Flet Ariana Vlora, mbesa e Qamil bej Vlorës: Na ndërruan mbiemrin
Familja e madhe u la në harresë. Vlerësohet burri që ngriti shtetit dhe mënjanohen familjarët e tij
Si u shkatërrua shtëpia e Ismail Qemalit, vendi ku u shpall pavarësia dhe u bë selia e Qeverisë së Parë Shqiptare
Publikuar më 12.11.2012 | 14:47
Leonard Veizi
-Nuk është se i beson thjesht a në mënyrë të verbër një formulimi teknik shkencor që flet për transmetimin e kodit gjenetik nga njëri brez tek tjetri. Ajo shkon më tej se kaq, me një ndjesi të brendshme që e bën dhe më të papërballueshme temperaturën e asaj çka do të thotë. Bashkë me ADN-në ka eksportuar ndjeshëm dhe sasinë e mjaftueshme të kohës që i duhet për të përligjur aureolën që i jep prapashtesa e emrit. Ndaj, duket se përjeton gjithçka, si të ketë qenë edhe ajo pikërisht atje, 100 vite më parë, mbi ballkonin e shtëpisë, dhe ka vendosur dorën e saj mbi dorën e tij, për të ngritur Flamurin. Nuk është thjesht një ëndërr që e sheh diku pas mesnate e prishet në mëngjes pa aguar, por një ndjesi që fluturon në kohë me shpejtësi kozmike për ta përsëritur të njëjtin veprim disa qindra herë me radhë, pa u lodhur asnjëherë…
…Ariana Vlora, stërmbesë e Ismail Qemalit dhe mbesa e Qamil Vlorës, rrëfen për “Shekullin” detajet e panjohura të jetës së familjes patriotike, e cila jo vetëm i dha Perandorisë më të madhe të kohës disa drejtues të fuqishëm guvernash, por dhe kryeministrin e parë shtetit Shqiptar, të cilin ai vetë e shpalli “të mosvarme”.
Si e keni ndjerë veten kur u përballët me faktin se jeni një nga pinjollët e familjes së Ismail Qemalit?
Kjo ndjesi e fortë, në fakt ka ardhur shumë natyrshëm tek unë. Jam rritur në një familje ku flitej për tradita e vlera njerëzore dhe isha e parapërgatitur që unë isha trashëgimtare e një familje që kishte vlera dhe që kishte bërë diçka të mirë për vendin. Dhe natyrisht kur u përballa dhe mësova plotësisht të vërtetën e ndjeva veten shumë krenare.
A ishte ky fakt edhe një mundësi për të qenë “e para e klasës”?
Kur në shkollë bënin lëndën e historisë e letërsisë dhe kur flitej për rilindjen, pavarësinë e posaçërisht për figurën e Ismail Qemalit, unë ndjeja një krenari të ligjshme që isha një stërmbesë e tij. Pra isha pinjolle e familjes që shkriu pasurinë për të bërë shtetin Shqiptar. Në familje ne mbanim një album me fotografitë e rilindësve dhe të shumë figurave të tjera të shquara të kombit, ku për të thënë të vërtetën ajo e Ismail Qemalit dominonte dhe ishte më e madhe se të tjerat. Kur mësuesit na kërkonim që të sillnin në klasë dhe tekste jashtëshkollore për të ilustruar më mirë lëndën, unë me një dëshirë të madhe çoja gjithmonë këtë album.
Pra ndiheshit e privilegjuar…?
Aspak. Nuk ndihesha e privilegjuar. Madje më bënte përshtypje, sepse disa nga shokët e shoqet e klasës, që familjarët e tyre kishin lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare, bie fjala kishin ndonjë partizan apo dëshmor, trajtoheshin moralisht shumë më mirë se unë që isha stërmbesa e drejtpërdrejtë e atij burri që i dha pavarësinë Shqipërisë. E njëjta gjë ndodhte edhe me vëllezërit e motrat e mia. Analiza erdhi më pas, por unë kam menduar që atëherë me trishtim: “Përse ne që jemi trashëgimtarët e këtij patrioti, për të cilin flitej shumë në mësimet e shkollës dhe kudo, trajtoheshim moralisht më pak se të tjerët?” E megjithatë mbetesha shumë krenare edhe pas këtij “diskriminimi”. Madje një gjë e tillë më bënte mua, por dhe të gjithëve ne që ishim pjesë e familjes Vlora, që ta kultivonim këtë krenari edhe më shumë.
Për shumë kohë nuk njiheshin pasardhësit e Ismail Qemalit. Ndërkohë që ata jetonin në mes të Tiranës. Përse ka ndodhur kjo?
Familjen Vlora e ka ndjekur një histori e gjatë persekutimi. Ajo është lënë në harresë qëllimisht. Fillimisht i kam bërë pyetjen vetes: “Vërtet nga shqiptarët na vijnë këto të këqija”. Dhe përgjigjen sigurisht e kam marrë. “Natyrisht që jo”. Kanë qenë linjat anti-shqiptare që kanë vepruar fort për ta mbajtur nën presion familjen e atij burri që i dha pavarësinë e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur trojet tona lakmoheshin të copëtoheshin mes fqinjëve.
Jeni pinjolle e fisit Vlora. Cila është pema gjenealogjike që ju çon tek Ismail Qemali?
Ismail Bej Qemal Vlora la 6-të djem, njërit tyre, më i vogli, Qamil Bej Vlora ishte dhe gjyshi im. Në fakt vetëm dy nga djemtë e Ismai Qemalit, i madhi dhe i vogli, lanë trashëgimtarë meshkuj. Qamili u trashëgua me dy djem Ismail Vlorën që është babai im dhe Xhevdet Vlorën. Ismaili gjithashtu do të trashëgohej me me dy djem Qamilin dhe Darlingun. Bëra të ditur vetëm degën e meshkujve, meqenëse ata trashëgojnë edhe mbiemrin. Si pinjollë të familjes Vlora ne jemi shumë afër, vetëm dy breza na ndajnë nga Ismail Qemal bej Vlora.
A keni relika e dokumente të tjera nga Ismail Qemali?
Ne kemi arritur të ruajmë fare pak relike nga shtëpia e madhe e Ismail Qemalit. Në vitin 1926, disa vite pas vdekjes së Ismail Qemalit, sarajet e tij u shpërdoruan dhe u shkatërruan. Njerëzit e tjerë të afërt të tij jetonin jashtë shtetit dhe kështu që pasuria e tij pësoi një fat të keq. U zhdukën dhe shkuan në duar të tjera shumë sende me vlerë dhe dokumente të cilat nuk po i gjejmë më. Prej kohësh edhe dy vëllezërit e mi janë aktiv në çështjen e familjes Vlora, por më shumë spikat Darlingu. Ai ruan si gjërat më të shtrenjta dhe disa relike të familjes.
Pra shtëpia e Ismail Qemalit nuk ekziston më?
Jo. Atje tani është ndërtuar “Sheshi i Flamurit”. Ndërsa pikërisht atje ku është vendosur shtiza që mban flamurin Kuq e Zi, binte dhoma ku është ngritur realisht flamuri me shqiponjë në 28 nëntor të vitit 1912. Më pas shtëpia e Ismail Qemalit u përdor si selia e parë e shtetit shqiptar, sepse në ato kushte natyrisht që nuk flitej për ndonjë godinë tjetër. Ismail Qemali vuri në dispozicion të shtetit të sapoformuar gjithçka të tijën, paratë dhe sarajet.
Nëse në të ardhmet do të ketë një projekt për ta ringritur këtë shtëpi, a keni foto të saj?
Sigurisht që kemi foto origjinale, por madje ne kemi dhe skicat e shtëpisë. Natyrisht jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo shtëpi të rindërtohet pikërisht aty ku ka qenë, me qëllim që të ngrihet në kultin që i takon, vendi ku u ngrit flamuri i shtetit Shqiptar dhe selia ku mori vendimet qeveria e parë shqiptare.
“I jam kushtuar e mish e më shpirt dhe dëshiroj që ky 100 vjetor të dali sa më mirë. Më kanë ardhur shumë ftesa dhe jam munduar t’u përgjigjem të gjithave. Në Vlorë po bëhen përgatitje të gjithanëshme. Them i jam përgjigjur unë pasi, babai im nuk jeton më, ndërsa dy vëllezërit e mij jetojnë jashtë shtetit, por do të jenë të pranishëm në këtë përvjetor jubilar”.
Fundi i trishtuar i djalit të “plakut të urtë”
Në Shqipërinë e sapoçliruar u vendos së regjimit komunist. Që në fillim Qamil Bej Vlora, punonjës i shërbimit diplomatike në Ministrinë e Jashtme, do të përballej problemet që do ti nxirrnin pushtetarët e rinj. Gjatë kontrollit që i ishte bërë në banesë, atij iu gjet një pistoletë e cila shërbeu si pretekst për futjen e tij në burg. Kështu, Qamil Bej Vlora, djali i fundit i Ismail Qemalit, u arrestua në vitin 1946 për një armë pistoletë antike, pronë dhe kujtim i të atit të tij, që ai e ruante si një send mjaft të çmuar. “Ishte një pistoletë me dorezë fildishi që Qamili e ruante si kujtim nga babai i vet, por që strukturat e regjimit, e përdorën për të burgosur pinjollin e familjes së famshme të Vlorajve, djalin e Ismail Qemalit”, thotë Ariana Vlora. Arrestimi i Qamil Vlorës, do të bëhej përmes një urdhri të Prokurorisë së Gjykatës Ushtarake të Tiranës me nr. protokolli 418, të datës 10 dhjetor të vitit 1946. Kështu prokurori urdhëronte “rreshtimin e tij për një kohë të pacaktuar në burgun ordiner të Tiranës”. Me këtë akuzë, Qamil Vlora në atë kohë 51 vjeçar, cilësohej “sabotator i pushtetit”. Qamil Vlora, kishte qenë punonjës në strukturat e Ministrisë së Jashtme dhe arrestimi i tij do të shënonte ngjarjen e dytë të ngjashme në jetën e vet, pas akuzës që ju bë në vitin 1932 nga ish Mbreti Ahmet Zogu, që e akuzonte atë si pjesëmarrës në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, një komplot që synonte rrëzimin e tij. Gjatë qëndrimit në burg Qamil Bej Vlora do të sëmurej nga tuberkulozi, çka do t’i shkaktonte vdekjen pak vite më pas, në 1950, në moshën 55 vjeçare.
Pema gjenealogjike
Ja shpjegimet për pasardhësit e Ismail Qemalit
“Nga gjashtë djemtë e Ismail Qemalit, vetëm dy prej tyre lanë pasardhës: djali i madh, Mahmud bej Vlora (1872-1920) dhe djali i vogël, Qamil bej Vlora. Pas vdekjes së Mahmud bej Vlorës (1920), gruaja e tij bashkë me tre fëmijët: Aleksandër, Suzan dhe Blanche, u vendosën në Itali. Aleksandër Vlora (1914-2001) jetoi në Bari të Italisë, ku ishte profesor në Universitetin e atij qyteti. Fëmijët e tij, djali Nedim dhe vajza Vitoria, bashkë me familjet e tyre, sot jetojnë po në atë qytet. Gjyshi im, Qamil bej Vlora, u vendos në Shqipëri më 1919 dhe është i vetmi nga djemtë e Ismail Qemalit që jetoj në Shqipëri edhe gjatë periudhës komuniste. Në vitin 1919 u martua me Ylvije Dyrmishin, vajzë e patriotit Ahmet Aga Dyrmishi, me të cilën kishte dy djem: Ismail dhe Xhevdet, të cilët jetuan në Tiranë. Prindërit e mi, Ismail Vlora dhe Esma Hurshiti u martuan më 1945. Nëna ime ishte vajza e Mehmet Hurshitit, arrestuar më 1944 dhe dënuar me 15 vjet burg, dënim që e vuajti në famëkeqin e Burrelit, dhe mbesë e patriotit dhe politikanit Javer bej Hurshiti, pushkatuar me vendim të Gjyqit Special, më 1945. Nga kjo martesë lindën pesë fëmijë: Kleoniqi (1959), Ariana (1961), Qamil (1964), Elvinda (1965) dhe Darling (1967). Djali tjetër, Xhevdet Vlora, u martua me Fatushe Kripën, me të cilën la dy fëmijë: Ada (1965) dhe Qemal (1966). Pemën Gjenealogjike të Familjes “Vlora” e ka ndërtuar për herë të parë zv.Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Dr.Karl Ranzi (më vonë Konsull në Janinë; Konsull i Përgjithshëm në Damask, etj). Punimi i tij (ndërtuar në formë skice) mban datën 18 prill 1905 dhe gjendej në Arkivin e Vienës, zbuluar në sajë të kërkimeve të prof.dr.Eqrem Zenelajt, i cili e ka përfshirë edhe në librin “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë / 1699-1918” (Prishtinë 2010, f.381). Duke qenë se punimi i Dr.Ranzit i përket vitit 1905, ai shkon deri tek brezi i fëmijëve të Ismail Qemalit, që i përkasin të njëjtit brez të Eqrem bej Vlorës i cili, më 1945, e ndërtoj Pemën e Familjes akoma më të zgjeruar. Eqrem bej Vlora vazhdon edhe në një brez më poshtë, duke shkuar deri tek brezi i tim eti. Tani është detyra e brezit tim që ta plotësojë më tej këtë Pemë. Për këtë qëllim, bashkë me prof.dr.Eqrem Zenelajn, po punojmë që, me rastin e këtij 100-vjetori, të paraqesim një studim mbi Historinë e Familjes “Vlora”.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply