Nga Besi BEKTESHI
Sot është 155 vjetori i lindjes së “rilindasit kulturor më të madh shqiptar” ose Kol Idromenos. Ai është arkitekti dhe urbanisti i rilindjes shqiptare, në qytetin më të madh të kohës, piktori me talent, fotografi, skenografi, muzikanti dhe filluesi i kinematografisë në Shqipëri. Ne nuk kemi përveç tij një talent të tillë të përsëritur, që të ketë një famë të ngjashme (jo të barabartë) me rilindasin italian Da Vinçi. Origjina nga Parga ose Hidhra, pra ishulli Hidër si një orthodoks shqiptar nga arbereshët e Greqisë, e bëjnë më interesante biografinë e tij. Por ai lindi në Shkodër dhe aty shfaqi talentet e modelin e tij të jashtëzakonshëm, por të pa përsëritshëm dhe sot e kësaj dite. Unë vlerën më të lartë Idromenos në disa shkrime ja vendos profesionit të tij arkitekt dhe urbanist, dhe padyshim pastaj vijnë piktori i madh e fotografi. Ndikimin e madh te Idromeno e bën miqësia me Pjetër Marubin. Janë ndikimet gati ilumiste për të mos thënë “iluminati” të Marubit, që e bëjnë familjen e Idromenos si i ati Arseni dhe Roza Saraçi e ëma që morën vendimin ta çonin që 15 vjeç për të studiuar në Venecie. Aty rilindja Italiane dhe iluminizmi por dhe kohët revolucionare, e krijuan si një njeri të diturive dhe zanateve të “thekshme” që kishte shumë nevojë Shkodra dhe Shqipëria. Idromeno, vjen i ditur dhe si rilindas i bashkohet “Lidhjes së Prizrenit”. Arti, arkitektura, dhe mendimet disi laike dhe me paksa ndikim mason, bëjnë punën e tyre si një talent i jashtëzakonshëm ndërtues në shpirt. Tashmë talenti, “Dritshkronja” dhe piktura, ishin të vërteta, por e vërteta e madhe ishin ndërtimet dhe projektet e tij moderne në Shkodrën orientale. Idromeno është krijuesi dhe zbatuesi i shtëpive të modelit europian në Shkodër dhe kuptohet shumë përpara qyteteve të tjera në Shqipëri. Ishin modelet që kishte bregdeti dalmat dhe që imitonin Europën e zhvilluar. Me vizatimet e tij dhe shumë herë zbatimin e tij, me materialet e sjella nga Italia dhe perëndimi, u ndërtuan shtëpitë ndryshe, ( në Shkodër ju thonë model venecian) që nuk kanë lidhje me ato tradicionalet e deriatëhershme si në lagjet muslimane dhe katolike pikërisht në Shkodër. Me Idromenon kanë lidhje fasadat e bukura të stilit perëndimor në Shkodër. Po ashtu dritaret e mëdha dhe grilat e bukura. Po ashtu rrugët e drejta dhe dyqanet rresht me harqet e mrekullueshme dhe dyert e standartit të ri modern për kohën në Shkodër dhe të panjohura në Shqipëri. Shumë shtëpi të pasurish kishin projektin dhe zbatimin e Idromenos. Tubacionet dhe kanalizimet, kanë emrin dhe zbatimin shpesh herë të tij. Me Idromenon, u krijua ajo Shkodër e bukur e dikurshme mes orientit dhe oksidentit. Me Idromenon, mrekullia shkodrane e këtyre ndërtimeve si orientale dhe perëndimore në stil, u fotografuan dhe shumë prej tyre u stamposën në kartolinat austriake dhe italiane, për të njohur Shkodrën në të gjithë botën. Idromeno ishte arkitekti i volumeve dhe masave të reja dhe të ndryshme nga dikur. Idromeno, ishte arkitekti që nuk ju binte në qafë karakteristikave të mrekullisë në trashëgimi. Ajo Shkodër e ndërtuar apo projektuar apo vazhduar në stilin e tij, është më e bukur edhe sot, përballë trishtimit që të japin shumë ndërtime idiote të një kapitalizmi dhe urbaneje pa moral. Prandaj unë në këtë 155 vjetor, e kujtoj kryesisht për arkitektin e iluminuar që ka qenë. Kam propozuar gjithmonë dhe në shkrime për një bust në qendër të qytetit për talentin e madh, por ka akoma në qytetin tradicional të veriut, disa tipa që nuk duan “Idromenizmin” dhe këtë risi të madhe krijuese dhe moderne që të lulëzojë në qytet. E kjo nuk ka lidhje me religjionin, por me zëmër dhe mëndje mbyllurit injorantë, drejtues në shumë organizma të qytetit, që kanë arritur të katapultohen politikisht pa merita dhe aftësi. Qyteti ka arkitektë sot dhe mbase kjo duhet theksuar, por janë pak ato, që kanë mentalitetin kontribues dhe kreativ të Idromenos. Edhe ato që janë në pakicë si zoti Zef Çuni, kanë mundur vetëm të flasin hapur dhe fort, kanë mundur të kontribuojnë me projektet e tyre private që duken në Shkodër, por nuk ju është dhënë kurrë mundësia qoftë dhe pa fitim, të kontribuojnë realisht për punë të rëndësishme publike të mëdha të qytetit. Jo, nuk janë lejuar nga marrëzitë e sotme urbanistike dhe arkitektonike të klientelizmit rrufjan. Idromeno në vitin 1913, kur ishte Internacionali dhe në kohën e guvernatorëve Barney dhe Philips, u vlerësua për idetë dhe momentin e tij krijues artistik. Duke filluar nga kjo kohë u intensifikuan dhe ndërtimet e stilit të ri në Shkodër. Gjatë 45 viteve të diktaturës, në Shkodër, u bënë ndërtesa të reja, u hapën disa rrugë të gjëra të cilat i dhanë një karakteristikë tipike të modelit zhvillues socialist. U krijua zona industriale dhe u ngritën disa dhjetra parqe dhe sheshe. Ndërtimet e asaj kohe, ishin më tepër një raport i dobët me arkitekturën, por diçka urbane normale kishin, dhe zbatonin një fizionomi të tillë. Nuk ishin askund me rëndësinë e ndërtimeve të tipit “Bashkia e Shkodrës” por gjithsesi Shkodra u prek pak,ose aspak nga marrëzia arkitektonike dhe urbanistike. E vetmja gjë që prishte pothuaj gjithë Shqipërinë ishte mentaliteti bunker. Këto ditë në plazhin e Velipojës, por pikërisht në Rrjoll, njërin prej bunkerëve që kishin shkatërruar, dikush e kishte “rindërtuar me mbeturinat e shkërmoqura” në formën e një shtëpie. Kjo ishte “metamorfoza e një apoteoze”, e cila kishte lënë mijra shtëpi pa ndërtuar për të ndërtuar …bunkerët ?! Një diçka e paimagjinueshme, por që një mëndje realiste, e kishte kthyer në vepër arti, në dije, apo pa dije të asaj se çfarë po bënte. Duhej një Idromeno, për të parë se ku kishte shkuar puna mbas shumë vjetësh nga koha e tij. Ai bunker i shkërmoqur dhe i ricikluar në materialin e mbetur, për ndërtimin e një shtëpie, ishte një kryevepër. Ky duhet të ishte destinacioni i vërtetë, por ja që lekët, mundi dhe urbanistike ku kishin përfunduar. Sot në Shkodër, por të ngjitesh në kala ose Tarabosh, shikon “marrëzinë urbane dhe arkitektonike në liri”, ose të ashtuquajturën liri në ndërtim?! Qyteti i bukur i Idromenos. Me mundësitë e tij të dikurshme, sot është diçka pa formë, pa rrugë të qarta dhe të perspektivës. Kudo “kunja” dhe kudo “arkitekturë” idiote, pa lidhje me asnjë sistem urban dhe në mos respekt të mjedisit. Pa vende parkimi makinash dhe pa lulishte, pa hapsira publike, dhe në prishje të asaj gjëje të bukur të dikurshme të Shkodrës. Një shëmtirë, e cila i bie në qafë bukurisë natyrore të Shkodrës. Kanë 25 vite që e bëjnë këtë marrëzi dhe kanë tendencën ta vijojnë dhe sot. Nuk pyesin arkitektë dhe urbanistë, por dhe kur i rekrutojnë, janë të pa zot jo vetëm prej talentit të munguar, por dhe se duhet të zgjidhnin problemet e “interesave politiko-urbane të politikës sunduese në Shkodër”?! Jo vetëm që nuk ka pasur peshë “urbanistika”, por në krye të saj u vendosën njerëz që “nuk kishin lidhje me Shkodrën”. Asnjë lidhje përveç martesës dhe “martesës politike”, por asnjë trashëgimi tjetër?! Vetëm në Shkodër, shtrohet rruga me gurë “Berati” ose “Skrapari” dhe bëhet Parruca një gurore?! Vetëm në Shkodër, qarkullimi urban është një idiotësi pa fund. Vetëm në Shkodër, ndërtesat vendosen në mënyrë absolute jashtë koncepteve urbane dhe ligjeve të arkitekturës së njohur dhe të qartë. Vetëm në Shkodër, lyhen ndërtesat (fasadat) dhe nxihen shpejt, sepse boja është …një mizerabilitet teknik dhe urban?! Vetëm në Shkodër lejet e ndërtimit (edhe pse kanë qëndruar më shumë se qytetet e tjerë të mëdha) janë një kontribut i qartë për shfarosjen e trashëgimisë, dhe kontribut, për antiurbanen qytetare. Kurse Shkodra e Idromenos dhe ajo përpara tij, ka pak hapsirë, por humbet përditë, dhe po vazhdoi kështu, një pjesë do të eliminohen vetë nga koha. Por ajo është Shkodra e bukur dhe vërtetë. Jo kjo që shikohet sot. Kjo është marrëzia e “lirisë si idiotëve” për të ndërtuar jo qytet dhe urbanen në qytet, por një kaos urban pa kuptim, me të cilin brezat e tjerë kur të vijnë do qeshin dhe tallen me ne, kurse ato akoma më vonë do thonë: Çfarë maskarenjsh paskan qenë?!
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply