Dua të theksoj që temat fetare janë ato tema që më së paku më pëlqejnë ti trajtoj. Sepse, ‘besimtarët’ të sulmojnë me fjalët më të çoroditura, fjalë që Zoti i gjithësisë nuk i ka përmendur askund nëpër librat e shenjtë.
Meqë nga shkrimi im i kaluar për mbulesat e ZEZA mora sharje e fyerje nga më të çoroditurat nga ‘besimtarët e devotshëm’, duke më cilësuar një injorant mbi çështjet e kuptimit të fesë dhe të Zotit…vëndosa ta bëj edhe një shkrim tjetër për të ua sqaruar këtyre besimtarëve të mençur që nuk e kisha për qëllim nënçmimin e fesë e as ofendimin e askujt. Shkrimi ishte kundër trushpërlarjës së qëllimshme për të devijuar një kulturë të lashtë shqiptare.
Nëse një hoxhë, ma gjen paragrafin e caktuar në KURAN ku përshkruhet forma dhe ngjyra e mbulesës për gratë, atëherë do të kërkoj falje publike për ato që kam shkruar. Nëse vajzat shqiptare besojnë me zemër që të mbulohen sipas parimeve të KURANIT, atëherë ato mund të adoptojnë cilëndo shami të bardhë apo shumëngjyrëshe, të stilit shqiptar dhe do jenë të respektuara para Zotit njësoj sikur ato me hijab të kulturës arabe.
Duke u kthyer tek KOHA si dimension, desha ta trajtoj këtë dimension nga pikëpamja e trajtimit që i është bërë nga feja.
Kur janë themeluar bankat e para në Europë, problemi i parë i bankierëve kanë qenë priftërinjtë, sepse ata kanë thënë që bankat nuk mund të kërkojnë interes në paratë e dhëna hua, sepse KOHA është e Zotit dhe vetëm e Zotit, andaj nuk mund të shitet KOHA E ZOTIT. Pra, nuk mund të kërkohet interes për para për një kohë të caktuar.
Bankistët është dashur të iu paguajnë priftërinjve para të gatshme, për të ua falur mëkatet e shitjes së KOHËS.
Bankat në shtetet islamike nga ky kënd i vështrimit, nuk e quajnë interes, por e quajnë shpenzime për trajtim të kredive. Tek e fundit pak ka dallim sesi e quajmë pagesën kur marrim një kredi, por kjo i bën të ndjehen mirë që nuk po e shesin KOHËN e Zotit.
Desha ta bëj një shpjegim nga aspekti i bankave, për të dalur tek një detaj i dhimbshëm për shumë të mitur që iu është prerë dora për shkak të një vjedhje të vockël.
Të gjithë besimtarët pajtohen që KOHA është e ZOTIT. Kur një i mitur vjedh diçka, në shumë vende islamike, sipas ligjit ‘sharia’ i prehet dora.
E çuditshme është që nuk e gjykojnë rastin sipas logjikës hyjnore. Nëse Zoti do të dëshironte që dikujt ti prehet dora, atëherë Ai do e kishte lindur pa dorë. Në anën tjetër, me prerjen e dorës, po i mirret KOHA E ZOTIT, të miturit për tu penduar, pra një të miturit i duhet kohë për pendesë, dhe atë kohë ia ka dhënë ZOTI. (Po e marr të miturin si shembull, sepse përndryshe, në Kuran për këtë denim nuk është përcaktuar mosha). Në paragrafin 39 në Kuran, thuhet kjartë që kush pendohet, nuk dënohet sepse Zoti është i mëshirshëm.
Në anën tjetër, është edhe një detaj tjetër i keqinterpretimit të ajeteve kuranore. Në gjuhën arabe për fjalën prerje të dorës në kuran, është përdorur fjala [eqta’u], që në kuptimin tradicional nuk nënkupton këputje të dorës, por thjeshtë një prerje, një plagë që e bën dorën me shenjë, pra një ‘damkë’ për të ua bërë të ditur të tjerëve që ajo dorë ka vjedhur.
Ndërsa, sikur të ishte fjala për këputje apo amputim të dorës, atëherë do të përdorej fjala [batara] në gjuhën arabe që do të kishte kuptimin e këputjes së dorës si dënim.
Është edhe një detaj interesant që nuk ka shumë shpjegime të detajuara. Prerja dorës sipas Kuranit duhet të bëhet vetëm atëherë, nëse vlera e sendit (objektit) të vjedhur e ka vlerën më të lartë sesa 4.25 gram ari. Gjithashtu vjedhësit nuk i prehet dora nëse ka vjedhur ushqime.
Përkthimi i Kuranit në shumë gjuhë të botës, nuk i shtjellon këto detaje e shumë detaje tjera.
Andaj edhe ka keqinterpretime marramendëse të ajeteve kuranore nëpër vende të ndryshme të botës, por edhe brenda vet vendeve islamike.
A kanë bërë mëkate ata që kanë prerë duar fëmijësh në emrin e Zotit, mbetet të kjartësohet në ditën e gjykimit, para Zotit të gjithësisë.
P.S.
Reagimi im kundër mbulesës së ZEZË ka qenë thjeshtë një reagim në funksion të mbrojtjës së unit, kulturës dhe identitetit të një populli të lashtë sa vet TOKA.
Jam i vetëdijshëm për kompleksitetin dhe të mirat që Kurani përmban. E dij që ekzistojnë mbi 100 mijë hadithe të Kuranit dhe për ti lexuar të gjitha ato njeriut i duhet një jetë e tërë kohë, mesatarisht rreth 54 vjet.
Pra, unë mund të jem një injorant para atyre 100 mijë haditheve, sepse nuk e kam ndërmend ti lexoj të gjitha, por jam i bindur që shumica e hoxhollarëve nuk i kanë lexuar ato, e as nuk kanë lexuar asgjë mi faktet historike alternative të kohës, sepse ata kanë frikë se mos po iu lëkundët besimi në zemër.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
Leave a Reply