Isabela Islami (Çoçoli) dhe Zamira Islami (Eduards), dy motrat që punojnë për “Zërin e Amerikës” (seksioni shqip) qysh nga viti 1985, një vit pasi u arratisën nga Shqipëria, u pezulluan nga puna muajin e kaluar, për motive ende të panjohura edhe për vetë ato. Në Shqipëri, Isabela dhe Zamira janë të njohura, sidomos nga brezat e rritur të viteve ‘80-‘90, të cilët e kishin “Zërin e Amerikës” si burimin kryesor të informacionit, për shkak se mediet shqiptare ishin të gjitha të kontrolluara nga regjimi komunist
Çelo Hoxha
Isabela Islami (Çoçoli) dhe Zamira Islami (Eduards), dy motrat që punojnë për “Zërin e Amerikës” (seksioni shqip) qysh nga viti 1985, një vit pasi u arratisën nga Shqipëria, u pezulluan nga puna muajin e kaluar, për motive ende të panjohura edhe për vetë ato. Urdhri i pezullimit është lëshuar më 24 shkurt 2014, i firmosur nga Arben Xhixho, shefi i seksionit shqip, një ish-punonjës i RTSH-së gjatë diktaturës. Në këtë vendim nuk jepen arsyet e këtij pezullimi. Isabela e konfirmoi për gazetën “Standard” se në dokumentin e pezullimit nuk jepen arsyet për marrjen e kësaj mase administrative. Në SHBA ka një masë që quhet leje administrative. Ajo jepet në disa forma, por në këtë rast është e tillë: leje administrative, me të drejtë rroge, por pa të drejtën e ushtrimit të detyrës. Kjo është një fazë e ndërmjetme, më vonë personi përkatës mund të kthehet në punë, ose mund të largohet përfundimisht nga detyra. Në Shqipëri Isabela dhe Zamira janë të njohura, sidomos nga brezat e rritur të viteve ‘80-‘90, të cilët e kishin Zërin e Amerikës si burimin kryesor të informacionit, për shkak se mediet shqiptare ishin të gjitha të kontrolluara nga regjimi komunist. Jeta e tyre, e cila është e denjë për një skenar hollivudian, në SHBA nuk ka kaluar me indiferencën që është trajtuar në atdheun e tyre, e cila, por të ishte promovuar me libra, dokumentarë, do t’u kishte bërë bashkëkombësve, jo vetë personazheve. Në SHBA jeta e tyre është një nga pjesët e librit “Zëri i Amerikës: një histori”, 2003, (prej të cilit po e botojmë të plotë kapitullin ku flitet për motrat Islami), si dhe janë bërë kronika nga vetë “Zëri i Amerikës”. Kronikat i gjen lehtësisht në internet ose faqen zyrtare të “Zërit”. Më 18 dhjetor 2013, drejtori i “Zërit të Amerikës”, David Ensor, prezantoi para bordit të stacionit të njohur aktivitetin e “Zërit të Amerikës” në gjithë botën. Aty ai bëri dhe një përshkrim telegrafik, por më gjatë çdo përshkrim që ai bëri për gazetarët e tjerë, të sakrificës së Isabelës, Zamirës dhe Klementit, vëllait të tyre, i cili humbi jetën natën e arratisjes me not, nga Saranda në Korfuz. Motrat iu bashkuan “Zërit të Amerikës”, tha ai, dhe punuan për të çuar “lajme të pa censuruara në atdheun e tyre” (https://www.youtube.com/watch?v=wqPDvpahJRw). Në prezantimin e Ensor, Isabela dhe Zamira ishin dy gazetaret e vetme që u përmendën nga seksioni shqip, si emblema të “Zërit të Amerikës”. Mirëpo, dy muaj më vonë, këto ikona, u shpërblyen me pezullimin nga puna, nga njerëz për jetën e të cilëve, edhe po të flitet, nuk i bëjnë ndonjë nder stacionit ku punojnë. Ngjan shumë cinike, por është e vërtetë: dy gazetaret e njohura antikomuniste, të cilat e sfiduan regjimin kur ai ishte në kulmin e fuqisë së tij, janë pezulluar nga puna nga një person që në kohën e arratisë së tyre ose pak më vonë, punonte në institucionin më të madh të propagandës në Shqipëri, në mbrojtje të diktaturës. Biografia profesionale e Arben Xhixhos sugjeron që më shumë ai ka qenë rojtar (një nga të shumtët) i vijës së partisë në RTSH sesa gazetar. Ai pretendon, sipas kolegëve të tij në SHBA, se ka punuar në seksionin portugalisht të RTSH, por as pas kaq vitesh nuk di portugalisht. Thotë se ka mbaruar anglisht në Tiranë, gjithmonë sipas të njëjtave burime, por dhe anglishten e ka ende të çalë, megjithëse është vendosur në SHBA prej afro dy dekadash. Në Shqipëri, pezullimi i dy gazetareve të njohura kaloi pa shumë bujë. Vetëm gazeta dita dhe ndonjë faqe në internet botuan një shënim të shkurtër, bazuar në një raportim të Xhevdet Shehut, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”. Më 9 shkurt 2014, në gazetën “Dita” u botua një intervistë e Isabela Çoçolit, ku ajo rrëfeu historinë e saj dhe të familjes, e cila çoi në arratinë e tyre më 1984. E njëjta gazetë, pak ditë më vonë, kur shkroi për pezullimin e motrave nga puna, hodhi dhe dyshime për pasoja që mund të ketë pasur kjo intervistë. “Dëshirojmë që kjo intervistë e Isabelës të mos ketë pasur ndikim për pezullimin e dy motrave nga puna, përndryshe do ta konsideronim si një spastrim që funksionon edhe te ‘Zëri i Amerikës’, por në forma të ndryshme nga ato në Shqipëri”, – shkroi “Dita”.
Motrat Islami, krenaria e “Zërit të Amerikës”
Motrat Islami në seksionin shqip (të “Zërit të Amerikës”) – Isabela dhe Zamira – kanë lindur në Shqipërinë staliniste në dhjetëvjeçarin pas Luftës së Dytë Botërore. Ai vend i vogël policor buzë Adriatikut asokohe ishte një nga vendet më të shtypura dhe të izoluara. Ishte plot me informatorë, të cilët denonconin vazhdimisht miqtë e tyre te forcat e Sigurimit të diktatorit Enver Hoxha. Një ditë më 1975, sipas lajmeve të gazetave dhe faqes në internet të “Zërit të Amerikës”, Klement Islami, vëllai i Isabelës dhe Zamirës, i foli kundër qeverisë një shoku. Brenda pak orëve, ai u arrestua dhe gjithë familja u internua në Çermë, një fshat bujqësor me rreth 500 banorë në Shqipërinë e Jugut [në Lushnjë-përkth.]. Familja Islami u vendos në një kasolle të izoluar në periferi të Çermës, një grup godinash me mbrojtje të rreptë.
Për nëntë vitet e ardhshme, Islamët punuan në një kamp shtetëror me punë të detyruar, i quajtur Çerma 2 – një lloj gulagu bujqësor – duke hapur kanale, duke punuar tokën e ashpër dhe një duzinë punësh të tjera që u kërkonin forcat e regjimit. “Ishte një lloj arresti shtëpiak”, – kujton Isabela. “Paguheshim në një vlerë ekuivalente me 1-2.5 dollarë në ditë, por e kishim të ndaluar rreptësisht largimin nga qendra e banimit”. Familja nuk kishte shpresë të rikthehej në Tiranë, apo të martoheshim (Isabela ishte 22 vjeçe, në kohën e internimit; Klementi 20; dhe Zamira 18).
Familja e tyre kishte qenë në listat e zeza të regjimit të Shqipërisë prej vitesh. Gjyshi i tyre, kleriku mysliman i dyti në hierarkinë myslimane të vendit, ishte ekzekutuar nga komunistët menjëherë pas luftës. Nëna e tyre kishte kaluar 10 vjet në burg pas luftës. Pas nëntë vitesh në Çermë, Klementi i bindi motrat se e vetmja mundësi që të ata të ndërronin një të ardhme normale ishte të arratiseshin me not nga brigjet e Jonit. Prindërit pranuan dhe i nxitën të tre të arratiseshin. Ata ishin të vetëdijshëm që edhe mund të mos i shikonin më fëmijët e tyre.
Me not drejt lirisë
Dy motrat dhe vëllai i tyre vëzhguan gjendjen natën e fundit të korrikut 1984. Ato shkuan te bregu shkëmbor i Çermës [gabim në origjinal, ata u arratisën nga bregu i Sarandës, në qytet]pasi ra errësira, rreth orës nëntë. “menduam të hidheshim në ujë dhe të niseshim”, – kujton Isabela. “Por pas pak, projektorët e forcave të mbrojtjes nisën të luanin në ujë, dhe vendosëm të mos rrezikonim. Pritëm të shikonim frekuencën e përdorimit të projektorëve, dhe vumë re se ata u kthyen me projektorë rreth orës 11”. (Gjërat duken se gjithmonë zhvillohen në orar në atmosferën ushtarake të Shqipërisë komuniste).
Të nesërmen në mbrëmje – 1 gusht 1984 – dy motrat dhe vëllai ishin veshur me kostum banje. Ora ishte 10, midis patrullave me projektorë. Rrobat i kishin lënë poshtë shkëmbinjve në breg. Vajzat mbanin varur disa bizhuteri. Ato u lëshuan në ujë nga një shkëmb i lartë në Çermën 2 [gabimi përsëritet në origjinal: Sarandë]dhe nisën notimin maratonë nën dritën e hënës. “E bëmë me fjalë të notonim afër njëri-tjetrit”, – tha Isabela. Notuan për shumë orë dhe të tre u rraskapitën. Isabela vazhdoi të rezistonte më shumë se vëllai e motra dhe notonte mes tyre t’u jepte kurajo, ndërsa ata u ndanë gjithnjë e më shumë në detin e errët.
Dikur në të gdhirë, rreth 7.30 ose 8.00, Isabela shqoi përpara tokë dhe mendoi që ishte ishulli i Korfuzit. “Mund të dalloja një burr në breg me qenin për dore”, tha ajo. Papritur, ajo pikasi një jaht italian dhe notoi drejt tij. Jahti e hipi në bord, dhe ajo iu lut kapitenit të niste kërkimin për motrën dhe vëllain. “Kur hipa në varkë”, – tha Isabela, “e kuptova sa e rraskapitur isha”. Menjëherë anija gjeti Zamirën, e cila atë çast nuk ishte në gjendje të hidhte dhe një hap më tutje. Klementi nuk dukej gjëkundi, megjithëse ai kishte ecur krah motrave për më të shumtën e rrugës. Ai thjesht u zhduk, dhe s’është parë më kurrë.
Nga Çerma te “Zëri i Amerikës”
Dy motrat u çuan në Korfuz. Qeveria kreke u dha menjëherë statusin e azilit politik. Një shoqatë katolike i mori në kujdestari. Vetëm një muaj pas mbërritjes së tyre në Korfuz, shefi i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” dëgjoi për Isabelën dhe Zamirën gjatë një udhëtimi në Athinë. Ai i intervistoi dhe i këshilloi të mësonin anglisht. Motrat morën rrugën për në Shtetet e Bashkuara në vitin pasues dhe u vendosën në Detroit. Ato mësuan anglisht shumë shpejt në Institutin e Gjuhëve Ndërkombëtare në Miçigan dhe në më pak se një vit e gjysmë më vonë iu bashkuan “Zërit të Amerikës”.
“Kënaqësia e punës këtu dhe transmetimi në Shqipëri, ishin të mrekullueshme”, – kujton Isabela. “Në fillim përdorëm pseudonime, për të mbrojtur familjet në atdhe” (Prindërit e tyre u ridëbuan menjëherë, mësuan ato më vonë, në Pukë, një fshat i largët në Shqipërinë e veriut shumë larg nga bregu i detit).
Dy ose tri letra në vit mbërrinin në Shtetet e Bashkuara nga Islamajt e moshuar, njëra përmendte vdekjen e babait të tyre në fund të viteve ‘80. Vajzat e informonin familjen e tyre për lëvizjet e veta në Shtetet e Bashkuara. Isabela dhe Zamira e dinin që zërat e tyre u njohën menjëherë në vendin e tyre të lindjes, ku, siç mësuan ato më vonë, “njerëzit mezi i prisnin lajmet e “Zërit të Amerikës” në orën 18.00… të gjithë i dëgjonin”.
“Duhet të jetë mami!”
Viti 1990 rezultoi i rëndësishëm për dy motrat. Në Tiranë, më në fund regjimi po shkërmoqej dhe lajmi i shembjes së Murit të Berlinit i transmetuar nga “Zëri i Amerikës” – atëkohë i vetmi transmetues amerikan në shqip për Ballkanin – e shpejtoi procesin e ndryshimit.
Një mëngjes prilli më 1990, në dy të mëngjesit, Isabela u zgjua nga zilja e telefonit. Ishte një largësi e madhe, një zë i zbehtë që thoshte “Hello”. Një moment ajo kujtoi se ishte ndonjë nga miqtë e saj në Britani ose Greqi. “Pastaj, e kuptova që ishte në shqip”, – kujton ajo, duke fshirë lotët. “Duhet të jetë mami!” Folën rreth pesë ose dhjetë minuta, dhe Isabela i kërkoi nënës së saj të gjente një mënyrë për të shkuar në Itali dhe të aplikonte për vizë amerikane. Më 19 korrik 1990, Isabela dhe Zamira u bënë qytetare të Shteteve të Bashkuara. Më 1 nëntor, nëna e tyre mbërriti në Itali dhe më në fund u bashkua me to në Uashington.
Në dekadën që pasoi, të dyja motrat u martuan, dhe të dyja lindën nga dy fëmijë. Zamira, tani Zamira Eduards, e emërtoi si të mirën e dy botëve: transmetim lajmesh nga Amerika dhe rajoni për vendin e saj të origjinës, dhe pastaj kthimi në shtëpi te bashkëshorti i saj amerikan dhe fëmijët, Mei dhe Masoni. Isabela, tani Isabela Çoçoli, ka dy djem, Tomasi dhe Eriku. Djali i madh, për koincidencë, është mëkuar me traditën më të mirë të Zërit të Amerikës. Tomasi mban emrin askujt tjetër veç hartuesit të Deklaratës së Pavarësisë së vendit që Isabela e ka adoptuar rishtazi, Tomas Xhefersonit.


Leave a Reply