Kryeministri parashikon mandatin e tretëAlbana Lika
Kryeministri Berisha u shpreh i bindur se Partia Demokratike do të arrijë fitore të thellë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2013-s. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pasditen e djeshme, Berisha tha se qytetarët shqiptarëve para fjalëve të kundërshatrit të tij politik do t’u besojnë veprave të qeverisë së tij gjatë këtyre viteve. Për të vërtetuar tezën e tij, Kryeministri hoqi një paralele me zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Fitimtarin në qershor do ta përcaktojnë qytetarët shqiptarë. Ju i ndoqët zgjedhjet në SHBA. Më të mëdhatë në botë, më të kushtueshmet. Kush i fitoi? Ai që çdo javë, çdo muaj, çdo vit kishte realizuar ndryshime. Edhe Romni premtoi se ‘ndryshimi jam unë’, por amerikanët besuan veprën në ndryshim nga fjala. Edhe qytetarët shqiptarë kanë një vetëdije të thellë për këtë gjë. Ata janë të vetëdijshëm se ndërsa në vendet e tjera pagat janë ulur, në Shqipëri ato rriten nga vitit në vit; se ndërsa papunësia kërcënon popullsinë e vendeve të tjera, në Shqipëri nivel i saj rritet”, – tha Kryeministri. Referuar platformës së kundërshtarit të tij politik, kreu i qeverisë tha se qytetarët nuk do të votojnë për të. “Për se do të votojnë qytetarët shqiptarë? Për bllokimin? Jo, kurrë! Për taksën progresive, apo premtimin e z. Rama se do t’u heqë taksën e xhiros për të vënë atë të TVSH-së? Këtë do ta vendosin zgjedhësit, qytetarët shqiptarë. Ata do të votojnë vizionin tonë”, – tha Kryeministri. Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Berisha ftoi kundërshtarin e tij politik që të pranojë ofertën që sipas tij i ka bërë opozitës, me qëllimin që ajo të dalë nga vorbulla e bllokimit. “Pretendimet se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake, janë një mashtrim i mirëfilltë që u bëhet nga eksponentë socialistë qytetarëve shqiptarë. Neni 32 i qeverisjes vendore
është zbatuar nga PS-ja për komunën e Bubullimës, ku me mocion mosbesimi ka shkarkuar përfaqësuesin e mazhorancës”, – u shpreh Berisha. Sipas tij, Partia Socialiste e ka bërë këtë pa asnjë objeksion nga ana e Partisë Demokratike. “PS-ja ka mbledhur 1/3-at e firmave, i ka legalizuar ato për mocion mosbesimi në Divjakë, në Bashkinë e Fier-Sheganit dhe Dermenas”, – theksoi Berisha.
Kryeministri refuzoi të japë komente për identikitin e prokurorit të përgjithshëm pas përfundimit të atij aktual. Ai tha se kjo është një e drejtë kushtetuese, ekskluzive e Presidentit të Republikës, duke shprehur besimin në zgjedhjen e kryetarit të shtetit. “Kam besim se do të jetë me aftësie dhe integritetin e domosdoshëm për atë detyrë të rëndësishme”, – tha Berisha.
Ftesa e Kryeministrit
“Shfrytëzoj rastin edhe një herë të ftoj zotin Rama të votojë këto 3 ligje, që janë përcaktuese për qëndrimin përfundimtar të KE-së ndaj çështjes së statusit të Shqipërisë për vend anëtar. Komisioni më datën 20 nëntor do të japë informacionin nëse Shqipëria i plotësoi këto 3 kërkesa. Ditën e enjte dëshiroj, uroj që të votohen, se do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe para çdo qytetari shqiptar, para ëndrrës evropiane të shqiptarëve bllokimi në këtë vit të 100-të të pavarësisë së Shqipërisë apo votimi kundër faktikisht në parlamentin shqiptar për ligjet e kërkuara.”
Albpetrol
Gjatë bashkëbisedimit të djeshëm kreu i qeverisë, Berisha, siguroi se paratë e marra nga procesi i privatizimit të kompanisë “Albpetrol” do të përdoren për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, ai hodhi poshtë pretendimet për përdorimin e tyre për fushatën zgjedhore të PD-së për zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm. “Kurorëzimi me suksesi e atij projekti i detyron qeverinë që në përputhje me angazhimin e palëkundur të qeverisë që unë drejtoj që çdo dollar të kthehet në mirësi për qytetarët shqiptarët”, – tha numri një i qeverisë shqiptare.
Koalicionet, Berisha: Pse të shkojë Meta te Rama?
Kreu i Partisë Demokratike nuk dha asnjë detaj për koalicionet e mundshme zgjedhore në vitin e ardhshëm, por ai theksoi se koalicioni PD-LSI ka realizuar ndryshimet më të mëdha në të gjithë historinë 20-vjeçare në të gjitha aspektet. “Natyrisht, është në dorën e çdo force politike të marrë vendimin më të mirë në interesin të saj. Forcat politike në zgjedhje kanë interesa për vendin, por së pari për t’i realizuar ato duhet të sigurohen që të garantojnë marrjen e sa më shumë votave”, – tha ai. Në komentet e tij mbi ftesën e liderit të opozitës adresuar kreut të LSI-së për koalicion, tha se ky i fundit nuk ka asnjë arsye për të bëjë koalicion me një të dëshpëruar. “Ai ka muaj që e fton LSI-në të ikë nga qeveria dhe të shkojë te PS-ja. Po çfarë je t’i që të vij tek ti? A ndodhin thirrje të tilla përveçse nga Edi Rama? Thirrje të dëshpëruara! Merret me fijen e barit për të shpëtuar”, – vijoi Berisha.
Metropol
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply