VIOLETA MURATI
Ish-i përndjekuri politik, Gëzim Çela, rrëfen për herë të parë historinë unike të kitarës së legjendës; si këngëtarja ia dërgoi në burg dhe misteri i shpëtimit të kitarës pas 22 viteve në kampin e Spaçit; historia e panjohur dhe enigma e madhe e humbjes së pianos së Tefta Tashko Koços, rrëfyer nga i biri, dirigjenti i njohur Eno Koço; historia politike e pianos së Feim Ibrahimit, pas ’90-s e shpëton një vendim i Berishës, kur iu falën studiot piktorëve dhe instrumentet muzikantëve; bashkëshortja e Feim Ibrahimit, Vera për herë të parë na sjell modelin se si është ruajtur studioja e kompozitorit; ditët që përjetoi kompozitori kur pas ’91-shit u kërkua nga Akademia t’i hiqej pianoja që e mbante në studio prej gati 30 vitesh dhe “betimi” i Feim Ibrahimit se pianoja nuk del nga shtëpia pa kaluar mbi trupin e tij
…Jetuam në një kohë kur u thureshin lavde e himne pushkëve, shpatave, hekurave e zinxhirëve, që u rëndonin njerëzve nëpër duar, si armiq të klasës dhe të pushtetit popullor. Histori plumbash, gëzhojash e pushkatimesh bënin historinë e partisë, aq sa dhe historinë e Shqipërisë – ky ishte revolucioni komunist.

Përballë këtij terrori dhe frike në kampet e burgjeve shqiptare duke mbijetuar pas telave me gjemba rrëfehet një nga historitë unike në Shqipëri që lidhet me legjendën e këngës së lehtë shqiptare, Vaçe Zelën.
Ish-i përndjekuri politik, Gëzim Çela, rrëfen për herë të parë historinë unike të kitarës së legjendës; si këngëtarja ia dërgoi në burg dhe misteri i shpëtimit të kitarës pas 22 viteve në kamp. Në revoltën e Spaçit kitara kërkohet nga sigurimsat për t’u thyer, por të burgosurit e fshehin në galeri. Një tjetër rrëfim hapet po për herë të parë, ajo e pianos së këngëtares lirike Tefta Tashko Koço. Kur sopranoja vdiq, çdo gjë është shitur nga shtëpia e saj, bashkë me to dhe pianoja e mrekullueshme. I biri, dirigjenti Eno Koço, rrëfen se “humbja e pianos” është enigma më e madhe që ka mbetur e pazbërthyer sot e kësaj dite; ai shpreson se mund ta gjejnë fëmijët e tij. Nëse për kitarën e Vaçe Zelës jeta në kamp, pas telave me gjemba, rrëfente realitetin më të egër shqiptar, për Feim Ibrahimin është ana tjetër e medaljes në “liri”, si muzikantët prisnin vendime nga lart për të pasur një instrument, në kushtet e një izolimi total ku nuk bëhej fjalë të blihej as brenda dhe jashtë vendit. Bashkëshortja e Feim Ibrahimit, Vera, për herë të parë na sjell modelin se si është ruajtur studioja e kompozitorit me gjithë reliktet e tij, sendet, partiturat ashtu dhe pianoja siç ai i la në gjallje. Vera e kthen këtë ndjeshmëri për legjendën e muzikës si thirrje për të gjithë kompozitorët që krijuan në diktaturë, si Pjetër Gaci, Tish Daija, Çesk Zadeja etj., që studiot e tyre, pianot të vihen nën vëmendjen e shtetit për t’i ruajtur nga shkatërrimi i kohës. Ditët që përjetoi kompozitori kur pas ’91-shit u kërkua nga Akademia t’i sekuestrohej pianoja që e mbante në studio prej gati 30 vitesh dhe “betimi” i kompozitorit se pianoja nuk merret pa kaluar mbi trupin e tij.
Jetuam në një kohë kur u thureshin lavde e himne pushkëve, shpatave, hekurave e zinxhirëve, që u rëndonin njerëzve nëpër duar, si armiq të klasës dhe të pushtetit popullor. Histori plumbash, gëzhojash e pushkatimesh bënin historinë e partisë, aq sa dhe historinë e Shqipërisë – ky ishte revolucioni komunist.
Përballë këtij terrori dhe frike në kampet e burgjeve shqiptare duke mbijetuar pas telave me gjemba rrëfehet një nga historitë unike në Shqipëri që lidhet me legjendën e këngës së lehtë shqiptare Vaçe Zelën. Në skenën e viteve më të egra të diktaturës, e ulur mbi karrige, me një kitarë në dorë ajo këndonte duke mahnitur brezat që e mbajnë mend. Pasioni i madh për këngën i shtoi dhe dëshirën për të mësuar kitarën. Ishte kjo edhe një dëshirë mikluese, tepër nxitëse për të rinjtë.
Miqtë e saj kujtojnë se Vaçja e mbante gjithnjë kitarën me vete, qysh kur këndonte në gjimnaz, mbrëmjeve studentore, nëpër fshatra të Lushnjës ku punoi si mësuese muzike. Madje, dhe kur ka konkurruar në degën e Dramës, Vaçja ka kënduar para komisionit me kitarën e saj. Ndërsa mjaft këngë nëpër festivale këngëtarja i ka shoqëruar me kitarën e saj. Por siç duket, dhe kitara e Vaçes është e rrethuar nga një mister. Kitara për shumë vite kishte humbur. E për paradoks, paralelizëm sinjifikativ mes vuajtjeve dhe brengave të pafund, kitara endej burgjeve dhe kampeve, dorë më dorë ndër të burgosur. Historia vjen e rrëfyer për herë të parë nga i mbijetuari i burgjeve komuniste, Gëzim Çela. Djalosh i ri, Gëzimi nis jetën e burgut qysh në vitin 1957, në një kohë kur në birucë i vjen papritur kitara e Vaçe Zelës dhe do të dalin që andej vetëm pas 22 vjetësh.
Sot kitara është e varur në mur në shtëpinë e tij, në Durrës. Askush nuk e prek, bri saj fotoja në rini e Gëzimit. Ky na tregon se historia e saj është si jetë dhe e ka të vështirë ta ndajë nga e jeta e tij. Për këtë arsye Gëzimi na tregon se nuk është joshur as nga milionat që i kanë ofruar për ta shitur kitarën. Ai tregon rastin e një shqiptari në Amerikë, që kishte mbërritur në derën e tij krejtësisht i sigurt se këtë njeri thjesht do ta prishte mendsh. Gëzimi sot betohet se kitarën nuk ka ndërmend ta shesë, sa të jetë gjallë. Ndaj historia e tij kthehet shpesh në retro, një arsye për të kujtuar pse duhet ta ruajë kitarën e këngëtares legjendë, të cilën e mban në gjendje mjaft të mirë.
Gëzimi hyn në histori duke kujtuar vitin 1957, kur sapo ishte burgosur në kampin për ndërtimin e aeroportit të Rinasit, pastaj duke kaluar në tharjen e kënetës së Thumanës, duke përfunduar në Tiranë për ndërtimin e pallateve në bllokun “Puna”, aty ku është ish godina ekspozitës “Shqipëria sot”. Gëzimi kujton se në kampin e Tiranës, rreth vitit 1962, frynte pak erë liberalizmi duke u lejuar të përdornin edhe ndonjë vegël muzikore në dhomën, e ashtuquajtur e kulturës që shërbente dhe si bibliotekë. Nga komanda u çuan edhe një mandolinë që kishte qenë më parë në repartin ushtarak. Gëzimi kujton se me të në burg ishte Sotiraq Tase, një muzikant i mirëfilltë që luante shumë mirë në mandolinë. “Ai na dhuronte kënaqësi muzikore, ndërsa një ditë Raqi më tha: “Sikur të gjenim dhe një kitarë, për të shoqëruar vijën melodike me akorde”.
Këtu fillon historia e kitarës së Vaçes. Gëzimi kujton se nga ky ngacmim në takimin me nënën e tij i qe lutur që të takonte Mehdi Prodanin për ndonjë kitare, meqë kishin miqësi familjare. “Po prisnim në ankth ardhjen e kitarës”, – thotë Gëzimi. Nuk kaloi shumë kohë dhe bashkë me ushqime në burg “hyn” edhe kitara.
“U gëzuam shumë si unë, por edhe nëna që ia kishte plotësuar një dëshirë të birit të saj të vetëm. “Ta dha Mehdiu”, – i thashë. “Jo,- m’u gjegj – ma dha Vaçja kitarën e saj. Mediun e takova, siç më porosite ti, por ai me keqardhje më tha se nuk kishte kitare tjetër, veç asaj që përdore vetë”.
Këngëtarja nuk e kishte bërë të gjatë bisedën, por i kishte përcjellë pa fjalë kitarën e saj për në burg. “Pra kitara, që ma kishte sjellë nëna, ishte e Vaçe Zelës! Njohja me familjen e Zelajve ishte e kahershme”.
Kështu Gëzimi kujton se mandolina e Raqit dhe akordet e kitarës së Vaçes çdo mbrëmje do t’i ndante nga burgu për të ëndërruar botën e lirë. “Tek kitara, tek ata tinguj ne gjenim çlodhjen pas një pune të lodhshme e rraskapitëse, ata tinguj na mbanin gjallë shpresën kur na kërcënonin se do të na vrisnin”.
Nga kampi i Tiranës, ish-i burgosuri politik dhe tashmë “një pronar” në burg i kitarës, tregon se kaluan në Rubik, në ndërtimin e fabrikës së përpunimit të bakrit e më në fund, në Laç, në uzinën e superfosfatit. Kitara ishte gjithmonë bashkudhëtarja e tyre e pandarë. Pas tetë vjetësh burg, Gëzimi tregon se shokët e burgut i ishin lutur që t’ua linte kitarën. Si mund t’ua refuzoja kërkesën? – thotë ai. “Tashmë ajo nuk më përkiste vetëm mua, ajo ishte bërë pjesë edhe e atyre, madje më shumë e tyrja, ishte një dritë shpresëdhënëse në tunelin e errët të burgut. Ajo ishte pjesë e dhimbjeve tona të mëdha dhe e gëzimeve të vogla”.
Mbas 6 vjetësh, në vitin 1971, Gëzim Çela dënohet për së dyti, e dërgojnë në Spaç dhe aty e gjeti prapë kitarën po ashtu dhe disa prej atyre shokëve që i kishte lënë në Laç, si Fiqiri Muhon, të cilit ia kish dorëzuar para gjashtë vjetësh.
“Ai m’u drejtua: “Kitara është si puna e gruas, o Gëzim, nuk e harron dashurinë e parë të një burri, prandaj ajo të kërkon ty”. E vështrova me vëmendje dhe i mallëngjyer kitarën dhe ajo më dukej sikur më thoshte. “Kur të lirohesh kësaj here, më merr me vete, mos më lër më këtu! Megjithëse jam prej druri, jam e lodhur, e dua edhe unë ngrohtësinë e një shtëpie dhe hapësirat e lirisë. Këtu bën shumë ftohtë!”
Revolta e Spaçit, që u zhvillua, nga 21 deri më 23 mars, 1973 tronditi sistemin. Dëshmitar i asaj ngjarjeje, Gëzimi tregon se pushteti tregoi “forcën” e tij, duke pushkatuar katër vetë brenda ditës me një gjyq 24 orësh, e të improvizuar, ndërsa ai vetë përfundoi nëpër hetuesi dhe gjyqe. U ridënua me 15 vjet të tjera. Gëzimi thotë se kur u rikthye në burg pas disa muajsh, në kamp mbretëronte hija e vdekjes. Njerëzit nuk guxonin as të flisnin me zë të lartë, jo më të bëhej fjalë për kitarën.
Megjithatë, Gëzimi kujton se e para gjë që i shkoi në mendje ishte kërkimi i kitarës. Pas revoltës, nën urdhrin e zëvendësministrit Feçor Shehu, ushtarët dhe sigurimsat bënë reprezalje mbi të burgosurit duke u grabitur, e marrë çdo gjë personale që u kishte mbetur, si dorëshkrime, libra madje edhe mbi veglat muzikore. “Veçanërisht kërkuan kitarën, që ta thyenin”, – i kishte thënë shoku i tij.
“U trondita për fatin e saj, por ai më siguroi: “E kam shpëtuar unë, – më tha, – e kam nxjerrë jashtë kampit me arkat e mbeturinave dhe e kam fshehur në armaturën e një galerie, në zonën 3”. Pas disa muajsh, kur në burg u kthye jeta normale dhe filloi puna në minierë, Gëzimi tregon se e nxori kitarën nga galeria duke e marrë me vete, kur u lirua. “Ajo ishte tashmë e burgosura 22-vjeçare, aq sa edhe unë. Kitara e Vaçe Zelës vazhdon të jetë me mua, në shtëpi edhe sot e kësaj dite”.
Standart


Leave a Reply