Kumuri e Elbasanit
Këndon herët në mëngjes
Në kujtim të këngëtarit Isuf Myzyri
Në zëra kumurishë u përkunda e thashë fjalën e parë.
Në rrugica gurlëmuara Gurabardhi dikur u bëra gjyshe
Dhe mbeta gojëhapur nga ajo këngë, magjike, e rrallë
Kudo ku shkova, mbeta për jetë si dallandyshe.
Mos vallë këndojnë që të zbusin brengën time?
Mos vallë bëhen strehë për ëndrrat e mia vajzërore?
Ah, kumuritë kërkonin një Shkumbin të dytë në vite!
Që e gjetën në ditënetët me palë të mëndafshtë kurore.
Mos vallë vajtojnë për krojet e thara e selvitë e prera?
Tek ringrejnë fole e të bëjnë duet me tokën e qiellin
Ej, njerëz, jetoni mes zërit të tyre katër pranvera
E pengjet e dashurisë le t’i ringrohë vetë dielli!
Dëgjoj e ngrej duar kah qielli për zëra kumurish.
Si një fllad që e pret dhe e përcjell Mali i Vashës.
Diku Bradasheshi hesht në oxhakët pa tymin e zi.
Dhe rinia zgjohet si një agim gjer në kufinjtë e përrallës.
Diku troket një fjalë, një urim e një varg i pathënë
Si një fjongo fëmijërie në dollapin e vjetëruar.
Në rrugica hedh e vetmuar hapat mbi kalldrëm
Kalaja më prek syçuditur fytyrën e trishtuar.
Dhe e zgjoj vetë Isuf Myzyrin në tinguj e këngë
Ia kërkoj violinën që t’i bie nga agimi në agim.
O kumuri e shtrenjtë, më jep një diell në pëllëmbë
Më sill në në zemër në varg të ri, një tjetër rizgjim.
Dhe e ngre Bezistanin me kujtime, me gurë e me degë
Dhe e sjell Krastën ja, aty, në trungje drurësh bliri.
Vetëm kumuritë nuk dua që të më ikin asnjëherë
As nga strehët, as nga ëndrra fluturore që buis si filizi

Burimi/Facebook


Leave a Reply