Sondazhi
Ky është rezultati përmbledhës i një sondazhi të ndërmarrë kohët e fundit në Britaninë e Madhe, e cila ka reflektuar dëshirat e 18 235 njerëzve nga 17 vende të botës, duke i pyetur ata edhe për paratë dhe spiritualitetin
Perëndimi kërkon më shumë dashuri, kurse Lindja, shëndet. Kështu tingëllon i shprehur fare shkurt, rezultati përmbledhës i një sondazhi të ndërmarrë kohët e fundit nga “YouGov” në Britaninë e Madhe, e cila ka reflektuar dëshirat e 18 235 njerëzve nga 17 vende të botës, duke i pyetur ata të vlerësojnë rëndësinë e dashurisë, shëndetit, parave dhe përparimit apo preferencave shpirtërore.
42% e martesave në Angli dhe Uells përfundojnë në divorc, por në Kinë, përqindja e tyre është 4%. Diferenca shpesh mundohet të shpjegohet me faktin se ka dy koncepte të ndryshme mbi dashurinë në Lindje e Perëndim të rruzullit tonë.
Është ideali perëndimor i dashurisë romantike, bazuar në individualizëm dhe i zhvilluar me kalimin e shekujve përmes letërsisë romantike dhe konceptit lindor të dashurisë praktike, ku stabiliteti familjar dhe ai shoqëror kanë përparësi.
Sigurisht se specialistët e shumë fushave mund të jepnin në këtë aspekt mendime të ndryshme, duke ndërthurur eksperienca konkrete dhe jo vetëm, por sondazhi i ndërmarrë nga “YouGov” në 17 vende përreth globit, e ka konfirmuar kësisoj diferencën e madhe rreth perceptimit që kanë për dashurinë kultura lindore dhe ajo perëndimore.

Metoda e përdorur
Duke kombinuar përqindjen e banorëve rezidentë nga çdo vend që dëshiron (për shembull) një shëndet më të mirë me përqindjen e atyre njerëzve që e vendosin shëndetin si prioritet të tyre, “YouGov” ka nxjerrë si mesatare rezultatin përgjithësues për ato që mund t’i cilësojmë si vende “perëndimore” dhe ato “lindore”.
Ndërsa dashuria ka ngritur krye, duke u renditur e para në kombet perëndimore, në vendin e dytë është parë se vjen shëndeti, i ndjekur menjëherë nga paratë në vendin e tretë.
Për krahasim, kombet lindore – përfshirë këtu Kinën, Singaporin, Malajzinë, Indonezinë, Tailandën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite – kanë vendosur në vend të parë shëndetin, ndërsa dashurinë e kanë renditur në vendin e shtatë.
Në vend të dytë, tek ato renditej paraja me familjen që e pasonte si prioritet i tretë në jetë.
Aktiviteti shpirtëror
Ka një hendek gjithashtu të madh mes Lindjes e Perëndimit në lidhje me rëndësinë e progresit apo aktivitetit shpirtëror. Tetë nga 10 vendet ku spiritualiteti ka shënuar një rezultat mbi pesë, janë në Lindje, megjithëse SHBA-ja është në dukje një përjashtim – pasi amerikanët i japin këtij aspekti, sikurse dhe tajlandezët, prioritetin më të lartë, duke e vendosur atë mbi shëndetin dhe paranë.
Sidoqoftë, përtej këtyre aspekteve, pjesëmarrësit në sondazh u pyetën për të vlerësuar 12 prioritetet kyçe të jetëve të tyre dhe e vlerësuan me pikë çdonjërën prej tyre.
Kriteret ishin: dashuria, një shëndet më i mirë, paratë, familja, koha e lirë, shtëpia e tyre, spiritualiteti, suksesi në karrierë, përmbushja kreative, virtytet morale, bukuria fizike dhe pushteti.
Bukuria fizike dhe pushteti
Të bie në sy fakti se dy elementet, bukuria fizike dhe pushteti, në të dyja kulturat renditen në fund, pavarësisht se me ndryshim të vogël pikësh. Ndërsa virtytet morale në Lindje, akoma vlerësohen më shumë se në Perëndim, çka dëshmon për një qasje, sikurse dhe pritej, më tradicionaliste të shoqërive në Lindje të rruzullit.
Nga ana tjetër, suksesi në karrierë vlerësohet tërësisht ndryshe në Lindje, duke u renditur si prioritet i mesëm, por i rëndësishëm, ndërsa në Perëndim, ai renditet në vendet e poshtme.
Kush e organizoi sondazhin?
“YouGov” është një firmë ndërkombëtare e kërkimeve mbi tregjet në internet, me seli në Britaninë e Madhe, që operon në mbarë Europën, Amerikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe rajonin Azi-Paqësor. “YouGov” është themeluar në maj të vitit 2000 në Britani nga Stephan Shakespeare dhe Nadhim Zahawi.
Nga Gazeta Shqip


Leave a Reply