Pas akordit të djeshëm në BE, Merkel fut në lojë SHBA-në. Hungaria, mur edhe me Slloveninë
Akordi – 28 vendet e BE-së ranë dakord të rrisin ndihmën për vendet fqinje me Sirinë si Libani, Jordania dhe Turqia, ku po strehohen miliona refugjatë
Orban – “Refugjatët nuk po trokasin për ndihmë në derën tonë, ata po i shkallmojnë dyert tona”, ka qenë deklarata më e fundit e Kryeministrit hungarez
Megjithëse pati shumë debate, marrëveshja mes liderëve europianë, të mbledhur në një takim urgjent të nivelit të lartë dy ditë më parë në Bruksel, mundi të përfundonte vetëm dje herët në mëngjes. Të 28 vendet e BE-së ranë dakord të rrisin ndihmën për vendet si Libani, Jordania dhe Turqia, ku po strehohen miliona refugjatë nga Siria e shkatërruar nga lufta. “Është e qartë se vala më e madhe e refugjatëve dhe emigrantëve ende nuk ka ardhur. Për këtë arsye kemi nevojë të korrigjojmë politikën e dyerve dhe dritareve të hapura. Tani vëmendja duhet të jetë te mbrojtja e duhur e kufijve tanë të jashtëm dhe te ndihma për refugjatët dhe për vendet pranë nesh”, tha Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Liderët europianë, ranë gjithashtu dakord për të ngritur deri në fund të nëntorit, të ashtuquajturat “pika të nxehta”, ku ekspertët e BE-së të mund të regjistrojnë dhe identifikojnë me shpejtësi njerëzit. Është e paqartë nëse vendet e BE-së arritën ose jo ndonjë mirëkuptim se si të përballen me mijëra azilkërkuesit që vazhdojnë të vërshojnë në Europë, edhe pse ministrat e brendshëm miratuan të martën një plan për shpërndarjen e 120,000 emigrantëve në të gjithë bllokun prej 28-vendesh. Sikurse komentohej dje nga mediat në Europë, marrëveshja është arritur, por e gjithë situata ka nxjerrë në pah ndasitë e thella mes vendeve anëtare të bllokut, ndërsa së fundi është bërë shkak për paralajmërimet e Komisionit Europian se, po nuk u zgjidh siç duhet ky ngërç, atëherë shumë shpejt e gjithë Europa mund të dëshmojë rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë.
Merkel: Te kriza do të varet forma e Europës
Ndërkaq, po dje, vetëm pak orë pas marrëveshjes së arritur në Bruksel, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se zgjidhja e çështjes së emigrimit masiv të njerëzve drejt Europës, në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës në Siri, do të vijë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Lindjes së Mesme. Ndërsa ka folur para deputetëve në Parlamentin Federal dje në Berlin, Kancelarja Merkel tha se ajo është e kënaqur me marrëveshjen e re mes udhëheqësve të tjerë të Bashkimit Europian për t’u dhënë 1.1 miliardë dollarë agjencive ndërkombëtare të ndihmave, për të ndihmuar refugjatët në kampet pranë vendeve të tyre. Merkel informoi Bundestagun në një kohë kur Gjermania është deri më tani edhe vendi që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve. “Jam e kënaqur me rezultatet e sotme, edhe pse ne e dimë se kushtet për një zgjidhje tërësore të problemit të refugjatëve, ende nuk janë krijuar plotësisht. Por ne kemi hedhur një hap të nevojshëm, njërin prej shumë hapave. Pra, ishte i rëndësishëm fakti që në këtë takim të Këshillit, patëm një shkëmbim pikëpamjesh, për ta kuptuar më mirë problemin. Ne të gjithë e kuptuam që kjo është një detyrë e përbashkët që duhet zgjidhur”, tha para deputetëve të Bundestagut dje në Berlin, Kancelarja Merkel. Masat e miratuara të mërkurën, nuk përbëjnë veçse “një lëvizje fillestare”, tha shefja e ekzekutivit gjerman përpara ligjvënësve në Parlament, ndërsa rishpërndarja e emigrantëve, sipas saj, nuk është e mjaftueshme.
Vijojnë vërshimet e refugjatëve
Ndërkaq, vijon i pandalshëm vërshimi i emigrantëve në kufijtë e Europës, sikurse vazhdojnë edhe mosmarrëveshjet mes shteteve të përfshirë në këtë ngërç, më të fundit prej tyre: Serbia dhe Kroacia. Hungaria njoftoi mbi 10.000 mbërritje të reja vetëm të mërkurën. Totali i emigrantëve të dyndur në kontinentin e vjetër këtë vit llogaritet në gati gjysmë milion. Por duket se pas Serbisë, Hungaria do ta shtrijë murin antiemigrantor, edhe në kufi me Slloveninë. Dje Budapesti njoftoi nisjen e punimeve në “thurjen” edhe të vijës kufitare me Slloveninë. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovac. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, jo rrallëherë ka dalë me deklarata të ashpra ndaj qëndrimeve të mbajtura nga Bashkimi Europian dhe veçanërisht Berlini.
Gazeta Shqip


Leave a Reply