Ka ditë që mendoj dhe të gjithë këtë dramë unë e shoh ndryshe. Gjithçka është në vijimësi të Sigurimit të Shtetit. Sikurse ndodhte në kohët e errëta, ku çdokush ishte nën urdhrat e Partisë, ashtu edhe sot, në kohët moderne, dyshoj se vazhdon e njëjta skemë, vetëm se me mjete të tjera.
Dikur Sigurimi i Shtetit nuk kishte nevojë vetëm për burgun. Kishte dosjen. Kishte përgjimin. Kishte sekretin. Kishte turpin. Kishte seksin dhe komprometimin si armë për ta detyruar njeriun t’i nënshtrohej Partisë.
Dikur ishin sigurimsat. Sot kemi SHISH-in. Emrat ndryshuan. Godinat ndryshuan. Teknologjia ndryshoi.
Por a ndryshoi sistemi?
Skandali i fundit nxori më në pah kalbësirat e shtetit shqiptar. Për mua, këtu nuk kemi thjesht një skandal pornografik. Nuk më intereson kush fjeti me kë. Nuk më intereson se çfarë bëjnë njerëzit në dhomat e tyre.
Mua më intereson diçka shumë më e rëndë:
Kush i filmoi?
Kush i ruajti?
Kush i kishte në dorë?
Kush i nxori?
Kush dha urdhër?
Dhe kujt i shërbeu gjithë kjo?
Sepse nëse informacioni intim kthehet në instrument komprometimi, atëherë shërbimi informativ nuk është më shërbim në mbrojtje të shtetit.
Është kthyer në shërbim prostitucioni.
Një shërbim që nuk punon për t’i shërbyer Shqipërisë, por që rrezikon të përdorë dobësinë njerëzore, seksin, turpin dhe komprometimin për të kontrolluar njerëzit.
Me ardhjen e Kryeministrit në Shqipëri doli edhe hordhiku. Dhe pikërisht atëherë u vu në funksion ajo që unë e shoh si skemën e mbulimit: nxirre kurvërinë sheshit, mbulo gjithçka tjetër dhe ktheje Shqipërinë në sytë e botës sikur të ishte një shtëpi publike.
Dhe këtu lind pyetja politike:
Kush përfiton nga një Shqipëri e tillë?
Kush përfiton nga degradimi i shoqërisë shqiptare?
Kush përfiton kur shqiptari nuk diskuton më për shtetin, korrupsionin, sovranitetin, ekonominë, pronën dhe të ardhmen e fëmijëve të tij, por rri me telefon në dorë duke parë se kush është në shtrat me kë?
Armiqtë e Shqipërisë gjithmonë kanë kërkuar një Shqipëri të dobët.
Këtë duan të huajt që punojnë kundër interesave tona. Këtë e kanë dashur qarqet serbe. Këtë mund ta duan interesa turke, ruse apo të kujtdo tjetër që kërkon një Shqipëri të dobët, të përçarë dhe pa bosht kombëtar.
Nuk po them se këto shtete qëndrojnë pas këtij skandali pa prova.
Por them diçka tjetër: Degradimi i shoqërisë shqiptare u shërben armiqve të Shqipërisë. Dhe kur vetë institucionet tona nuk e ndalojnë degradimin, por krijojnë dyshimin se mund të jenë pjesë e mekanizmit që e ushqen atë, atëherë kemi një problem shumë më të madh se disa video pornografike.
Kemi problem kombëtar.
Asnjëherë nuk do ta mendoja se do të vinte dita kur do të pyesnim nëse shteti ynë drejtohet nga interesat e shqiptarëve apo mbahet peng nga kurvat politike të interesave të huaja — armiqve tanë shekullorë.
Sepse prostitucioni më i rrezikshëm nuk është ai i trupit. Është prostitucioni i shtetit. Është momenti kur pushteti shet interesin kombëtar për të ruajtur pushtetin. Kur institucioni shet detyrën.
Kur politikani shet vendin. Kur shërbimi që duhet të mbrojë kombin kthehet në instrument të kontrollit të tij. Kjo është tragjedia. Komunizmi nuk sundoi Shqipërinë vetëm me pushkatime.
Sundoi me frikë.
Me dosje.
Me spiunë.
Me komprometim.
Me turpërim publik.
Me sekretin që Sigurimi ta mbante mbi kokë gjithë jetën. 82 vjet më vonë, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin:
A u rrëzua sistemi, apo vetëm ndërroi kostumin?
Dikur dosja mbahej në kasafortën e Sigurimit.
Sot mund të mbahet në një server. Dikur të ndiqte operativi. Sot të ndjek kamera. Dikur të komprometonin me një fotografi. Sot të shkatërrojnë me një video që brenda disa minutash e sheh e gjithë Shqipëria. Metodat modernizohen. Mentaliteti i kontrollit mund të mbetet i njëjtë.
Prandaj shqiptarët duhet të bëjnë sakrifica që të shkëputen njëherë e mirë nga kjo mortajë, nga kjo kolerë politike që e ka mbajtur Shqipërinë peng për 82 vjet. Nuk mjafton të ndërrojmë emrat e partive. Nuk mjafton të ndërrojmë kryeministrat. Nuk mjafton të ndërrojmë Sigurimin me SHISH-in. Duhet të ndërrojmë sistemin që mendon se shqiptari duhet kontrolluar, komprometuar dhe mbajtur peng.
Sepse shteti nuk është pronë e Partisë.
Nuk është pronë e Kryeministrit.
Nuk është pronë e shërbimeve.
Nuk është pronë e ambasadave.
Nuk është pronë e të huajve.
Shqipëria është e shqiptarëve.
Sot jemi përpara një të vërtete të rëndë.
Kemi një shtet ku skandali rrezikon të zëvendësojë politikën, pornografia të zëvendësojë debatin dhe komprometimi të zëvendësojë institucionin.
Kemi shtetin e kurvave.
Dhe pyetja për shqiptarët nuk është më kush ishte në atë video.
Pyetja është:
Kush e kishte videon?
Kush e nxori?
Kush përfitoi prej saj?
Kush e kontrollon shtetin?
Dhe mbi të gjitha:
A DONI LIRI?
A DONI NJË SHTET PËR SHQIPTARËT?
Sepse nëse përgjigjja është po, atëherë Shqipëria duhet të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga mortaja e sistemit që prej 82 vitesh ndryshon fytyrë, ndryshon emër, ndryshon flamur partie — por vazhdon të kërkojë të njëjtën gjë: Shqiptarin të nënshtruar… a.m
Burimi/Facebook
Burimi/Facebook


Leave a Reply