Shkruar nga Fethullah Gülen
a) Kreu i çdo mbarësie: Bismil’lah
Bashkëshortët që kanë arritur të ngrenë një fole familjare brenda kritereve tona, quhet se kanë realizuar një ngjarje me rëndësi shumë të madhe. Një fole e tillë, kur duhet, shërben si faltore, kur duhet, si shkollë dhe shërben si një “Shtëpi e Zotit” që i fryn ringjallje tërë një kombi! Fole të tilla të lidhura ngushtë pas parimeve të vëna nga Allahu, disa herë kanë shërbyer si një DNA për të gjithë shoqërinë.
Këtu kërkoj t’ju tërheq vëmendjen edhe mbi një moment tjetër. Kur nisim të hamë bukë, ne themi “Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim”. Madje besojmë se, po ta themi nga zemra, na shtohet bereqeti, begatia. Mes nesh, ata që besojnë mirë, shumë herë edhe e kanë parë haptazi këtë bereqet.
Po kështu, në shumë punë, ne mbështetemi te Allahu nga e keqja e shejtanit (djallit) dhe i lutemi Atij të na mbrojë. Kësaj disipline i kushtojmë kujdes në çdo çështje, gjer në ato më intimet. Dhe besojmë se fëmijët që do të na vijnë në botë si rezultat i mbështetjes sonë te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, do të bëhen të mirë dhe se djalli nuk do të mund të fusë gishtin në këtë rezultat.
Atij që nuk e bën këtë mbështetje te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, i bien në kokë, si rezultat i nënvleftësimit të kësaj gjëje që mund të duket si e vogël, shqetësime të tilla që ai nuk e di se nga i vijnë, por ama shembet nën peshën e tyre! Në këtë çështje, njeriu nuk duhet të nënvleftësojë asnjë moment. Duhet ta kryejë çdo gjë të madhe ose të vogël që është ngarkuar për ta kryer, duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e provës para së cilës është vënë. Duke çuar në vend përgjegjësitë që ia ka ngarkuar feja, duhet të sillet jashtëzakonisht i kujdesshëm e i ndjeshëm për të mos rënë kurrë në indiferentizëm e befasi.
Disa herë, një çast plogështie mund të japë si përfundim një fatkeqësi të tillë si ajo që jep plogështia dhe mungesa më e vogël e vëmendjes së njeriut që ndodhet në timon. Po, besimtari duhet çdo çast të mbështetet te Allahu, të strehohet te Ai! Po me këtë ndjenjë duhet vepruar edhe në kurorën që duket si një trajtim i thjeshtë. Kurora lidhet në emër të Allahut. Nuk mund të mendohet që kurora e lidhur pa u mbështetur te Allahu, të ketë begati, të bëhet pretekst për dobi. Sigurisht, kurora është një lidhje shpirtërore, sublime; edhe perspektiva e saj varet nga raportet me Allahun.
Nisur nga kjo, kurora do të lidhet në emër të Allahut që të ketë begati. Brenda saj do të ketë lutje dhe do të realizohet brenda kuadrit të parimeve të vendosura nga Allahu, madje do të përcaktohet garancia e kurorës në mënyrë që të premtojë perspektivë. Allahu (xh.xh.) e bën kurorën e lidhur në emër të Tij, të bekuar e të lumtur. Një kurorë e tillë është nën garancinë e Allahut (xh.xh). Ajo premton mundësi e perspektivë dhe bëhet pretekst për shkuarje mirë dhe harmoni mes bashkëshortëve.
Në ditët tona po bëhemi dëshmitarë të ndarjeve të shpeshta dhe në martesat po shihet një pashkuarje, një mungesë mbarësie e qetësie serioze. Fakti që punët nuk bëhen në emër të Allahut, që janë spontane e pa synim, që çdo gjë lidhet me parimin e kënaqjes vetëm të ndjenjave epshore dhe hedhja pas krahëve e të gjitha vlerave njerëzore, ashtu siç e ka tronditur nga themelet sistemin familjar perëndimor, ashtu na ka shkundur edhe ne. Gjendja e përgjithshme këtë tregon. Zoti na ndihmoftë!
b) Zgjedhja bashkëshortore
Çështja e parë që mendon personi që niset të martohet, është të kërkojë një bashkëshorte në përshtatje me ndjenjat dhe mendimet e veta. Në këto kohë, shumë të rinj e vlerësojnë këtë punë jetësore vetëm me ndjenja dhe përpiqen të krijojnë folenë familjare me dikë që kanë njohur në rrugë, në treg, në shëtitje. Eshtë e qartë se martesat e bëra duke lënë mënjanë gjykimet mbi kuptimin, natyrën dhe rëndësinë e martesës e të ngritjes së folesë familjare, sjellin fatkeqësi. Ndërkaq, po qe se para këtij hapi të madh do të kërkohej ndihma e mendimeve dhe pikëpamjeve të një personi të tretë i cili do ta shihte çështjen me një sy tjetër dhe do të bënte llogari e vlerësime duke iu referuar momenteve dhe analogjive të tjera, rezultati do të ishte krejt i ndryshëm dhe përfitimi, i madh.
Disa herë, martesa e bërë me një trajtim sensualist, folenë familjare të konsideruar si një kënd xhenneti mund ta shndërrojë në një gropë xhehennemi. Ka shumë njerëz që i njohim e i dimë, përkushtimi fetar i të cilëve është i njohur, por që si familje, për shkak të indiferentizmit apo llogarive të gabuara të bëra në pragun e ngritjes së familjes, jetojnë në krizë të thellë dhe kaos.
Në një familje të tillë, fërkimet dhe përplasjet nuk ndërpriten kurrë. Burri kërkon ta jetojë fenë, gruaja shqetësohet. Ose e kundërta. Për rrjedhojë, në një familje të tillë, burri dhe gruaja kurrë nuk mund të përbëjnë një unitet, nuk mund ta bëjnë familjen të përbashkët, nuk mund të bëjnë një ndarje të përbashkët të detyrave, përgjegjësive, të të drejtave dhe respektit personal. Përkundrazi jetojnë si pole të kundërta. Në një familje të tillë, lexohen dy libra e dy gazeta të ndryshme, dy lloj tregimesh rrëfehen, dy lloj mbledhjesh familjare bëhen. Gruaja kërkon një gjë, burri e kundërshton. Gruaja kërkon besim, moral, kurse burri i kthen këto në shkaqe grindjesh. Kështu, në një familje të tillë, bëhet një jetë dualiste, në i thënçin një jete të tillë, jetë!
Në mjedisin e një përplasjeje dhe përfytjeje të tillë, fëmijët disa herë lidhen pas njërës anë, kurse, disa herë, mbeten në mes të pandjenjë e indiferentë ndaj ç’ndodh, por armiq të familjes e shoqërisë. Prandaj, duke hedhur hap drejt martesës, mashkulli dhe femra duhet ta mendojnë shumë mirë këtë çështje e, po të jetë nevoja, duhet ta këshillojnë me ata që kanë përvojë dhe t’i përcaktojnë shumë mirë shkaqet e parapëlqimit të tyre.
Lidhur me këtë çështje, Profeti Muhammed (s.a.s.) konkludon kështu: “Gruaja merret për këto katër gjëra: për pasurinë, fisin, bukurinë dhe besimin. Ti zgjidhe atë që ka besim që të gjesh lumturinë!”[1]
Feja dhe besimi janë shkaku më i rëndësishëm për parapëlqim. Po qe se para një mashkulli paraqiten dy kandidate nga të cilat njëra shumë e bukur, kurse tjetra, me bukuri mesatare por me ndjenjë besimi të lartë, epërsia morale dhe fetare duhet të bëhet shkak për parapëlqim. Jeta familjare nuk i përket vetëm kësaj bote, ajo vazhdon me bijtë, nipërit e mbesat dhe e ruan këtë unitet edhe në jetën tjetër. Në të vërtetë, ndërsa një fole familjare e mirë mund të jetë në këtë botë një kënd parajse, ka ndodhur që, si rrjedhojë e disa gabimeve, të kthehet në varr dhe t’i mbyllë e t’i shembë edhe rrugët që çojnë në lumturinë e së përtejshmes së natyrshme.
Nisur nga kjo, pa tjetër i duhet kushtuar vëmendje mendimit, veprimit e, veçanërisht, besimit fetar të bashkëshortes së ardhshme. Personi që i jep vajzën një mashkulli me të meta dhe gabime në besim, quhet përgjegjës për të gjitha pasojat negative të mundshme. Kjo është e vlefshme edhe për femrën me të metat dhe gabimet përkatëse. Ndërkaq, po qe se mashkulli ka ndonjë problem serioz besimi, do të thotë se çështja është negative që në themel, sepse besimi është një element themelor i vlefshmërisë së kurorës. Njeriu që nuk i beson Allahut, që i nënvleftëson urdhrat fetare, ka një problem serioz besimi. Për rrjedhojë, mungon elementi më i rëndësishëm për lidhjen e aktit të kurorës.
Eshtë e qartë se në martesën e bërë për pozitë, post, përkatësi familjare e fisnore, famë e popullaritet, para, rrogë, etj., feja dhe besimi janë nënvleftësuar dhe autorët, në vend që të fitojnë, kanë humbur. Së pari, cilësia e kërkuar me përparësi në martesë është karakteristika fetare. Themeli i fesë është besimi. Martesa me një njeri pa besim kurrë nuk është një martesë në kuptimin e plotë të fjalës, ajo është thjesht një bashkëjetesë.
Konkluzionet tona janë, sigurisht, për njerëzit fetarë dhe për ata që i pranojnë ligjet dhe kriteret fetare. Le ta bëjmë të qartë edhe një herë këtë që martesa është një mbështetje shumë e rëndësishme e lumturisë materialo-shpirtërore. Ai që bën gabim në një çështje të tillë të rëndësishme, ia ka nxirë vetes që të dyja botët.
Para çdo gjëje tjetër, po qe se mjedisin jua kanë rrethuar fëmijë të paushqyer mirë me ndjenja fetare, do ta keni shumë të vështirë ta drejtoni situatën. Ndërkaq, po qe se një dorë bujare ju vjen në ndihmë në mënyrë mrekullore dhe i ndreq çrregullimet që kanë pasuar nënvleftësimet dhe gabimet tuaja, themi “ndihma e Allahut” dhe lutemi për më tej. Por ç’e do se kjo mund të mos ndodhë gjithmonë…
c) Rritja dhe përgatitja e fëmijëve të mirë
Në çështjen e rritjes dhe përgatitjes së fëmijëve, nëna dhe babai pa tjetër duhet të jenë në të njëjtën mendje. Fëmijët që ndodhen nën prindësinë e një nëne pa aftësi për të rritur dhe përgatitur fëmijë ose të aftë por që nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi, dhe të një babai që nuk merret me asnjë problem të tyre, janë jetimë edhe pse me nënë e baba.
Nëna, të cilën Allahu e ka pajisur me mëshirë, dhembshuri, ndjeshmëri e delikatesë, aftësinë e së cilës për të rritur e përgatitur fëmijë e ka kthyer në një cilësi të thellë të natyrës së saj, këtë potencial të shpirtit të saj duhet ta përdorë pa tjetër për t’i lartësuar ata në vlerat si njeri. Fundja, për nga krijimi i saj, nëna është mësuese, edukatore dhe udhërrëfyese. Detyra më e rëndësishme e saj duhet të jetë përgatitja e fëmijës së vet. Edhe porosia profetike, sipas së cilës, “atë që i ndan nënën me fëmijën nga njëri-tjetri, në ditën e kiametit Allahu e ndan nga njerëzit e dashur”[2], e shtron në shesh në mënyrë mjaft të qartë rolin përjashtimor të nënës në edukimin e fëmijës.
Duke e sjellë në vend nëna domosdoshmërinë imediate të pajisjes së saj, edhe babai, ashtu siç e kërkon krijimi dhe pozicioni i tij, duhet të jetë gjithmonë i matur, serioz, i zgjuar dhe i vëmendshëm. Babai merret me politikë, nëpunësi, tregti, bujqësi etj. dhe, pak edhe si domosdoshmëri e natyrës së tij, mbush në familje një zbrazëtirë të posaçme. Sigurisht, ai, me forcën, qëndresën dhe strukturën e tij të veçantë, është i caktuar për punë të veçanta. Fundja, qysh në krye të herës ai ka qenë gjithmonë njeriu i një përgjegjësie të posaçme dhe si i tillë ka ardhur gjer në ditët e sotme. Nisni me prerjen e druve në pyll, me plugimin e tokës, me mbjelljen dhe vjeljen e të lashtave e gjer te punët e rënda të ndërtimit ose industrisë, çdo gjë është kryer dhe çuar para duke u lidhur me qenien e tij e duke u mbështetur te ai. Sipas meje, burri duhet ta ruajë vendin e vet të qëndresës ndaj punëve të tilla të rënda në saje të trupit dhe vullnetit të vet dhe s’duhet femërzuar me punë femrash; po kështu edhe femra nuk duhet vënë në punë të rënda që e kapërcejnë forcën fizike të saj.
Sidomos, mashkulli është monument qëndrese, por jo hero dhembshurie! Dhembshuria është thellësia më e rëndësishme e femrës. Ajo e shëtit fëmijën në bark për nëntë muaj. E sjell në botë me njëqind mundime, kujdeset dhe e rrit me një mijë vështirësi. Kur fëmija rënkon natën, nëna ngrihet dhe i shkon menjëherë në ndihmë dhe, kur qan, e merr në gji. Me një dëshirë dhe instinkt të buruar prej natyrës së saj, nëna jeton për ta mbajtur gjallë atë. Ja, pra, nga njëra anë femra e nga ana tjetër mashkulli, me unitetin familjar të përbërë prej tyre, ngrenë një fole familjare që të kujton pallatet parajsore, në fytyrën e së cilës mund të sodisin botën përtej!
Në Perëndim, burri punon në një vend pune e gruaja në një vend tjetër. Në këto kushte, fëmijët ndodhen ose pranë dikujt tjetër ose në çerdhe apo kopshte. Kështu, kur punojnë edhe babai, edhe nëna, fëmijët braktisen, në një farë mase, në vetmi, në pakujdesi. Pastaj, këta njerëz ngushëllohen kështu në vetvete: “Atje ka njerëz shumë të dhembshur e të mësuar. Ata kujdesen për fëmijët tanë më mirë se ne!” Kurse përtej kësaj ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat ka nevojë fëmija!
Në çerdhe apo kopësht, fëmijës mund t’ia lajnë rrobën, mund t’ia japin ushqimin në kohë, mund ta nxjerrin jashtë, kur duhet, për pushim ose shëtitje në ajër të pastër ose ta çojnë për të dëfryer në një park lojërash. Por ata që i bëjnë të gjitha këto, kurrë nuk mund të bëhen nëna dhe babai i fëmijës, nuk mund t’ia japin atij dhembshurinë për të cilën ka nevojë më tepër se për çdo gjë tjetër. Dhembshuria është interesimi, lidhja e bashkëlindur të cilën fëmija e lexon në sytë e nënës, e gjen në gjirin e saj, e ndjen në prehrin e babait. Po qe se institucionet në fjalë s’ia japin dot këtë, nuk mund ta kënaqin fëmijën me asnjë lloj fantazie tjetër!
T’i lëmë fëmijët e vegjël të braktisur në çerdhe apo kopshte e të shohim se ç’ndodhte me fëmijët e rritur të dorëzuar ustait apo kallfës në periudhën e çirakllëkut. Po qe se ustai apo kallfa do të ishin të mangët nga dhembshuria dhe pak edhe të ashpër, këta fëmijë të trajtuar vazhdimisht me ashpërsi, me kohë do të bëheshin aq të pa ndjenjë, aq zemërgurë e aq të pamëshirë, saqë jo vetëm ndaj të huajve, por edhe ndaj prindërve do të silleshin trashë. Dhe kështu, po qe se ndikimi negativ i ushtruar nga njerëz të tillë të ashpër si ustai dhe kallfa të periudhës së çirakllëkut në shpirtrat e butë të atyre fëmijëve të pafajshëm do të lindte rezultate negative të këtyre përmasave, nuk do të ishte e vështirë të përcaktonim se ç’ndryshime pësojnë nën ato vështrime të huaja fëmijët tanë të sotëm që i dorëzojmë në çerdhe apo kopshte ende pa lindur ose pa u rritur mirë!
Allahu i Lartë (xh.xh.) që gjithmonë na e prezanton neve veten si Mëshirues (Rahman) dhe Bamirës (Rahim), që na i tregon mëshirën dhe bamirësinë e Tij brenda fjalës së lartë, “Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim, Me emrin e Allahut Mëshirues e Bamirës” e cila përsëritet në Kur’an njëqind e katërmbëdhjetë herë, duket sikur me këto atribute dhe cilësi të bekuara shfaqet te nëna. Po, shfaqjen e Allahut (xh.xh.) me mëshirën dhe bamirësinë e Tij në një banesë mund ta lexojmë në përqëndrimin e nënës me një mijë kujdesje mbi fëmijën dhe shërbimet e saj për të. Nuk ka dyshim se një dinjitet dhe meritë e tillë është aq e lartë sa të mos mund të shkëmbehet me asgjë tjetër në botë!
Në një periudhë, pati ca të rinj që kishin mbaruar universitetin, madje që kishin bërë studime pasuniversitare ose kishin doktoruar, por që kishin rënë në duar të qendrave terroristike dhe u rritën breza pa ndjenjë e pa mëshirë që i bënin prindët të qanin e që ua copëtonin zemrën. Vetëm se këta qenë një përjashtim dhe jo gjëra që do të përbënin argument kundër mësimit dhe arsimimit. Askush nuk e rrit dhe përgatit fëmijën që të vritet me një plumb ose që ta prishë qetësinë e shoqërisë; nuk e rrit, por disa herë edhe nuk e parandalon dot që fëmija të rrëmbehet nga rryma të papritura. Ja, pra, qoftë para gjërave të tilla negative të papritura, qoftë para rreziqeve të mundshme, nëna dhe babai gjithmonë duhet ta përdorin folenë familjare si një serë mbrojtëse, edukimin moral të fëmijëve duhet ta bëjnë synim përparësor dhe s’duhet t’i japin rast humbjes së fëmijëve!
Si përfundim, mund të themi se nëna dhe babai duhet të bëjnë gjithçka që duhet për rritjen dhe përgatitjen e një brezi të ndjeshëm, të vetëdijshëm, të lidhur fort pas atdheut, kombit dhe fesë dhe nuk duhet të japin rast që ai të përjetojë boshllëk mendor, ndjesor, logjik. Po qe se prindët do të jenë besimtarë, të lidhur pas Kur’anit dhe njohës të islamit, edhe fëmijët, në dashtë Zoti, do të rriten dhe përgatiten të vetëdijshëm dhe do ta bëjnë të ndriçojë yllin e kombit të tyre!
——————————————————————————–
[1] Buhari, Nikah, 15; Ebu Davud, Nikah, 2; Nesei, Nikah, 13; Ibni Maxhe, Nikah, 6.13
[2] Hakim, Mustedrek, 2/55.
————————————————-
Edukata familjare
Shkruar nga Fethullah Gülen
Nëse s’jemi të kënaqur nga gjendja e sotme e botës, nëse disa negativitete na ngulen në shpirt si heshtë, nëse s’jemi të kënaqur prej atyre që e kanë përgatitur këtë mjedis e që, pastaj, i kanë sendërtuar të gjitha këto gjëra, cilat janë zgjidhjet dhe propozimet tona? Sigurisht, e kemi të domosdoshme t’i dimë të gjitha këto!
Edhe nëse disa njerëz e quajnë si domosdoshmëri lirie ta nënvleftësosh namazin e të mos falesh, të të duket i rëndë agjërimi e të mos agjërosh, të përsillesh kot më kot rrugëve e të grindesh me këtë apo atë, njerëzit besimtarë i quajnë këto gjëra si imoralitet. Prandaj ne do të përpiqemi që të parashtrojmë se ç’janë morali dhe imoraliteti, ç’është edukata dhe ç’kuptojmë me të duke i analizuar nën dritën e Kur’anit dhe në kuadrin e parimeve të tij.
Parimi më i rëndësishëm i moralit është besimi dhe kontrata besimore. Megjithatë, kontrata besimore s’është gjithçka. Po qe se kontrata besimore nuk mbështetet me jetën praktike, me veprimtarinë praktike dhe njeriu nuk ndjek një vijë në përputhje me gjërat që beson, besimi tek ai mbetet thjesht një opinion, për rrjedhojë, siç nuk ushtron ndikim as në jetën personale të individit, as në jetën e tij familjare e shoqërore, ashtu dhe nuk bëhet orientues për të. Ç’është e vërteta, ndërsa besimi është një dritë dhe burim force, kurse mosbesimi, dobësi dhe zbrazëtirë, besimi i vërtetë e vë në shesh forcën e tij me anë të veprimit. Nuk është parë që një njeri që s’ka besuar, të jetë bërë i dobishëm për shoqërinë e tij, ndërkaq që të dobishmit numërohen me gishta! Për shembull, dikush nuk beson por është i ndershëm. Nuk e di nëse persona të tillë janë apo s’janë të virtytshëm sipas kritereve tona themelore. Sepse virtyti i vërtetë është virtyti i bazuar në besim dhe ndjenjën e vetëllogarisë. Sigurisht, besimi te Allahu, ringjallja dhe jeta e pasme, xhenneti dhe xhehennemi janë elementë shumë të rëndësishëm që na e formësojnë jetën dhe na japin mundësi të kalojmë një jetesë të rregullt.
Zbatimi i domosdoshmërive të këtyre specifikave të besuara ka vlerë të madhe jetësore. Jeta e pasme është gjyqi ku jepet llogari për ekzistencën në këtë botë, është vendi ku ne japim llogari nëse e kemi falënderuar apo jo Allahun që na krijoi në këtë botë si njerëz duke na dhënë trajtën më të përsosur. Në këtë botë ka turma të tëra njerëzish të padrejtë e mosmirënjohës që këmbëngulin për të mos e kuptuar Zotin, për të mos i parë artet e Tij që na i ka shtrirë dhe ekspozuar para syve, madje që i mbyllin sytë duke bërë sikur s’i shohin tërë ato bukuri që duken si dhe shumë e shumë qorra, shurdhër e të pandjenjë pavarësisht nga mijra ngjyra, zëra, dekoracione, variante, pavarësisht nga rregulli dhe harmonia që na rrethojnë! Ja, pra, Allahu do ta bëjë ringjalljen, grumbullimin dhe llogarimarrjen edhe për këta, edhe për besimtarët dhe do t’i përgatisë xhennetin dhe xhehennemin e Tij. Njerëzit e mirë, e virtytshëm, që kanë jetuar të hapur ndaj jetës ndiesore e shpirtërore dhe me dëshira ndaj gjërave të larta e sublime, pasi të japin llogari, ashtu siç të kenë jetuar në këtë botë si njerëz të lartë, të përsosur e të virtytshëm, edhe në atë botë do të shpërblehen me xhennete të premtuara për njerëzit e virtytshëm.
Kështu, besimtar do të thotë njeri që i mendon këto dhe që e rregullon jetën e tij sipas këtyre gjërave. Prandaj, më së pari, besimi, kontrata besimore duhet të jenë shumë të shëndosha edhe te individi edhe te shoqëria në mënyrë që me anë të forcës së besimit të mund të ruhet orientimi përballë ndjenjave çorientuese e devijuese. Nuk ka bekim, dobi e perspektivë as në familjen, as në shoqërinë e formësuar prej individëve që herë duken se besojnë e herë se s’besojnë. Gjithashtu as në kombin e formuar nga një shoqëri e tillë. Më së pari njerëzit duhet të besojnë shumë mirë, për më tepër duhet edhe të besojnë në mënyrë të prerë e të palëkundshme në të nesërmen e kësaj bote, pra në ahiretin ose ringjalljen dhe jetën e pasme në mënyrë që të bëhen të afërt ndaj Allahut si dhe elementë të vlefshëm për shoqërinë.
Sigurisht, aq sa ç’është shumë e rëndësishme që çdo individ ta bartë frikën se, po të mos punojë, do të mbetet pa ngrënë, është shumë e rëndësishme edhe që të ketë një besim aq të shëndoshë saqë të besojë pa lëkundje se, po të mos kryejë detyrat fetare, po të mos punojë dhe po të mos ta jetojë besimin në praktikë, do t’i duhet të përballet me një llogaridhënie shumë të rëndë para Zotit! Individi me një besim të tillë, me një fuqi tërheqëse gravitacionale të krijuar nga ky opinion, do të priret kah punët e mira dhe do të bëjë çmos për të dalë para Zotit me faqe të bardhë!
Çështjen e familjeve të formuara prej individësh të tillë do ta trajtojmë në një pjesë më vete. Aspektet e ndryshme të familjes, faktin se si duhet të edukohen me edukatën dhe moralin islam fëmijët në familje do t’i trajtojmë më tej nën dritën e ajeteve kur’anore dhe disa haditheve profetike.
Fëmijët dhe pasuria janë stolia dhe zbukurimi i kësaj bote (shih Kur’ani, Kehf, 18/46). Po të vlerësohen siç duhet, janë edhe investim për jetën tjetër. Me anë të këtyre, Allahu (xh.xh.) u jep gëzim zemrave të njerëzve, i bën këto stoli për syrin dhe ushqim për zemrën. Duke i parë këto stoli, mund të ndjejë në praktikë lumturinë e kësaj bote dhe në shpresë, lumturinë e së përtejshmes. Por ç’e do që, po s’u dhatë përjetësi këtyre stolive, nuk mund të bëheni të lumtur; edhe po të bëheni, do të jetoni të rrudhur. Po, fëmija, nipi e mbesa, bota juaj mund t’ju sjellë juve shqetësim! Por, po qe se i përjetësoni këto gjëra të përkohshme e të asgjësueshme duke i parë në emër të Krijuesit të gjithësisë, po i përdorët dhe i zhvilluat në rrugën e Tij dhe në atë drejtim që do Ai, do të shihni se çdo moment i pandehur si finish është një start. E gjithë stolia e përkohshme dhe e asgjësueshme, madhështia, shkëlqimi dhe pompoziteti që marrin fund me mbylljen e jetës së kësaj bote kur kjo të ketë arritur në pikën e konsumimit të plotë, do të shfaqen në trajtën më të përsosur e të mrekullueshme të tyre me hapjen e botës tjetër dhe për të vazhduar atje.
Azhornuar së fundi ( Saturday. 10 June 2006 )
—————————————————————
Rëndësia e folesë familjare
Shkruar nga Fethullah Gülen
Përsosmëria e një kombi dhe një shoqërie nis nga familja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët e lidhur dorë për dorë për këtë qëllim. Nisur nga kjo, edukimi duhet filluar nga familja që të mbetet i qenë. Po qe se familja nuk është ngritur mbi parime edukative, as shoqëria nuk mund të mendohet të jetë me edukatë. Madje, edhe nëse një politikë arsimore-edukative e patëmetë është shumë e rëndësishme për formimin e njeriut ideal, familja do të vazhdojë ta ruajë rëndësinë e vet përsa i përket kontributit të saj në edukimin e individit.
Po qe se mendjet e ushqyera mirë në familje, veçanërisht në periudhën e ushqyerjes së nënvetëdijshme, nuk vihen nën goditjen e erërave të kundërta serioze, në të ardhmen, me anë të disa vërejtjeve të vogla, mund të na dalin para si heronj të trashëgimit nënvetëdijesor duke na lënë të habitur. Sigurisht, suksesi në folenë familjare është etapa e parë e suksesit në jetën e përgjithshme. Dhe kjo etapë është e varur nga një martesë e shëndoshë.
————————————————
Synimi përfundimtar i martesës
Shkruar nga Fethullah Gülen
Familja nuk është, ashtu siç e mendojnë disa autorë, fabrikë për prodhimin e fëmijëve. Familja është pjesa më jetësore e shoqërisë dhe embrioni i parë i kombit. Për rrjedhojë, ajo s’është as inkubator, as mjet për kënaqjen e dëshirave trupore. Familja është një institucion i shenjtë. Kurse vija më e shquar e shenjtërisë së saj është kurora martesore. Kurorë martesore quhet bashkimi i çiftit me anë të një akti kontraktual në kuadër të parimeve të caktuara, gjë që është një marrëveshje me qëllim dhe synim të qartë. Bashkimet që s’kanë për qëllim parimet e kurorës martesore, Allahu i sheh si adulter.
Bashkimin legal nën emërtimin “kurorë”, feja e pranon si themelin, shtyllën, fundamentin e një kombi të mirë. Ndërkaq, edhe bashkimet legale e kanë një synim përfundimtar, janë të kushtëzuara me një synim përfundimtar. Meqë martesat spontane, pa qëllim e pa synim i cënojnë kufijtë e legjitimitetit, muslimani është, në këtë çështje, mjaft i ndjeshëm. Sigurisht, synimi i martesës duhet të jetë rritja dhe përgatitja e një brezi që do të fitonte pëlqimin e Allahut dhe kënaqësinë e Profetit.
Martesat pa qëllim dhe synim janë të pabegata ashtu si edhe adhurimet pa qëllim. Kur mungon synimi, bashkimet që i përngjajnë një martese të bërë me një person të panjohur duke parë vetëm pamjen e jashtme pa u interesuar për fenë, besimin, etj., krahas mungesës së thellësisë sublime, shpesh herë përfundojnë me mospuqje dhe pashkueshmëri. Sidomos po të jenë bashkuar dy njerëz, nga të cilët njëri i beson Kur’anit, kurse tjetri, jo, njëri e njeh Profetin (s.a.s.), e tjetri, jo! Po qe se bëhet fjalë për mendime të kundërta mes familjeve lidhur me besimin, fërkimet besimore e ideore bëhen të pashmangshme dhe nxjerrin krye mospuqje të pamundura për t’u rikuperuar.
Po të mendohet gjerë e gjatë, “martesa me synim” është, krahas ndiesore, edhe racionale-logjike. Dhe në familje ka qetësi e kënaqësi kur në martesë veprohet duke u menduar synimi për të cilin po veprohet. Kurse në përfundim të martesave të bëra pa pasur një synim të qartë dhe pa u menduar përfundimi, shfaqen shqetësime të ndryshme. Në një fole të tillë, pjesëtarët e familjes jetojnë vazhdimisht të paqetë e të pakënaqur.
Feja, duke e konsideruar, nga njëra anë, martesën legale e duke e nxitur atë, nga ana tjetër, e kufizon çështjen me anë të synimit. Fundja, në çdo punë dhe sjellje të njeriut duhet të ketë një synim në mënyrë që njeriu të jetë i vendosur në iniciativat që do të marrë dhe hapat që do të hedhë dhe të përpiqet për të arritur në atë synim. Po qe se njeriu nuk ndjek një synim të caktuar, as veprimtarinë e tij nuk e rregullon dot dhe kurrë nuk arrin në ndonjë finalizim. Eshtë e vërtetë se, po qe se në veprimet dhe sjelljet tona nuk ndjekim ndonjë synim, mendohet se edhe shansin për sukses e kemi humbur në një masë të madhe!
———————————————-
Debatimi i argumenteve
Shkruar nga Fethullah Gülen
1. Sipas një hadithi të nivelit hasen, Profeti (s.a.s.) porosit:
“Martohuni e shtohuni; unë do të krenohem ditën e kiametit me shtimin tuaj!”[1]
2. Edhe sipas një hadithi tjetër, Profeti (s.a.s.) porosit:
“Martohuni me femra pjellore!”[2]
3. Lidhur me këtë çështje, në një ajet kur’anor thuhet:
“Martojini beqarët mes jush me skllavet dhe shërbëtoret tuaja të përshtatshme (nëse s’keni mundësi me të lira). Po qe se këta beqarë janë të varfër, Allahu, me favorin e vet, i bën të pasur. Allahu është mirëbërës i madh dhe di çdo gjë!” (Kur’ani, Nur: 24/32)
Sa për personin që nuk ka mundësi të lidhë kurorë, domethënë, të mbajë e ushqejë familje ose që nuk mund të japë garancinë e kurorës, ai duhet të durojë virtytshmërisht gjersa Allahu t’i japë mundësitë e duhura, të jetojë ndershmërisht dhe të mos bëjë veprime të ndaluara (haram).
Edhe nëse argumentet profetike e kur’anore në fjalë dhe komenti i tyre duket sikur në pamje bien në kundërshtim me argumentet e tjerë, nuk ka dyshim se, përsa i përket idesë themelore, ato theksojnë të njëjtat të vërteta.
Duke bërë analogjitë, pranimet dhe përjashtimet e duhura logjike, porosia profetike, “Martohuni e shtohuni; unë do të krenohem ditën e kiametit me shtimin tuaj!”, mund të thuhet se na kujton këto gjëra: Po qe se me martesën nuk kihet për synim një brez me të cilin Profeti të krenohet, ajo martesë ose ai shtim nuk ka asnjë kuptim. Sigurisht, është krejt e qartë se Profeti nuk do të krenohej me një brez të përlyer me terrorizëm ose dëfrim, me njerëz që s’u bie balli në sexhde, me ndërgjegje të ndryshkur e me sy të përgjakur! Brezi, shtimin e të cilit ai e dëshiron, duhet të jetë brezi i pranuar edhe në lartësinë e Allahut, që përpiqet të fitojë pëlqimin e Tij, që e jeton dhe e mban gjallë fenë e cila e ndan të mirën nga e keqja (dini mubin). Me deklaratat e tij dritëshpërndarëse, Kur’ani është referenca më e shëndoshë e kësaj konsiderate: “Pasuria dhe fëmijët janë për ju stoli e jetës së kësaj bote, kurse punët që premtojnë amshueshmëri, janë, në lartësinë e Allahut, më të dobishme për të mirë dhe më të denja për të lidhur shpresën ndaj tyre.” (Kur’ani, Kehf: 18/46) Po, nëse punët tuaja shohin kah amshueshmëria, thuhet se keni hyrë në një rrugë, nga e cila edhe Zoti juaj do të jetë i kënaqur nga ju, edhe ju do të jeni të kënaqur nga Zoti juaj!
Përfundimi që arrijmë me këtë konsideratë, është ky: Synimi thelbësor në martesë është rritja dhe përgatitja e një brezi që do t’i bënte të kënaqur Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Prandaj, njerëzit që përqëndrohen me kujdes të veçantë mbi edukimin e fëmijëve fetarë e besimtarë, atdhedashës e të lidhur fort pas familjes, pavarësisht nga mendimet e ndryshme të shtrembra, kurrsesi nuk duhet të lëkunden të kenë fëmijë me rrugë të rregullta e legale. Shtimi i një brezi të tillë ka për ta bërë të qeshur fytyrën e bashkësisë muhammediane.
Lidhur me konsideratat e parashtruara gjer këtu, është mjaft me rëndësi edhe kjo këshillë dhe porosi e Profetit (s.a.s.) për të rinjtë:
“O ju të rinj! Ata prej jush që kanë mundësi për martesë, të martohen, kurse të pamartuarit ende, të agjërojnë, sepse kjo është pritë ndaj haramit (gjërave të ndaluara).”[3]
Së pari, në kuptim të përgjithshëm, agjërimi është një pehriz. Duke i marrë nën kontroll, bashkë me stomakun, edhe ndijimet dhe ndjenjat e tjera njerëzore, lehtëson përdorimin e saj në drejtimin e urdhëruar nga Zoti.
Së dyti, martesa është një gjë serioze. Ajo s’është një punë e thjeshtë që njeriu mund t’ia hyjë duke marrë vendim në çast, pa e menduar e pa e peshuar. Mosmarrëveshja dhe mungesa e qetësisë në martesat e nxituara, të bëra pa kaluar nëpër filtrin e arsyes e logjikës, është një ngjarje e shpeshtë. Në mënyrë të pashmangshme, fëmijët e rritur në një familje ku sundojnë mosmarrëveshja e grindja, nuk do të marrin edukatën e duhur, do të rriten me prindër, por si jetimë dhe, disa herë, do të rriten të pandjeshëm e armiq, ndaj prindërve, madje edhe ndaj shoqërisë.
Në shumicën e vendeve perëndimore gjendja përqëndrohet në këtë pikë.
Në këto vende martesa nuk trajtohet si një çështje serioze dhe nuk realizohet brenda disiplinave të duhura. Kjo ngjarje tejet serioze dhe jetësore shihet si një mundësi konkrete për plotësimin e disa nevojave njerëzore, për t’u ushqyer e pushuar, kuadri i synimit përfundimtar të saj ngushtohet dhe i zhvishet krejtësisht kuptimshmëria. Evropa e sotme po vërtitet sot buzë greminave ku qe vërtitur Roma e djeshme dhe po i afrohet vdekjes hap pas hapi, sepse asnjë komb me familjen të prishur e me individët të degjeneruar nuk ka mundur të qëndrojë në këmbë.
Unë nuk e di ç’mendon kisha përballë këtij problemi, ç’thonë sociologët, ç’pikëpamje kanë edukatorët. Nëse di diçka, di se me këtë pandjeshmëri e me këtë mungesë logjike, shoqëritë e sëmura nuk do ta kenë të gjatë.
Kutubi i ndjerë, një mbresë të tij lidhur me këtë çështje, e përcjell kështu: “Në Amerikë, duke shqyrtuar jetën e tyre fetare, unë u përballa me gjëra interesante. Një radhë, erdhën në kishë shumë meshkuj e femra së bashku dhe bënë aty adhurimet e duhura. Pas lutjes, prifti i futi ata në një sallë tjetër ku do të dansonin, do të dëfreheshin e do të bënin edhe gjëra të tjera. Prifti shuajti dritat dhe nisi argëtimi. Duke ndjekur argëtimin e tyre, prifti thyhej më dysh nga kënaqësia dhe emocioni. Po, prifti qe shumë i kënaqur që i kishte sjellë ata në kishë!”
Mirëpo, ashtu siç vajtja në kishë nuk është qëllim në vetvete, nuk është qëllim në vetvete as vajtja në xhami, madje tavafi rreth Qabes. Qëllimi është ta bësh të kënaqur Allahun dhe të jesh në rrugën që thotë Ai!
Një shoku im mjek pati shkuar në Amerikë për specializim. Kur u kthye, m’i përshkroi kështu mbresat e tij:
“Në Amerikë, shumica e njerëzve që shkojnë në kishat e qendrave të qyteteve, në tregjet dhe ndanë rrugëve me publik të dendur, janë pleq të moshuar, të kërrusur, që dremisin ku të ndodhen. Dhe mendova: Mos vallë rinia Amerikane është prishur krejt?
Pastaj shkova në një kishë jashtë Nju Jorkut. Kisha ndodhej në një majë. Kur arrita, pashë se të rinjtë pothuajse rridhnin si lumë për atje, se atje shkonin të gjithë, burra e gra. Prifti u jepte këshilla të vazhdueshme, por ata as që ua vinin veshin fjalëve të tij. Secili shihte qejfin e vet. Edhe prifti, duke menduar se, sidoqoftë, ardhja e tyre në kishë ishte fitim, mbyllte sytë para bëmave të njerëzve. Dikush përdorte heroinë, dikush, morfinë, dikush merrej me punë të tjera.”
Nuk e di, ç’dobi mund të ketë një vajtje e tillë në kishë? Po qe se shkuarja në kishë nuk ia pasuron botën shpirtërore njeriut, nuk ia vë në lëvizje ndjenjat njerëzore dhe nuk e shtyn të jetojë si njeri, do të thotë se ajo s’ka ndonjë synim për të qenë, prandaj s’ka as edhe kuptim!
——————————————————————————–
[1] Abdurrezak, Musannef, 6/173; Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/318, 319.
[2] Ebu Davud, Nikah, 3; Nesei, Nikah, 11.
[3] Buhari, Nikah, 2; Muslim, Nikah, 1, 3; Sijam, 43; Ibni Maxhe, Nikah, 1.
———————————————–
Kushtet e martesës
Shkruar nga Fethullah Gülen
Çështjes së martesës feja i jep rëndësi më shumë se sa mund të merret me mend. Paralel me këtë, edhe juristët islamë e kanë trajtuar kurorën si një çështje të rëndësishme, kanë shkruar vëllime të tëra rreth saj duke qëndruar mbi të posaçërisht. Juristët e kanë ndarë kurorën në kategoritë detyrim (farz), domosdoshmëri (vaxhib), traditë (sunnet), ndalim, shkelje (haram) dhe papëlqyeshmëri (mekruh) si dhe e kanë kushtëzuar pak edhe me gjendjen specifike të personave. Kjo do të thotë kështu: Askush nuk mund të martohet si t’i vijë për mbarë; personi i ardhur në një nivel të caktuar, është i detyruar të martohet; madje, ndërsa martesa e disave është domosdoshmëri (vaxhib), martesa e disa të tjerëve, për shkak të gjendjes së tyre të posaçme, është e papëlqyeshme, e shëmtuar (mekruh).[1]
Gjithsesi, vetëm duke mbajtur parasysh kuadrin fiziologjik e material të njeriut, kuptohet pa mëdyshje se ai që martohet, do t’i përftojë shoqërisë një familje ose një fëmijë.
Nga juristët islamë, hanefitët dhe malikitët konsiderohen të afërt me njëri-tjetrin lidhur me këtë çështje; dallimet mes tyre kanë të bëjnë me hollësitë. Po qe se do ta parashtronim çështjen e martesës sipas përcaktimeve të këtyre juristëve të mëdhenj islamë, do të na dilte parasysh, në vijat kryesore, një klasifikim i tillë si më poshtë:[2]
a) Martesa e detyrueshme (farz)
Personi që ka rrezik të bjerë në adulter dhe, përgjithësisht, në situata të ndaluara fetarisht (haram), e ka të detyruar (farz) të martohet nëse ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës (mihr) dhe të sigurojë mjetet për mbajtjen e familjes. Sipas disave, duhet të martohet edhe nëse nuk agjëron dot (me qëllim për të mposhtur dëshirat seksuale).
Me fjalë të tjera, martesa për të mos rënë në faj (haram) është parim dhe martesa duhet të jetë zgjidhja e vetme për dikë që përballet me rrezikun për të rënë në faj. Largimi, ikja nga martesa me rrugë të panatyrshme është kundërshtim i natyrës dhe shpallje lufte asaj dhe disfata e atij që tenton të luftojë kundër natyrës, është e pashmangshme!
b) Martesa e domosdoshme (vaxhib)
Martesa e personit që ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës dhe ta mbajë familjen, ndërkohë që nuk ndodhet para ndonjë rreziku imediat për të rënë në faj me përjashtim të një dyshimi, është e domosdoshme. Edhe kjo formë është e disa juristëve, nuk përbën pikëpamje dhe opinion juridik të përgjithshëm.
c) Martesa traditë (sunnet)
Eshtë traditë (sunnet), domethënë normale dhe e mundshme martesa e personit që nuk ka asnjë rrezik apo shqetësim dhe që ka dëshirë dhe është i interesuar të martohet.
d) Martesa e palejueshme, e ndaluar, e dënueshme (haram)
Eshtë e palejueshme, e ndaluar dhe e dënueshme martesa për personin që do ta shtynte në veprime të fajshme, që do ta detyronte të përdorte rrugë të ndaluara e të dënueshme për ta mbajtur familjen. Një martesë e tillë është, më e pakta, e papëlqyeshme dhe e shëmtuar (mekruh). Ka juristë që e quajnë të ndaluar ose të papëlqyeshme edhe martesën e një mashkulli me çekuilibër mendor-shpirtëror të tillë që do ta kaqtrajtonte të shoqen.
e) Martesa e papëlqyeshme (mekruh)
Sipas disave, është e papëlqyeshme edhe martesa e dikujt për të cilin rreziqet për të rënë në faj, për të përdorur dhunën nuk janë kategorike por vetëm paraqiten si mundësi.
f) Martesa e zakonshme (mubah)
Martesa e një personi të matur e serioz i cili fiton me të drejtë (hallall), për të cilin nuk ekziston mundësia të bjerë në adulter, i cili ka mundësi ta japë garancinë e kurorës dhe të mbajë familje, është e pëlqyeshme (memduh) ose e zakonshme, asnjanëse (mubah). Një person i tillë po deshi, martohet, po s’deshi, s’martohet.
Imam Shafiiu (r.a.) thotë se martesa është, në vetvete, një akt i zakonshëm, domethënë një akt neutral (mubah). Ndërkaq, është e domosdoshme (vaxhib) të shmanget nga fajësia (haram). Në të vërtetë, këtu, edhe shkolla shafiite parashtron një pikëpamje të afërt me konsideratat hanefite. Imami Ahmed b. Hanbel mbron pikëpamjen se, përballë rrezikut për të rënë në adulter, martesa është e detyrueshme për çdo njeri, pavarësisht nëse ai mundet apo jo ta sigurojë jetesën e familjes e ta japë garancinë e kurorës. Në fakt, kur këto pikëpamje shqyrtohen me hollësi, kuptohet se nuk janë shumë larg njëra-tjetrës.
Me këto çështje specifike, u përpoqëm të tregojmë se ç’lloj qëllimesh e synimesh ndjek feja, se martesa nuk është një çështje e thjeshtë dhe sensuale. Po qe se kjo punë e rëndësishme nuk kushtëzohet me parime të shëndosha në mënyrë që të mos u japë shkas zbrazëtive logjike e sensuale, fundi i saj i pashmangshëm do të jenë dyert e gjyqeve dhe vargjet e grave të veja e të pazot, të fëmijëve të mbetur në mes të udhës! Duke ngritur pritë që në krye të herës para këtyre, feja e pengon martesën, përfundimi i së cilës është zvarritje në këto lloj situatash negative e të rënda, duke e kategorizuar si haram (e ndaluar, e palejuar, e pabekuar), mekruh (e papëlqyeshme, e shëmtuar); në një çështje ku mbisundon ndjenja, feja i jep prioritet rrugës së arsyes, logjikës dhe gjykimit.
Specifika që ne deshëm të theksonim këtu, është që martesa është një institucion shumë serioz, që me të formohet dhe ngrihet familja si elementi më i rëndësishëm i shoqërisë. Nisur nga kjo, kur mendohet e flitet për martesën, nuk duhet menduar e folur për të si për një situatë mediokre të lidhur vetëm me sensualitetin e individit, por si një çështje fetare, kombëtare dhe gjithënjerëzore që ka lidhje me lumturinë e një shoqërie a të një grupi shoqëror, madje të gjithë një kombi. Sa për specifikën sensualistike dhe egoistike të martesës, kjo është vetëm një “parapagesë dhe bakshish” i Zotit për njeriun për të siguruar arritjen e “synimit të madh” përfundimtar. Në qoftë me vend të shprehemi kështu, kjo duhet vlerësuar si një “paradhënie” dhe duhet parë si “shpërblim në dorë” për shërbimin e rëndësishëm që i sjell individi me martesën vazhdueshmërisë së brezit njerëzor dhe rritjes e përgatitjes së individëve me karakter të lartë që bëhen garanci e vitalitetit të një kombi!
Ç’është e vërteta, mund të thuhet se feja islame i jep mjaft rëndësi kësaj çështjeje. Në përgatitjen e martesës çdo gjë do të mendohet me hollësi, do të bëhen një mijë e një llogari dhe do të sillet me një kujdes që nuk do t’i linte hapësirë asnjë gabimi në mënyrë që foleja familjare e ngritur të mos prodhojë shkaqe që do të çonin në shembjen e saj.
——————————————————————————–
[1] Këtu autori bën fjalë për nivelet e martesës në islam sipas së drejtës juridike-fetare islame (përkthyesi).
[2] shih Vehbe Zuhayli, İslam Fıkhı Ansiklopedisi, 9/28-31.
—————————————————


Leave a Reply