Puna e madhe që po bëhet nga anëtarët dhe drejtuesit e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipe”s në qytetin e Filadelfias, në drejtim te ruajtjes e trashëgimisë së gjuhës, historisë e kulturës tonë kombëtare, veçanërisht nëpërmjet shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, po vlerësohet e mbështetet gjithnjë e më shumë nga komuniteti shqiptar jo vetëm në këtë qytet por edhe më gjerë. Qendra social-kulturore shqiptare këtu, është parë e po shihet si një qendër me rol të rëndësishëm në bashkimin e shqiptarëve, ndihmën e bashkëpunimin e ndërsjelltë midis tyre si dhe krijimin e një emri te mirë të këtij komuniteti në mjedisin e komuniteteve të shumtë që jetojnë në Filadelfia.
Vlerësimi dhe njohja e figurave kombëtare të fushave të ndryshme, të kohës së vjetër e të re, përbën një drejtim të rëndësishëm gjithëvjetor të shoqatës. Vetëm muajt e fundit u përkujtuan dy prej këtyre figurave, në dy aktivitete të mirë organizuara përkujtimore-shkencore dhe me pjesëmarrje të gjerë. Njëri për jetën dhe aktivitetin e poetit, shkencëtarit e atdhetarit Betim Muço, për të cilin kemi ndërmarrë nismën për ti kërkuar presidentit të Republikës ta shpallë “Nderi i Kombit”, dhe tjetri për arvanitasin e madh, luftëtarin e çështjes kombëtare shqiptare Aristidh Kolën, për të cilin kemi mbështetur gjithashtu nismën për t’ju akorduar atij “Nderi i Kombit”. Shokë e miq, bashkëpuntorë e familjarë të këtyre dy njerëzve të mëdhenj dhe jo shumë të vlerësuar për atë që mbartnin në qenien e tyre sa qenë gjallë, i sollën ata midis pjesëmarrësve të shumtë të shqiptarëve nga Filadelfia, New Jorku, Washingtoni, Delaweri etj, me kujtimet e ligjëratat e tyre.
Por qendra social-kulturore e komunitetit shqiptar në Filadelfia, është çdo ditë e javë e gumëzhimshme, me fëmijë e të rritur, me shqiptar “vendas “ e visitor nga zona jashtë këtij qyteti. Aktiviteti i fundit i planifikuar për këtë vit nga shoqata “Bijtë e Shqipes, ishte ai për përfundimin e semestrit të parë të vitit shkollor 2015-2016, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, që u zhvillua ditën e Dielë datë 20 dhjetor. Nxënësit e kësaj shkolle, më të shumtë në numër se vitet tjera, gjithsej 55, të cilët ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe marrin njohuri për historinë, kulturën e traditat tona kombëtare, në 5 nivele ( nga klasa I-V ), ishin veshur si për ditë feste. Kapuçët e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri që po vjen, të blerë nga shoqata, të vendosur në kokat e tyre, ia shtonin atmosferën festive ambjentit. Fytyrat e tyre të qeshura nuk e fshihnin merakun e koncertit modest që do te vinte më vonë, tek i shihje këta fëmijë që përsëritnin me vete tekstet e këngëve, vjershave dhe gjë a gjëzave, që mësueset kishin planifikuar për secilin prej tyre. Rreth orës 11:00 salla e godinës filloi të mbushej nga prindërit e nxënësve si dhe të tjerë bashkatdhetarë që vinin posaçërisht për të parë programin e fëmijëve. Salla kryesore dhe klasat ku zhvillohet mësimi, kishin një pamje tjetër sot, pasi në to ishin vendosur tavolina e karrige të reja të dhuruara nga një anëtar i komunitetit tonë këtu, z. Korab Parllaku. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, veçanërisht nxënësve e prindërve të tyre, kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”: “ Sot, festojmë së bashku mbylljen me sukses të semestrit të parë të këtij viti shkollor, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, periudhë gjatë së cilës, ju të dashur fëmijë prishët gjumin e çdo të diele pushimi, për të ardhur këtu të mësoni atë që në, prindërit tuaj, dhe paraardhësit tonë, në shekuj, e kanë dashur, mësuar, mbrojtur e trashëguar ndër breza, gjuhën tonë të bukur shqipe. Ajo është gjuha më e bukur në botë për ne shqiptarët. Pikërisht pse është gjuha më e mirë në botë për ne, prindërit tuaj sakrifikojnë çdo të dielë duke u vënë në dispozicionin tuaj, dhe këtë e bëjnë me mjaft dëshirë. Ata nuk janë pishman për këtë që po bëjnë. Pishman do të jenë ata prindër që akoma nuk e kanë kuptuar se sa e domosdoshme është mësimi i gjuhës shqipe këtu në emigracion, por edhe faktin se çdo punë bëhet më lehtë në kohën e vet se sa më vonë.”
Më pas zëri i fëmijve si fllad pranveror, mbushi hapësirën e të gjithë godinës. Nxënësja e kl. V-të, Selma Sinani, uron të gjithë bashkëmoshatarët, prindërit dhe te tjerë pjesëmarrës këtu, dhe paraqet grupin e klasës së parë për të filluar programn. Mësuesja e kësaj klase Irini Zenelaj, kishte punuar prej kohësh me nxënësit e saj. Këngët për alfabetin shqip, abetaren, nënën e atdheun, të kënduara nga këta fëmijë 5-6 vjeçar me sytë plot shkëlqim të tyre, na emocionuan të gjithëve. Mësuesi i muzikës, mjeshtri Hamdi Gjana, ishte kujdesur që midis grupeve të çdo klase, të fuste një këngë të grupit të përbashkët të shkollës, për përgatitjen e të cilit kishte mbi dy muaj që po punonte. Këngët “O Emigrant” kënduar nga motrat Fijona dhe Erona Shurdhiqi të kl. V-të, si dhe “Atdheu im”, interpretuar nga Dionis Ramizi, të dyja me tekst e kompozim të Hamdi Gjanës, morën duartrokitje të gjata nga të pranishmit. Mësueset e klasave të tjera, zonjat Adelina Ramizi, Kozare Doko dhe Rajmonda Bardhi, kishin mjaft emocione se si do të priteshin nxënësit e tyre nga salla. Por mundi i tyre u shpërblye, pasi nxënësit po shkëlqenin me interpretimet e tyre plot shpirt . Ju lumtë.
Ishte ndër aktivitetet e pakta që mjeshtri i muzikës Hamdi Gjana, ndjehej i kënaqur. Ai ka një jetë në muzikë, pra për kollaj nuk i toleron as gjërat më të vogla. Por këtë radhë doli i fituar. Edhe ne e falenderojmë Hamdiun për punën e madhe që ka bërë e vazhdon të bëjë akoma, me nxënësit e kësaj shkolle. Ai thotë, se këtë radhë i doli në krah edhe inxhinieri akustik, Elvisi, puna e të cilit pasqyroi realitetin e grupit muzikor të përgatitur, para pjesëmarrësve.
Pas përfundimit të këtij programi artistik festiv, zotërinjtë Dritan Matraku zv/kryetar i shoqatës dhe Bashkim Bërdufi, anëtar i këshillit drejtues të saj, në bashkëpunim me mësueset e shkollës, shpërndanë për të gjithë nxënësit nga një pako për festat e fund vitit, të financuara nga shoqata “Bijtë e Shqipes”. Përveç lodrave të ndryshme, në çdo pako kishte edhe një stilolaps i dizenjuar me emrin e shoqatës dhe shkabën dy krenare të flamurit tonë kombëtar. Në vazhdim, të gjithë pjesëmarrësit , nxënës e prindër, ftohen në “Pica party”, për të cilën bisnesmeni veprimtar i komunitetit tonë, z. Dhimo Xhorxhi që sponsorizoi aktivitetin, ishte kujdesur të kishte bollëk. Duke folur e qeshur, duke bërë foto dhe duke shprehur mendime për të ndihmuar, secili bashkatdhetar, në këtë qendër social-kulturore të shqiptarëve, koha po kalonte dhe njerëzit filluan të përshëndeten e të urojnë njeri tjetrin për festat.
Sigurisht, mirëfunksionimi i një shkolle të tillë, kërkon impenjim kolektiv të atyre që e kanë marrë përsipër, apo janë zgjedhur për të përballuar këtë punë. Është një ndjenjë e brendshme atdhetarizmi që sjell preokupimin e vazhdueshëm të të gjithë anëtarëve të këshillit drejtues të shoqatës, për ti mbajtur shqiptarët të bashkuar e për të rritur emrin e tyre këtu, në Amerikën e largët. Nxënësit e kësaj shkolle, e cila është hapur 13 vite më parë dhe në bankat e saj janë ulur mbi 550 nxënës për të mësuar gjuhën shqipe, nuk mund të harrojnë xhaxhi Vlashi Fili, Llazar Veron, Bujar Gjokën, Petrit Zanajn, Sadik Elshanin, Ivzi Cipurin, e shumë të tjerë, të cilët i kanë pritur çdo të dielë tek dera e shkollës me buzëqeshje në gojë, u kane mbushur gotat me ujë apo lëngra të ndryshme, u kanë organizuar festimin e datëlindjeve të secilit nxënës, u kanë pastruar mbeturinat e ushqimit në pushimin midis orëve të mësimit. E të gjitha këto i kanë bërë me mjaft dashuri e pa u lodhur, pavarësisht viteve që kanë mbi supe. Këta nxënës nuk mund të harrojnë shokët e shoqet e shkollës, të cilët ndoshta nuk do ti takonin e ti njihnin kurrë diku tjetër si këtu; nuk do ti harrojnë fotot e bëra në datëlindjet e tyre, që shoqata ka marrë përsipër ti celebrojë vazhdimisht, nuk do të harrojnë kurrë mësueset e tyre të palodhura që u kanë mësuar alfabetin shqip dhe nuk do të harrojnë ngritjen në këmbë e qëndrimin para Flamurit tonë kombëtar duke kënduar himnin e tij çdo ditë para fillimit të mësimit. Pra përveç mësimit, në ambjentet e shkollës këta fëmijë mësojnë e marrin shumë njohuri të tjera, që askush nga ne prindërit, nuk mund t’ua realizojmë nëpëër shtëpitë tona. Kjo i nxit disa bashkatdhetarë që të udhëtojnë prej larg për ti sjellë fëmijtë e tyre në shkollën shqipe. Tashmë familjes atdhetare Shurdhiqi nga Kosova që prej tre vitesh, 3 vajzat e saj frekuentojnë këtë shkollë, megjithëse banojnë larg Filadelfias, i janë shtuar edhe të tjerë. Në klasën e parë këtë vit ka ardhur 6 vjecari Art Rakiqi për të cilin, Miloti, babai i tij, i ardhur nga Prishtina, tregon se ai çdo tç dielë zgjohet dy orë më herët e mezi pret të vijë në shkollë të takojë mësuesen e shokët e tij e të mësojë të flas e shkruaj shqip. Ata vijnë nga Landsdale, duke udhëtuar mbi një orë së bashku. Ndërsa Dariel Vakaj, gjithashtu 6 vjeç, familja e të cilit është me origjinë nga qyteti i Përmetit, por që ka lëvizur përkohësisht nga Bostoni në Filadelfia, pas 4 muajsh do të kthehet përsëri në Boston, por me një ndryshim të madh, Darieli di të shkruaj e komunikojë në gjuhën shqipe, falë shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, preokupimit e angazhimit të prindërve intelektualë të Darielit e dëshirës së tij.
Kur këta fëmijë të rriten e të dalin në jetë si mjekë, financierë, mësues, juristë apo diçka tjetër, patjetër do ta kujtojnë këtë shkollë, dhe ndoshta do të kenë mundësi për ta ndihmuar atë në të gjitha drejtimet.
Kështu shkolla shqipe “Gjuha Jonë” në qytetin e Filadlfias, ka formuar tashmë emrin e saj nëpërmjet një pune të madhe të gjithanëshme që është bërë që nga hapja e saj 13 vite më parë, ndersa tani duke shfrytëzuar eksperiencën e kësaj pune vit pas viti, ajo po rritet edhe cilësisht.
Kjo është arsyeja që godina ekzistuese e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, pronë e saj, duket e vogël tani. Kjo punë e bërë deri tani, ky emër i krijuar me punë dhe transparencë të hapur financiare për çdo anëtar të komunitetit, po e shton kohë pas kohe edhe numërin e bashkatdhetarëve që kontribuojnë në mënyra të ndryshme në këtë drejtim. Ne ju shprehim mirënjohje atyre, jo vetëm për çdo cent të dhuruar, por edhe për çdo fjalë të ngrohtë, dashamirëse e atdhetare me të cilat ata informojnë opinionin e njerëzve që për arësye të ndryshme nuk kanë dijeni për punën që bëhet këtu. Nuk mund të ketë motiv tjetër, përveç ndjenjës atdhetare dhe besueshmërisë së krijuar në drejtimin e menaxhimin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, veprimi i z. Korab Parllaku, një bisnesmen i zakonshëm, por me shpirt të madh, i cili sponsorizoi aktivitetin e ceremonisë së ngritjes të Flamurit tonë kombëtar në City Hall of Philadelphia, më dt 27 Nëntor të këtij viti, dhe surprizoi nxënësit dhe mësueset e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” e gjithëkënd tjetër, me paisjen e klasave me tavolina e karrike të reja mjaft komode, me një vlerë të konsiderueshme. Ndërsa mjekja stomatologe, Silvana Çumani, që drejton me sukses bisnesin e saj, çdo vit e rrit vleren që dhuron për shoqatën e shkollën shqipe, këtë fund viti ajo e ka dyfishuar atë. Në listën e atyre që kontribuan këtë vit, sidomos për festimin e festës të flamurit, janë edhe shumë emra të rinj si Nuri Kupa, Kalosh Kupa, Jakup Domi, Bujar Aliaj, Vini Çobani e disa të tjerë, të cilëve u jemi mirënjohës.
Duke shkruar këto pak rrjeshta, gjej një koment të zonjës Raimonda Moisiut, bërë në një shkrim botuar tek gazeta “Dielli”, për një aktivitet historik të zhvilluar në qendrën tonë social-kulturore para dy vitesh, në të cilin midis të tjerave shkruan: “. … ju lumtë ju “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Jeni ndoshta e vetmja shoqatë atdhetare që punoni pa bërë zhurëm, pa u mburrur…por vetem punoni”. Dhe ndoshta ky konstatim vlerësues i znj. Raimonda, të jetë një “difekt” i yni ?! Përndryshe nuk do të ndodhte që ekipi i Ministrisë të Arsimit të Shqipërisë, i kryesuar nga zv. Ministrja e Arsimit, qëndroi mbi një javë në Neë Jork në këtë fund viti, e nuk u kujtua për shkollën shqipe në Filadelfia, për ta përshëndetur, por edhe për ti ofruar ndihmën që ajo ka kërkuar nga Ministria e Arsimit e shtetit tone vazhdimisht, paisjen me librat e nevojshëm shqip. E megjithatë, këtu vazhdohet të punohet. Në rrugë të ndryshme, më tepër shoqërore, librat janë siguruar disi.
Por siç e thamë edhe në fillim të shkrimit, kjo qendër shqiptare, gumëzhin thuajse çdo ditë. Bashkatdhetarët tanë marrin informacione edhe nga interneti, për punën e këtushme. Prandaj edhe ditën e sotme të aktivitetit shkollor, kur gjithçka kishte përfunduar, dhe njerëzit ishin shpërndarë, na erdhën mysafirë të rinj. Disi të ndrojtur, hapin derën dhe futen brenda dy çifte shqiptarësh të panjohur për ne. Duke ju uruar mirëseardhjen, i ftojmë për një kafe në kafenenë e shoqatës, dhe njihemi me ta. Ishte Bexhet Asani me bashkëshorten e tij Afërditën, së bashku me nipin Mendinin me të shoqen Zenepen. Bexheti dhe Afërdita kishin studiuar për mësuesi, në degën gjuhë-letërsi, dhe te ardhur nga Struga e Maqedonise, prej 5-6 vitesh jetonin në Paterson të New Jersit. Bexheti, një atdhetar i flaktë, kishte shkruar disa libra me tregime e poezi, por tani ndjeheshin keq së bashku me znj. Aferdita, pasi nuk mund ta ushtronin profesionin e tyre, që aq shumë e dashuronin. Pasi vizituan ambjentet e shoqatës, arkivin e bibliotekën, në fytyrat e tyre shihej ndryshim. Ndjeheshin të gëzuar. Gjetëm një qendër tamam shqiptare, thonë ata. Morën me vete disa libra nga biblioteka e shoqatës, për tu kthyer përsëri. Ndërsa, Mendini duke dhuruar $ 300 në ndihmë të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i emocionuar tha: “ Meritoni shumë më tepër. Ju lumtë”. Miqtë u larguan, nga kjo qendër shumë ndryshe, jo të ndrojtur por të çliruar dhe me fytyra të qeshura, për atë çfarë gjetën, panë e mësuan për “Shtëpinë e Shqiptarit” në qytetin e Filadelfias –USA.
Tajar Domi
Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”
Filadelfia, Dhjetor 2015
Leave a Reply