Me shkrimtarin dhe veprimtarin e shquar, Fran Camaj, u takuam në Tuz, gjatë simpoziumit shkencor “Tuzi dhe Malësia flasin shqip”, e më të biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Malë të Zi, në veçanti në Malësinë e madhe, shkollën dhe letërsinë shqipe, etj.
Bisedoi: Adem Lushaj
Zotëri Camaj! Jeni autor i pesë romaneve, por edhe të punimeve tjera, gjë që janë thesar i pamohueshëm për kulturën shqipe, sidomos për këto vise. Mirëpo shqiptarët në shtetet tjera, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni… nuk janë të informuar në masë të kënaqshme për njerëzit e penës, artit dhe kulturës. Na thoni se kush është FranCamaj si veprimtar dhe shkrimtar i palodhshëm?
Camaj: Së pari ju falënderoj për mundësitë që më dhatë që t’i përshëndes lexuesit e Botapress-it dhe në këtë mënyrë edhe të komunikoj me ta. Është e vërtetë kur thoni se shqiptarët në shtetet tjera: Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nuk janë të informuar në masë të kënaqshme për njerëzit e penës, artit dhe kulturës, unë do të shtoja, në veçanti për ata në trojet etnike në Malin e Zi. Kjo është pasojëe mungesës së kontakteve më të shpeshta të institucioneve gjegjëse dhe të mjeteve të informacionit të këtyre shteteve me njerëzit e penës, artit dhe kulturës në trojet etnike shqiptare në Malin e Zi, posaçërisht në këtë pjesë të Malësisë së Madhe. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të gjendjes së krijuar në Kosovë gjatë njëzet vjetëve të fundit dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kësaj ngjarjeje të madhe historike për gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilës i jemi gëzuar me mish e me shpirt. Mirëpo shqiptarët në trojet etnike në Malin e Zi, që zyrtarisht përbëjnë pesë për qind të popullatës së përgjithshme të Malit të Zi, kemi mbetur disi si zorrë e verbër në hartën etnike të shqiptarizmit.
Sa i takon pjesës së dytë të pyetjes se kush është Fran Camaj si veprimtar e shkrimtar i palodhshëm, do të mundohem të mos i lodhi shumë lexuesit me biografinë time. Megjithatë, meqë e keni bërë këtë pyetje do të them se tash katër vjet jam pensionist, pas punës 40- vjeçare në arsim e gazetari (dhjetë vjetët e para, arsimtar në Shkollën fillore në Arzë-Hot dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Tuzit, kurse tridhjetë vjetët tjera redaktor përgjegjës i Programit shqip në Radion e pastaj Televizionin e Malit të Zi), por mundohem që mos të jem pensionist kur është fjala për krijimtarinë letrare, të cilën e kam filluar qysh në moshë të re, si dhe për angazhimet në nxitjen e ruajtjes së vlerave historike e kulturore të popullit shqiptar në përgjithësi, e në veçanti të malësorëve të Malësisë së Madhe, që kanë bërë shumë për shqiptarizmin gjatë shekujve, por që fatkeqësisht fati ua ka kthyer shpinën. Kur është fjala për krijimtarinë letrare, dua të ceki se atë e kam filluar qysh në moshën rinore, por botimi i veprave të mia është bërë gjatë viteve të fundit dhe mund të them se janë pritur mirë te lexuesit. Këtë e vërteton edhe fakti se romani i parë “Rruga e pamëshirshme” ka përjetuar tri botime, që në kushtet e sotme më duket se nuk është pak. Të mos zgjas shumë, deri tani kam botuar pesë romane: “Rruga e pamëshirshme”, “Mëshira e pamëshirshme” (që është vazhdim i romanit të parë), “Dashuri e dhunuar”, “Dosja e tmerrit” dhe “Njeriu me mjekër të thinjur”, të gjithë të botuar në SHB “Tonena”, në Tiranë. Jam përcaktuar për këtë shtëpi botuese meqë më duket më e kompletuara ndër të gjitha shtëpitë botuese në Shqipëri dhe Kosovë. Në SHB “Gjergj Fishta”-Lezhë kam botuar përmbledhjen e punimeve shkencore (kumtesa nga tubime të ndryshme shkencore) e gazetareske (artikuj të zgjedhur gazetareskgjatë punës si gazetar) “Kohët flasin”.
Kur është fjala për aktivitetin jashtë profesionit, dua të ceki se jam ndër themeluesit e OJQ “Illyricum”, më vonë “Illyricumi” dhe kryetar i saj në dy mandatet e para, shoqatë kjo e cila ka organizuar katër simpoziume shkencore, me dhjetëra tubime të ndryshme kulturore (përurime veprash, shënime të ngjarjeve dhe datave historike, dy javë të kulturës: “Malësia 2000” dhe “Malësia 2001”, ekspozita etj.) dhe shënimin e 100- vjetorit të Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911. Premtova në fillim se do të mundohem të mos i lodhi lexuesit me të dhëna biografike, por zgjata pak, meqë siç thonë te ne, “Fjala qet fjalën”.
Adem Lushaj: Si është gjendja e shqiptarëve e në Mal të Zi, qoftë ekonomike, politike, kulturore? Sa janë shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, të angazhuara për mbrojtjen e të drejtave shqiptare, jashtë këtyre shteteve?
Camaj: Fatkeqësisht nuk mund të jem i kënaqur as me gjendjen ekonomike, as politike, as kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi, por as me angazhimin e dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend. Siç theksova më parë, shqiptarët në Malin e Zi përbëjnë rreth 5 për qind të popullatës së këtij vendi (në regjistrimin e parafundit 7 për qind), por të punësuar në institucionet shtetërore më pak se 0.5 për qind. Në mjediset shqiptare nuk ka asnjë objekt industrial, kurse çdo gjë që ka vlerë më të madhe, si p.sh. të mirat detare, janë në duart e pushtetit qendror. Papunësia është tepër e madhe, sidomos e atyre me arsim të lartë. Edhe ndonjë i ri që zë punë, edhe pse jo zyrtarisht, duhet të jetë anëtar i partisë, gjegjësisht i koalicionit në pushtet. E tërë kjo shkakton pakënaqësi dhe nxit shpërnguljen, që nuk është ndërprerë asnjëherë qysh në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, duke zbrazur plotësisht dhjetëra fshatra të Malësisë. Nuk ka asnjë gjykatës dhe asnjë prokuror shtetëror shqiptar. Në qeverinë e Malit të Zi nuk ka asnjë ministër shqiptar. Në shkolla shumica e teksteve shkollore janë të përkthyer nga gjuha malazeze, madje edhe librat e historisë, muzikës, artit…. Çështja e simboleve kombëtare nuk është e zgjidhur si duhet. Flamuri kombëtar mund të përdoret në dasma dhe në manifestime private, por nuk lejohet të vendoset në shkolla dhe institucione shtetërore, madje as m e rastin e shënimit të Ditës së Flamurit Kombëtar. Shqiptarëve në Malin e Zi u mohohen edhe shumë të drejta tjera. Ja një shembull. Banorët e Malësisë tash më se njëzet vjet kërkojnë që t’u lejohet e drejta e themelimit të një komune, si 22 komunat e tjera në Malin e Zi, por kjo e drejtë elementare u mohohet edhe përkundër faktit se i plotëson të gjitha kushtet si më shumë se gjysma e komunave të Malit të Zi. Problem në vete paraqet ndryshimi i madh i strukturës nacionale, veçanërisht në Malësi. Afër qytezës së Tuzit po ngritët një qytezë edhe më e madhe se Tuzi, me boshnjakë nga viset veriore të Malit të Zi, me një gjuhë dhe kulturë krejt të ndryshme nga ajo shqiptare. Me Kartën e Kombeve të Bashkuara ndalohet çdo lloj ndryshimi i strukturës nacionale në mjediset kompakte autoktone, siç është rasti i Malësisë. Mirëpo për këtë askush nuk çan kokën, madje as partitë politike, t’i quajmë shqiptare. Shqiptarët në Malin e Zi kanë nevojë për një lëvizje të përgjithshme, e jo për dhjetë parti politike, të formuara pas gati të gjitha zgjedhjeve të deritashme. Të pakënaqurit me vendin e tyre në listat zgjedhore kanë formuar parti të reja, por pa ndonjë program të ri. Për këtë edhe elektorati e ka humbur besimin dhe në masë të mirë ua ka kthyer shpinën.
Kur është fjala për angazhimin e dy shteteve shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë këtyre shteteve, në rastin konkret të atyre në Malin e Zi, personalisht nuk jam i kënaqur. Kam mirëkuptim për Kosovën, sepse ka hallet e veta, por së paku, kur dihen të gjitha problemet me të cilat përballemi, pse në raste të ndryshme politikanët e Shqipërisë dhe të Kosovës pozitën shqiptarëve në Malin e Zi e marrin si shembull në rajon!? Nëse është kështu, atëherë ne shqiptarët në Malin e Zi qenkemi faktor destabilizues!? Mos o Zot më keq!
Adem Lushaj: Këtyre ditëve në Tuz është mbajtur edhe Simpoziumi shkencor “Tuzi dhe Malësia flasin shqip”. Pse u përzgjodh kjo temë për këtë simpozium?
Camaj: Është mirë që është mbajtur Simpoziumi “Tuzi dhe Malësia flasin shqip”, në të cilin ka pasur kumtesa të mira, të cilat sigurisht se do të botohen. Më duket se do të kishte qenë më mirë sikur të ishte përzgjedhur një temë më konkrete, meqë në të ka pasur kumtesa nga fusha të ndryshme. Nuk e di nëse ka qenë i qëlluar edhe titulli i Simpoziumit “Tuzi dhe Malësia flasin shqip”. Sidoqoftë është mirë që në Tuz atë ditë ishin emra të njohur të shkencës dhe të kulturës shqiptare, kurse në pyetjen pse është përzgjedhur kjo temë, përgjigjen mund ta japë organizatori i këtij tubimi shkencor.
Adem Lushaj:Ku është veprimtaria artistike sot? Sa çmohet në Malësi, por edhe në viset tjera shqiptare?
Camaj: Fatkeqësisht askurrë veprimtaria artistike, letrare e kulturore nuk ka zënë vendin e merituar në shoqëri. Nga krijuesit letrarë e artistikë kërkohet shumë, por u ofrohet pak ose aspak. Vetëm një shembull që më duket se flet mjaft. A mbani mend se sa herë emisionet informative radiotelevizive kanë filluar me ndonjë lajm nga krijimtaria letrare ose artistike, ose në faqen e parë të gazetës është vendosur një lajm i tillë? Besoj se nuk e keni të freskët një rast të tillë. Kreu i lajmeve është i rezervuar për politikanë dhe çështje politike, kurse letërsia, arti, kultura etj. lihen në fund, aty ku u është caktuar vendi, pikërisht nga ata që nuk dinë shumë as për njërën prej tyre. Ja një shembull nga Tuzi. Komuna urbane (unë e kam quajtur cubele) në buxhetin e vet para tri-katër vjetësh për kulturë dhe çështje kulturore kishte ndarë 3000 euro. Çfarë të bëhet me kaq para? A nuk flet mjaft kjo e dhënë se sa i kushtohet kujdes çështjeve kulturore tek ne!?Ndoshta jam pak tepër kritik, por kështu më duket mua.
Adem Lushaj: Po ku është Fran Camaj në botën e madhe të letrave shqipe. Çfarë jeni duke shkruar këto ditë?
Camaj: Unë asnjëherë nuk kam menduar për vendin tim në botën e madhe të letrave shqipe. Ajo vërtetë është e madhe dhe vendin tim në të do ta caktojnë lexuesit dhe kritika letrare. Veprat e mia dhe jo vetëm të miat, do të jetojnë aq sa do t’i duanë lexuesit. Nëse ata nuk do t’i duanë, do të vdesin dhe në të kundërtën, nëse do t’i duanë, do të kenë jetë të gjatë. Natyrisht se mua më intereson që ato të lexohen nga numër sa më i madh i lexuesve, në radhë të parë i të rinjve, jo vetëm në Malësi, por kudo në trojet shqiptare.
Askurrë nuk dëshiroj të premtoj diçka që nuk mund ta realizoj. As kësaj here nuk mund të premtoj se së shpejti do të botoj edhe ndo një vepër të re, por mund të them se për asnjë moment nuk ndalem të shkruari. Shkruaj diçka, pastaj e fshij se nuk më pëlqen, pastaj ia filloj sërish e kështu me radhë. Pra jam duke shkruar diçka, por çka do të dalë nga kjo, do të shohim më vonë. Sa i përket pyetjes së dytë, natyrisht se ka pasur dhe pres të ketë kritika të tjera, por mua më së shumti më intereson ajo e lexueseve dhe e kritikëve letrarë. Kur është fjala për të dytët, kritika më e shpeshtë ka qenë se në romanet e mia ka elemente të dëshpërimit dhe mungesë të optimizmit. Jam i vetëdijshëm për këtë, por si të ik nga këto elemente kur në romanët e mia bëhet fjalë për shpërnguljen e madhe të malësorëve dhe boshatisjen e fshatrave të tëra; për vrasjen e mbi njëqind të rinjve malësorë në SHBA, shumica e të cilave në rrethana të paqarta dhe të dyshimta (në romanin “Rruga e pamëshirshme”); kur bëhet fjalë për ikjen e të rinjve malësorë nga vendlindja nëpër rrugë të rrezikshme e shpesh të pabesueshme (në romanin “Mëshira e pamëshirshme”); kur bëhet fjalë për nënën, e cila pas pesë muajsh e nxjerr kufomën e dekompozuar të të birit 28-vjeçar, të pushkatuar në vitin 1950 dhe e ngarkon në kalë, për të kaluar ashtu rreth 20 km. rrugë malore, për ta varrosur nën dyshemenë e dhomës së gjumit dhe për të fjetur mbi të, nënë e baba, 24 vjet me radhë. Çfarë frike dhe guximi i dy prindërve!? Kur flitet për pushkatimet pa gjyq të burrave të dalluar të Malësisë në vitin 1945 (në romanin “Dosja e tmerrit”) dhe për shumë ngjarje tjera të ngjashme.
Në fund dëshiroj që edhe një herë të ju falënderoj dhe të ju përgëzoj për punën që bëni në interes të çështjes kombëtare dhe dua të shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim të përhershëm me Botapreess.info.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
Leave a Reply