Ne Shkoder u organizua nje event i mrekullueshem per Skender Drinin, i organizuar nga Biblioteka e Universitetit Luigj Gurakuqi, me perkushtim nga vete drejtoresha e ketij institucioni Zonja Alida Luka dhe koordinatorja, interlokutorja dhe menaxherja e aktivitetit Zonjushe Arjeta Ferlushkaj. Niveli i ketij aktiviteti te rendesishem ishte ne perputhje te plote me staturen e shkrimtarit tone te madh Skender Drini.
Për Aktivitetin “Drini përtej dy kohëve”
Skënder Drini, figurë e shquar e botës së madhe të letërsisë, në planin kombëtar dhe botëror.
Sadedin Limani
Unë, sot, nuk dua të flas fare për Skënder Drinin, edhe pse jemi mbledhur të diskutojmë pikërisht për të dhe për veprën e tij. Dua ta shfrytëzoj këtë rast të flas pikërisht nga ai sfond ose background prej të cilit kam ngritur edhe studimin tim për këtë figurë të rrallë të letrave shqipe, që e ngre lart emrin e shqiptarit dhe e vë atë me dinjitet në piedestalin e letërsisë botërore, vend të cilin popujt e tjerë, edhe më të vegjël, e kanë zënë me kohë. Këtë fakt ne duhet ta themi e ta përmendim shpesh, pa pasur as edhe më të voglën pengesë apo vetëpërmbajtje e aq më tepër vetëfrenim, sepse ndodhemi para një fakti, sepse themi një të vërtetë.
Përvoja botërore na mëson se letërsia, ndryshe poezia (poezia në Greqinë e lashtë paraplatonike përfshinte tërë mendimin etik, letrar dhe poetik madje së bashku edhe me filozofinë), ka qenë baza e lindjes së filozofisë së lashtë greke dhe madje edhe të shkencës. Kjo është shumë e vërtetë edhe në planin logjik dhe si e tillë duhet ta besojmë. Këto nuk janë retorika, por konkluzione shkencore të shumë studiuesve sot në botë. Me këtë unë dua të them se sa e rëndësishme është për njerëzimin vlerësimi meritokratik i mendimit dhe i kontributit letrar, artistik e filozofik. Aty pra është stratusi prej ku mori hov vetë zhvillimi i njerëzimit. Pra nuk duhet të nënvleftësojmë një argument të tillë. Nisur pikërisht nga ky fakt mësojmë se kontributet e mëdha në fushën e letërsisë duhet të vlerësohen e të trajtohen si visare që i shërbejnë njerëzimit dhe brezave të ardhshëm. Edhe nëse ne, duke u nisur nga paragjykime, nuk duam të duam apo të vlerësojmë dikë, nuk kemi të drejtë të privojmë të tjerët nga njohja e kësaj figure. D.m.th nuk duhet t’i zëmë rrugën njohjes së kësaj figure në planin botëror, sepse e them me bindje, nisur pikërisht nga ai sfond që kam bërë studimin tim, se e vetmja figurë e letrave shqipe që mund të vihet përkrah Xhojsit, Tolstoit, Çehovit, Hygoit, Balzakut, Sartrit, Kamys, Gëtes, Lope de Vegës, Rilkes, Servantesit, e shumë të tjerëve të mëdhenj, është padyshim Skënder Drini. Çdo përfaqësim i yni në këtë arenë ndriçuese të mendimit njerëzor do të ishte i mangët dhe do ta dëmtonte së tepërmi kulturën dhe historinë tonë kombëtare.
Kur bëhen vlerësime për kulturën, qytetërimin dhe filozofinë greke, studiuesit e mirëfilltë vënë në rrënjë të të gjithë kësaj lavdie të patjetërsueshme, që të paktën deri më sot njihet si shtylla kryesore e zhvillimit modern të Botës, pikërisht poezinë, lexo letërsinë. E pra duke qenë e tillë, mosnjohja e vlerave do të përbënte jo vetëm përgjegjësi, por edhe faj dhe krim. Është njëlloj si të mohojmë shpikjet e mëdha shkencore, të cilave iu mbyll rruga për shekuj të tërë, pikërisht nga Europa e mesjetës obskurantiste. Dhe ishin pikërisht studimet në fushën e mendimit njerëzor ato që ia kthyen edhe një herë Europës këtë të drejtë të mohuar. Ishte pikërisht mendimi i shkrimtarëve të mëdhenj, letërsia e arrirë, mendimi shkencor dhe filozofik ai që thirri në skenë edhe një herë dijet që buronin nga qytetërimi, kultura, shkenca dhe filozofia greke. Pra të gjithë duhet ta dimë se mbajmë mbi supe mëkatin e harresës dhe për të shpëtuar prej tij ne duhet t’ia hapim rrugën arsyes dhe vlerësimit real të shkëputur nga justifikimet e paragjykimet. Justifikimet dhe paragjykimet tona nuk do ta kenë jetën edhe aq të gjatë. Një ditë, në të ardhmen tonë, brezat e rinj do të na mbajnë në mend si bijtë e harresës së madhe. Nëse dikush apo shumëkush, në Shkodër apo edhe më gjerë, do që ta mbajë këtë përgjegjësi para posteriorve tanë, le ta mbajë. Unë vë në dukje, që natyra njerëzore është natyrë kërkuese. Kjo sentencë tepër gjeneruese e ka pikënisjen pikërisht nga mendimtarët e mëdhenj grek. Kërkuese do të thotë, që, duam s’duam ne, brezat e ardhshëm do ta zbulojnë Skënder Drinin njëlloj, do t’i risillen atij njëlloj siç bëri Europa me mendimin grek, duke flakur tej obskurantizmin.
Për sa thashë e konstatova më sipër, dua të falënderoj nismëtarët e këtij takimi për organizimin e këtij aktiviteti, që për mua është i pari i këtij lloji në nderim të figurës së Drinit të Madh. Ky takim duhet të na shërbejë si pikënisje për një proces të gjatë në planin kombëtar dhe ndërkombëtar, që do ta quaja, njohja dhe vlerësimi i merituar për figurën e shquar të Skënder Drinit dhe të veprës së tij. Koloriti i personazheve të papërsëritshme, përshkrimi i ngjarjeve të mëdha historike që zënë fill që nga krijimi i kufijve të cunguar të Shqipërisë, koha kapërcyell e pavarësisë nga pushtuesit otomanë, që nga mësimi i gjuhës tonë amtare fshehurazi si të ishte një herezi e deri në prag të çlirimit, përbën një fenomen letrar nga më të rrallit në Botë. Figura të tilla si prifti dom Engjëll, krahas kritikës dhe mospajtimit për arsye të një vështrimi ndryshe të Botës, përbën edhe një nderim për figurën e predikuesit kristian në botë. Kjo pendë e fuqishme dhe unikale sjellë në vëmendje të ekumenizmit, Kishës dhe papatit erudicionin, skrupulozitetin shkencor e teologjik të një prifti shqiptar të hedhur diku në malet e ashpra të Shqipërisë. Ajo u kujton sesi asete kaq të mëdha njerëzore prishen e deformohen në mosvëmendjen ndaj tij, duke ua lënë pre një vlerë të tillë intelektuale dhe predikuese presioneve të tmerrshme të kohës dhe komunizmit, që po lindte si një alternativë asgjësuese edhe ndaj vetë Kishës. Dhe këtë mundi ta bëjë vetëm një pendë si ajo e Drinit. Kalvaret e kohës, një sundim i gjatë e lëngues otoman, e deformuan dhe mohuan dom Engjëllin, e ndoshta pritet që kështu të ngjasë edhe me vetë autorin e krijuesit e tij, Skënder Drinin. Pa më thoni, në këndvështrimin e sotëm, kush ju rezulton përgjegjës për të ardhmen e cila figurativisht na ofrohet me ngritjen e shkollës në Kalcë, një fshat në thellësi të maleve shqiptare? Dom Engjëlli apo mësues Naimi? Dom Engjëlli që ofron qelën, domethënë Kishën, për të ngritur shkollën, apo mësues Naimi që e refuzon një ofertë të tillë? A nuk do të ishte pikërisht ky qëndrim sektar e mospajtues ndaj fesë ai që do të sillte për më shumë se gjysmë shekulli gjenocidin e tmerrshëm kundër këtyre njerëzve të mendimit e besimit fetar. Ky mjedis social do të shkatërrohej deri në pragzhdukje. Mësues Naimi, arrin të zhdrivillojë lëmshin e kontradiktave, vetëm përkohësisht. Vetëm për sa arrin të kap periudhën kapërcyell “Midis dy kohëve”, sepse pikërisht që aty fillojnë edhe dyshimet e pathëna për doktrinën komuniste. Dyshime që lindin edhe natën teksa përcillet Marija nga njëra bazë komuniste te tjetra, dyshime që lindin në torturat naziste, dyshime që lindin te Nadiri, e te shumë personazhe të tjerë të krahut komunist. Dhe këto dyshime nuk janë aspak më ndryshe se ato të Dom Engjëllit për Kishën, …. Tundimi i sundimit … Arqipeshkv … Kardinal … Papë? Çka më tutje? Më tutje është Zoti … (f 15, Midis dy kohëve) si dhe atë të Rikardit për eksponentët e vetë Kishës. Kjo sa për të hapur oreksin e për të dëshmuar këtu para jush se Skënder Drini, d.m.th vepra që ai na la pas, është një pus i pafundmë ku mund të qëmtohet për të nxjerr në dritë edhe skutat e mendimit njerëzor. Sa mësues Naima ka ngrënë diktatura komuniste krahas priftërinjve e hierarkëve katolikë e myslimanë gjithashtu? A mos vallë ky qëndrim i kësaj periudhe demokratike nuk është asgjë tjetër veçse një hakmarrje e heshtur dhe e sofistikuar për atë që Skënder Drini arriti ta kalojë mirë e bukur e me një art të rrallë përgjatë tërë periudhës së sundimit komunist. Ta luftojnë, si të thuash, duke huazuar nga arti i tij i mesrreshtave, mjetin e sofistikuar të harresës.
Në vlerësim të këtij aktiviteti që i ka hije këtij Universiteti e tërë Shkodrës për nderimin e figurës së Skënder Drinit, ne do të sjellim në vetëdijen e popullit tonë, të kulturës tonë, të shkencës tonë vlera të patjetërsueshme dhe të njëmendta edhe për letrat e botës. Do ta bëjmë Shqipërinë tonë të njohur jo vetëm në ngritje peshash, xhudo e boks për të cilat njihemi deri më tani, por edhe në fushën e mendimit, madje edhe të atij të kulluar.
Ne këtu në Shqipëri, e sidomos këtu në Shkodër, do të mbahemi mend pikërisht përmes Skënder Drinit si bashkëkohës të tij. Si bashkëkohës në qytetin të cilit ai i kushtoi pjesën më të madhe të veprës së vet. Natyrisht si qytetar të Shqipërisë do të jemi edhe bashkëkohës të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, eruditit Moikom Zeqo, shkencëtarit e studiuesit Rexhep Qosja dhe të shumë e shumë penave e figurave të shquara në planin tonë kombëtar. Me këtë unë dua të them, se nuk do të jetë pushteti politik ai që do të na cilësojë e do të na identifikojë në gjeneratat e së ardhmes, por do të jenë pikërisht të përndriturit tanë të mëdhenj ku unë rreshtoj fare pa drojë ndër më të mëdhenjtë Skënder Drinin. Nuk ka si të ndodh ndryshe nga ç’ka ndodhur me Eskilin, Homerin, Platonin, Pitagorën, Shekspirin e të tjerë, të cilët kanë eklipsuar pothuajse plotësisht tërë politikanët e kohës së tyre. Dhe madje, edhe nëse diku ngrenë krye apo dalin tek tuk këta politikanë, dalin pikërisht përmes pendës së këtyre të përndriturve të mëdhenj. Pa më thoni, e kush e çan kokën sot, apo kush do t’ia dijë, për vendimet e qeverisë në Francë në kohën e Balzakut e të Hygoit. A nuk njihen më shumë Kuazimodo e Plaku Grande se ato kryeministra që do të ketë qenë në Francë në bashkëkohësi të tyre?
Thirrja e Skënder Drinit, bëni të pamundurën dhe mos më lini të vdes, është një thirrje rrëqethëse, është një vikatje, jo për frikën nga vdekja të cilën ai nuk e ka pas njohur fare, sepse ai nuk dinte se çfarë lloj kafshe është vdekja, por dinte se çfarë është në thelb jeta dhe si duhet kuptuar ajo. Ai thotë ashtu, jo aq për të mos lënë të humbasë vepra e tij, se sa më shumë që kishte ende shumë të tjera për të thënë. Kjo, sepse pikërisht në pragvdekjen e vet, ai përjetonte një përndritje, që siç thuhet, zakonisht i vjen vetëm njerëzve të mëdhenj. Ai donte të përfundonte tregimin e vet mbi dom Engjëllin dhe mësues Naimin, ai donte të përfundonte postkomunizmin, të cilin kishte arritur ta shikonte shumë kohë më parë, pikërisht atëherë kur ai shkruante romanin “Midis dy kohëve”. Ai gjithçka e kalon përmes portës së dyshimit, nëpër të cilën kalon edhe vetë. Fati i tij, thuajse i njëllojtë me atë të dom Engjëllit, kalvari i familjes së tij dhe i vetë atij, aq i ngjashëm me kalvarin njerëzve të besimit e të religjionit.
Gjithsesi, në këtë plan, unë mendoj, se sado që kjo mund të ketë qenë një pjesë e dëshirës së tij të madhe për të çuar deri në fund dyshimin e vet, për të cilin mbase kishte edhe vetëfrenim për shkak të një etike të lartë që zotëronte, për të mos u quajtur bukëpërmbysë, ky mosplotësim nga jeta i dëshirës së tij nuk përbën për ne pasardhësit dhe pjesë e afërt e onturazhit të tij miqësor dhe intelektual, ndonjë mungesë të madhe. Në veprën e tij gjigante gjithçka është aq e qartë dhe e perceptueshme. Ai nuk i lë gjë mangët mendimit dhe artit të tij të madh. I madh siç ishte, mendonte gjithnjë për të thënë e për të shkruar deri në frymën e fundit. Edhe nëse në sipërmarrjen e tij njerëzore mund të ketë lënë ndonjë gjë pa shkruar, siç druhej vetë në çastet e fundit, artistikisht ai e ka thënë në mënyrën më të plotë të mundshme gjithçka. Veç tjerash, ai rrojti i pa nderuar siç e meritonin përmasat e tij prej njeriu të madh, rrojti i vetmuar, në kuptimin i ndarë fizikisht edhe nga elita disi e shtirur e këtij vendi ku ne jetojmë dhe i themi Shqipëri. Por as për këtë ne nuk duhet të kemi ndonjë cimbisje, sepse Skënder Drini ishte vetë Elitë, ishte vetë Univers. Me sa duket, Zoti, nuk lë askënd të futet në punët e tij dhe unë, të paktën, nuk kam gjetur deri më tani as edhe një rast të vetëm ku ndonjëri me fuqi tokësore, të ketë arritur të mbarojë tërë punët e veta dhe jeta t’i ketë ofruar komoditetin që një ditë, qoftë edhe vetë dita e mbrame, të ketë pasur mundësinë t’i vërë një shirit të kuq tërë punës së tij dhe të ftojë dikë, mbase edhe Zotin vetë, për të prerë shiritin e përurimit. Jo, përvoja na mëson se kjo nuk mund të ndodh kësaj ane. Ndoshta në të përtejmen e kemi të gjithë këtë mundësi, që të mbrojmë e të përurojmë para të panjohurve veprën tonë, ashtu të zhveshur e të përlakuriqtë siç edhe ka qenë, por që ne me marifetet tona e kemi veshur me gjithfarë rrobash e gjithfarë maskash. Por, për një gjë të jemi të sigurt, se edhe në e paçim një mundësi të tillë në të përtejmen, nuk do të kemi më mundësinë e komunikimit mes veti, sepse komunikimi është ekzistencë dhe është veti e vetëm të këtejmes, ndryshe nuk do të kishte pse, Zoti, apo dikush, të na sillte kësaj ane, në ekzistencën tonë. Për këtë mjafton të hedhim sytë edhe nga Jezu Krishti, që edhe pse qe edhe zot, edhe njeri në mesin tonë, nuk i kreu të gjitha punët vetë dhe la pas dishepujt, e më pas, dishepujt e dishepujve, e më pas të tjerët pas të tjerëve deri në ditët tona. Kështu do të jetë edhe vepra e vetë Skënder Drinit, e cila do të rrojë brez pas brezi në hullitë e artit të madh bashkëkohor.
Një pyetje vihet me të drejtë si një sfidë mbi veprën dhe qëndrimet e Skënder Drinit, si në komunizëm ashtu edhe në post komunizëm. A e kishte parashikuar Skënder Drini rënien e komunizmit si sistem dhe a jetonte ai me këtë fakt si parandjenjë apo si pritshmëri objektive dhe reale për të lënë penën e tij të zhdrivillojë apo të shkarkojë lirshëm ato çfarë kishte brenda qenies së vet? E thashë më lart se te libri “Midis dy kohëve” gjithçka shikohet me dyshim sa i takon komunizmit si sistem vlerash. Ai nuk lë aty as edhe një dritare të hapur që të mund të bëjë të besosh se personazhet e tij do të përjetonin lumturinë e premtuar komuniste. Nuk ka as edhe ndonjë shpërfaqje sado të vogël të botës së tyre të brendshme si edhe aq më pak, të vetë optimizmit që do të duhej ta karakterizonte Drinin si shkrimtar, në lumturinë e madhe komuniste. Dhe të mos harrojmë se jemi në vitet e kulmit të pushtetit të verbër komunist. Në vitin 1975. Do të duheshin edhe plot pesëmbëdhjetë vjet që të ndihej kjo erë dhe më pas edhe nja dy vjet të tjera që të shembej vërtetë sistemi. Analiza që të lë ta përvijosh këtë shkrimtar si pinjoll i letërsisë moderne shqiptare krahas edhe bashkëkohësve të tjerë të mëdhenj sikurse edhe ai vetë, e mbështet këtë fakt.
Në periudhën kapërcyell Komunizëm-Demokraci, endi pa i dalë shpirti plotësisht komunizmit (besoj të mos i ketë dalë edhe sot e kësaj dite), Skënder Drini arrin të shkruaj, thuajse paralelisht, dy libra me shumë tharm, madje njëri prej tyre, “Tanush Martini”, një vijim i ideve ende të pambaruara të romanit “Vraje Tradhtinë”. Tjetri do të ishte “Ishulli i qetë”. Pse pikërisht këta të dy dhe jo ai që mund ta ketë dëshiruar, si shtrirjen e mëtejshme të “Midis dy kohëve”? Unë them se një roman të tillë hipotetik, si për atë vetë ashtu edhe për lexuesit apo dashamirët e artit të letërsisë, nuk e ka lënë ta shkruaj përvetja dhe subkoshienca e vet e në fund as edhe vetë Zoti. Unë them se gjithçka është thënë prej tij me “Ishullin e qetë”. Ky roman flak tej dyshimin dhe tashmë shikon në sy realitetin, përmes të çarave të mëdha të të cilit kishin filluar të depërtonin vrullshëm idetë e hapjes drejt Europës. Po binte vrullshëm Muri i Berlinit, po shpërthenin ambasadat e vendeve të Lindjes në shtetet e Europës Perëndimore, po forcohej bindja gjithandej se komunizmi po përjetonte tashmë të shkuarën e vet. Në një shtëpi pleqsh ishin “burgosur” burra e gra, mu si në një Kamp Përqendrimi. Mbi portë mungonte vetëm mbishkrimi “Buchenwald”. Zonë Ushtarake! Ndalohet Kalimi|! Qëllohet pa paralajmërim! Gjithsesi të gjitha lexohen qartë tek ajo derë e cila shpërthen njëlloj siç shpërthyen dyert e kampeve të përqendrimit nazist. Personazhet, tashmë të plakur, të cilët i përkisnin pak a shumë moshës të personazheve “Midis dy kohëve” shtjellojnë deri në fund dyshimin brejtës të kohës komuniste i cili kishte brejtur autorin. Një drejtoreshë me fytyrë kali, e cila i zgjatej gjithnjë e më shumë sa herë e shikonte veten në pasqyrë. Një drejtoreshë që nuk kishte qenë edhe aq e bukur sa për t’u martuar me një burrë në malet partizane. Një drejtoreshë që jetonte në paralelen e vet me një luftëtar antifashist që u kishte shpëtuar nazistëve në kampet e egra të përqendrimit. Një lindje dështake mes pleqsh të braktisur ndodh edhe në atë moshë të komunizmit të plakur tashmë. Komunizmi kishte dështuar dhe nuk arrin të nxjerr as foshnjën e tij më të re. Një tetraplegjik, që shtyhej në karrocën e tij nga një qorr nëpër qytetin perëndimor, trashëgimtar i qytetërimit Venedikas, Shkodrën e shekujve, sfidojnë orë e çast tërë qytetin. Vetëm ky çift personazhesh, do të mjaftonte edhe për çmimin Nobël për Skënder Drinin.
Veprat e tij të mëvonshme në Demokraci janë të një zhanri tjetër, por me doza edhe më të mëdha të talentit. Por gjithçka kaloi në heshtje. Dhe ne nuk duhet të heshtim. Duhet të kërkojmë me forcë kështu siç e kemi nisur, për të mos lejuar nëpërkëmbjen jo vetëm të Skënder Drinit, por të tërë këtij qyteti të madh e të jashtëzakonshëm siç është Shkodra.
Skënder Drini ishte dhe mbetet shkrimtar i madh edhe për dy arsye të tjera kryesore: – e para, sepse ai diti të shkruaj aq mirë e bukur, sa të mësonte edhe të tjerët si duhet shkruar. Dhe ai e mori përsipër këtë dhe ia doli; e dyta, Skënder Drini nuk mori asnjëherë përsipër që të mësojë të tjerët si të lexojë. Paradigma e tij ishte: lexuesi duhet të shkojë te libri dhe jo libri tre lexuesi, duke nënkuptuar se shkrimtari është në dorë të lexuesit dhe se është ai që bën përzgjedhjen e librit. Përmbysja e këtij raporti cenon në thelb letërsinë. Dhe lexuesit, sidomos ato elitar, por jo vetëm, kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë gjithnjë librat e Skënder Drinit.
Unë kam llogaritur mirë në studimin tim bazamentin e ndërtesës shumëkatëshe me ngjitje vertikale për pjesën tjetër të veprimtarisë së Skënder Drinit. E di se tashmë nuk do të jem më i vetëm. E di se bashkë me të, ose para studimit tim të dytë, do të dalin e do të marrin udhë edhe studime të tjera për Skënder Drinin. Sipari është hapur. Tenderi është bërë, kushdo që do të përfitojë e të pasurohet intelektualisht dhe në meritë me një ndërmarrje të tillë, ta dijë mirë se është pikërisht koha. Më besoni mua, të paktën në llogaritjet inxhinierike. Kam llogaritur gjithçka, sigmën e tokës, shtresat gjeologjike, ndikimet sizmike, thellësinë dhe gjerësinë e bazamentit, rrjetat e hekurta dhe betonin e derdhur në to mbi të cilat jam i bindur se do të ngrihet ndërtesa e lartë e veprës së Drinit të Madh. Unë e di mirë se sa lart mund të ngrihet kjo ndërtesë. Mos u besoni këngëve të sirenave që na rrethojnë ende. Nuk kanë më forcë të na bëjnë dëm. Kanë vetëm zilinë e një hije që nuk e duan as si të tillë. Por të jeni të sigurt, ndërtesa e lartë e Drinit të Madh do të ngrihet. Në mos nga ne, nga brezat e ardhshëm. Ne kemi rastin të tregojmë veten tonë, qoftë edhe për të larë mëkatin e heshtjes.
Sadedin Limani
Shkodër më 21 prill 2015.
Universiteti Luigj Gurakuqi


Leave a Reply