Nga Genti Çela*
Me një gjuhë të hollë, të tipit lasgushian, Çela shkruan për gjendjen e vështirë dhe jetën e mundimshme mes mjerimit të familjeve shqiptare. Ai përqas gjendjen e sotme me atë të përshkruar nga Migjeni në vitet ‘30.
I dashur, urimet për të gjallët janë si thua ti, plot hipokrizi, andaj vendosa të të shkruaj ty.
Jam sa ishe ti kur fluturoi dhe shterg i fundit, shpirti yt i gjorë. Dhe sot, sa më qartë shohim, aq më thellë vuajmë.
Dekada me vonë, këtu poshtë jemi po njëlloj, mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme.
Dhëmballa për dhëmballë kërcet po njëlloj në qiell të hapur dhe ka ende foshnja që vdesin nga i ftohti, bash si shtatoret e tua te ngrira.
Kangët e pakëndeueme vazhdojnë flenë në reliket tona, ende presin të shohin horizonte drite.
Padrejtësia, errësira, varfëria, uria, bëjnë që të duam të ikim sa me larg këtyre mureve të ngritur nga vetë ne. Nga mure të një kohe të pakohë, të një skamjeje materiale dhe shpirtërore në rritje.
Të një përdhunimi vlerash humane. Të një përbuzjeje ndaj të dobëtve, të pambrojturve.
Të lodhur nga këto e të tjera, atdheu dita-ditës bëhet edhe më lakuriq (si thoshte një poet tek një poezi për të cilën u pushkatua).
Është ftohtë Migjen, mes miliona çimkash elektronike, të ftohta akull, që më shumë se afrojnë, largojnë njeriun nga të afërmit e të dashurit e tij dhe vetëm sa bëjnë të harrojmë sa të vegjël jemi bërë.
Acar, mes antivlerash të përbotshme kotësish, plot zbrazëti që serviren dhunshëm si vlera nëpër ekrane televizive të lodhura nga përsëritjet. Ditë që ngrysen nga citime karnavalesh të ca kameleonëve veshur me kostum politikë. Vetëm instinkt, banalitet, vulgaritet. Shkarravina tragjikomike tribush.
Ftohtë v’lla !
Korrupsioni është tjetërsuar në një epërsi bastisjeje, grabitjeje, e në të zëntë ai tuberkulozi yt, mbetesh mes tenderash në kompani ministrash e nëpër skema mashtrime në petkun e të ashtuquajturave OJQ. Mirësia, e drejta, e vërteta, dashuria, mirëkuptimi mbulohen mjeshtërisht nga male që s’bëzajnë.
E megjithatë, pa helmatisje, shpresa është aty, në një cep të vogël të pritjes. Është tek të birtë e shekullit të ri, tek kumbimi i zërit që përplaset për qiell, tek kënga gëzimplotë.
E koha për këtë kënge, është sot, tani ! Mjafton pak guxim, ideal dhe shpresë për një të nesërme më të mirë për të dalë nga gjithë kjo kllapi kolektive. Prandaj, pa u zgjatur, gëzuar motmotin 2016, qofshim të gëzuar edhe pse të sëmurë patologjikisht.
*publicist


Leave a Reply