Reportazh (1)/ Në Ohër, qytetin e dritës
Nga Pëllumb Gorica
Duke prekur hapësirat që shtrihen përtej kufirit të Qafë Thanës, çdokush prej nesh, që edhe pse ka udhëtuar në këtë vend, provon mbresa. Natyra e historia janë thelbi i artit, të cilën e duam dhe ripërtërinë gjuhën që fle në shpirt. Në mes një grupi vizitorësh jemi nisur për në Ohër, në këtë qytet interesant, ndaj udhëtimi drejt tij është kënaqësi. Bashkëshoqëruesi ynë, Zamiri, i cili sa herë që udhëton drejt Ohrit e ndjek një ndjesi e madhe kënaqësie dhe padurimi, për të shkuar sa më shpejt atje. Kështu duke shkelur vende me histori, orët kaluam me shëtitje në peizazhet e tij, në biseda, zbavitje, që e bën udhëtimin të gëzueshëm e të paharrueshëm. Ne do të rrëfejmë ca nga ca më poshtë, ku syri e shpirti i ndiejnë të bukurën, hijeshinë, kulturën, vlerat dhe dhimbjen e harresës historike, si dhe ato që e ndryshuan atë kohë, por pesha e tyre bie mbi të gjithë ne, mbi brezat që vijnë.
Banorët shqiptarë të Ohrit, edhe pse pakicë, krenohen me trashëgiminë shekullore, e cila është lënë në harresë si një këngë e pashkruar në pentagramin e historisë. Jetojnë këtu në këtë bukuri që e ka falë natyra, por të trishtuar, kur reliktet e historisë së lashtë të qytetit, që flasin shqip po fshihen nga kujtesa. I ngjeshur mes kësaj heshtje harrimi të kohëve të lavdishme, të pështjelluara pas perdeve të errëta të tyre, dallgët janë përplasur pamëshirshëm në bregun e tij, sa as një rreze dielli nuk po i bën dritë.
Në Ohër peizazhet janë kartolina e këndshme e qytetit, ndjesia e parë dhe e drejtpërdrejtë e tij. Ato të vijnë pranë plot magji e mrekulli, ashtu siç është ky qytet. Për këtë ai është preferuar nga një lëvizje turistike përherë në rritje. Liqeni shtrihet me madhështinë e tij që nga prehistoria. Të eturit për tokë e ujëra e copëzuan atë në të tyren dhe në tonën. Ofshan i gjori liqen në shekuj, s’duron dot, kur në dy a më shumë gjuhë, ia lexojnë emrin e tij të ndryshëm. Kë emër më thonë!? Belbëzimet kthyer në valë nanuritën me bukurinë që ka. Ohri është në vetvete një mrekulli me ndërthurjen magjike të liqenit, qytetit, malit e këto të pushtojnë emocionalisht. Ohri është në mbrojtje të Trashëgimisë Botërore të UNESCOS. Tej në lindje, gardhi madhështor i malit të Galiçicës, që ngrihet në një lartësi prej 2255 metra, duket sikur takohet me qiellin. Ai shndrit në diell me nuancat e natyrës e harlisjen e thellë të gjelbërimit dhe kjo është një tjetër shenjë e cila u thotë mysafirëve: Mirëserdhët!
Histori që meriton të shfletohet
Kur ndodhesh në Ohër, nxitesh natyrshëm për të mësuar më shumë për historinë e tij. Por sado bëhesh kureshtar, pezmatohesh nga historia e lashtë e zbehur shqiptare. Heshtja dhe pluhuri i harresës së detyruar, duket sikur i ka mbuluar vlerat. Të dhënat historike janë baza e gjenezës dhe kur historia hesht për të vërtetat, i deformon ato, e kur shkruhet e pabazuar e me interesa nacionaliste, ajo e fsheh qëllimisht shkëlqimin e saj të shndritshëm, të këtij vendbanimi të lashtë. Ohri, si gjithë qytetet, e ka një histori të tijën, të madhe, të shkruar e të pashkruar. Një histori të larmishme e të paqëndrueshme me ngjarje të shumta, dhe dëshmi të pakundërshtueshme, që vërtetojnë mjaft fakte, për të cilat, studiuesit duhet ta thonë me forcën e fjalës, edhe pse ajo nuk ka munguar. Albanologë dhe qartësia e tyre, kanë mundësuar të përcjellin tek mentaliteti njerëzor historinë e Ohrit, duke ndriçuar thesaret e gjenezës sonë, të mbetur në hije. Ata kanë zbuluar gjurmë ekzistence të kulturës ilire, që hedhin dritë me evoluimin e saj në shekuj, si një certifikatë e moçme e këtyre trojeve. Ato të bëjnë me dije, të venë në mendime dhe punë kërkuese studimore të mëtejshme, për të depërtuar në tërë dimensionin e së shkuarës me argumente, duke zbutur ashpërsinë e urrejtjes me përmasat e tmerrshme, të gllabërimit të trashëgimisë sonë. Dihet se të gjitha i kanë përvetësuar të tjerët, duke krijuar kështu shtete artificiale nga Iliria e lashtë. Ohri ka një mbijetesë mijëravjeçarësh. Ai është vendbanim ilir i fisit të Enkelejëve, të lashtësisë, tashmë të njohur me emrin Lyhnidos. Nuk është rasti më shumë të shkruajmë për këto thesare me plot të panjohura, por, që hulumtimi i mëtejshëm duhet të marrë përmasat pa i humbur ato. Në Ohër, koha ka ruajtur një pjesë të gjurmëve të hershme me pasuri historike të fshehura thellë në gji të natyrës, edhe pse njeriu e natyra janë një binom i pandalshëm në fenomenet shkatërrimtare. Gjurmët më të hershme, të zbuluara këtu, i përkasin periudhave të shoqërisë njerëzore, të neolitit, e që përfaqësohen sot në muzeun e Ujit, në periferi të Ohrit, në brigjet e Liqenit, ose siç njihet ndryshe: Gjiri i kockave. Këto dëshmi me rëndësi për lashtësinë e këtyre trojeve tregojnë se këtu jeta ka qenë e zhvilluar. Ndërkaq, ndihesh po kaq i interesuar të mësosh më shumë për vazhdimësinë e jetës këtu, dhe për morinë e ngjarjeve përshtyplënëse në kohëra. Shekujt do të rendnin dhe evoluan në hapa gjigante me ndryshimet rrënjësore të kufijve nga furtunat e stepave, lukunitë e ardhacakëve, që gëlltisnin kësisoj troje, artin, kulturën, historinë, të zhduknin thesaret dhe të çrrënjosnin gjithçka nga lashtësia e tij, e të krijonin një perandori të re dhe botëkuptim e tyre. Qiellin e kaltër, si një korb i zi, retë e zezonin në fushata të shenjta dhe mjegulla që herë tkurreshin e herë zgjeroheshin. Me pozicionin e përshtatshëm, Ohri ishte përherë në lakmi të pushtuesve romakë, bullgarë, nomadë, turq, të cilët tinëzisht dhe mizorisht i fshihnin gjurmët e lashtësisë me shkatërrime. Një popull vdes kur nuk ka histori, dhe i zhduken rrënjët e thella në shekuj. Por një gjë është më se e vërtetë që, banorëve shqiptarë të Ohrit, historikisht, prej padrejtësive të kohës, pushtuesve, shtypjes, diskriminimit u është mohuar besnikëria e historisë. Mëson më tej, se në shekullin e X, i pushtuar nga bullgarët mori emrin Ohrid, që shpjegohet si vend “mbi kodër”. Ohri është quajtur edhe Ahras, e këtë e vërtetojnë drunjtë e shumtë të ahut. Ai ka qenë në shekuj vatër e atdhetarizmit me ngjarje të spikatura. Aty kanë lindur, jetuar e luftuar burra, që e vërteta e tyre sado ndryshe të ketë qenë duhet paraqitur sot. Ohri ishte qendër e principatës arbërore të Gropajve, e shtrirë nga Dibra, Struga, Ohri deri në Pogradec. Historianët sllavo -maqedonas të Ohrit me kryeneçësinë e tyre të palëkundur, nuk duhet të ngrenë supet përpjetë e të mos harrojnë figurat e tij në kohëra, të kësaj familje si: Andrea Gropa, Pal Gropa, Zaharija Gropa, që në shekujt e XIII-XIV ishin sundimtare të tij. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, e ripushtimit turk, një pjesë e tyre u largua në krahina të tjera. Është interesante të përmendim gjithashtu, se Ohri u bë simbol i qëndresës kundër osmanëve turq, e ku janë zhvilluar luftime të ashpra në kohën e Gjergj Kastriotit. Ohri është i njohur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe vendlindja e figurave të pavarësisë: Dervish Himës, Hamdi bej Ohrit, Zuhdi bej Ohrit, protagonistë në kohën ku roli i tyre ishte aktiv, por fatkeqësisht si mjaft territore ai mbeti jashtë kufijve të tokës shqiptare më 1912.
Në Ohër, historikisht dominonin shqiptarët; sot ata janë në pakicë si shkak i rrjedhojave, që ofroi shekulli XX, dhe luftërave grabitqare ndaj territoreve shqiptare, sidomos pas vitit 1945 me politikën e famëkeqit Rankoviç për spastrimin etnik. Për t’iu shmangur pasojave të tjera të mëtejshme, që do të vinin më vonë u larguan në Turqi, por edhe në Amerikë e vendet e Evropës Perëndimore, plot brengë për braktisjen. Pushtuesit, maestro të padiskutueshëm të udhës ideologjike, buzëqeshin me dhëmbë skërmitur, duke iu kënaqur largimit të shqiptarëve, mes asaj tymnaje të errët, e të përgojuar, si një e shkuar e zymtë, nga e cila e shohin në sy hapësirën e rralluar prej tyre, edhe në asimilimin klasik të atyre që jetojnë. Marrëveshja e Ohrit midis liderëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, në gusht të vitit 2001, ishte një tjetër ngjarje në historinë e këtij qyteti. Pamë lëvizje protagonistësh, të mbërthyer në ngërçin e pazgjidhshëm të situatave, e ku roli i mëvonshëm i kësaj marrëveshje me arbitër ndërkombëtarët e humbi vlerën, duke lënë pas shijen e hidhur të mosrealizimit. Historia e Ohrit ka aq shumë për të treguar. (VIJON)
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR


Leave a Reply