
Ministria e Energjisë dhe Industrisë çon në prokurori dosjen e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke depozituar edhe kallëzim penal për dy ish-ministra dhe ish-zëvendësministra.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit shqiptar është 414 milionë euro. Kjo shumë ka dalë pas auditimit të kryer nga vetë Ministria si kundërpërgjigje të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit u publikuar kohë më parë.
Me anë të një njoftimi, Ministria sqaron se ka kallëzuar penalisht për tre ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Florjon Mima, si dhe ish-zv/ministrat Bozdo e Alibali dhe ish-këshilltaren e Berishës, Zana Guxholli.
“Mbi bazën e një analize të detajuar të dokumentacionit të administruar, konstatohet se privatizimi i OSSH, është një nga proceset më abuzive të kryera nga Qeveria e asaj kohe, i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi dhe me praktikat më të mira të privatizimit në sektorët strategjikë, me elementë të pastër favorizues dhe të shkeljes së barazisë në tendera. Fakte që dëshmojnë qartë për një proces tejet fiktiv, me një fitues të paracaktuar”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë së Energjisë, rezulton se këto veprime të paligjshme i kanë garantuar shoqërisë fituese të tenderit CEZ a.s. përfitime materiale të padrejta, duke dëmtuar rëndë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të tyre, interesat e ligjshme të shtetit, të personave të tjerë juridikë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve shqiptarë./Dita/


Leave a Reply