
Entela Resuli – Gazeta Dita –
Dikush në familjen e tyre ka vrarë. Ata që i vuajnë pasojat e një krimi, shpesh të kryer në gjaknxehtësi e sipër, janë fëmijët edhe gratë. Veriu i vendit vuan ende plagën e gjakmarrjes. Shumë familje janë të ngujuara. Është vetëm një grua e cila, në mënyrë vullnetare, ka zgjedhur që fundjavave të “jetojë” me këto familje, me dëshirën e mirë për t’i ndihmuar. Ajo është Liljana Luani, me profesion mësuese prej 35 vitesh. Karrierën e ka filluar në Malësi të Dukagjinit, të Malësisë së Madhe. Prej 19 vitesh punon si mësuese në shkollën “Pashko Vasa” në qytetin e Shkodrës, ndërsa vitet e fundit më shumë e njohin si mësuesen e fëmijëve të ngujuar.
E takuam në Tiranë, ndërsa ishte duke marrë pjesë në një aktivitet dhe e ftuam në “Dita” për një bisedë, për të mësuar më shumë rreth punës së saj, por edhe rreth fenomenit të gjakmarrjes.
55-vjeçarja që kemi përballë e di çfarë është besa, i njeh mirë edhe rregullat burrnore e zakonet e Malësisë, e ç’do të thotë të shkelësh në një familje të ngujuar, përballë së cilës jo rrallëherë ngrihet shtëpia e gjakësit.
“E di që shumë më quajnë të çmendur, madje dyshojnë tek unë, tek përfitimet që mund të kem, por kjo nuk më ka interesuar. Përballem shpesh me pyetjet: Pse e bën ti këtë?! Por është më e fortë se unë, sa më shumë i njoh këto familje, aq më shumë ka dëshirë t’u vij në ndihmë”– na thotë Luani me zërin që i dridhet. Fatmirësisht në gjithë këto vite punë ka patur mirëkuptimin e familjes. Bashkëshorti i saj ka të njëjtin profesion me Liljanën, ndërsa janë prindër të dy djemve të rritur.
“Kam një familje në një zonë të thellë të Shkodrës. Janë dy fëmijë që jetojnë vetëm me gjyshen, të ëmën nuk e kanë, ndërsa i ati emigroi dhe është martuar me një tjetër person. Dy fëmijët dhe gjyshja, jetojnë vetëm, të braktisur nga bota. Rruga është shumë e keqe, nuk kalon asnjë makinë. Nuk dua të jap shumë detaje, por një javë më parë më mori njeri prej fëmijëve në telefon dhe më tha: Mësuese, Martini asht duke vdek për bukë. Mu rrënqeth mishi, më iku djali, thashë për një moment. U nisa që atë ditë drejtë banesës së tij dhe i çova çfarë munda”- na tregon mësuese Liljana. Kjo është situata sipas saj. Shumë varfëri, shumë dhimbje dhe pak ndihmë.
Zonja Liljana, prej sa vitesh e bëni punën e mësueses për fëmijët e ngujuar?
Me fëmijët, familjet e të cilëve janë të përfshirë në gjakmarrje përpiqem të jap kontributin tim sado modest qoftë ai, qysh në vitin 2006 e në vazhdim.
Në cilat zona shkoni?
Mbuloj fshatrat e rrethinave të Shkodrës e më gjerë pas orarit mësimor në shkollën publike “Pashko Vasa” ku jap mësim prej 19 vitesh. Kurse në fundjavë shkoj në zona më të largëta. Kam shkuar natyrisht me radhë në Dukagjin, Pukë, Tropojë për të parë gjendjen nga afër. Unë përpiqem me shpirt për të ndihmuar këta fëmijë krejtësisht vullnetarisht, ndonëse vullnetarizmi në Shqipëri duket si tabu.
Zonja Liljana, keni kaluar disa breza në këto vite, fëmijët rriten, si ka qenë fati i tyre i mëvonshëm?
Ndonëse nxënësit e mi rriten, mjerisht ende nuk duket ndonjë dritë jeshile për fatin e tyre. Ata edukohen me frymën e urrejtjes. E kanë shumë të vështirë të dalin nga lëvozhga që u vishet ndër vite. Jetojnë të mbyllur, brenda katër mureve dhe informacioni që kanë për botën jashtë është shumë i paktë. Ata krijojnë një mikrobotë të tyre, janë mes historish vrasjeje e marrjesh gjaku. Fati i tyre nuk është i ndritur. Mund të them që është i venitur, pa jetë…
Kohet e fundit familjet në gjak janë shtuar apo janë pakësuar?
Në të vërtetë nuk ka rritje të konsiderueshme të numrit të vrasjeve për gjakmarrje, me aq informacion sa kam unë, por as zvogëlim të rasteve, pasi duhet bërë shumë më shumë punë si nga shoqëria për çrrënjosjen e këtij fenomeni kaq të pakuptimtë për shekullin që jetojmë.
Pse vrasin njerëzit në këto zona, cilat janë konfliktet kryesore?
Njerëzit vrasin edhe për motive fare ordinere si: Për radhën në mulli, për vijën e ujit, etj, duke iu referuar Kanunit, më mirë me thanë shtrembërimit të Kanunit, i cili sot duhet të ishte në muzeum si një relike e vjetër që tregon se para 600 vjetësh njerëzit zbatonin ligjin Kanun.
Me çfarë mjetesh shkoni në këto familje, si ju presin ata?
Megjithëse duket e pabesueshme, te nxënësit e mi shkoj me furgonat e linjës, me varka ordinere për të kaluar liqenin e Vaut të Dejës dhe për të shkuar në fshatrat përtej liqenit, shpesh rrugën e bëj në këmbë sepse nxënësit e mi më presin me padurim. Ata gëzojnë shumë kur u vjen një njeri nga jashtë!
Po gratë e këtyre familjeve, si jetojnë…?
Gratë e këtyre familjeve për mendimin tim përbëjnë një problematikë më vete sepse vuajnë jashtëzakonisht shumë, jo vetëm nga varfëria ekstreme dhe problematika që sjell ajo në familje, por edhe nga frika për fëmijët e bashkëshortët e tyre dhe dhimbja për familjarët e vrarë. Ato duhet të trajtohen patjetër me kurse të trajnimit profesional të gërshetuara me orë mësimi të edukimit psiko-social, etj. edhe pas përfundimit të kurseve t’ju mundësohet punësimi nga shteti. E them këtë pasi, për mendimin tim ka shumë rëndësi punësimi e integrimi i këtyre grave, do të ndikonte në zbutjen e varfërisë në familjet e tyre dhe vetë gratë do të ndiheshin më të vlerësuara, por ç’ka është më e rëndësishmja, nënat janë faktor kyç në edukimin e fëmijëve me ndjenjën e tolerancës, faljes e besimit në strukturat e shtetit ligjor.
Gjatë këtyre viteve nuk është bërë asgjë për to?
Asgjë. Ka pas përpjekje të vogla por asgjë konkrete nuk ka shkuar në ndihmë të tyre. Mendoj se është e domosdoshme ndërhyrja, pasi nuk kanë munguar rastet kur nga kushtet e rënda i kanë dhënë fund jetës mbase fare të reja. Kjo është tejet e dhimbshme dhe e pajustifikuar për shtetin dhe shoqërinë, të cilët duhet patjetër të reagojnë më shumë për të luftuar dhe pasojat e gjakmarrjes së tmerrshme që sjell, sidomos me të pafajshmit siç janë nënat dhe fëmijët. Rastet janë mjaft të dhimbshme edhe për fëmijët që janë të prekur nga ky fenomen, qofshin ata të ngujuar apo fëmijët të palës kundërshtare, po edhe fëmijë që rrezikojnë e dalin qoftë edhe me periudha ku për mendimin tim duhen trajtuar, duhen trajtuar këto kategori fëmijësh.
Gjithmonë është folur për këto familje e këta fëmijë… a ka patur ndonjë herë ndonjë iniciativë konkrete për të bërë diçka në të mirë të tyre?
Për mendimin tim është i domosdoshëm një studim real, rast pas rasti, për të parë nivelin arsimor e psiko-social të këtij kontigjenti fëmijësh kudo që të ndodhen, pastaj duhen përgatitur programe serioze pune për të ndërhyrë ashtu si duhet në edukimin e arsimimin e këtyre fëmijëve.
Sipas jush, si mund të ndihmohen këta fëmijë, apo këto familje?
Këto familje duhen ndihmuar me politika punësimi e integrimi, pasi dihet se jetojnë në varfëri ekstreme. Deri tani lëvizjet për t’ju ardhur në ndihme këtyre familjeve janë të pakta përveç rasteve sporadike. Ndërsa në fushën e edukimit arsimor ka pas hapa konkretë nga Ministria e Arsimit ku vetë Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Znj. Lindita Nikolli jo vetëm që më ka dhënë shumë përkrahje në punën time, duke ardhur deri në zonat malore te nxënësit e mi dhe duke dhënë edhe orë mësimi me këta fëmijë e duke shkuar në familjet e tyre nga afër. Kjo tregon se shteti nuk përpiqet ta mbulojë këtë plagë siç është bërë deri dje, por ka kthyer sytë dhe vëmendjen për të gjetur rrugët efikase për të luftuar këtë fenomen, çka nuk është aq e lehtë pasi ka rrënjë shekullore.
Cila është situata më e sikletshme që jeni përballur ndonjëherë për shkak të shkuarjes në këto familje…?
Situatat janë të sikletshme dhe nuk ngjajnë me njëra-tjetrën, por mua këto nuk më trembin. Mua më tremb vetëm fakti se sa me indiferencë e pranon shoqëria shqiptare gjakmarrjen në vitin 2015.
Pas pak ditësh vjen festa e 7-8 Marsit; si festohet me fëmijë të ngujuar?
Emocionuese është edhe kjo. Mund të duket absurde fjala festë, por është një formë dhe justifikim i këndshëm për t’ua bërë ditën ndryshe këtyre fëmijëve. Festa e 7 Marsit me këta fëmijë është ndryshe nga shkolla “Pashko Vasa” ku unë jap mësim në Shkodër: Marsela më reciton një vjershë. Luani më jep një përqafim. Partizani këndon me çifteli. Pavlini bën një vizatim të bukur, e kështu me radhë. Ndërsa më 8 Mars shkoj te ata fëmijë që ju mungojnë nënat dhe përpiqem me gjithë shpirt t’ju jap kujdesin e dashurinë e nënës së munguar.
Gazetarja Entela Resuli dhe mësuesja Liljana Luani


Leave a Reply