe e të cilave janë të para, të dyta apo të treta, titulli “Universum Donna” për letërsinë që fitova në 2013 nga Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër dhe Universum Academy patën rëndësi, sepse me kthyen besimin e humbur, më nxorën nga rrjeta e frikërave dhe pasigurive ku kisha ngecur si rrjedhojë e faktit që në vendin tim nuk ndihesha kurrë e vlerësuar. Kam një karrierë të gjatë letrare, prej gati katër dekadash dhe rrallëherë kam gjetur dyer të hapura. Shpesh më duket sikur jam në një xhungël, shpesh sikur jam në një shkretëtirë e shkruaj e vetmuar, ka çaste kur ndihem e humbur, por e rëndësishme është që tani kam besim në atë që shkruaj dhe refuzimet apo vështirësitë në botën letrare nuk më trembin e nuk më zprapsin më.
Sa jeni bërë pjesë e konkurseve për letërsinë në Shqipëri dhe si i shikoni këto në gjykimin tuaj. Ç’mendoni për çmimet që ndahen nga Ministria e Kulturës?
Zhgënjimet e mëparshme, kur emri im ishte gjithnjë “prapa liste” më kthehen sërish sa herë që mësoj rastësisht për çmime e fitues. Them “rastësisht” sepse i qëndroj larg realitetit shqiptar, konkurseve apo formave të tjera të promovimit, pikërisht sepse nuk dua të rizgjoj trishtimin tim, nuk dua të kujtoj motivet që më bën ta braktis vendin vite më parë. Në konkurset që zhvillohen në Shqipëri vlerësohen të njëjtët njerëz, të njëjtët autorë, pjesë e miqësive, e klaneve, e njohjeve dhe rekomandimeve. Dhe kjo nuk i bën keq vetëm fituesve po edhe vetë letërsisë. Nuk mund ta mohoj që ëndrra ime është që veprat e mia të vlerësohen nga kritika shqiptare. Një ditë shpresoj që kjo të ndodhë. Për sa i takon Ministrisë së Kulturës mund të them se ne si autorë nuk gjejmë aspak mbështetje.
Pohoni se si autore librash nuk gjeni mbështetje nga Ministria e Kulturës. Konkretisht, ku mungon kjo?
Duke e lënë për një çast mënjanë modestinë mund të them se jam një nga autoret që ka botuar më shumë tituj në gjuhën italiane dhe me më tepër vlerësime në Itali e në Zvicër. Marr shumë ftesa nga biblioteka të ndryshme në Itali, të cilave, me gjithë problemet e përditshme, mundohem t’u përgjigjem pozitivisht. Shumë shoqata shqiptare apo italiane më kanë ftuar dhe plot gazeta në qytete të ndryshme kanë shkruar për krijimtarinë time. Atje ku shkoj unë prezantoj së pari veten e më pas vendin tim dhe jam krenare ta bëj këtë. Por deri më sot nuk kam marrë asnjë ftesë nga Ministria e Kulturës për asnjëlloj aktiviteti. Unë vazhdoj të mos ekzistoj e si unë dhe shumë krijues të tjerë, të cilëve u duhet të mbijetojnë në vendin e huaj e pastaj të shkruajnë. Mësova që ministrja e Kulturës ishte në panairin e librit në Torino. Në veprimtaritë kulturore me pjesëmarrjen e personaliteteve shqiptare vazhdojnë të ftojnë të njëjtën autore shqiptare në Itali, që deklaron me zërin plot se s’mund të flasë dot në shqip dhe e zhvillon takimin në italisht. Shtroj pyetjen: “A i njeh Ministria e Kulturës autorët shqiptarë që shkruajnë jashtë? Përse nuk u dërgohet atyre të paktën një ftesë, përse nuk përfshihen dhe ata në projekte? Deri kur do të vazhdohet me takime formale, sa për të kaluar radhën, me buzëqeshje të shtirura përpara objektivit?”. Ka shumë indiferencë nga Ministria e Kulturës dhe ne si autorë ndihemi të vetmuar. Duhet të ndërtohet me të një urë me themele të shëndosha që t’i shërbejë inkurajimit e vlerësimit të letërsisë që shkruhet në diasporë.
Irma dhe poezia në këngë. Ka qenë një pjesë e vlerësuar e krijimtarisë suaj. Si i shikoni sot tekstet e këngëve?
Kam filluar të shkruaj poezi, që në moshën 10 vjeç, ndërsa një nga tekstet e mia të para ka qenë bashkëpunimi me kompozitorin Aleksandër Vezuli në vitin 1983. E kanë pasuar “Mes njerëzve zemërmirë” në koncertin “Kur vjen pranvera, 1986”, “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, deri në krijimin tim më të ri të një muaji më parë të titulluar: “E dua vendin tim” me muzikë të kompozitorit Naser Dula, që u shpall si teksti më i mirë i Festivalit Mbarëkombëtar të këngës për fëmijë “Vihuela Fest 2016” në Prishtinë. Teksti i këngës për mua është si poezia. I dedikoj të njëjtën dashuri, seriozitet e këmbëngulje. Për fat të keq, tekstet e këngëve sot nuk përcjellin asnjë emocion, asnjë ide, janë thjesht vargëzime. Të gjithë janë të bindur që mund të shkruajnë tekste dhe e bëjnë këtë. Pak e vështirë të kuptohet se përse kur ishim të mbyllur e nën diktaturë janë shkruar kryevepra, ndërsa sot, kur ekziston një liri e pafund tekstet e mira janë aq të rralla apo gati të pamundura.
Ju keni shkruar plot tekste këngësh. Sa është respektuar e drejta autorit?
Mosrespektimi i të drejtës së autorit ka qenë dhe mbetet shqetësimi im. Disa herë tekstet që kam shkruar më janë marrë të plota, “është ngatërruar” emri dhe u është vënë autorësi tjetër. Apo u është “kopjuar” një strofë. Këngët me tekstet e mia transmetohen shumë shpesh në radio apo televizione dhe mua si autore s’më mbetet gjë tjetër veçse t’i dëgjoj, të më vijë keq e të indinjohem për gjithë atë kontribut të dhënë nëpër vite e të pashpërblyer. Uroj që të mos jetë e largët ajo ditë kur ne autorët të ndihemi të mbrojtur, kur krijimtarisë së gjithsecilit prej nesh t’u jepet vlera qe meriton dhe ajo të konsiderohet e paprekshme si një thesar.
Kjo verë ku e gjen shkrimtaren Irma Kurti?
Ardhja në Shqipëri për mua është një “udhëtim pune”, sepse e kombinoj gjithnjë me veprimtarinë letrare. Nëse çdo gjë do të shkojë sipas parashikimeve këtë verë, bashkë me tim shoq, Biagio Fortini, do të udhëtojmë në Gjermani e Hollandë. Dua të shtoj se ky i fundit është gjithnjë përkrah meje, duke bashkëpunuar vazhdimisht për kopertinat e librave të mi. Me vete do të marr dhe bllokun e shënimeve për të hedhur në të motivet e poezive që do të lindin.
Intervistoi: Julia Vrapi
Aktiviteti krijues
Irma Kurti ka kryer studimet në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega anglisht në 1988. Ka punuar si mësuese e gjuhës angleze dhe më vonë gazetare në disa organe shtypi, gazeta “Mësuesi”, “Dita Informacion”, etj. Në shtator 1997 ndjek në Universitetin e Athinës, Greqi, kursin 1 vjeçar për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke. Ka kryer kurse të ndryshme specializimi e trajnimi për gazetari në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Zvicër etj. Për vite të tëra Irma Kurti ka lëvruar poezinë, kryesisht atë lirike. Irma Kurti ka nisur të lëvrojë poezi në moshë të hershme. Në 1980 u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”. Në 1989 nderohet me çmimin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Në publikun e gjerë Irma Kurti njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere. Shumë prej këngëve me tekstet e saj janë nderuar me çmime e poezitë e tyre kanë mbetur ende tek dashamirësit e muzikës së lehtë. Spikasin bashkëpunimet me Ilir Dangëllinë e këngëtaren Ermira Babaliu “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njëjta ëndërr”, po dhe të tjera si: “Një çast në kujtesën tënde”, “Trokite tek dera”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, “Nën dritën e qirinjve” etj. Irma Kurti është përfshirë në disa antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, USA si: “Forever spoken” (Të thëna përgjithmonë), Antologjinë poetike: “The best poems and poets of 2007” (Poezitë dhe poetët më të mirë të 2007) etj. Poezitë e saj janë përfshirë në antologjitë: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, Antologjinë e Konkursit “Diffusione Autori” 2011 të “GDS Edizioni”. Është botuese e disa librave me poezi. Irma Kurti jeton prej vitesh në Bergamo, Itali.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/


Leave a Reply