Nuk ka njerí të pagabueshëm. Përsosja vjen edhe nëpërmjet vetëkorigjimit. Edhe një mëkatar mund të arrijë të bëhet njerí i mirë. Bilé, ndonjëherë çmohen më shumë ata që pendohen, sesa të “pagabueshmit”. Vetëm të pashpresët ngulin këmbë si mushka në gabimet, apo fajet e tyre. Kurse mëkatarët e papenduar tentojnë të fshihen prapa gishtit. Të gjithë të paaftët bëjnë “kauzë” të tyre edhe ndonjë gabim të kundërshtarit. Kurse Edvin Rama tenton të bëjë të tillë jo gabimet e kundërshtarit, por dhe fatkeqësítë natyrore. Mirpo ka gabime dhe gabime! Ka të tilla që të nxjerrin edhe jashtë skakierës politike. Atëhere nuk ka alibí që të të shpëtojë. Nuk ka “sebép” të të justifikojë. Atëhere je bërë bumerang i vetes. Të ka marrë Historía. I tillë është sot votimi i tri ligjeve, që kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit. Thonë se “rasti” është shfaqje e domosdoshmërísë. Kush nuk e kap rastin, mbetet rob i pasionit për pushtet me çdo kusht, siç është shpresa e kotë e Ramës për ta marrë atë me anë “kushtesh” artificiale. Të gjithë mëkatarët e papenduar fshihen prapa arsyesh të sajuara. Të gjithë dështakët akuzojë viktimën. Se për Ramën nuk qenka e vështirë të gjetka “arsye të mosarsyes” për t’iu shmangur detyrimit, për të cilin është zgjedhur. Ashtu si harbutët bëjnë “avokat” shtirjet e tyre gjoja fisnike, edhe ambiciozët që nuk shpresojnë të fitojnë, sajojnë alibira, nëpërmjet tezash “ideale” si ajo e shenjtërimit të votës, apo respektimit të shtetit ligjor. Është e njohur alibia e gjithë mashtruesve që e shpien një tezë në caqet e së pamundurës për të hedhur pastaj poshtë gjithë ngrehinën e një akti sublim ! Rama kërkon qiqra në hell. Ai ngre “Fierin” mbi aspiratën kombëtare. Kur edhe vetë fierakëve kjo po u duket absurde. Po ç’të bëjë Rama, që ka humbur çdo shpresë për të fituar në 2013-ën ? Ç’të bëjë dështaku që s’ka besim as tek elektorati i vet ? Ç’të bëjnë neobllokmenët që nuk e duan integrimin e “parakohshëm” në Europë ? A nuk kanë ulëritur mëkatarët e P.S.-së se integrimi nuk sjell asnjë të mirë ? Si mund të pranojnë bunkerizuesit e Shqipërisë të hapen portat e lirisë dhe të barazisë para ligjit ? Si mund të shkojnë si breshka te nallbani, d.m.th. tek altari i ligjit, ata që e kanë vjedhur Shqipërínë ? Mirpo këta makutë nuk janë as Shqipëría, as elektorati i P.S.-së. Të gjithë shqiptarët aspirojnë integrimin, ndaj të gjithë këta janë votues që nuk ta falin shmangien nga kjo rrugë. Aspirata integruese nuk është partiake, por kombëtare. Si e tillë, ajo nuk pranon “kushte”. Sidomos kur të tilla nuk i kërkon as vetë Europa ! Mos, vallë nuk i di Bota të metat dhe dobësitë objektive të demokracisë së brishtë shqiptare ? Po përse vendos atëherë vetëm ato tri ligje ? Ajo e di më mirë se Rama rendin e punëve. E di se përsosuría ka “shkallët” e saj të ngjitjes. Nuk mund të ngjitesh në shkallën e tetë, pa kaluar të shtatën. Kurse Rama kërkon gjoja të arrihet “përsosuría” pa kaluar nëpër stadet e zhvillimit natyral, edhe pse ato kërkojnë kohën e tyre. Dhe tenton kështu të krijojë përshtypjen sikur ky dhe neobllokmenët e duan integrimin e Shqipërísë edhe më të “përkryer”, sesa e kërkon vetë Europa ! Pse ?! Është e qartë. Kjo bëhet për ta bllokuar integrimin nëpërmjet gjoja “pasionit” për ta përsosur përmbajtjen e tij. Mirpo është e njohur “teza” dinake komuniste, se çdo tezë e kundërtshtarit mund të hidhet poshtë duke kërkuar për të “idealen”, atë që do mund të arrihet më lehtë e më mirë, kur të jenë realizuar disa “parakushte” si ato që po na këkon sot Europa. Po si t’ia bëjë Rama që kërkon të bëhet kryeministër duke mohuar sukseset e Shqipërísë, të cilat mund t’i shkojnë si favore kundërshtarit ? Kur integrimi askujt nuk i regjistrohet “kapital politik” ? Mirpo Rama i ka duart krejt bosh ? Se ai ka prodhuar vetëm bojkote dhe bllokime ?! Atëhere, ç’të bëjë ? Vazhdon me kokëfortësi sabotimin e integrimit. Madje, pa llogaritur që kjo po i shndërrohet çdo ditë në bumerang. Populli thotë : ”Kur i vjen ngordhja qenit, shkon…te dera e xhamísë !”. Që ambicia për pushtet të pamerituar të fut në rrugën e krimit, e kemi ditur të gjithë. Por, që kjo ambicie të të verbojë sa të mos shohësh as interesat e tua, kjo po u shfaqet si një marrëzí e panjohur të gjithë shqiptarëve. Mirpo ja që dhe marrëzí të tilla po ndodhin. Megjithatë, përsërí shumë njerëz besojnë endé se Ramës dhe mercenarëve të tij nuk ka si të mos u ketë mbetur një fije logjikë, sa të mos i votojnë deri në fund ato tri ligje, edhe pa hequr dorë nga “lufta” e mëtejshme për kauzën e “Fierit”. Se edhe Rama, edhe neobllokmenët e dinë që marrja e statusit të vendit kandidat për në B.E. e lehtëson shumë edhe zgjidhjen e “Fierir”, bilé, dhe të çdo moszbatimi të ligjit ( sipas Ramës !) në Shqipërí. Mirpo atij i duhet doemos kjo alibí, sado asbsurde që të duket. Për të tillë njerëz shpirtkazëm populli thotë :”Aq ka në dorë, aq bën!”, duke lënë të kuptohet se, po të ketë më shumë, “mjerë vatani, mjerë mileti !”. Mjerë Shqipëría po u bë kryeministër Rama ! A nuk e dinë këtë edhe Rama me shokë ? Mirpo duhet të biesh në shkallën e mjerimit të kredibilitetit të tyre politik, që të mund ta kuptosh këtë logjikë absurde. Megjithatë, ëndrra e shqiptarëve për integrimin në Europë është aq e fuqishme, aq e lashtë, sa, edhe pse ndeshet me absurde të tila, përsëri vazhohet të shpresohet që Rama me neobllokmenët t’i bëjnë edhe një herë thirrje vetes “Ku po na shpie mushka?”. Se integrimi është një kauzë që flak në rrugë, jo Ramën me një tufë pasuesish të çmendur, por cilindo politikan me reputacion, që do të sajonte “sebepe” pa fund për ta penguar! Bile, më të zhgënjyer sot mbeten militantët e PS-së! Ndoshta prandaj dhe populli po i kujton Ramës thënien shpëtimtare: “Më mirë vonë se kurrë”.
Opinion nga L.Myftiu
Shkodra WS
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply