Në vitin 1936, mbështetësja e nazistëve Hildegard Trutz u rekrutua si grua e pastër gjermane, për të fjetur me oficerët gjermanë me shpresën për të lindur fëmijë të racës ariane.
Nga programi Lebensborn, mendohet të kenë lindur 20 mijë fëmijë gjatë Rajhut të Tretë, kryesisht në Gjermani e Norvegji.
Hildergard Trutz ka qenë një mbështetëse besnike e nazistëve që kur Hitleri ishte në pushtet. Ajo iu bashkua grupit BDM (Ligës së Vajzave Gjermane) në vitin 1933 dhe merrte pjesë në takimet javore. “Isha e çmendur pas Hitlerit dhe Gjermanisë sonë të re e më të mirë,” pranoi ajo më vonë. “Unë mësova se sa të vlefshëm ishim ne të rinjtë për Gjermaninë”.
Trutz shumë shpejt u bë figurë kryesore e organizimeve lokale, pjesërisht edhe për shkak të pamjes së saj gjermane, me flokë të verdha e sy blu. “Unë shihesha si shembulli perfekt i femrës nordike”, tha ajo “madje edhe për shkak të strukturës sime të gjatë trupore”.

Në vitin 1936, kur ajo ishte 18 vjeç, Trutz mbaroi shkollën por ndodhej në një udhëkryq pasi nuk dinte ç’të bënte më tej. Ajo bisedoi me një udhëheqës të BDM i cili i tha se do t’ia ndryshonte jetën asaj përgjithmonë. “Nëse nuk di çfarë të bësh,” tha udhëheqësi, “pse nuk i jep Fyhrerit një fëmijë? Ajo çfarë Gjermania do më shumë, është raca e pastër ariane”.
Trutz nuk ishte në dijeni të programit të sponsorizuar nga shteti të njohur si “Lebensborn”. Qëllimi i tij ishte të rriste normën e lindjeve të fëmijëve, me sy blu e flokëverdhë. Femra të racës së pastër zgjidheshin që të flinin me oficerët gjermanë SS me shpresën se do të ngelnin shtatzanë.
Lideri i BDM-së i shpjegoi Trutz se si funksiononte Lebensborn. Ajo iu nënshtrua një sërë testesh mjekësore, si dhe një hetimi për të shkuarën e saj. Ishte thelbësore mos të kishte gjak hebre. Sapo çdo gjë të konsiderohej e rregullt, ajo do mund të zgjidhte partnerin e saj nga grupi i oficerëve gjermanë.
Trutz dëgjonte me entuziazëm të madh. “Dukej kaq e mrekullueshme,” tha ajo më vonë dhe firmosi menjëherë. Edhe pse e dinte se prindërit e saj do ta kundërshtonin një gjë të tillë, ajo u tha atyre se po bënte një kurs për Socializmin Kombëtar.
Atë e dërguan në një kështjellë të vjetër në Bavari. Në rezidencë ishin edhe 40 vajza të tjera që kishin pseudonime. “Që të pranoheshe atje duhet të kishte një certifikatë për të provuar prejardhjen ariane”.
Kështjella ishte luksoze. Kishte shumë dhoma për sport, lojëra, bibliotekë, dhomë vallëzimi e madje edhe një kinema. Sipas Trutz: “Ushqimi ishte më i miri që kisha provuar ndonjëherë, nuk na duhej të punonim dhe kishim plot shërbëtorë”. Asaj i pëlqente jeta në kështjellë pasi kishte edhe një natyrë dembele.
“Përpara se të futeshim në kështjellë duhet të thoshim përpara një doktori se nuk kishim pasur më parë sëmundje të trashëguara nga familja”. Doktori na paralajmëroi gjithashtu se duhet të firmosnim një dokument ku do të hiqnim dorë nga të gjithë fëmijët e lindur sepse ata do të ishin pronë e shtetit. Do të dërgoheshin në institucione të veçanta ku do t’u rrënjosej besnikëria absolute ndaj idealit nazist.
Pas procedurave fillestare, Trutz dhe vajzat e tjera u prezantuan me oficerët me të cilët do të bënin fëmijë. Trutz i pëlqeu çfarë pa. “Ata ishin të gjithë të gjatë dhe të fortë, biondë e sy blu”. Gjatë kohës që grupi merrej me lojëra, ata njiheshin me njëri-tjetrin.
“Na jepej një javë për të zgjedhur partnerin që pëlqenim dhe na kërkohej që sytë dhe flokët e tyre të korrespondonin me tonët,” thotë Trutz. Vajzave nuk u thuhej emri i asnjërit prej partnerëve. Anonimiteti ishte parimi kryesor i programit Lebensborn.
“Kur bënim zgjedhjen tonë, vajzat pas një ekzaminimi kryesor merrnin partnerin e tyre në dhomë”. Trutz ishte shumë e lumtur, jo vetëm për aktivitetin seksual, por për faktin se po i shërbente Fyhrerit.
“Ne të dy, babai i fëmijës tim dhe unë besonim plotësisht në rëndësinë e asaj çfarë po bënim, nuk kishim asnjë lloj turpi”. Ajo ishte e impresionuar me pamjen e partnerit që kishte zgjedhur, edhe pse besonte se ai ishte pak budalla.
Oficeri SS fjeti me Trutz për tre net gjatë javës së parë. Javët e tjera ai fjeti me vajza të tjera në kështjellë.
Trutz ngeli menjëherë shtatzanë dhe u dërgua në maternitet për 9 muajt e ardhshëm. “Mbeta shtatzanë as shumë herët dhe as shumë vonë. Nuk ishte një lindje e lehtë, asnjë femër gjermane nuk do të mendonte se është mirë të marrësh ndihma artificiale, si injeksione për heqjen e dhimbjeve, siç bënin atje”.
Pasi lindi, asaj ia morën fëmijën dhe e dërguan në një shtëpi si shërbëtor besnik i shtetit nazist. Trutz nuk e pa më kurrë atë. Në vitet që pasuan, asaj iu kërkua që të lindte më shumë fëmijë, por me kalimin e kohës ajo ra në dashuri me një oficer të ri dhe u martuan. Kur ajo i tregoi bashkëshortit të saj të ri për përfshirjen në programin Lebensborn, ai nuk mbeti dhe aq i kënaqur nga ky fakt. Por ai nuk e kritikoi atë duke marrë parasysh faktin se kishte bërë detyrën e saj për Fyhrerin.
Trutz nuk e zbuloi kurrë se ç’u bë me djalin e saj dhe fati i tij mbetet një mister. Nga programi Lebensborn, mendohet të kenë lindur 20 mijë fëmijë gjatë Rajhut të Tretë, kryesisht në Gjermani e Norvegji. Shumë prej tyre u adoptuan pas luftës, por të dhënat e lindjes së tyre u shkatërruan. Që atëherë nuk është zbuluar e vërteta e tmerrshme rreth lindjes së atyre fëmijëve./Tirana Observer
*Ngjarja është pjesë e librit “Shënime nga historia” i Giles Milton.
http://www.tiranaobserver.al/


Leave a Reply