Rilindësi i vonuar në krye të PS-së gjatë turit të tij nëpër fshatra ka shfaqur simpati të veçantë për kafshën me koston më të ulët për fshatarin. Kur paraardhësit e tij në krye të nomenklaturës së kuqe e rrënuan pafundësisht fshatin, duke burgosur deri dhe pulat e fshatarëve të ngratë, të vetmit që mbetën disi të lirë ishin gomarët veshgjatë. Për vetë çmimin minimal në minipazaret e asaj kohe, krahasuar me kuajt e mushkat veshgjatët qenë pasuria më e çmuar e fshatarëve, me të cilët ata punonin çerekdynymëshat (se dynymët u shndërruan në arëza kolektive) dhe mbartnin drutë e dimrit. Për ironinë e fatit, tek u shfaq në rrjetin social “Twitter” duke përkëdhelur gomarin, lideri socialist Edi K.Rama na solli në kujtesë poemën dramatike “Gomari i Babatasit”. Nëse poeti i madh at Gjergj Fishta para një shekulli do ta fshikullonte realitetin e asaj kohe me vargjet therëse: “Pra, nji herë e pikë ma s’parit/ Po i diftoj rodit t’Shqiptarit’/ Se un ktu s’kndoj burrnin’ e t’Parit,/ As trimnit e ndo’i luftarit,/ Veç nji gaç, nji zog gomarit”, tashmë në kohët moderne si i tillë, pra si personazhi kryesor i kësaj poeme dramatike (nji zog gomarit) na shfaqet pretendenti për kryeministër Edi K.Rama, që edhe të vetët e kanë cilësuar si “rilindësi i vonuar”. Dhe nëse i madhi Gjergj Fishta në hyrje të poemës dramatike “Gomari i Babatasit” do të perifrazonte Charles le Comte de Montalembert, filozofia e të cilit na mëson se “populli fal ata që e mundojnë, por nuk falë kurrë ata që e rrejnë”, është e udhës që këtë ta varë vath në vesh lidershipi socialist shqiptar, që po propagandon bujshëm “rilindjen e fshatit”. Pikërisht njeriu që për 11 vjet në krye të Bashkisë bunkerizoi kryeqytetin e vendit, tashmë guxon të mashtrojë fshatarët në emër të një “rilindje të fshatit”, duke e banalizuar atë deri te thirrja bajate për rikthimin e veshgjatëve. Injorim i kësaj strategjie është qoftë dhe shfaqja e tij në rrjetin social “Twitter” duke përkëdhelur gomarin. Ndërkohë fshatarët e mençur me alegorinë e tyre i janë përgjigjur se “po na mëson arat njeriu që s’di nga lidhet gomari!”. Është vërtet tronditëse dhe e pathemeltë kërkesa e përsëritur e lidershit socialist gjatë turit të tij në disa fshatra që bujqit të jenë të parët që të bëhen zëdhënës të programit të PS-së për rilindjen e fshatit shqiptar.
Duke derdhur lot krokodili për gjendjen në të cilën ndodhet bujqësia shqiptare, sipas tij, Edi Rama përpiqet të mashtrojë shqiptarët me një pseudostrategji për subvencione, heqje taksash, investime në kullim e vaditje etj., pa dhënë alternativa konkrete, ndërkohë që për gjithçka ai flet është shënuar progres i dukshëm gjatë 7 vjetve të fundit të qeverisjes së mazhorancës aktuale.
Nëse gjatë këtyre viteve me metoda mafioze lidershipi socialist arriti ta zhbëjë kupolën rozë, duke krijuar një PS klienteliste, me mjaftistë e G 99-sha, tashmë ai duhet ta ketë të qartë që pikërisht ata as që duan t’ia dinë për fshatin, e jo më të bindin fshatarin për strategjinë e tij të “rilindjes”. Në ka një fushë në të cilën rilindësi i vonuar është nul, është pikërisht bujqësia dhe fshati, për të cilin ai ka dëshmuar në vijimësi se ka urrejtje patologjike. Këtë e ka shfaqur më së miri gjatë viteve në krye të Bashkisë së Tiranës, kur zonat periferike të populluara kryesisht nga të ardhurit nga fshati, i fshiu nga lista e investimeve, duke u përqendruar vetëm te Blloku dhe te zonat ku lejoi ndërtimin e kullave mbinjëzetkatëshe, ku dhe 20-përqindëshat e fitimit dhe të abuzimit të tij me pushtetin qenë marramendës.
Këtë e kanë të qartë shqiptarët, të cilët kurrsesi nuk mund të mashtrohen nga njeriu që në turravrapin për të zënë me çdo kusht e mjet kolltukun e pamerituar kryeministror organizoi greva urie e protesta të dhunshme, duke bërë kurban të tij qytetarët e pafajshëm. Pikërisht këto kurbane do të jenë dhe fatura e tij e dështimit në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, kur shqiptarët do ta ndëshkojnë me votën e tyre të lirë pengesëtarin e pandreqshëm në rrugën e integrimit euroatlantik.
H.Rama
Shkodra WS
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply