Herët shumë herët e patëm dëgjuar në fëmijërinë tone emrin e prijësit legjendar Ded Gjo Lulit. Herët shumë i patëm mësuar këngët e tij e besoj se secili shqiptar i ka kënduar ato vargje në rininë e pare të tij.Anipse kishin kaluar decenie të tëra,anipse shumë ujëra paten rrjedhë në shtratin madhorë të kohës,në parafytyrimin tim,Ded Gjo Luli,zbriste prej vargjeve të këngëve ( a thua se zbriste prej kalit të bukur , të bardhë) dhe vinte në ditët tona ashtu i përzhitur prej flakëve të luftrave.
Lindi më 1840,në Traboinë të malësisë së Hotit.Por jeta se lëkundi aspak në djepin e saj të ngrohtë.Pa i mbushur dy vjeç i vdes i jati Gjon Luli dhe tri muja më pas e ëma e len Dedën e vogël në shtëpi,në kërkim të një fati më të mirë për veten.Ajo s’mund ta merrte Dedën e vogël me vete ngase ligjet nuk lejonin nji gjë të tillë. Po del një tjetër grua shpirtmadhe prej derës së Lulajve që e merr në mbrojtje djalin e vogël,me fatin e keq.Kjo ishte Dile Hasania,një grua jo vetëm me bot e shpirt të pasur por sidomos edhe trimëreshë me ç’rast do ta edukonte Dedën me virtytet më të rralla të karakterit të malësorëve shqiptarë.Kështu vocraku i Gjon Lulit,dalngadalë filloi të rritej e të hidhte shtat.Ai dallohej mes shokëve ngase ishte tepër i urtë,dëgjonte shumë e fliste pak.Natyra e pat paisur edhe me sensin e drejtësisë.Rëndom,në lodra,fëmijët grindeshin e nëse aty ish Deda ata vraponin dhe e pyesnin,nga ishte e drejta ? Dhe Deda pa u ngutur,gjakftohtë i matur i jepte sejcilit çka i takonte.Pas reformave të Tanzimatit,Porta e Lartë nisi të dërgojë ekspedita ndëshkuese në krejt trojet shqiptare.Dhuna e presioni qenë të tilla sa që malësorët vështirë ti përballonin.Kësisoj,disa prej tyre largoheshin,të tjerë duronin këtë dhunë deri në dhimbje.Por Deda nuk u përul. Për më tej,ai u bërri thirrje krejt malsorëve të Hotit që të ruajnë kulturën dhe atdheun,ashtu siç kanë ruajtur doket e zakonet e tyre. Në gjdo rast mendimi i pjekur i Ded Gjo Lulit,u respektua edhe kur rreziqet e ngatresave fetare trokisnin në dyert e shqiptarëve duke dashur të përçajnë kombin tonë.Ai duke parakuptuar këtë propagandë ka dhënë vet shembullin i pari,duke shprehur një tolerancë fetare të padiskutueshme.Kështu, peshkopi i Pultit,në një letër dërguar hierarkëve të vet shkruante ; Malësorët e krishterë dhe myslimane janë bashkuar dhe luftojnë me trimëri kundër turqve,të cilët,me gjithë orvatjet e tyre,nuk kishin mundur ti përçanin”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi Urdhëri Severian,dosja 13,datë 2 korrik 1868).

Dihet tashmë prej të gjithëve,se fillimet e viteve 70,të shekullit të XIX,suallën rezonime të reja në teatrin ballkanik të lëvizjeve nacionale.Kështu ishin Bosnja dhe Hercegovina,vendet e para që u ngritën për të flakur tej sundimin e perandorisë.Pas tyre,në vitin 1876 ishte Bullgaria e cila u organizua totalisht në kryengritje me kërkesa të qarta reformuese politike.Po në këtë vit,me luftën e Krimesë,Turqia dëshmonte se po i lëshonte dalëngadalë domenet e saj në Lindje.Një rrezik i ri i afrohej Ballkanit dhe ky ishte Pansllavizmi.Qeveria ruse e asaj kohe,ishte interesuar që Shqipëria të coptohej midis malazezëve,sllavëve,bullgarëve e grekërve duke pretenduar në të pastajmen që këto ti bënte koloni të saja e të mund të dilte pa vështirësi në Adriatik.Përballë këtyre planeve e vendimeve të tmerrshme për fatet e popullit tonë,u ngritën burrat e Shqipërisë duke krijuar të famshmen Lidhja Shqiptare e Prizërenit.Që në fillimet e saj,kjo Lidhje u përpoq të zgjojë vetëdijen kombëtare shqiptare e cila do të mund të përballonte më pas,drama e fortuna të mëdha.Në këto vite Ded Gjo Lulin do ta gjejmë kurdoherë në krye të kuvendeve të burrave.Fjala e tij,gjykimi i thellë por edhe veprimi energjik,do të bënin që mjaft prej malësorëve të Mbishkodrës,t’i jepnin besën e burrit,për të luftuar me te deri në vdekje. Në tubimin e verës së vitit 1878,në krye të kapedanëve të tjerë shqiptarë,Ded Gjo Luli lidh besën për të luftuar e mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës amtare.Në këtë tubim,përfaqsuesit e Hotit,Grudës dhe Shkodrës,pos të tjerave,në protestën dërguar Fuqive të Mëdha u shprehën , “Ne shohim rrezikun që na këcënohet dhe sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar,pëlqejmë që të asgjësohemi sot duke mbajtur nderin dhe lirinë tonë”. ( Arkivi i Institutit të Historisë,Fondi Lidhja Shqiptare e Prizërenit, dokumenti 11).
C’prej këtij momenti,prijësi Ded Gjo Luli,u vu në krye të trimave të Hotit,Grudës dhe fshatrave të tjerë duke u bërë një mbështetje e sigurtë e ideve dhe vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Mandej jo vetëm kaq.Së bashku me dhjetra luftëtarë të vet,ai kreu disa luftime në prag të betejës së madhe të kryengritësve shqiptarë kundër hordhive të Mark Milanit,në vitin 1880.Solidariteti i luftëtarëve shqiptarë që erdhën në ndihmë të vëllezërve të tyre të Plavës dhe Gucisë,i bindi përfundimisht armiqtë tanë se toka shqiptare dhemb kudo njëlloj si në jug ashtu edhe në veri.Në pranverën e vitit 1883,sundimtarët turq,mblidhnin krerët shqiptarë në vendin e quajtur çeshma e Koplikut.I ashtuquajturi komision i Xhibalit,kërkonte që ligjet e caktuara prej tij,të respektoheshin me çdo kusht.Natyrisht,kapedanët shqiptarë pritën në fillim se çfarë do të kumtonte Ded Gjo Luli.Por,kur ky,u çua duke thënë se “na mjaft e kena kanunin tonë e s’na duhen kanunet e ardhur nga Stambolli” atëherë krejt pjesmarrësit nuk munguan të mbajnë krahun e prijësit popullorë,ç’prej atij tubimi, e deri në fillim të viteve të para të shekullit njëzet,emri i Ded Gjo Lulit u lakua jo rrallë në zyrat e mehmurëve të Portës së Lartë.Ata u përpoqën ta ftojnë disa herë në Stamboll por Deda donte të ish një shqiponjë e lirë në vend të vet.I ndihmuar edhe prej miqve,në vitet 1903-1908,ai kryen disa luftime periodike në ruajtje të kufijve shqiptare ku lakmia e malazezëve nuk kish të ngopur.Tashmë,në këto luftime ka pranë edhe dy bijtë e vet të cilët jo vetëm që nuk i ndahen dot atit,por jo rrallë i ruajnë krahët prej tradhëtive dhe pabesive aq të mëdha të atyre kohrave. Rrënimi i perandorisë otomane,po shoqërohej kurdoherë e më tepër me një zgjim të vetëdijes nacionale të kombeve ballkanike.Natyrisht edhe Shqipëria nuk mund të bënte përjashtime ngase këtu,pas Lidhjes Shqiptare të Prizërenit pati një rritje të vetëdijes.Anipse i sapolindur nacionalizmi shqiptar rrekej të merrte mbi vete detyra e të potenconte ide të mëdha.
Kryengritja e përgjithshme po trokiste në prag dhe për këtë duheshin armë.Burrat e Shqipërisë nuk munguan të kërkojnë armë për të siguruar pavarsinë e trojeve etnike.Në fillim të vitit 1910,Ded Gjo Luli,me ate trupin e drejtë,me kostumin e bukur të krahinës që përfaqsonte,u nis për në Shkodër.Ai u takua aty me disa prej përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha,duke u kërkuar armë.Po Fuqitë e Mëdha kishin të tjera interesa ndaj përgjigjet e tyre ishin krejt indiferente.Më tepër se për rrezikun që i kanosej shqiptarëve,këto fuqi shihnin se çfar interesash mbroheshin dhe çfarë sulmoheshin me dhunën e ushtruar në këtë vend tepër strategjik të gadishullit.Kështu Ambasadori gjerman në Stamboll,në majin e vitit 1910,i thotë Vezirit të Madh se dhuna ndaj shqiptarëve “është në favor të politikës së Rusisë e cila është gjithmon kundër popullit shqiptar dhe e shikon ate në sy të armikut”. ( Arkivi i Institutit të Historisë, Fondi 1908-1912,dosja 21,nr 845 , 7 maj 1910 ).
Për më tej autoritetet osmane të Shkodrës,duke parë se veprimtaria e Ded Gjo Lulit ishte në thelb kundër Portës së Lartë,e shtuan presionin mbi birin e Hotit.Edhe pse Ded Gjo Luli nuk ishte nga ata burra që trembej,duke dëgjuar edhe këshillat dhe intrigat e turqve të rinj.Takimet e tij me Mehmet Shpendin do t’ia zbutnin sadopak brengën e mërgimit.Dy trimat e Malësisë do të ishin kurdoherë me syrin zgjuar për gjithshka që ndodhte në trevat e tyre e krejt Shqipërinë. Diku nga fundi i vitit 1910,Krajl Nikolla kërkon të takohet me këta dy trima e çetat që ata udhëhiqnin.Si gjithmonë,i urtë dhe i matur,Ded Gjo Luli bisedon me trimat e tjerë dhe vendosin të dëgjojnë Krajlin,në fshatin Vrelle pran Podgoricës.Krajli,nuk vonoi të bënte një histori e të mburrte pos të tjerave Ded Gjo Lulin e Mehmet Shpendin.Paksa nën një kërcnim akrobatik,hodhi idenë e luftës kundër turqve nën një komandë e flamur të përbashkët.Dhe ai i ftoi trimat shqiptarë të luftojnë nën flamurin e Malit të Zi ngase “ate e njihte bota dhe e përkrahte Rusia”. Pas kësaj nuk vonoi të merrte fjalën Deda.Pos të tjerave,në këtë fjalë,ai do të kumtonte ; “Ju falenderit për mikpritjen tuaj.Por kjo s’ka të bëjë fare me qendrimin tonë.Sa kena flamurin tonë,na Shqyninë as nuk e falim as nuk e qesim në pazar,veç do ta mbrojmë me gjakun tonë”.Përgjigjja e drejtëpërsëdrejti e zemëroi pa masë Krajline Cernagorasve.Vetëm dy ditë pas atij tubimi ai dha urdhër e Ded Gjo Luli u internau në Nikshiq.Të tjera halle e privacione ranë mbi kryet e trimit,tashmë 70 vjeçar. Kështu në një mbrëmje të vonë marsi,të vitit 1911,Deda do të fjalosej me të birin Kolën,i cili për nga trimëria i pat ngjarë të jatit. Kur Ded Gjo Luli e pyeti të birin nëse ish gati për luftë,dhe kur ai iu përgjigj ; paj qy nesrit or babë! Plakut i ranë lot gëzimi.Ai e parandjente vdekjen tek i zinin prita dhe natyrisht kur shihte të birin të pafriguar,shpirti i qetësohej.Mbasi bisedoi edhe me mikun e tij të vjetër Nik Gjelosh Lulin,ai u dha atyre,për të shkrehur pushkët e para të kryengritjes së madhe.Vetëm me 10-12 malsorë,Ded Gjo Luli,niset nga Podgorica në ditët e para të marsit 1911.Tashmë ideja e tij për të filluar kryengritjen me armë është një realitet i çuditshëm që e tërheq pambarimisht drejt fushëbetejës.E vërteta është se duke qenë më tepër nga 70 vjet,miqtë e këshillojnë që ai të shlodhet ca e mandej të rrëmbej prap pushkën.Por urtia dhe trimëria e tij,nuk mund të pajtohej me “rehati” të tilla.Ai i thotë të birit Kolës që t’i gjeje një kal të mirë dhe pas dy tri ditësh mësyn krejt vijën mbrojtëse të osmalinjëve në vargmalin e Deçiçit. Disa luftime të befasishme e të shkurtëra të trimave të Hotit,Grudës e Tamarës,kanë bërë tashmë që disa posta ushtarake osmane të bien lehtë në duart e shqiptarëve.Mandej janë arritur me luftime edhe disa vija të fortifikuara në lindje të Deçiçit me ç’rast formacionet osmane janë tërhequr në kuota të reja,më të larta.Me një intelekt të zhvilluar luftarak,ndërkaq Ded Gjo Luli ka përgaditur manovra të shumta sulmuese të bashkëluftëtarëve të tij.Por vlen të thuhet se kushtrimi i lëshuar prej krismave të para,ka mbledhur në rradhët e luftëtarëve të Malësisë së Madhe,mbi 3000 burra me ç’rast ata kërkojnë të jenë në vijën e parë të sulmit dhe në frontin kryesor me armikun.Ajo çka ndodhi në Deçiç më 5-6 prill 1911,përbën një tjetër studim më vete ku edhe historiografia shqiptare ka mundur të ndriçojë mjaft thekshëm gjërat.Por vlen të thuhet se ai që i dha frymëmarrjen këtij luftimi të përmasave epokale,ai që ishte shpirti dhe truri i asaj beteje,padyshim mbetet Ded Gjo Luli 71 vjeçar,duke vrapuar me kalin e bardhë sa me një pozicion në tjetrin,duke mos u friguar nga bataret e armëve,thua se duart dhe shpirti i tij e ngritën flamurin në majën historike të Deçiçit.
Duhet thënë se trimat e Malësisë së Madhe,të udhëhequr prej Ded Gjo Lulit,arritën disa fitore të bujshme nëse kihet parasysh numëri i pakët i tyre përpara mijërave të ushtrisë osmane.Jehona e saj u ndje tepër larg por fatkeqsisht ajo mbeti veçse jehonë,kjo ngase luftimet në Deçiç e rrethina ishin veçse një hallkë në zinxhirin e madh të lëvizjes kombëtare.Duke mos u lidhur dot me krejt këtë zinxhir,këto beteja u ngjanë atyre yjeve që ndrijnë disa kohë për tu shuar më pas në universin e ngjarjeve.Por askush s’mund të hedhe errësirë mbi to.Askush s’ka të drejtë të mohoj gjakun e dhjetra të rënëve.Tek e mbramja flamuri kuq e zi që valonte në Deçiç u kujtonte krejt shqiptarëve të rrëmbenin armët për të bërë që palët e atij flamuri të rrihnin qiellin e pastër të krejt viseve shqiptare.
Si gjithmonë,pas çdo beteje,ushtarët e perandorisë merrnin masa dhe pregaditeshin për të kryer masakra e dhunime të tjera,duke dashur të tregojnë supermacione luftarake të tyre.Nisur nga fakti se Shqipëria ishte e paarmatosur dhe pa një organizim qendror udhëheqës,Porta e Lartë,dërgoi sërish Shevqet Turgut Pashën,në krye të mbi 18 mijë ushtarëve për të shuar revoltat.Tepër cinik,në prag të nisjes së tij,Shefqet Turgut Pasha i deklaron një korrespeondenti rus se ; “S’mund të frikësohemi se do të shkretohet Shqipëria.Kemi mjaft njerëz që mund t’ia zënë vendin shqiptarëve”.(Gazeta “Ruskoje Sllovo” qershor 1911). Por kjo nuk do të trembëte aspak Ded Gjo Lulin dhe bashkëluftëtarët e tij trima. Ata mbajnë pozicionet e fituara me gjak,nuk lejojnë turbullime në krahina dhe organizojnë një mbrojtje të tillë që do të mund të kishin zili edhe gjeneralët që patën mbaruar akademi të larta ushtarake.Gjithsesi,këta burra e patën kuptuar se pavarsia e trojeve do të mundohej edhe përmes një odiseje të gjatë e të lodhshme diplomatike.ka qenë pikërisht qershori i vitit 1911 kur në Malësinë e Madhe u hodh ideja e një memorandumi që do t’u dërgohej Fuqive të Mëdha. Do të ishte Gërça vendi i propozuar prej Ded Gjo Lulit dhe ideatorëve të saj,në fillim të qershorit të vitit 1911,duke qenë miq në shtëpinë Dedës 71 vjeçar,Luigj Gurakuqi,Hil Mosi,Risto Siliqi,Sali Hidri,Nikolla Lako e dhjetra të tjerë,do të prekeshin jo vetëm prej mençurisë së Ded Gjo Lulit por edhe bujarisë së tij.Shtëpia e degjuar disa herë ishte tepër e varfër por kjo s’don të thotë se i varfër ishte edhe shpirti i pritësve.Ata bënë çështë e mundur të kënaqnin miqtë anipse varfëria u dukej. Memorandumi i Gërçës kërkonte :
– Garanci kundër përsëritjes së veprimeve antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë.Respektimin e feve dhe zakoneve.
– Njohjen e plotë të kombit shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të perandorisë osmane.
– Liri,për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe.
– Bashkimin e vilejeteve ku jetojnë shqiptarët,në bazë të decentralizimit administrativ.Të harmonizohen ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit.
– Nëpunësit e lartë të dijnë gjuhën dhe zakonte e vendit.Nëpunësit e tjerë civile dhe financiare të jenë shqiptare.Gjyqtarët xhandarët e policët gjithashtu të jenë shqiptare…” ( Revista “Leka” numër përkujtimor, Shkodër 1937 ).
Natyrisht përkrah firmave të perfaqsuesve të tjerë të popullit,është edhe ajo e Ded Gjo Lulit.Shpesh gjatë këtij kuvendi kërkohej mendimi i urtë i tij,përvoja dhe guximi i rrallë që askurrë s’i munguan plakut.Në nëntorin e vitit 1911,Porta e Lartë,mendon të shkëpusë Ded Gjo Lulin së paku prej malësorëve duke i propozuar detyrë e pagë të lartë.Ata e dinin se plaku jetonte në varfëri ndaj menduan se mund të thyhenin sadopak karakterin e fortë dhe të ashpër të tij.Në takimin që bëri me valiun e Shkodrës,ky i propzoi postin e myderizit të Malësisë duke i thënë edhe shumën maramendëse të akurduar me ç’rast.Por plaku me maturinë e tij karakteristike,duke e falenderuar Valiun i përgjigjet ;“Mi thuaj Sulltanit,se nuk jam mish që shitet në karrabat e kasapit !”.
Lëvizja e madhe kryengritëse që shpërtheu në parnverën e vitit 1912,vështirë se mund të perceptohet pa atë varg betejash të Malësisë së Shalës,të udhëhqura prej Ded Gjo Lulit.Ngase plaku i urtë parashihte fitoren e shpejtë,ngutej të organizonte sa ma shumë kuvende bese,të mblidhte djelmosha për në çetat vullnetare të kryengritësve,si edhe të kryente luftime sa më të shpejta e të befasishme ndaj organizmave osmane të çorientuara.Krisma e pushkës së tij,tashmë ndihej shum larg.Kësisoj,për të ardhur deri në ditën e madhe të 28 Nëndorit 1912.Flamurin e ngritur në Deçiç,Ded Gjo Luli e dërgoi në Vlorë dhe ishin me dhjetra atdhetarë që e puthën me lotë në sy.Ata dhe krejt atdhetarët shqiptarë, e patën kuptuar se nëse ai flamur,nuk do t’i rrihte palët, e lirë,në Deçiç vështirë se mund të ngrihej në Vlorë.Në javët e para të qeverisjes së Ismail Qemalit,shkon në Vlorë edhe Ded Gjo Luli.I mbajtur mirë,me kostumin pozant shaljan,me ate vështrimin prej shqiponje,trimi i malësisë bisedoi gjatë me plakun e Vlorës.Një prej nipërve të Ismail Qemalit,kur e pa me ç’dashuri ky e rrethonte malësorin, e pyeti se ç’kish bërë ky që meritonte kaq nderë. Dhe plaku i Vlorës i përgjigjet ; “Ky është trimi Ded Gjo Luli,pushka e ngrehur për Shqipërinë ! “. Mendoj se përtej këtyre fjalëve emblematike komentet janë krejt pa vlerë.
Natyrshëm do të lidhej Ded Gjo Luli edhe në rrjedhat e ngjarjeve të mëvonshme në Shqipëri.Në trazirat e mëdha të vitit 1914,ai vjen në Durrës ku takohet me patriotë të tjerë shqiptarë si Isa Boletini,Bajram Curri,Hasan Prishtina e të tjerë.Mandej edhe vetë Princ Vidi,duke u njohur me karakterin e ndershëm të malësorit e fton në audiencë.Plaku i Shalës,i jep besën mikut se për të mirën e Shqipërisë ai nuk do të kursejë asgjë,madje as jetën.Princ Vidi në këtë rast i kërkon Dedës që disa trima të tij të rreshtohen në gardën mbretërore dhe plaku i malësisë nuk mungon t’ia kryej porosinë.Por ngase ishin trima edhe njerëz të besuar të Ded Gjo Lulit,këta burra u luftuan prej Esat Pashë Toptanit deri në fund. Ndërsa në mesin e prillit të vitit 1914,dymbëdhjetë batalione malazeze sulmuan Hotin dhe Grudën të cilat padrejtësisht konferenca e Londrës e vitit 1913 ja pat dhënë malit të Zi.Ded Gjo Luli, e kuptoi se të mateshe me malezezët në ato momente ishte tepër e vështirë. Por edhe të heshtej nuk mundej.Shpirti i tij ishte pajtuar qysh herët me furtunat duke mërguar përgjithmonë qetsinë. Në një kuvend burrash aty në Shalë,duke folur pak e mendueshëm,kumton ; “O burra ! Perandoria e theu qafën,por armiqtë e rinj po duen me e shqye Shqypninë.Mali i Zi gati me shfry nder ne.S’na duhen as Esat Pasha dhe as malazezët,por ta mbledhim mendjen e une them se na duhet vetëm Shqypnija.Pra të bashkohemi o burra, e une anipse jam rrendue në luftë me turkun,ene armiqve të rinj kam dijt me ja kthye pushkën “.Por mjerisht,fati i Shqipërisë ishte paracaktuar.Një grusht burrash të pa armatosur siç duhet,të pangrënë e të pa veshur,nuk mund t’u bënin ballë koalicioneve serbo-malazeze,anipse zemra e tyre rrihte veç për Shqipërinë.Në verën e vitit 1914,Ded Gjo Luli,i ligështuar në ato çka ndodhnin në Shalë, Tamare,Plavë,Guci e Kosovë,shkon në Shkodër,dhe aty takon Cerçiz Topullin,Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.
Vjeshta e vitit 1914,po vinte me rrebeshe të reja,në supet e maleve shqiptare.Kërcënoheshin tashmë jo vetëm kufijtë e vendosur në vitin 1913 por edhe vet egzistenca e shtetit dhe kombit tonë.Në tryezat e Fuqive të Mëdha,nuk munguan edhe planet për coptimin e plotë të Shqipërisë. Ded Gjo Luli,anipse pa tjetër pasuri veç fëmijëve,pret e përcjell njerëz në shtëpinë e vet,të vogël,në Shkodër.Ai është i vendosur të mos jepet,ai ka shpresa për të ardhmen.Në një prej gazetave që dilnin në ate qytet,botohet një mëngjez shtatori thirrja që mban emrin e Ded Gjo Lulit.Pos të tjerave,në te thuhet ; “ Ne nuk do të ngucim dokend,por meqenëse dikush do të na sulmojë,do të mbrohemi deri në ma të mbramen pikë gjaku.E mbasi mjerisht nuk jemi të organizuem,une po u lutem vllezneve tanë,se me kenë gati.me gjithë trimat e mij,në qoftë ka nevoja me u mbrojtë Shqypnija !”. ( Gazeta “ Tarabosh” 15 shtator 1914 ).
Kur në dhjetorin e vitit 1914,autoritetet vendase në Shkodër,ulën flamurin kuq e zi prej prefekturës,krejt patriotët Shkodranë demonstruan në shesh duke kërkuar që ai flamur,ishte i vetmi që mund të valvitej në qytet.Në mes të asaj rrjedhe njerëzish,u dëgjua befas zëri i trimit Ded Gjo Lulit që kumtonte : “Flamuri ynë kuqezi do të rroje deri sa të rroje edhe shqyptari më i fundit !”.
Vendosmëria guximi dhe shqiptarizma e pashuar e birit trim të Shalës,do të çmoheshin prej atdhetarëve por njëherazi do të vinin në lëvizje edhe armiqtë e kombit tonë.Në vjeshtën e vitit 1915,në shtëpinë e Ded Gjo Lulit,në Shkodër,vjen një lajm prej kapidanit të Mirditës që e fton në Orosh për të biseduar “për fatet e vatanit”.Së bashku me të birin,Ded Gjo Luli bën disa ditë rrugë nëpër bjeshkët e Mirditës vetëm e vetëm për mos t’i dalë fjale krerëve vendas.Por këtu,në këto bjeshkë,kishte zënë pusi vetë tradhëtia. Ndërsa shkonte drejt kishës së Oroshit,atij i dalin përpara rreth 30 serbë të armatosur.Plaku gjendet ngushtë dhe i befasuar,por e kupton menjëherë tradhëtinë.Ai kërkon të takojë me bajraktarin e Oroshit por ky i fundit,anipse e ka thirrur,diku është fshehur,pyjeve të mëdha të Oroshit.Serbët pasi e lidhin e kontrollojnë Dedën nëpër xhepa.Ai kupton këtë kontroll dhe nuk mungon të thotë ; “Haj,Haj,po ju kini kujtue se une kam luftue tan jetën për pasuri. Po kjo asht marre.Burri i Shalës lufton veç për vatan o shkja të ndymë!”.
Krismat e armëve presin në mes fjalën e trimit.Ishte 24 shtatori i vitit 1915.Në grykë të Oroshit shuhej jeta e burrit që 6 decenie me radhë u jetue veç për lirinë e trojeve amtare.Ushtarët serb e lanë trupin e përgjakur të trimit pa varrosur,duke dashur që ta hanin korbat,për t’i shuar popullit nga kujtesa,trimëritë e birit të Shalës.Por populli i Oroshit nuk mund ta pranonte këtë fyerje.Ata e muarrën trupin dhe e varrosën me nderime,pran atyre mirditorëve trima që patën dhënë jetën në luftën me hasmin shekullorë serbin.
Tetë vjet më pas,më 1923,eshtrat e Ded Gjo Lulit u dërguan në Shkodër.Burra,gra,fëmijë,klerikë gjithfarësh shoqëronin trimin për varrin e stolisur me lule.Mijëra vetë,merrnin pjesë në këtë përcellje të mbrame.Prej Tirane,mbriti ate ditë edhe telegrami i deputetëve të Shkodrës,Luigj Gurakuqi e Hill Mosi,në të cilën pos të tjerave thuhej :
“Bashkohemi me zemër në nderimet e që Shkodra po i kushton kujtimit të Ded Gjo Lulit,tue krye detyrën e mirënjohjes ndaj fatosit të pavdekshëm që nga më të parët ngrehi Flamurin e lirisë së atdheut,mbi shkrepat e përgjakura të Malësisë së Madhe”.Historia e përqafoi,populli e hedhi në brons për mos tu larguar kurrë nga memorja e kombit shqiptar./ Eugen Shehu


Leave a Reply