( Mbresa nga vizita në Washington DC e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia)
Shumë kush nga ne, nuk kishte dijeni që ditën e shtunë, datë 7 maj 2016, ishte dita kur ambasadat e shteteve të ndryshme të botës në SHBA, kishin edicionin e nëntë të hapjes të dyerve të tyre për publikun, ndërsa ambasada shqiptare këtu, e kishte herën e parë që bëhej pjesë e këtij edicioni. Një gjë e tillë u bë e njohur për ne, nga konsullja shqiptare në Washington znj. Daniela Kristo Nesho, nëpërmjet një telefonate një javë përpara kësaj date. Pra këtë ditë, çdo njeri, qytetar i çdo shteti qoftë, ka të drejtë të jetë vizitor i ambjenteve të brendshme të ambasadave , vetëm ose i organizuar në grupe. Por cili ishte qëllimi i kësaj hapje? Nga vetë emërtimi i këtij edicioni, dhe aq sa pamë atje, këtë ditë stafet e ambasadave kanë mundësi të prezantojnë për vizitorët informacion kryesisht ekspozues, të historisë e kulturës të vendeve të tyre, apo pamje e foto të ndryshme të zhvillimit sidomos të turizmit të këtyre vendeve. Në shërbim të këtij funksioni, edhe ambasada jonë, ishte munduar dhe kishte realizuar një mundësi njohje të vizitorëve të shumtë të kësaj dite, për vendin tonë.
Shoqata Atdhetare- Kulturore “Bijtë e Shqipes” e qytetit të Filadelfias, vendosi të bëhet pjesë e atij publiku, që do të vizitojë Washingtonin dhe ambasadat e këtij qyteti, këtë ditë. Në programin vjetor të këshillit drejtues të kësaj shoqate, ishin planifikuar dy udhëtime ( eskursione), një me nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, në Washington dhe një udhëtim tjetër me një grup 40-50 vetash anëtar të shoqatës në moshë pensioni, në Nju Jork ose Washington. Meqenëse vizita në ambasada ishte e kushtëzuar vetëm në një ditë, vendosëm që të dy grupet ti bashkojmë dhe të realizojmë një udhëtim të përbashkët , në funksion të këtij qëllimi. Megjithëse koha ishte mjaft e shkurtër për një organizim të tillë, anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës, vecanërisht zv/kryetari i saj, z. Bujar Gjoka, punuan me ngulm duke realizuar eskursionin më masiv me bashkatdhetarët tanë, që ishte realizuar ndonjëherë , me kushte komode transporti dhe pa pagesë për pjesëmarrësit. Për këtë u vendosen njoftimet në FB dhe WEB-in e shoqatës, duke saktësuar se në këtë eskursion do të merrnin pjesë nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë ” të shoqëruar të paktën me njërin nga prindërit, mësueset e kësaj shkolle, anëtar të shoqatës në moshë pensioni, si dhe disa anëtar të këshillit drejtues që do të menaxhonin udhëtimin. Konfirmuan pjesëmarrjen mbi 90 veta , të cilët dëshironin të merrnin pjesë, prandaj u pronotuan dy autobusë, që ishin mjaft komodë në udhëtim. Kështu në orën 8-të të mëngjezit të kësaj dite të shtunë, të gjithë zunë vend në këta autobusë , të cilët ishin parkuar që herët përpara godinës së shoqatës. Muzika dhe kënga shqipe gjatë gjithë rrugës , bisedat plot humor e shakatë me njeri-tjetrin, bënë që të harrohen hallet e problemet e përditshme që na rrinë mbi kokë . Një kafe gjatë rrugës, ishte e nevojshme dhe u mirë prit nga të gjithë. Ndërsa rreth orës 11:30, pas më shumë se tre orë nga nisja, gjëndemi para godinës të Ambasades tonë në Washington DC, pamja e jashtme e së cilës reflektonte këtë vit, bukuri dhe seriozitetin e një institucioni shtetëror diplomatik. Stema kuq e zi e shqiponjës e vendosur mbi hyrjen e ndërtesës , dhe flamuri ynë kombëtar që valëvitej po në front, në katin e tretë të saj , ishin emocionet e para të bashkatdhetarëve që dukeshin edhe në fytyrat gjithë nur të tyre. Nxënësit e shkollës shqipe të cilët e kishin zbukuruar veten me kostumet e bukura kombëtare, si dhe te tjerë pjestarë të grupit tonë, ndërsa po zbrisnin nga autobusët ( që për një pjesë ishte hera e parë në këtë qytet), pëshpërisnin me vete e me më të afërmit në krah të tyre: “Sa bukur, ka lezet të shohësh flamurin e kombit të ngritur në një qytet të Amerikës, dhe kjo të bën krenar. Radha e gjatë, mbi 100 metra, e njerëzve të vendosur në rresht në pritje të vizitës në ambjentet e brendëshme të ambasadës, na bëri përshtypje dhe na detyroi edhe neve të vendosemi në fund të asaj kolone, e cila shumë shpejt, pas nesh, filloi të zgjatej. Jashtë çdo parashikimi, më vonë morëm vesh, se numëri i vizitorëve të asaj dite, i kaloi nëntë mijë vetet. Çfarë interesimi dhe kureshtje! Në hyrjen e ambasadës, ndërsa ne po hynim, e shumë të tjerë dilnin, shoku ynë Petrit Zanaj, i drejtohet një çifti mesatar në moshë të cilët gjithë humor e duke qeshur po dilnin nga ndërtesa: “…si ishte, si u pritën…”? Të dy njëherësh përgjigjen : “ Shumë bukur, …pamë dhe mësuam disa gjëra për atë vend…, provuam edhe një lloj pije,- raki i thonin,- pije e fortë …, ishte një ekspoze interesante”. Me gëzimin e këtyre fjalëve që dëgjuam, u futem në katin e parë të ambasadës, ku prezantohet një ambjent tamam festiv, i organizuar me finesë nga stafi i saj e vullnetarë të rinj. Ambasadorja, znj. Floreta Faber, që ishte e kudo ndodhur, sigurisht përveç gëzimit që ishte i dukshëm, nuk mund ta fshihte me të drejtë, edhe shqetësimin për përfundimin me sukses të këtij organizimi. Duke kaluar nga njëri ambjent në tjetrin , në ndërtesën tre-katëshe, kudo të binin në sy simbolet tona kombëtare, flamuj kuq e zi, stema me shqiponjën dykrenare, plisa të bardhë me shqiponjë etj, si dhe fletë palosje e kartolina të ndryshme me foto të turizmit e plazheve të bukura të Jonit e Adriatikut, të gjitha këto të vendosura mjaft bukur në të gjitha anët. Diku, në mes të ambjentit shihje vizitorë duke shijuar një gllenkë raki Skrapari , shoqëruar me djathin e bardhë të vendit tonë. Bustet e Skënderbeut e Ismail Qemalit, dhe foto të tjera të figurave tona kombëtare, ishin vendosur në vendin e duhur, dhe tërhiqnin vëmendjen e vizitorëve.
Për ne që vinim nga Filadelfia, sigurisht që pjesa më e rëndësishme ishin grupi i fëmijve të shkollës tonë shqipe, të cilët siç e thamë më sipër, me veshjet e tyre prezantonin shumë treva të vendit, por ata ishin gjithasht surpriza e asaj dite edhe për vizitorët e tjerë. Zëri i tyre cicërimë, tek bisedonin me njëri-tjetrin gjithë kulturë e humor, ishte një kënaqësi e veçantë për të gjithë ne, por për prindërit e tyre në radhë të parë, një pjesë e të cilëve ishin shkëputur nga puna, vetëm për hir të këtyre fëmijve. Dhe, ashtu pa u ndjerë dhe pa e kuptuar, u gjendëm në ballkonin e katit të dytë të Ambasadës, ku mjeshtri ynë i muzikës Hamdi Gjana, i pa përtuar kurrë që t’ju mësojë nxënësve kengët e bukura të vendit të tyre, po mundohej të vendoste këta femijë sa më bukur e për të siguruar pamje për të gjithë. Solistet Alba Sinani dhe Erona Shurdhiqi, të shoqëruar nga kori masiv i grupit të fëmijve, me zërin e tyre kumbues , i dhanë forcë edhe më shumë tekstit dhe kompozimit të këngëve, të zotit Gjana. Më tej, “Xhamadani vija – vija”, bëri që të gjithë pjesëmarrësit , shqiptar e të huaj, të bëhen pjesë me këta fëmijë, duke shpërndarë zërin e këngës dhe duartrokitjet, brenda dhe jashtë ambjenteve shqiptare.
Ishte kënaqësi dhe emocion bashkë, për të gjithë. Fotot e shumta që bëri secili me njerëzit e tij dhe me grupin, do të jenë një kujtim i rëndësishëm, e nuk mund të fshihen lehtë nga kujtesa.
Pas rreth dy orësh, duke e lënë ambjentin plot me vizitorë, përshëndetemi me organizatorët e kësaj dite, e me falenderime të përbashkëta, shkëputemi nga këtu, për të vizituar një tjetër ambasadë të kombit tonë, atë të Kosovës, e cila për këtë eveniment ishte vendosur në hollin e një ndërtese, së bashku me disa ambasada të tjera, si ajo e Libisë, Panamasë, etj., në seksione të veçanta. Bëmë sa mundem të tërhiqnim vëmendjen e të tjerëve, drejt këndit ku grupi prej 5-6 te rinjsh që prezantonin Kosovën, na u duk sikur donin të thonin :” Ju faleminderit Shqipe…, na e ngritët kokën lartë me gjithë këta fëmijë të veshur si të ishin në një festival kombëtar, e me kaq shumë bashkatdhetarë që keni grupuar. Nuk e imagjinonim”. Pas një copë kohe qëndrimi aty, duke biseduar si të ishim njohur prej kohësh me të rinjtë e Kosovës, e duke bërë shumë foto ku pasqyrohet edhe organizimi i kësaj dite, përmes emocioneve të krijuara , përshëndetemi me ta, dhe dalim jashtë për të vazhduar pjesën tjetër të programit tonë.
Sigurisht nuk mund të largoheshim nga kryeqyteti i shtetit më të fuqishëm të botës, nga ky qytet i gjelbër e me hapësira pa masë parqesh e lulishtesh, pa vizituar nga jashtë disa objekte të tij. Ato janë kaq të shumta, sa duhen ditë për ti parë, por për ne, për aq kohë sa na mbeti, shijuam së bashku , bukuritë e këtyre hapësirave për rreth Shtëpise së Bardhë e Godinës së Kongresit, nën një mot kaq të bukur të kësaj dite pranverore. Në grupe më të vogla, njerëzit çlodhen, konsumojnë ushqimin e drekës që në këto raste të shumtët e kanë përgatitur që në shtëpitë e tyre, foto me shokë e miq për ta kujtuar këtë udhëtim në çdo kohë. Por koha ecën, dhe rreth orës pesë të pasditës, autobuset presin, ndërsa fëmijë e të rritur ulen përsëri në sediljet e tyre, për tu kthyer në shtepitë e tyre në qytetin historik te Filadelfias. Sigurisht, një udhëtim i tillë, përveç kënaqësisë, krijon edhe lodhje, sidomos për të dy grupmoshat që përbënin grupin tonë, fëmijtë e të moshuarit. Por asnjëri prej tyre nuk e pranon këtë të fundit ( lodhjen ). Ishte shumë e rëndësishme, e këndëshme dhe e pa harruar për ne, ajo çfarë pamë , vizituam e shijuam gjate këtij eskursioni,- thonë njëzëri, – faleminderit.
Në këtë mënyrë, Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, mori persipër dhe realizoi këtë ditë një eskursion masiv në Washington, duke u krijuar këtë mundesi fëmijve të Shkolles Shqipe “Gjuha Jonë ” së bashku me prindërit e mësueset, si dhe një pjesë të antarëve të kësaj shoqate në moshë pensioni, duke shpresuar që ata të jenë kënaqur . Nepërmjet këtij eskursioni , përveç sa shkruajtëm më sipër disa mbresa, organizimi i tij dhe pjesëmarrja jonë këtë ditë në ambasadat tona, të Shqipërisë dhe të Kosovës, u bë edhe për faktin se ne e ndjemë si detyrim për të qenë, aty ku vendi e shteti ynë prezantohen për të huajt.
Tajar Domi
Filadelfia, Maj 2016
Leave a Reply