“Ndihmò, Zot, si m’ ké ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
çëse të buk’rën ketë Malësí (Shqypní)
Turku e mbate në robní,
krejt tu’ e lá t’ mjerën në gjak,
frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dá:
rrihe e mos e lên me kjá:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,
me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
[…]
Pêsqind vjet, po, kan kalue,
Se pa zot [sundimtar] na kem’ kenë lshue,
k’shtu Shqiptarët, të cilt mësue
s’i’n me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë,
e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta
mos me i bâ kurr tungjatjeta,
[…]
e ‘i fjalë t’madhe çuekan Mbretit [Sulltanit]:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lájnë kurr pagë e t’dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës
s’duen me i bâ mâ tungjatjeta,
e se dore duen me i dalë:
se Shqipninë nuk po e kisht’ falë
Perendia për çerkez,
Turq, manovë, likurazez;
por për do sokola mali,
qi «Shqiptarë» bota po i quete,
për ta gëzue këta djalë mbas djali,
der’ qi jeta mos t’u shuete.
[…]
Zot, ç’ ká thánë njaj Avdi Pasha:
Paska mbetë Shqypnija m’ vasha,
Qysh se s’ léka mbrendë nji djalë,
N’ at Vranine mue sod me m’ dalë,
N’ at Vraninë, m’ at t’zezë terthore,
Kû mbe’n shkret sá armë mizore,
Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,
Kû mbe’ n vithnat pa bagtí,
Veç prej cubash t’ Malit t’ Zí,
Qi po vrasin djelmt e rí,
Qi po mârrin lopët me viça,
Qi po presin dhênt me ogiça,
E po djegin kulla e stane,
E po thájn kaq zêmra nane!
[…]
Por mue djalë nuk m’ ká qillue;
E n’ Shqypní nji djalë drangue,
T’ cillit mos t’ i dhimet jeta
Per Daulet e troje t’ veta,
Fort kerkova e s’ mund e gjeta.–
Kshtû ankoi Pasha turçelí.
Oso kuka paska ndí:
Paska ndí, po, e kênka idhnue:
M’ sylah doren paska çue:
Me qitë m’ Pashen ká mendue.
Por i urti kurr nuk ngutet,
Prej burrnís e jo prej tutet,
Prandaj Osja ndali doren,
E as m’ e xjerrë s’ e xuer mizoren,
N’ fletë t’ sylahit çatallue;
Veç pá folë s’ mujt me u durue:
Avdì Pashë, tha, mâ kadalë!
Mos e thuaj dý herë at fjalë,
Se, per Dî’n e per Imâ’n,
T’bâj qi t’ kjajë e zeza nânë!
T’ bâj qi t’kjajë pa <<exhel>> tý nâna;
Pse n’ Shqypní ká djelm si Zâna,
Qi per Mbret e troje t’ veta
Nuk u dhimet gjâja as jeta:
[…]
Kta mâ t’ parët jânë n’ fushë t’ mejdanit,
Kta mâ të rrebët janë n’ballë t’dushmanit:
Janë çelik per tef t’ taganit.
Marre vedit kurr s’ i lâmë!
Pá ksulë m’ krye pa opingë në kâmbë,
[…]
S’ druem me rá nder pré të thyeshme,
S’ druem me msý kalát e rrmyeshme:
E kahdo qi t’ bjerë Shqyptari,
Shkon rrufeja tue e ndezë zhari,
Pushkë e besë pse na la i Pari.
E ti tash vjen ktû e na thue:
Se n’ Shqypni nji djalë drangue,
Qi per mbret e troje t’ veta
Nuk i dhimbet gjâja as jeta,
Fort kerkova e s’ mund e gjeta…
Por s’ké faj; pse zâni i zí
Aj ká dalë, po, per Shqypní,
qysh se erdh Pasha turçelí,
çëse edhè t ‘ hujve sod Shqyptari
Qiri m’ kambë do t’ rrijë qyqari,
Si punue né s’na ká i Pari…
Por po i lâm tash na kto fjalë.
Në Vraninë, qe , un jam tue t’ dalë,
Cubat Knjazit me t’i a ndalë.
Veç t’i lypi un dyzet vetë,
Dyzet vetë, po, djelm të letë,
Qi të desin kû t’ zatesin:
Si mund t’léjn veç e n’Shqypn’;
E po t’ ap besen e Zotit,
Se, pa u djegë un n’ flakë t’ barotit,
S’ ká me u lshue per t’ gjallë Vranina.
Avdì Pasha kênka çue,
Osos doren ká shterngue:
Aferim, bre, ti Oso Kuka!
Se tý t’ thotë fjala edhè duka
Qi ké lé nji sokol malit.
Zgidh kû t’ jetë, po, pika e djalit,
Edhè del ti n’ at rranxë boke:
N’ at Vraninë, kû t’zezat loke,
Qi kan mlue, ehu! djelmt e rí,
Qi kan kthy rejat n’ gjiní,
Janë tuj t’ pritë si drita diellin.


Leave a Reply