Nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanit, sot në Tiranë u bë inaugurimi i shtatores së heroit kombëtar Dedë Gjon Lulit.
Shtatorja e vendosur tek Muzeu Historik Kombëtar u inaugurua nga Presidenti Bujar Nishani. /Malesia.org
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
PRESIDENTI NISHANI NDERON PRIJËSIN LEGJENDAR DEDË GJON LULIT ME “DEKORATËN E FLAMURIT KOMBËTAR”

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm drejtues të njësive vendore, përfaqësues të Malësisë së Madhe, studiues, historianë, miq nga Kosova dhe nga diaspora shqiptare, etj., Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani nderoi atdhetarin e shquar dhe prijësin legjendar të luftës për
liri dhe pavarësisë, Dedë Gjo Luli (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë të veprimtarisë dhe kontributit të shquar atdhetar si prijës legjendar e i paepur në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare dhe udhëheqjen e tij vizionare të lëvizjes kombëtare për liri dhe
pavarësi”.
Në këtë veprimtari solemne me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së heroit dhe prijësit Dedë Gjo Luli, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë dhe nderin që, në cilësinë e Presidentit të Republikës, po vlerësonte dhe të nderonte një atdhetar të spikatur, një luftëtar sypatrembur, një
strateg dhe një burrë trim që nuk kurseu asgjë, as jetën e tij, për mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër copëtimit dhe shpërbërjes.
“Para 100 vitesh teksa fliste në nder të Dedë Gjo Lulit, Luigj Gurakuqi profetizonte se: ‘Nuk e kemi nderuar siç duhet historinë e Shqipërisë deri në momentin që në një
shesh të denjë të kombit, një monument i komandantit të kryengritjes kombëtare nuk do të vigjilojë mbi ne’. Të dy patën një jetë madhështore dhe një vdekje tragjike, si heronjtë e antikitetit, por pikërisht ata u bënë themeli i asaj ndërtese që quhet shtet shqiptar. Po, sot Dedë Gjo Luli është në Tiranë pas një udhëtimi të gjatë shtigjeve të historisë. Është këtu afër Gjergj Kastriotit Skenderbeut për të na rrëfyer se çfarë është Malësia e Madhe dhe bijtë e saj, shqiptarë dje e shqiptarë sot, patriotë pa mëdyshje, pa hezitim, të gatshëm për gjatë shekujve për t’i shërbyer këtij vendi, identitetit të tij evropian pa pyetur për çmimin e sakrificës pa e vajtuar gjakun e derdhur.” – vuri në dukje Presidenti.
“Dedë Gjo Luli është këtu për të na rrëfyer betejat e mëdha të shqiptarve për liri e pavarësi, si luftar në Vraninë, si komandant në Lidhjen e Prizerenit, si prijës e valvitës i flamurit të Skënderbeut në Bratile të Deçiçit, në kryengritjen heroike të malësorëve në vitin 1911, këndvështrimi i secilës përvijoji Shqipërinë, pavarësinë saj. ‘Pushkë e ngrehun për Shqipërinë’, e pat thirrur Ismail Qemali, tek e priste në selinë e Qeverisë së Parë. Por Ded Gjo Luli ishte me shumë se kaq. Dedë Gjo Luli ia kushtoi të gjithë jetën e tij kauzës së përbashkët, idesë kombëtare, luftës së vazhdueshme për të shpëtuar nga zgjedha shekullore e okupatorit osman. Ai ishte prijësi, udhëheqësi i kryengritjes së Malësisë së Madhe, të asaj kryengritjeje që ndezi shkëndijën e atij zjarri të madh që ngriti në këmbë të gjithë Malësinë e Madhe, të asaj lufte që ndezi flakë të gjithë Ballkanin që të lindte Shqipëria e pushtuar për pesë shekuj.” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.
“Ngritja e flamurit më 6 prill 1911 në majën e Malit të Deçiqit dhe programi i pavarësisë kombëtare i Greçës më 23 qershor të po atij viti, ka dëshmuar se qarqet atdhetare brenda e jashtë vendit kanë gjetur te malësorët dhe te udhëheqësit e prijësit e tyre, me në krye Dedë Gjo Lulin, një terren plotësisht të favorshëm në dobi të çështjes kombëtare. Prijësi legjendar ishte i pathyeshëm përball kujtdo që e mësynte, sepse ai ishte i vendosur të ecte në rrugën e detyrës ndaj atdheut, si atdhetar i kulluar dhe, se ai pati lidhur besë me një vend ku besa ishte institucion, ku besa konsiderohej e shenjtë para Zotit. Ata burra, prijës dhe luftëtarë, i bashkonte nderi që rrjedh nga respektimi deri në sublim i këtij atributi të moçëm. Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të gjitha, trupi dhe shpirti. Dedë Gjo Luli është këtu për të na thënë që ka lënë pasardhës që frymëzuan kombin në orën e tij më të rëndë.” – shtoi më tej Presidenti.
Duke folur për trevën e famshme atdhetare të origjinës së heroit, Presidenti u shpreh se: “Emërtimi unik “Malësi e Madhe” është i vjetër sa edhe banorët e këtyre anëve dhe lidhet jo vetëm me karakterin malor të kësaj krahine, por edhe me historinë, karakterin burrëror të malësorëve dhe me madhështinë e maleve aq sa edhe të banorëve të saj. “Malësia e Madhe” nuk është thjesht një emërtim gjeografik, por edhe një nocion historik, moral e shpirtëror.Nderimi i një heroi të madh, të spikatur për cilësitë e tij atdhetare, përbën një risi që u bën nder të gjithë brezave. Nuk duhet harruar për asnjë çast se Dedë Gjo Luli vjen prej një krahine atdhetarësh të spikatur, të kultivuar, nga një tokë e punuar bukur për atdhetarizëm, nga një vend mikpritësish të mirënjohur dhe me një popullsi nga më fisniket e trevave shqiptare. Heronjtë e kësaj treve sado të ndryshëm ngjajnë shumë me njëri tjetrin, luftëtarë apo shkrimtarë qofshin, klerikë apo artistë, shkartisen mes tyre në trimëri, virtyt, inteligjencë e talent. Diçka të Dedës e gjen tek Prek Cali, tek At Zef Pllumi, tek Luk Kaçaj, tek At Konrad Gjolaj, tek At Marin e Aleksandër Sirdani, tek Dom Ded Malaj, martirë të lirisë, besimit e kulturës pa klon, pa dogma e pa frikën e dhunës dhe gjuhën prej teneqeje të propagandës. Nder për jetë atyre!”
Presidenti Nishani nënvizoi se: “Gjej rast nën hijen e fisme të Dedë Gjo Lulit tashmë në Tiranë, në këtë prag të festës së pavarësisë të theksoj se e shkuara i flet së tashmes dhe se nesërmes nëpërmjet jetës dhe veprës së këtyre personaliteteve. Na kujton se shumë gjak është derdhur se shumë sakrifica janë bërë për një Shqipëri të lirë dhe evropiane, në paqe dhe demokraci ndaj ta bëjmë atë më të begatë më demokratike më evropiane ashtu siç e dëshiruan dëshmorët e Atdheut.”
Në përfundim të fjalës së Tij, Presidenti shprehu besimin se e kemi përmbushur më së miri misionin tonë të gjithë së bashku si në Shqipëri, ashtu edhe në diasporë, duke i dhënë vendin e duhur dhe duke i bërë nderimin më se të merituar atdhetarit, kryetrimit, shqiptarit të madh, Dedë Gjo Luli, duke i dorëzuar më pas dekoratën më të lartë pasardhësit të heroit, zotit Vat Marash Dedvukaj.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
PËR DED GJON LULIN

Njëri prej figurave prominente i njohur për veprimtarinë dhe luftën drejtë bashkimit të kombit është Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe. Me 24 shtator 2015 u mbushën 100-vjetë nga vrasja tradhëtisht e tij, kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar, ndërsa më 27 nëntor bëhet inaugurimi i shtatores së Ded Gjon Lulit dhe dekorimi me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Kryengritja shqiptare kishte shpërthyer në të katër anët kundër Perandorisë Osmane, shqiptarët ishin të interesuar të krijonin kushte më të favorshme të mbijeteses kolektive, dhe mënyra e vetme ishte kryengritja, dhe kryengritja popullore kërkonte burra të fjalës dhe të pushkës, njëri ndër ta ishte malësoori Ded Gjon Luli.
Deda ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut. Për nder të inaugurimit të shtatores së Ded Gjon Lulit do të realizohet një program me përmbajtje historike ku do të rikujtohet njëri ndër më të ndritshme të kombit, nën patronatin e Presidentit të Shqipërisë shkëlqesia e tij Bujar Nishani.
Programi
( Nën Kujdesin e Presidentit të Republikes SH.T. Z. Bujar Nushani)
Për Inagurimin e Shtatores së Ded Gjon Lulit, Simposium Historik “Ded Gjon Luli dheMalesia e Madhe”
Dekorimi me “Urdherin e Flamurit Kombetar”.
Me datë 27 Nëntor 2015.
1. Inagurimi I Shatores se Ded Gjon Lulit, nënkujdesin e Presidentit te Republikes SH. T. Z. Bujar Nishani.
• Cermonia e Inagurimit, në ora 11.00-12.00 Fjala pershëndetese e Presidentit dhe fjalët e rastit nga Pashko Gjokaj.
• Të ftuar nga autoritete Qëndrore dhe Lokale, si dhe personalitete të fushave të ndryshme mbarëkombëtare
• Cermoniali nga Garda e Republikës dhe banda frymore për ekzekutimin e Hymnit të Flamurit Kombëtar.
2. Simposium Historik “Ded Gjon Luli dhe Malesia e Madhe në Lëvizjen KombëtareShqiptare ” , në ambientet e Muzeut Historik Kombetar, në ora 12.00 – 13.00.
• Fjala e Hapjes: Prof. Lulash Palushaj
• Referues: 1. Romea Gurakuqi; 2. FrasherDemaj; 3. Mahir Hoti ; 5. Gjergj Shyti/ GjovalinGjeloshi 5. Nikolla Spathari;;
• Folës: 1. Prof. Aleksandër Meksi; 2. Profesor Fatmir Sejdiu; 3. Prof. Ahmet Osja
• Moderator: Ejll Berishaj; Dr. Gjovalin Gjeloshi;
3. Koncert folkloric dhe Artistik: Me artist nga trevat e Malësisë dhe dy recitime me Artist të Popullit. Në ora 13.00-13.30
4. Koktej, në ora 13.30-14.30 ( për të pranishmit)
5. Cermonia e Dekorimit te Ded Gjon Lulit, me “Urdherin e Flamurit Kombetar”, nga Presidenti i Republikes SH.T. Z. BujarNushani.
• Pallati i Brigadave, ora 19.30-20.30( marrja e dekoratës nga Vatë Marash Dedvukaj dhe fjala përshendetëse nga Prof. Gjokë Uldedaj)
• Pallati i Brigadave, pritje koktej nga Presidenti, për të ftuarit nga travat e Malësise së Madhe, në ora 20.30-21.30.(Janë të ftuar gjithësejt 200 persona, sipas listës së përgatitur nga“Grupi Organizues”)
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
PËRSE HEROI I POPULLIT, DED GJO LULI NUK MORI PJESË NË NGRITJEN E FLAMURIT MË 28 NËNTOR 1912?

Nga Pirro PRIFTI Për Ded Gjo Lul Dedvukaj (1840-24 shtator 1915), është folur herë pas here në kujtim të disa ngjarjeve të hershme që kanë të bëjnë me luftrat për pavarësinë e vendit dhe është një nga luftëtarët më të papajtueshëm ndaj Perandorisë turke osmane dhe që dha maksimumin për ruajtjen e trojeve shqiptare të veri-perëndimit, jashtë orekseve të fqinjëve dhe për pavarësinë nga Turqia osmane e asaj kohe. Ded Gjo Luli ishte trup vogël por me zemër të madhe dhe shumë trim e i zgjuar. Ky shkrim bëhet në përkujtim të lindjes së tij para 174 vitesh, megjithëse askush nga historianët nuk përmend një datë ekzakte lindjeje, përveç lindjes në vjeshtën e vonë të vitit 1840. Është një nga rastet e pakta në Historinë e Shqipërisë, që një patriot si Ded Gjo Lul Dedvukaj, të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha të pas vitit 1878 në lëvizjet luftarake për liri e pavarësi nga Turqia e mundur osmane, dhe në përpjekjet e mëdha të patriotëve shqiptarë si në veri ashtu dhe në jug të vendit për të penguar coptimin e tokave shqiptare. Ded Gjo Luli ka lindur në vjeshtën e vonë të vitit 1840 (pa datë të saktë), në Traboin të Hotit në Mal të Zi. Veprimtaria e tij patriotike është nga më të rrallat dhe më efikaset në luftë për të çliruar tokat e veriut nga Turqia osmane, por dhe për ti mbrojtur ato nga lakmitë e fqinjëve malazezë dhe serbë, lakmi të cilat ishin miratuar nga fuqitë e mëdha Anglia, Franca, Rusia. Në moshën 21 vjeçare mori pjesë në luftë duke ndihmuar Oso Kukën, pra në vitin 1861. Dedë Gjo Luli u kishte prirë djemve të Hotit për të shpëtuar Oso Kukën nga flaka e barotit në Kullë të Vraninës. Epopeja që shkroi trimi Oso Kuka në Vraninë, i cili pasi luftoi deri në frymën e fundit kundër malazezve, nuk u dorëzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës. Ajo ditë është quajtur nga bibliografi i tij (P. Doçi) si dita e pagëzimit në zjarrin e luftës. Ishte një sprovë që i dha emër prijësit të ardhshëm të maleve. (http://shkoder.net/go/ded_gjo_luli/). Ded Gjo Luli mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit së bashku me Çun Mulën. Edhe atëhere Deda ishte i ri, por shumë i pjekur. Kur në gusht 1878 Kongresi i Berlinit urdhëroi nëpërmjet një rezolute që të vendosej kufiri midis Turqisë osmane dhe Malit të Zi, duke përfshirë brenda kufirit të ri malazez Plavën dhe Gucinë, Dedë Gjo Luli bëri një rezistencë të armatosur kundër këtij vendimi gjatë viteve 1879-1880 sepse dihej që popullsia bregdetare përfshi dhe qytetin e Ulqinit banohej nga shqiptarë. Dedë Gjon Luli kundër malazezëve, kishte luftuar edhe në vitet 1880-1881 dhe ai tashmë i kishte bindur të gjithë se ishte mjeshtër i rrallë i luftës dhe shfrytëzimit të terrenit, të cilin e njihte me pëllëmbë në ato anë, duke mos u koritur asnjëherë përballë armikut, e as atëherë kur u priu forcave shqiptare, me pushkë në dorë kundër ushtrisë së Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte, ish-shqiptari i dikurshëm i Fisit të Kuqit i kthyer në malazez-Mark Milani, me të cilin Dedë Gjon Luli, në krye të 18 trimave të zgjedhur të Hotit dhe Grudës, do të matej tek ura e Rrzhanicës. Aty mbeten të vramë vetëm nji malazez e nji malcor shqiptar, sepse as Mark Milani s’e donte at konflikt ngaqi kishte martue të bijen në Hot (http://sq.ëikipedia.org/ëiki/Dedë_Gjo_Luli)). Në letrën që iu çua ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin: “…Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo padrejtësi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…”. Në letër, malësorët përcjellin mendimin e tyre se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por fuqitë e Mëdha e kishin shitur Shqipërinë. Trojet kishin dalë në ankand (http://shkoder.net/go/ded_gjo_luli/). Edhe gjatë vitit 1883, Ded Gjo Luli luftoi me armë në dorë kundër dhunimit të tokave nga Turqia osmane por dhe nga sulmet e pareshtura të malazezve. Luftëtarët shqiptarë me Dedë Gjon Lulin në krye, nuk ishin dorëzuar. Ata po prisnin rastin e përshtatshëm për tu kthyer në Malësinë e tyre dhe me 26 prill të vitit 1883 në Kuvendin e mbajtur në Kastrat, kishin vendosur të formonin “Lidhjen e Vogël” e cila jo vetëm që do ta kundërshtonte dhurimin e tokave tona vendeve fqinje nga Turqia, por edhe do të mbronte trojet shqiptare me armë në dorë nga sulmet e pareshtura pushtuese të Malit të Zi. Kështu që Hafiz Pasha në qershor të vitit 1883 do të organizonte një ekspeditë ushtarake ndëshkimore për çarmatosjen dhe nënshtrimin e Malësisë së Madhe, për ti detyruar me forcë shqiptarët që të pranonin dorëzimin e tokave të tyre, duke djegur Kastratin, Hotin e Grudën, me ç`rast luftime të ashpra ishin përhapur edhe në Spi, Qafë Kishë dhe Traboin, ku forcat mbrojtëse të udhëhequra me shumë sukses nga Dedë Gjon Luli, të cilëve me ardhjen në ndihmë të Hotit, Grudës dhe Trieshit, e kishin detyruar Hafiz Pashën që të kërkonte armëpushim. Prirjet panislamike dhe propaganda anti-katolike e turqve osmanë si dhe qëndrimi jo i sinqertë i drejtuesve të Vilajetit të Shkodrës të asaj kohe ndaj Marrëveshjes së vitit 1910 i detyroi malësorët nën udhëheqjen e Ded Gjo Lulit, të rifillonin një kryengritje me karakter kombëtar, por për arsye taktike Ded Gjo Luli hyri në aleancë me Malin e Zi me Krajl Nikollën (http://www.webcitation.org/62EJK3D5Z, Romeo Gurakuqi `Kryengritja e Malësisë 1911` viti 2002). Sigurisht, shkaqet e revoltës dhe afrimi me Krajl Nikollën (sipas Romeo Gurakuqit), ishin aktiviteti i paparashikuar Ii xhonturqve. Sidoqoftë, Ded Gjo Luli mori garanci edhe nga gjenerali italian Riçiotti Garibaldi. Kështu, duke u bërë komandant i një ushtrie prej 8.000 malësorëve dhe në 24 Mars 1911 e deri në gusht të po atij viti kryengritja vazhdoi pa reshtur kundër xhonturqve, të cilët jo vetëm kishin penguar çlirimin e tokave shqiptare, por edhe kishin lejuar që fqinjët të futeshin lirisht në tokat dhe trojet shqiptare sipas marrëveshjes së Kongresit të Berlinit. Ded Gjo Luli shpresonte ndihmë edhe prej austro-hungarezëve. Në këto moment, krajli Nikolla Petroviç i përkrahu kryengritësit dhe shtatmadhoria e Ded Gjo Lulit u bë Podgorica. Sigurisht, mbreti Nikolla i Malit të Zi kërkonte ti përdorte malësorët shqiptarë në luftë kundër osmanëve dhe për të zgjeruar kufijtë e mbretërisë së tij, por gjithashtu u përpoq që në aparencë përpara fuqive të mëdha dhe të Turqisë osmanllie të dukej neutral. Ded Gjo Lulit iu ofruan dhe para për të ndaluar kryengritjen, por ai nuk pranoi dhe e vazhdoi kryengritjen për të çliruar trojet shqiptare. Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deçiç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911, ku u ngrit dhe Flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë me dy krena për herë të parë. Pas betejës së Deçiçit, qeveria osmane turke vendosi të shuante kryengritjen me mjete paqësore sepse kjo kryengritje kishte tërhequr vëmendjen e fuqive europiane. Palok Traboini ishte djali që pruri flamurin që u ngrit në majën Rudinë me 6 prill 1911, dhe dy flamuj të tjerë që solli nga Vjena, të dytin Ujkës së Grudës, e të tretin Prel Lucës së Trieshit (http://sq.wikipedia.org/wiki/Hoti). Në këtë betejë u plagos dhe Nora Luli ose Nora e Kelmendit që e kishte Ded Gjo Lulin vjehërr (http://www.proletari.com/nora-luli-e-hotit-kelmendit/html). Për të diskutuar për kryengritjen me Ded Gjo Lulin, erdhi direkt nga Italia në Mal të Zi në Podgoricë, Ismail Qemal Bej Vlora dhe Tiranli Kemal Beu rreth datës 12 qershor 1911, me qëllim që ti bindte ata për të përshtatur një axhendë kombëtare për kryengritjen. Takimi u bë në Gerçe në 23 qershor 1911 dhe marrëveshja u quajt `Memorandumi i Gerçes` (apo `Libri i kuq` për shkak të ngjyrës së kapakëve), me disa kërkesa bazë drejtuar Perandorisë osmane dhe Europës veçanërisht Anglisë. Memorandumi u firmos nga 22 kapedanë shqiptarë prej trevave të Hotit, Grudës, dhe Shkrelit, 5 ishin nga Kastrati, 3 ishin nga Kelmendi dhe 2 nga Shala. Memorandumi i Gerçes midis të tjerash kishte dhe një pikë ku thuhej për bashkimin e katër Vilajeteve në një dhe krijimi i një Shqipërie Autonome (pra jo të pavarur). Ato ditë, patriotët shqiptarë përgatitën dhe nënshkruan Memorandumin e Greçes, që është dokumenti më i rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë, para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë me 28 Nëntor të vitit 1912. Të gjitha këtyre veprimeve heroike dhe politike u priu Dede Gjo Luli me guximin, ndershmërinë dhe largpamësinë që e karakterizonte në çdo çast historik. Ky memorandum u përkrah dhe u shoqërua nga propozimi i Turgut Pashës për amnisti të kryengritësve. Për këtë qëllim vetë Sulltan Mehmeti i V disa ditë përpara Takimit të Gerçes vizitoi Shkupin dhe më 15 qershor në përkujtim të betejës së Kosovës më 1389 vizitoi fushën e Mëllenjave, ku u prit nga 100.000 shqiptarë kosovarë, turq dhe myslimanë, dhe u përshëndet madje dhe nga kreu i seminarit orthodoks serb, i cili këndoi këngë turke. Shumë shqiptarë e bojkotuan ngjarjen, por prania e kaq shumë njerëzve në atë kohë tregon për simpatinë ndaj Sulltanit, nga një pjesë e mirë e popullsisë së atëhershme kosovare. Në atë takim, Sulltani firmosi amnistinë për kryengritësit e vitit 1910 dhe 1911. Turgut Pasha ua deklaroi propozimin e amnistisë kryengritësve malësorë të udhëhequr nga Ded Gjo Luli. Sidoqoftë, përfaqësuesit osmanë i takuan veç e veç përfaqësuesit e kryengritësve të vilajetit të Kosovës dhe përfaqësues të vilajetit të Shkodrës, sepse kryengritësit nuk arritën të takohen me një përfaqësi dhe arritën një marrëveshje me ta. Madje, Mbreti Nikolla, për nder të kryengritësve bëri një poemë për kryengritjen e Malësorëve (Malisorski ustanak 1911). Me 6 prill 1912, ditën e djelë, pranë kishës së Traboinit në Hot, Kol Ded Gjoni me urdhrin e të atit Ded Gjo Lulit, shpalosi flamurin kuq e zi me shqiponjën me dy krena. Populli brohoriti dhe u qëllua me batare pushkësh për këtë eveniment të rrallë. Në betejën e 29 gushtit 1912 u vra i biri i Ded Gj Lulit, Gjergji 22 vjeç. Ded Gjo Luli nuk u paraqit në 28 Nëntor 1912, ditën e shpalljen e Pavarësisë. Si delegat nga Shkodra ishte paraqitur vetëm Luigj Gurakuqi. Shkaqet e mosparaqitjes nuk dihen, por dihet se Memorandumi i Gerçes ishte deklarata më e fortë e bërë ndonjëherë nga shqiptarët para shpalljes së pavarësisë dhe ngritja e flamurit në Deçiç,1 vit para ngritjes së Flamurit në Vlorë tregon për rëndësinë dhe trimërinë e këtij Heroi të Popullit. Ndoshta, vrasja e djalit Gjergj më 29 gusht e pengoi udhëtimin e tij për në Vlorë për shkak të zisë. Megjithatë, pjesëmarrja e vetëm një shkodrani si Luigj Gurakuqi në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, dhe zhgënjimi që trojet shqiptare të Hotit dhe të Grudës nuk ishin pjesë e shtetit të ri shqiptar, mund të ishin faktorë të mospjesëmarrjes. Pas tre vjetësh do të vritej vetë Ded Gjo Luli 75 vjeçar, në 24 shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët. Ai, edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëroi vetë Nora, reja e tij, që ai e thirrte me përkëdheli “Djali ma i mirë i babës”, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb Gjura, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin : – … paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5. Preng Gjok Skana, 6. Bib Marlula dhe 7. Llesh Deda), nuk e lëshoi veten dhe dha jetën në Sheshëz t’Oroshit në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë (http://sq.wikipedia.org/wiki/Dedë_Gjo_Luli). Eshtrat e Ded Gjo Lulit, françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba nji monument. Nga ana e saj, Shkodra e nderoi vetëmohimin e familjes Gjo’ Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër. Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe “Komiteti Dedë Gjo’ Luli”, që do t’i ngrinte një monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: “…due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo’ Luli…” Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: “Gëzohem që u muar inisiativa për t’i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi.” Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: “Sot pa farë dyshimi mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësine e veprave patriotike… që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo’ Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojnë edhe krepat e thepishme të maleve tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare” (Ora e Malësisë, nr. 20, viti 1923 dhe http://www.shkoder.net/al/dedgjoluli.htm; http://sq.ëikipedia.org/ëiki/Ded%C3%AB_Gjo_Luli). Ded Gjo Luli është dekoruar si Hero i Popullit dhe është i 24 në listën e Heronjve të Popullit nga 159 Heronj të Popullit dhënë nga Kuvendi Popullor.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply