Gjithë këto ditë kam qenë nën impresionin tronditës prej “ikjes nga jeta” të Minella Borovës! Se u mbushën tre vjet që nuk e kemi më aktorin-poet, bohemin “e pandreqshëm”, emigrantin e udhëve të largëta…,ish studentin e shokun tim të afërt të kohës së mënxyrshme të diktaturës dhe të atij tranzicioni tepër të gjatë që na endi nëpër botë në kërkim të vetvetes e për pak lumturi më shumë…Dhe do të vinte kaq shpejt “vdekja” e tij e papranueshme, për të “mallkuar edhe ZOTAT që e morën”!….E sot, duke kaluar nga rrugicat me kalldrëme të reja të Korçës së vjetër, pashë edhe një herë, papafingon e tij për të “trembur kujtimet tona”, ndala edhe në Pogradec, ku gjeti strehën bashkëshortore, për të pirë nje kafe të hidhur me të kunatën Irini Nanushi, që i dridheshin duart, duke më lexuar poezin e shkruar për të e që unë me Kënon (Skënder Demollin, që realizoi edhe një film dokumentar për të!), qëndronim të mekur para saj e para figurës së tij të qeshur qe na u ringjall befas aty , buze liqenit ku lodronin pulëbardhat,,,Poezia e dhimbshme e Irinit titullohej: “Dhe dashuria e madhe është pak!”, duke vazhduar:”Luan e qesh ende në ekrane/ E bën shaka, si me magji/ E ke sfiduar vdekjen katrane/ Mbete i bukur, mbete i ri..”…Ndërkohë tufa e pulëbardhave kishte dalur në bregun e liqenit, si të donin të dëgjonin e ndjenin lëngimin njerëzor…Për Minellën, për këtë artist të pazakont, që munda ta takojë para se të vdiste e në homazhin që shkrova për të pas “aktit fundor”, nuk mundesha ta pranoja gjëmën e ndodhur padrejtësisht.
Realisht një letër dashurie,për një të vdekur të gjallë
MINELLA BOROVA
(1947-2013)
“Vitet e mia të humbura brenda jetës,
vitet e mia të fituara brenda dritës”.
(Minella Borova. Buenos Aires1994)
I dashur Nella!
E di që ti nuk do ta marrësh kurrë letrën time, ndonëse e ndjej në shpirt, që ke për ta lexuar atë… Sepse ti nuk je si gjithë të vdekurit. Ti për mua je një i vdekur i gjallë, je sikundër gjithë ne të tjerët, bile diçka më tepër se ata, që do të rrosh tek unë, tek bashkëshortja jote, te fëmijët që le, tek miqtë që pate, tek publiku që të donte, duke plotësuar kështu boshllëkun që mbetet, me një pjesë të madhe dashurie që nuk tretet…
Të kam dashur shumë, o njeri i mirë, që ike dhe më le nga ana tjetër e globit. Realisht ne kishim vdekur që të dy. Na ndante deti, oqeani dhe një rryp toke, që veçonte kontinentin e zbuluar nga Kolombi. T’u duk se Argjentina do të ishte “një zbulim i ri”, po kur u ktheve dhe ne u takuam krejt rastësisht, në një rrugë të Fierit, pasi “ iu vodhëm njerëzve” për t’u çmallur, unë pashë në fytyrën tënde një trishtim të thellë, që i ngjante pragvdekjes…
Atëherë ne do të kujtonim ca çaste të lumtura, që nuk vinin më, nuk riktheheshin, për të krijuar “oaze lumturie”. Lumturi i thënçin! Por në atë trysni të gjatë të së kaluarës, ne sikur gjenim ca “struka të fshehta”, të cilat i largoheshin botës që vazhdimisht vdiste përpara syve tanë, kur disa syresh thonin që ishim “më të lumturit në botë”. Realisht ne ishim gjysmë të vdekur të lumtur…
Studenti për aktor Minella Borova, me atë fytyrë ovale, me atë majë hunde komike, paksa të kthyer, me ato flokë të zeza e të dendura, me atë buzëqeshje paksa të shtrembër dhe unë, pedagogu i tij, që do të harroja përgjithmonë se isha i tillë, e shtynim jetën dhe rronim që të vdisnim dikur, pa u merakosur fare për çka do të ndodhte… I kam përpara syve gjithë studentët e mi: Saimirin, Timon, Birçen, Mevlanin, Llazin, Nikon, Gëzimin e me radhë. Po Nellën?! Ku është Minella, të dashurit e mi? Oh! Ai u rrokullis nga sytë tanë, si një pikë loti përvëlues. Iku më i qeshuri ynë, më i brengosuri ynë, që vajti të “zbulojë Argjentinën” dhe hapi “gropën e varrit” të vet…
Mos!
Po ti e bëre këtë hap të tmerrshëm, pa pyetur njeri. Ose pyete vetëm veten tënde. Ti gjithmonë ke qenë “i pandreqshëm”, i dashuri im. Që në Korçë, aty ku linde, u rrite dhe ku t’u damkos mbi shpatulla “njolla e murrme” e paravdekjes…
Ishte natë atëhere… Unë dola nga salla e teatrit dhe ti zbrite nga skena. Unë isha një inspektor i Ministrisë dhe ti ishe një aktor profesionist. Në fytyrën tënde paksa të hequr, ku makiazhi nuk ishte fshirë dhe aq mirë, dukeshin ende blangat e asaj katastrofe, që do të ndodhte më pas me “Njollat e murrme” që do të na ndante për 10-20 a 30 vite. Mirëpo, pikërisht atë natë të turbullt (që do të mbetej si prelud i vdekjes), ne të dy patëm ca çaste lumturie, që nuk vijnë më. Se ç’kishe atë natë, kur bashkë me Llazin (Serbon) na tërhoqe në papafingon tënde, në tarracën e shtëpisë, për të na treguar një portret. Ne hymë aty, në gjysmë errësirë dhe, kur drita u hap, do të shtangeshim nga një bukuri e rrallë, e beftë, e aftë për të pushtuar shpirtra. Pamë njëri-tjetrin dhe ti diçka të pakuptueshme do të mërmërisje nëpër buzë, diçka që kishte të bënte me dashurinë e zjarrtë të rinisë, për liqenin, për pemët, për zogjtë e qiellit…
“Nella, ore t’u mbylltë, – tha Llazi, – ç’e ke “burgosur” këtë “perëndi”?!
Mirëpo Minella nuk foli fare, qeshi ashtu shtrembër, kaloi njërën pëllëmbë të dorës nëpër flokë dhe na i mbushi gotat me raki mani. Ne do të shihnim nga portreti mahnitës i së dashurës në pëlhurë, që na ndiqte vazhdimisht me sytë e saj të zinj dhe, si të dalldisur, do të pinim raki mani, aq sa do të na çahej balli e do të na dilnin trutë nga vendi. E ku ta dinim ne, se që nga ajo natë, nga papafingoja e Minella Borovës, jo vetëm që nuk do të ktheheshim më, po gjithçka do të përmbysej: e dashura do ta braktiste komikun e skenës (që aq bukur imitonte Nidhen, drejtorin çalaman të Teatrit, që s’merrte vesh fare nga teatri; personazhi i Lirimit, te “Njollat e murrme”, nuk do të dukej më në skenë, pas anatemimit të Diktatorit, i cili do ta quante këtë shfaqje “tëpkë revizioniste”. Personazhi i inspektorit(që isha unë) do të burgosej (bashkë me autorin e regjisorin!!!) dhe personazhi Llazi Serbo do të vriste veten në një papafingo tjetër, si kjo e Nellës, duke imituar Bekim Fehmiun, që aq shumë e donte. Pra, ne, që të tre, kishim vdekur qysh nga ai çast shtangieje, para portretit të një të panjohureje, që mund të ishte edhe imagjinare, po gjithsesi larg nesh, ama tepër thellë përbrenda shpirtit tonë të brengosur.
Ne e donim të bukurën, e admironim. Por, jo! Nuk qe e thënë, për asnjërin nga ne.
Kur m’u shfaq Minella, krejt papritur në Fier, unë, i syrgjinosuri në periferi të Athinës, punëtor me mëditje te një pronar grek (ngaqë askujt nuk i duhej më kritiku dhe pedagogu i Teatrit i këtij “ argjentinasit”, që më doli përpara), do të provoja rishtas gjëmën që na kishte ndodhur: NE NUK I DUHESHIM MË ASKUJT!
Dhe pastaj një ndjesi e kobshme: mbase do të kujtohen e do të thonë një fjalë të mirë për ne, “pos mortum” dhe do të bëjnë një homazh, si ky që po bëj unë, pasi e pata bërë edhe për Llazi Serbon, për të cilin thonin, se qe i çmendur dhe kur ndërroi jetë thanë befas se ishte ARTIST I MADH !.
Paradokse dhe këto… Si ky episodi i fundit i Minellës, që erdhi nga Argjentina me një shfaqje në Festivalin e Aktrimit të Fierit (ku unë vija që nga Athina vjedhurazi, si një spektator “ inkognjito”, për të parë shfaqjet) dhe, sa më pa, më pushtoi të tërin me një mall të parrëfyer e pastaj humbëm nëpër brengat tona të emigrantit, nën një pishë të mënjanur, duke pirë radhazi shishet e birës… “Nuk bëj dot më në Argjentinë, – tha Nella i trishtuar, – do vete një herë nga Naumi (Prifti) në Nju Jork, se mos më gjen ndonjë punë atje dhe pastaj do të kthehem këtu, ku, me sa shoh, janë edhe më keq punët… s’kam ç’të bëj… artistë të papunë Argjentina ka plot… Vura në skenë atje “Karnavalet e Korçës”, po ç’e do, u katandisëm vetë si karnavalet, bre profe…”
Leshrat e tij tanimë të zbardhura e përsëri të dendura ranë mbi grykat e boshatisura të birrës. Helmi binte mbi helm…
Ne kishim vdekur qyshkur.
Koropi, gusht 2013
(Botuar në Revistën “PEGASI”, nr.11, viti 2014)
MIHO GJINI


Leave a Reply