
Msc. Nikollë LOKA
PROFIL – Mirditasit pa tokë dhe të ardhura të tjera për jetesë shpesh detyroheshin të largoheshin në kërkim të një jete më të mirë.Vendet më të preferuara të tyre qenë fushat e Bregut të Matës, Zadrimës Kurbinit dhe në Rrafshin e Dukagjinit, si dhe disa qytete si Shkodra, Gjakova e Prizreni. Por kishte raste që familje të veçuara vendoseshin edhe në vende më të largëta. Kështu në një dokument të vitit 1864 të lëshuar në Prizren nga kleriku Fr. M.Palmanuova flitet për katolikë të Mirditës në Fushën e Mëllenjave në Kosovë. Por mirditasit u vendosën edhe nëpër qytete dhe në përpjekjen e tyre për mbijetesë u morën me zejtari dhe tregti. Nga kjo shtresë shoqërore u krijua elita e tyre që duke shfrytëzuar avantazhet e protektoratit austro-hungarez të kultit arriti të marrë shkollim në gjuhën shqipe dhe t’u paraprijë zhvillimeve arsimore dhe kulturore në vend. Ndër familjet mirditore të vendosura në Kosovë që arritën të bëjnë emër në kulturën tonë kombëtare janë familjet Bojaxhiu, Çeta, Paluca, Margjini, Vorfi, Jakova, Xhuxha, Kaçinari, etj.
Prejardhja dhe fëmijëria
Familja e profesor Prengë Kaçinarit i përket vllaznisë së Gjinalëve të Kaçinarit dhe mesa duket i takon një emigrimi të vonshëm, pasi Gjinalët e Kaçinarit edhe sot ee ruajnë afërsinë me këtë familje. Me t’u larguar nga vendlindja shumë familje emigrante kanë preferuar ta ndërrojnë mbiemrin, siç ka bërë edhe familja Gjinali në Kosovë, në përpjekje për ruajtjen e lidhjeve me vendin e origjinës.
Prengë Kaçinari lindi në Mitrovicë në vitin 1910 në një familje atdhetare me qëndrim të theksuar antiserb. I ati Llesh Kaçnari përmendet në shtypin e kohës për angazhim atdhetar. Gazeta”Posta e Shqypnis” nr. 104. Shkodër 5 dhjetor 1917, në artikullin “Një motmot jetë” shkran: “Dishmojmë se nima ma e madhe na ka ardh prej … z. Llesh Kaçinarit në Mitrovicë”. Siç duket Lleshi i përkiste shtresës së pasanikëve që ndihmonin materialisht lëvizjen kombëtare shqiptare.
Katolikët e Kosovës që u vendosën nëpër qytete kishin avantazhin e shkollimit të fëmijëve të tyre në shkollat shqipe të financuara nga Austro-Hungaria. Ndërsa më të pasurit e vazhdonin arsimimin e fëmijëve të tyre brenda dhe jashtë vendit. Kështu ndodhi edhe me Prengën. Pas shkollimit fillestar në Kosovë, ai vazhdoi shkollimin në Liceun e Korçës. Në atë Lice i dërgonte fëmijët e vet për elita e vendit dhe studentët që dilnin prej tij konsideroheshin kuadro me shumë vlerë në Shqipërinë e asaj kohe. Prenga pati në klasë Selman Rizën, Sabiha Kasimatin, Fejzi Hoxhën, Shemsi Totozanin, Behxhet Reson, Nazmi Shehun, Sami Hysin, Dhimitër Dimçon.
Me të përfunduar Liceun, në vitin 1931 Prenga vazhdoi studimet e larta për filozofi në Lion të Francës. Kontaktet me kulturën franceze në Liceun e Korçës dhe veçanërisht studimet e larta në Lion i dhanë formim perëndimor dhe orientimin e duhur për të parë rrugët më të mira nga mund të ecte vendi. U formua si një nga kuadrot më të aftë që kishte Shqipëria e asaj kohe, por nuk ishin kushtet që ai të merrej me politikë. Politikën e bënin njerëz me më pak shkollë dhe më me pak idealizëm se ai. Megjithatë, me formimin akademik që kishte ai mund të ndikonte në zhvillimin e vendit. Prenga iu përkushtua arsimit, ndoshta se në atë kohë profesorët e liceve ishin më të lirë, më të vlerësuar dhe më të pavarur se pjesa tjetër e administratës shtetërore që nuk kishte formimin e duhur profesional dhe trashëgonte ende disa nga tiparet e administratës osmane. E emëruan në Liceun e Shkodrës.
Profesor në Liceun “28 Nëntori”
Liceu “28 Nëntori” i Shkodrës ishte njëri nga institucionet më të rëndësishme arsimore të vendit. Emërimi i Drejtorit të tij bëhej nga Kryeministri dhe i profesorëve nga Ministri i Arsimit. Profesorët që kishin mbaruar studimet e larta jashtë vendit kishin status të lartë shoqëror. Mjafton të përmendim faktin se gjatë qeverisjes së Zogut dhe të pushtimit fashist profesorë ose drejtorë të këtij Liceu u emëruan ministra ose zyrtarë të lartë të aparatit shtetërorë dhe prej andej kalonin përsëri në Lice. Edhe paga ishte e lartë dhe respekti që tregonte shoqëria për ta i mjaftueshëm për ta quajtur privilegj punën në atë institucion.
Në Lice Prenga dha mësim krahas personaliteteve të shquara si: Ernest Koliqi, Skënder Luarasi, Gaspër Pali, Qemal Draçini, Gjergj Kokoshi, Simon Rrota, Zef Kolombi, Ndue Paluca, Safet Butka, etj. Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Ministria e Arsimit për të thuheshin gjithnjë fjalët më të mira, si një profesor korrekt, serioz, i përkushtuar ndaj punës dhe me ambicie për të ecur përpara.
Pushtimi fashist qe një provë e madhe morale për inteligjencën shqiptare. Prengë Kaçinari u rrjeshtua në anën e intelektualëve antifashistë që e kundërshtuan pushtimin, ndërkohë që pati të tjerë që e konsideruan atë pushtim si shans për të përmirësuar pozitën e tyre shoqërore. Sidoqoftë në Liceun e Shkodrës bëhej propagandë e madhe kundër italianëve dhe rinia e asaj shkolle përmendet për demonstratat dhe evprimtaritë e tjera antifashiste. Sitki Bushati tregon për frymën antifashiste që mbizotëronte në Lice dhe për organizimin e demostratave të 28 nëntorit 1939 dhe të janarit 1940: “Në krye të demostratave antifashiste ishin profesorët Safet Butka, Prengë Kaçinari, Tahir Shkreli, etj”. Një ish nxënës tjetër shkruan për demostratën e 28 nëntorit 1939: “Kjo ishte demostrata më e madhe në tërë vendin”. Kthimi i Liceut në çerdhe të lëvizjes antifashiste i shqetësoi autoritetet, të cilat vendosën një censurë të rreptë në punën e tij. Megjithatë veprimtaria kundër pushtuesve nuk u ndërpre asnjëherë.
Në fillim të vitit 1943 Prengë Kaçinari takohet me Mitat Frashërin dhe pranon të militojë në radhët e Ballit Kombëtar e të zgjidhet në strukturat e tij drejtuese për qytetin e Shkodrës. Kaçinari zhvillon propagandë antifashiste, aq sa bie në sy të autoriteteve që kishin përgatitur arrestimin e tij. Në ato kushte, në korrik të vitit 1943 largohet nga Shkodra dhe për t’u shpëtuar përndjekjeve qëndron ca kohë në Shllak. Angazhimi i Prengës në strukturat e Ballit Kombëtar në Shkodër ishte më tepër intelektual se politik. Ai nuk u bë pjesë e strukturave ushtarake të Ballit dhe nuk pati asnjë rol në vendimmarrjen e kësaj force politike. Ndoshta nuk u përfshi aktivisht në politikën balliste, pasi nuk e pëlqente pasivitetin e Ballit në qëndrimin ndaj pushtuesit. Sidoqoftë, pëlqente vizionin e Ballit për organizimin e Shqipërisë së pas luftës si një shtet demokratik dhe pluralist.
Edhe gjatë pushtimit gjerman, pavarësisht se iu kushtua veprimtarisë mësimore, Prof. Kaçinari ruajti bindjet e tij liridashëse, duke mbetur një intelektual atdhetar dhe antifashist. Në ato kushte të rënda të pushtimit ai i ndihmoi Atdheut sipas mënyrës së tij, si mësues në periudhë lufte. Të ishe mësues në atë kohë ishte sakrificë dhe përgjegjëësi kombëtare. Liceu i Shkodrës mbeti edhe gjatë pushtimit gjerman një çerdhe e lëvizjes ilegale kundër pushtuesit.
I dyshimtë për regjimin e ri
Regjimi i ri që u vendos në Shqipëri e filloi punën me administratën e vjetër të periudhës së Zogut dhe të fashizmit. Fillimisht hakmarrja klasore ra vetëm mbi bashkëpunëtorët e njohur të pushtuesve. Më vonë, rrethi i njerëzve që u ndëshkuan u zgjerua me të tjerë, disa prej të cilëve thjeshtë për faktin se nuk mbështesnin pushtetin e dalë nga lufta. Prof. Prenga nuk e pëlqente sistemin që iu imponua shqiptarëve pas luftës, por nuk u përzie në politikë. Regjimi i ri ishte kundër të djathtës tradicionale që vetë Profesori i përkiste. Ai po e zhvishte këtë të djathtë nga pronat dhe po ia kufizonte privilegjet dhe të drejtat që kishte trashëguar. Në regjimin që dita ditës po merrte formë, çdo njeri që do të guxonte të shprehte një ide apo mendim të vetin në kundërshtim me vijën zyrtare ndëshkohej pa mëshirë. Autoritetet njihnin mirë të kaluarën e mësuesve dhe profesorëve, qëndrimin që ata kishin mbajtur ndaj pushtuesve dhe formacioneve politike opozitare me Partinë Komuniste. Zyrtarë të pushtetit ndiqnin me kujdes edhe qëndrimin që mbanin arsimtarët ndaj reformave të pushtetit të ri. Veçanërisht ky qëndrim kishte rëndësi për të përcaktuar të ardhmen dhe karrierën e intelektualëve. Në atë periudhë në përbërje të Ministrisë së Arsimit ishte ngritur Sektori i Verifikimit të Biografive që i paraprinte çdo punësimi apo karriere në arsim. Para çdo emërimi apo lëvizje nga vendi i punës kërkoheshin të dhëna nga Drejtoria e Sigurimit në Ministrinë e Brendëshme.
Ndër dosjet e Ministrisë së Arsimit që gjenden në Arkivin e Shtetit gjenden karakteristika me të dhëna të hollësishme për qëndrimin e profesorëve të shkollave të mesme gjatë luftës. Janë mbajtur në punë për një kohë të caktuar edhe elemente që kanë patur njëfarë bashkëpunimi me pushtuesin, kur nuk kishin kryer krime, ose njerëz që kishin qenë në formacionet politike opozitare me komunistët. Me kalimin e viteve dhe me daljen e kuadrove të reja këta elementë të padëshirueshëm u larguan nga arsimi si të papërshtatshëm. Mbetën në punë vetëm ata që iu nënshruan pushtetit komunist dhe i shërbyen me besnikëri atij.
Profesor Kaçinari e vazhdoi për pak kohë punën në Liceun e Shkodrës dhe e përfundoi aty vitin shkollor 1945-1946. I kësaj periudhe është një relacion që drejtori i Liceut, MItat Hoxha i dërgonte Ministrisë së arsimit, ku e informomnte për gjendjen e shkollës. Në lidhje me Prof. Kaçinarin drejtori shkruan: “Profesor Prengë Kaçinari që zhvillon landën e historisë në klasën I dhe gjeografinë e psikologjinë në klasat I-IV ka pas rezultate të kënaqshme. Përgatitja dhe mënyra e procedimit të mësimit i ka ba nxanësit që të tërhiqen dhe të përvetësojnë lëndën në këto mësime…Kur ka qenë rasti ka dhanë dhe ndonjë detyrë. Këto i ka kontrollue dhe vlerësue me kujdes. Nuk asht mobilizue në zgjidhjen e problemeve të shkollës, mbasi asht kujdesue mjaft për ruejtjen e shndetit të tij të dobët në vitet e mëparëshme dhe gjatë këtij viti” Siç shihet drejtori i Shkollës shprehet me njëfarë konsiderate për të.
Në këtë kohë u dha orientimi që profesorët dhe mësuesit me probleme biografike të dërgoheshin larg vendbanimit të tyre dhe të mbaheshin nën vëzhgim me qëllim që ata me qëndrimin e tyre të mos pengonin reformat që po ndërmerreshin. Profesor Kaçinarin e dërguan në Liceun e Korçës dhe e lanë atje për pak kohë, sepse pas disa muajsh e transferuan në Liceun e Durrësit. Në një raport të Drejtorisë së Liceut të Durrësit për Ministrinë e Arsimit në lidhje me cilësinë e Prof. Prengës si mësimdhënës shkruhet: “Punën e kryen mjaft mirë, asht i përpiktë në çdo rast. Tregon interes për mbarëvajtjen e shkollës. Me nxënësit është treguar i afrueshëm. Ka marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e Këshillit Pedagogjik. Vuen nga sëmundja. Në liceun e Durrësit jepte mësim Arshi Pipa, Ihsan Podgorica, Pashko Gjeçi, Simon Deda, etj.
U duk se në Durrës nuk do të kishte probleme politike. Ishte një kolektiv i ri, i mbledhur nga shkollat e tjera me profesorë me emër. Po nuk ndodhi kështu dhe shumica prej tyre u dënuan.
Organet e sigurimit kishin përgatitur me kohë arrestimin e disa intelektualëve të shquar të Liceut. Kjo nuk kishte kaluar pa u vënë re nga Prenga. Këtë të dhënë na e jep përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Vedat Kokona: “Një ditë, kur kisha dalë për shëtitje andej nga Currilat, takoj Prenkë Kaçinarin, të cilin e njihja që në vitet e para të liceut atje në Korçë…. Më duket sikur e kam edhe sot para syve atë djalë shtat lartë, flokëverdhë, fytyrëqeshur që binte në sy menjëherë midis të tjerëve…. Gjatë atyre pak minutave që qëndruam bashkë, një e dy e kthente kokën nga prapa sikur priste njeri. Më tha se e përgjonin, dhe ish më mirë që të mos rrija me të…”
Pa kaluar shumë kohë arrestohet në Durrës. U arrestua papritmas dhe pushimi nga puna u bë më vonë. Në shkresën nr.58, të datës 13.9.1947 drejtuar Drejtorisë së Liceut të Durrësit, Ministria e Arsimit njofton se zoti Prengë Kaçinari, profesor në atë Lice pushohet nga puna, pasi është arrestuar. Ministria i kërkonte Drejtorisë së Liceut të njoftonte për datën e arrestimit.
Procesi gjyqësor dhe dënimi
Prengë Kaçinari u arrestua së bashku me Arshi Pipën, Hysen Ballhysën dhe Pashko Gjeçin. Ai u akuzua se “kishte bashkëpunuar me fashistët italianë dhe me Ballin Kombëtar; se gjatë luftës kishte shtypur trakte të Ballit Kombëtar; se kishte punuar për të rrëzuar pushtetin popullor, se kishte punuar për shkëputjen e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik dhe për t’u lidhur me anglo-amerikanët, etj. Në përgjigje të akuzave Prenga ishte shprehur: “Jam ken profesor në Shkodër. Në korrik 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar”, për t’i ik kuesturës fashiste. Jam antifashist. Mbas vitit 1944, nuk jam angazhue në politikë. Nuk e dij mbi ç’baza më akuzojnë”.
Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi jep vendimin: “Prengë Kaçinari dënohet me burgim të përjetshëm; Arshi Pipa me 20 vjet heqje lirie; Hysen Ballhysa 15 vjet dhe Pashko Gjeçi 5 vjet heqje lirie”. Pas ankimit që u bë në Gjykatën e Lartë, Prengës iu ndryshua dënimi në 20 vjet burg. E futën në punë të detyruar, pavarësisht se ishte i sëmurë me TBC. Në ato kushte, kur po luftonte me vdekjen nuk ishte më i rrezikshëm, prandaj pasi bëri dy vite burg u lirua. Ç’mund të bënte një njeri i sëmurë rëndë, pa shtëpi, pa familje dhe pasuri?! E emëruan në Kavajë.
Ja ç’kujton nipi i tij Salvator Sotiri: “Pak ditë para se të ndodhte gjëma, më thirri dhe shkova në Kavajë. Duket e kishte ndarë mendjen, ndaj po na linte amanetet. Biseduam rreth dy orë dhe s’më harrohen porositë e tij. Mes të tjerave, më thotë: “Krijo familje pa u shtyrë në moshë!” Ishte penduar që vetë nuk u martua. Më dha dhe një porosi tjetër: “Në asnjë mënyrë dhe për asnjë rrethanë mos u bëj anëtar partie”.
Pas disa kohësh, i bën vizitë në shtëpi motrës së tij, Karolinës, që fatkeqësisht nuk e gjeti në shtëpi. Me atë rrugë kthehet menjëherë në Tiranë dhe pasi shkruan letrën e lamtumirës i jep fund jetës.
Ja çfarë shkruajti Prof. Prengë Kaçinari disa minuta para se të vetëvritej:
“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi) Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vendosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija.
Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy. Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras veten dëshroj të varrosem. Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër. E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prengë Kaçinari
Tiranë, 3 nandor 1956 ora 5 mbasdreke.
Kjo letër u postue nga Tirana nga vetë Prenga, për kunatin e tij, Mark Lezhja në Durrës.
Kështu i dha fund jetës Prengë Kaçinari, njëri ndër njerëzit më të kualifikuar dhe më të ditur që kishte Shqipëria e asaj kohe. Iku një idealist demokrat që gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar Atdheut. Model për t’u admiruar, aq sa dikush e quan, jo “Mësues i Popullit”, por “Edukator i Kombit”
Me ardhjen e demokracisë Profesor Prengë Kaçinarit iu dhanë titujt e nderit, “Mësues i Popullit” dhe “Martir i demokracisë”. Por dekorata më e madhe është vetë vepra e tij e pavdekëshme. Ai u sakrifikua për Shqipërinë vend europian dhe ideali i tij do të jetojë përjetësisht ndër breza.
Bibliografia e artikullit:
[1]. Gjergj Gashi, Vatikani dhe Arbëria, 1700-1922, vëll.XVI/I-II, Onufri1998,f.100-101
2. Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Melbourne 2004, f.133-145
3. Uran Butka: Safet Butka, antifashist para 7 prillit 1939, organizonte demonstrata me studentët, gazeta shqiptare 05/11/2012
4 . Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Melbourne 2004, f.133-145
5. AQSH, F.1011, D.62, xh.356, viti 1946
6. AQSH, F.1011, D.24, viti 1949, fl.329
7. Drejtoria e Liceut Durrës, Raport tremujor mbi kontrollin e klasave. AQSH, F.1011, Dosje 22, viti 1929, xh.129
8. Vedat Kokona, Endur në tisin e kohës, kujtime, shtëpia botuese “Kokona’, Tiranë 2005, f. 176
9. F.511, D.59,f.PN, p.10
10. Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Melbourne 2004, f.133-145
11.Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Melbourne 2004, f.133-145
12.Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Melbourne 2004, f.133-145
13. Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Melbourne 2004, f.133-145
http://dielli.al/lajme.php?id=14919#sthash.ZBiDK85K.dpuf


Leave a Reply