
DR.ANTON PAPLEKA
Shqipëria politike e ’13 në Balada – Shqipëria politike e vitit 1913 në intensitetin e rrethanave historike, pati aftësinë për të poetizuar ngjarjet dhe dukuritë. Të kësaj periudhe i takon botimi i ri “Balada shqiptare”, të cilën e hartoi dhe përmblodhi dr.Anton Papleka. E përgatitur nga shtëpia botuese “Toena”, ky libër shpalos një pjesë të pasurisë së madhe poetike të letërsisë gojore shqiptare, mitet, legjendat dhe strukturat poetike.
Në rreth 450 njësi poetike, rreth 20 balada janë krejtësisht të reja, të papublikura e të panjohura më parë. Papleka thotë se ka ardhur koha, duke këmbëngulur, se duhet ngritur korpusi i baladave shqiptare, së cilës do t’i shërbente si kontribut edhe ky botim.
Gjithmonë është një nxitje drejt një pune të re, siç është rasti i botimit tuaj “Balada shqiptare”, cilat ishin shtytjet drejt hartimit të kësaj përmbledhjeje?
Për të hartuar këtë përmbledhje më nxitën shumë motive. Natyrisht më kryesori është për të nxjerrë në pah pasurinë e madhe të letërsisë gojore shqiptare, si një element shumë i rëndësishëm i kulturës sonë. Të mos harrojmë se përpara disa dhjetëvjeçarësh, një burrë shteti serb që e hiqte veten edhe si dijetar, Vladan Georgeviçi, thoshte: “Ndërsa shqiptarët nuk kanë asnjë këngë të vetme kombëtare për Shkodrën, bartët serbë këndojnë shumë beteja heroike rreth Skadarit, për më tepër, madje kanë një këngë për themelimin e tij. Është e çuditshme se si serbët që erdhën në shekullin e VII në Ballkan, kanë këngë për themelimin e kalasë së Shkodrës, ose Rozafatit, që ka ndodhur disa shekuj para erës së re. Pra, me logjikë do të ishin ilirët dhe pasardhësit e tyre shqiptarë, ata që do të bënin këngë dhe balada për themelimin e Shkodrës. E vërteta është se ndryshe nga ai dijetari serb, se për themelimin e Shkodrës, përveç njoftimit që na jep Marlin Barleti qysh në shek.IV, ka dhe dhjetëra balada me forma dhe struktura të ndryshme të mbledhura në qytetin e Shkodrës dhe fshatrat rreth saj. Më tej, Georgoviçi thotë se, “shqiptarët nuk janë aspak një komb, ato paraqesin vetëm një numër tribush që kanë ngjashmëri fisesh, që rrojnë ndaras nga njëri-tjetri, konkluzion: nuk kanë fare tip etnik, nuk kanë fare gjuhë kombëtare dhe nuk kanë fare kulturë”, fq.42. Pra, nuk duhet të reshtim së njohuri kulturën tonë, t’ua bëjmë të njohur të tjerëve, ta studiojmë atë, ndaj një ndihmesë në këtë drejtim është dhe botimi i sapodalë “Balada shqiptare”, ku shpaloset një pjesë e pasurisë së madhe poetike të letërsisë gojore shqiptare, shpirti, miti, legjendat, struktura poetike, aftësia për të poetizuar ngjarjet dhe dukuritë.
Sa kohë keni punuar mbi këtë botim, cila është periudha historike që keni përfshirë për t’ju shmangur botimeve paralele?
Për të përgatitur këtë botim më është dashur një jetë e tërë, duke qëmtuar krijime të tilla folklorike, derisa erdhi dita e kësaj përmbledhjeje. Natyrisht, nuk jam i pari që e filloj këtë punë, e kanë nisur të tjerë. Një prej tyre, Qemal Haxhihasani, ka botuar “Këngë popullore legjendare” në vitin 1955, në të cilin ka 32 balada me 14 tema dhe me 116 faqe. Po ashtu, në vitin 1974, është botuar në Prishtinë “Balada dhe legjenda”, ku ka 8 ndarje tematike me 97 njësi poetike, me mbi 300 faqe. Më 1982, sërish Qemal Haxhihasani ka bërë një ribotim të baladave popullore shqiptare me 37 tema. Ndërsa në përmbledhjen time ka 92 tema me rreth 450 njësi poetike, balada, variante, ku bëjnë pjesë kryesisht tekste të mbledhura tek arbëreshët e Italisë dhe në viset e Shqipërisë politike të 1913-ës. Nga bleni “Balada dhe legjenda”, botuar në Prishtinë, nuk huazova ndonjë tekst për të shmangur botimet paralele. Gjithashtu, për t’iu shmangur çdo lloj skematizmi, e pashë të arsyeshme që për klasifikimin e baladave të kësaj përmbledhjeje të mbështetesha te një kriter i vetëm: ai tematiko-motivor. Pas kësaj, sërish këmbëngul se duhet të botohet korpusi i baladave shqiptare. Në këtë kuadër mendoj se botimi që sapo nxora, mendoj se është një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim.
Ndërsa për baladat shqiptare ende nuk është menduar që të përmblidhen në një korpus botimi, mund të na thoni si e shikoni gjendjen e botimeve mbi këtë lëndë folklorike?
Së pari, dua të them se për të botuar këtë libër kam hequr të zitë e ullirit, megjithëse e kam fotokopjuar me lekët që duhej të pija një kafe, me lekë të xhepit. Kam trokitur në disa institucione që duhet të më ndihmonin, madje dhe në Fondacionin “Fan Noli”, jo vetëm që nuk më ndihmuan, por kur panë dosjen, bukur e trashë, më shikuan me çudi, sikur kisha ndonjë gjë të përçudnueshme. Por për fat të mirë u tregua dashamirës botuesi i “Toena”-s, Fatmir Toçi, duke e botuar.
Nuk mendoj se me këtë botim është arritur gjithçka. P.sh., po dal te rumunët, të cilët vetëm për baladat kanë botuar 7 mijë tekste. Pra, atje është bërë një punë mjaft sistematike, kur dhe ne kemi shumë punë për të bërë, për të zbuluar gjëra të reja, për të mbledhur ato që janë shpërndarë nëpër botime. Ka mjaft tekste që janë botuar nëpër gazeta dhe revista qysh në fillim të shek.XX, të cilat nuk janë përfshirë në asnjë botim folklorik. Veç këtyre kam botuar rreth 20 balada, të mbledhura vetë, që nuk janë të botuara ndonjëherë, ndërsa të tjerat nuk janë përfshirë në asnjë botim folklorik, sidomos në përmbledhjet me balada.
Zakonisht baladat dhe legjendat janë botuar pa autor, kurse në botimin tuaj janë të identifikuar bartësit. Çfarë rëndësie shkencore merr kjo për një vepër?
Pikërisht në këtë botim është shënuar mbledhësi, duke u bërë homazh bartësve dhe ruajtësve të rëndësishëm të baladës shqiptare dhe poezisë gojore, që janë priftërinjtë katolikë, të cilët i kanë mbledhur tekstet në popull, por që nuk u është përmendur emri asnjëherë në botime. Po kështu kam shënuar dhe emrat e atyre që i kanë kënduar dhe i kanë treguar këto balada, të cilët në shumë raste nuk u ishte shënuar emri. Kjo merr rëndësi, sepse i shtohet vlera shkencore, autenciteti i krijimit, sepse dihet nga është marrë, dihet burimi, po njëkohësisht u bëhet nderimi i duhur bartësve të folklorit shqiptar dhe vlerave të tij, që janë gjithkombëtare.
Intervistoi: Violeta Murati
Poetika e historisë së Shqipërisë politike në vitin 1913 përmblidhet në botimin e ri “Balada shqiptare”, hartuar nga Anton Papleka; Ky botim me 450 njësi poetike përfshin dhe tekste të mbledhura nga arbëreshët e Italisë; E përgatitur nga shtëpia botuese “Toena”, ky libër shpalos një pjesë të pasurisë së madhe poetike të letërsisë gojore shqiptare, mitet, legjendat dhe strukturat poetike
Leximi i disa përmbledhjeve me folklor letrar më bindi se baladat popullore shqiptare ishin më të pasura dhe më të larmishme nga sa ishin paraqitur deri më sot, sidomos në botimet e Tiranës. Nuk mund të mos ndieje keqardhje, duke vënë re se shumë tekste me atributet e baladës kishin mbetur pa u përfshirë në rubrikat apo në përmbledhjet me balada. Për të qenë objektiv, duhet të sqaroj se kjo gjë nuk kishte ndodhur për faj të përgatitësit, por për shkak të censurës shtetërore, e cila ka vepruar në vitet 1944-1990. Tërthorazi, këtë censurë e ka denoncuar edhe folkloristi i njohur Qemal Haxhihasani, i cili ka pohuar: “Duke u nisur nga karakteri i botimit, në këtë përmbledhje janë lënë jashtë disa këngë që, ndonëse e kanë formën e mirëfilltë të baladës, po që nuk i përgjigjen qëllimit edukativ të vëllimit, (si p.sh., kënga e Selman Likës, e vëllavrasjes, e tradhtisë së gruas etj.)”.
Pikërisht, kjo mangësi, e papërligjur shkencërisht, qe shtysa e parë që më nxiti t’i hyja punës për të grumbulluar lëndën e kësaj përmbledhjeje. Me këtë botim të ri dëshiroj të arrij këto synime:
1. Të përfshihen në repertorin e baladave popullore shqiptare disa tekste të pabotuara deri tani si dhe disa tekste të botuara, por që nuk janë cilësuar si balada.
2. Të paraqiten tekstet e plota të atyre baladave, të cilat në të kaluarën janë cunguar, u janë hequr disa vargje, për shkak të censurës së kohës.
Kështu ka ndodhur edhe me baladën e lashtë “Murimi në kala”, e cila në botimin e vitit 1956 mbyllej me këto vargje: “Gjini i em u nguroftë/ E kalaja u forcoftë/ Djali i em e gëzoftë,/ U baftë krajl e n’të luftoftë!” . Në botimin e vitit 1982, mbyllja e mësipërme është gjymtuar kësodore: “Gjini im u nguroftë/ e kalaja u forcoftë!…”. Për këtë dukuri antishkencore, Q.Haxhihasani shkruan: “Këngët janë shkarkuar në ndonjë rast nga elemente të errëta e të paqarta, nga ndonjë element i papërshtatshëm”.
3. Në botimet e gjysmës së dytë të shekullit XX kanë munguar emri i bartësit e, sidomos emri i mbledhësit të baladës. Kjo ka ndodhur ngaqë më të shumtit e mbledhësve kanë qenë priftërinj katolikë. Veç vlerës shkencore të pamohueshme që ka publikimi i emrave të bartësve e të mbledhësve, do të jetë edhe një homazh i merituar për ata intelektualë apo folkloristë që kanë shpëtuar nga humbja visarin e traditës sonë poetike.
Për vlerën e shumanshme të baladave tona popullore, Q.Haxhihasani thotë: “Baladat, me përmbajtjen ideore dhe ndërtimin artistik, me pasurinë e motiveve dhe të elementëve kulturorë që sjellin, paraqesin një interes të veçantë në folkloristikën shqiptare”.
Sipas Sadri Fetiut, balada zë një vend të veçantë në sistemin e folklorit letrar dhe është një ndër objektet kryesore të folkloristikës: “Të studiosh baladën sot, do të thotë jo vetëm të depërtosh në çështjet më thelbësore të poezisë së popullit, por edhe të gjurmosh në hollësitë arkeologjike e këngës popullore”. Për vlerën e jashtëzakonshme të baladave, dëshmon edhe ndikimi i tyre i madh në letërsinë e shkruar. Tekste të këtij lloji poetik kanë qenë matrisa e disa veprave madhore të letërsisë sonë të shkruar.
Megjithëse mbledhja e baladave popullore shqiptare zë fill në dorëshkrimin e Kieutit, më 1737, dhe ato kanë bërë pjesë në botimet më të hershme të folklorit tonë letrar, deri aty nga mesi i shekullit XX, nuk janë konsideruar si një lloj më vete i poezisë gojore, nuk janë ndarë veçmas në përmbledhjet folklorike dhe nuk janë emërtuar si balada. Me sa di unë, mbledhësi dhe botuesi i parë, që është përpjekur t’i veçojë nga tekstet e tjera poetike, ka qenë Stavro Th.Frashëri, i cili i ka quajtur “Këngë mallnjimi”. Ky emërtim ka ngjashmëri me emërtimet popullore për baladën, të cilat i përmend Anton Çetta si “Kangë të moçme, kangë të dhimbshme, kangë t’përmallshme”.
***Termi shkencor “baladë” është përdorur në përmbledhjen “Këngë popullore legjendare”, ku janë botuar disa nga tipat më të njohur e më të përhapur të baladave tona. Kjo praktikë ka vazhduar në përmbledhjet “Balada e legjenda” dhe “Balada popullore shqiptare”. Për prejardhjen e termit “baladë”, për zanafillën dhe tiparet e baladës evropiane, kanë shkruar gjerë e gjatë autorë të tjerë, prandaj nuk më duket e udhës t’i rimarr këto çështje të njohura.
Përkundrazi, e quaj të nevojshme të ndalem te një çështje tjetër, siç është përdorimi i termit “legjendë” në ndonjë botim apo në ndonjë trajtesë teorike. Kështu ka ndodhur te përmbledhja “Visaret e Kombit” II, ku termi “legjendë” ka mbuluar disa tekste që janë balada të mirëfillta si: “Rozafati”, “Dy vëllazënt”, “Nama e grues”, “Halil Garrija”, “Gjon Pretika”, “Ali Borxhalia”, “Ago Imeri”, “Kotuzi”, “Ager Isvano”.
Përdorimin e termit “legjendë” për të shenjuar disa tekste të tjera, folkloristi A.Çetta është përpjekur ta argumentojë kështu: “Sa i përket ndarjes së këngëve të këtij bleni në balada dhe legjenda, kemi marrë një qëndrim të prerë – i kemi konsideruar këto si dy lloje më vete të poezisë sonë popullore, me emërtim të veçantë për secilin lloj, duke u mbështetur në botën tematikore që ato përfshijnë: a) baladat, këngë liriko – epike me një notë të theksuar dramatike dhe me syzhe nga jeta e rëndomtë – nga jeta familjare dhe lidhjet dashurore, në të cilat, aty-këtu, elementet ireale, të mrekullueshme, luajnë një rol episodik dhe b) legjendat, këngë me syzhe mitike, përrallore dhe fetare”.
Ndarja e mësipërme nuk përligjet shkencërisht, sepse ka balada, në të cilat është e pranishme një shtresë mitologjike fetare. Po të pranonim një klasifikim të tillë, pra, po të quanim legjenda “këngët me syzhe mitike, përrallore dhe fetare”, si të tilla do të konsideroheshin pjesa më e madhe e atyre teksteve, të cilat janë quajtur “këngë legjendare”. Në praktikën e botimit termin “legjendë” e ka përdorur edhe studiuesi i njohur Dhimitër S.Shuteriqi. Në rastet e lartpërmendura, mund të ketë ndikuar folkloristi francez Arnold Van Gennep, me librin e tij “Formation des légendes”, në të cilin fjala “legjendë” ka kuptimin e epikës legjendare.
Përgjithësisht, në folkloristikën tonë, me termin “legjendë” apo me barazvlerësin e tij shqip “gojëdhënë”, është emërtuar një tekst letrar në prozë. Me sa duket, i këtij mendimi ka qenë edhe Q.Haxhihasani që ka shkruar: “Disa këngë dhe legjenda në prozë bëjnë fjalë për lindjen e heronjve…”. Nga sa u shtjellua deri tani, kuptohet se nuk është me vend të quhet “legjendë” ndonjë tekst poetik, edhe kur aty është brendatrupëzuar një shtresë mitologjike apo fetare. Edhe në folkloristikën ballkanike, tekste të tilla poetike klasifikohen si balada fantastike…
Për shkak të rrethanave të pavolitshme historike e kulturore, studimet për baladat shqiptare kanë qenë të vonuara, të pakta dhe ndonjëherë pa thellësinë e duhur shkencore: “Vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit, pra në vitet tetëdhjetë të këtij shekulli, balada ka filluar të trajtohet në studimet shqiptare, në mënyrë më të plotë si këngë e poezi, e cila i përket llojit të veçantë dhe të krahasohet me motive të ngjashme të këngëve të popujve të tjerë të Ballkanit, si dhe të shikohet shtrirja e saj edhe brenda poezisë epike historike dhe përgjithësisht lidhjet e saj me lirikën popullore”.
Në fushën e studimeve për baladat tona popullore kanë dhënë ndihmesë disa autorë si: Eqrem Çabej, Qemal Haxhihasani, Fatos Arapi, Jorgo Panajoti dhe Anton Çetta. Për mendimin tim, monografia e Sadri Fetiut “Poetika e baladës popullore shqiptare” është njëherazi sinteza dhe pika më e lartë e studimeve tona për këtë lloj poetik. Në këtë libër përcaktohen qartë dhe me rreptësi shkencore ato veçori përmbajtësore dhe strukturore, të cilat bëjnë që një tekst poetik të jetë baladë, të dallohet nga llojet apo nënllojet e tjera të poezisë gojore.
** Duke u mbështetur te kriteret shkencore, S.Fetiu i ka klasifikuar saktësisht disa tekste të poezisë sonë gojore, siç është rasti i këngës së mirënjohur “Gjergj Elez Alia”. Ky studiues argumenton se kënga në fjalë nuk është baladë, siç është cilësuar ndonjëherë, por është këngë heroike, sepse në të rol vendimtar luan veprimi heroik, ndeshja e protagonistit me Balozin e zi dhe vrasja e këtij të fundit. Në këtë tekst, konflikti kryesor është një konflikt luftarak midis “heroit shqiptar dhe dhunuesit të huaj”.
Veç kësaj, unë do të shtoja se në variantin e kësaj kënge, mbledhur në Shëngjergj – Tropojë, mungon fare elementi lirik. Po ashtu, dihet se në disa versione të këtij teksti, Gjergj Elez Alia është jetim i mitur ose një kreshnik si gjithë të tjerët, pra, nuk është as i sëmurë, as i plagosur. Si i tillë, nuk ka arsye që ai të përqaset apo të identifikohet me protagonistin e baladës sllave “Dojçini i sëmurë”.
Nga ana tjetër, disa tekste poetike që rëndom janë integruar në epikën historike, me të drejtë ky studiues i quan balada. Të tilla janë këngët: “Shtatë shaljanët ranë tu Shtojt”, “Selman Lita”, “Fryni era, u çel taraba”, “Kënga për masakrën e Manastirit”, “Bilbilenjtë”, “Në fushë të Kosovës lidhet jezeri”. Po kështu është vepruar edhe me këngën arbëreshe “Mori e bukura More”. Një vizion të ngjashëm për baladën, për shtrirjen e saj, ka pasur edhe Q.Haxhihasani, i cili në përmbledhjen e vitit 1982, ka quajtur balada disa tekste poetike, që të shumtën e herës janë konsideruar si lirika: “Mori drandofillja e bardhë”, “Ndër dega të ftonit t’butë”, “Ndër gropat e Shkodërasë”, “Mori mollkuqeja mollë”, “O Rumije bjeshkë e naltë”, “N’drrasë të vekit kush po kan”, “Do të dal, moj nënë, do të dal nga malet”, “Shokë, bimëni jongarë”, “Dolla në buzë të avllisë”, “Qerime, çup’ e parritur”, “Shkapërceva dy-tri male”, “Blegërin delja në mal” etj.
*** Në të shkuarën, nuk kanë munguar rastet kur klasifikimi i teksteve ka qenë i pasaktë dhe, si rrjedhim, i paqëndrueshëm. Për të ilustruar këtë dukuri, po përmend vetëm një shembull, siç është kënga për vrasjen e Maze Merkos. Te “Bleta shqiptare e Th.Mitkos, kjo këngë bën pjesë në ndarjen “Kënga shqype trimërishte”; te “Valët e detit” e Spiro R.Dines, futet te ndarja “Vjersha popullore trimërishte”. Po ky tekst është përfshirë edhe te vëllimi “Këngë popullore lirike”. Kështu ka ndodhur edhe në baladën e mirënjohur “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, të cilën J.G.Hahn e ka futur te ndarja “Vaje” dhe e ka titulluar “Një elegji e vjetër, shumë e përhapur, për vdekjen e një ushtari të ri shqiptar”. Më vonë, ky tekst është konsideruar herë si këngë historike e herë si baladë.
Mendoj se veç shembujve të lartpërmendur, ka edhe një mori tekstesh të tjera, të cilat presin të klasifikohen në mënyrë shkencore. Bie fjala, teksti poetik “Ajkuna kjan Omerin” është futur në përmbledhjet me këngë kreshnike. Pyetja e parë që mund të bëhet është kjo: a ka në të veprim heroik? Në një tekst prej 90 vargjesh luftimit i referohet vetëm një varg, madje, edhe ky si pësim: “…djalin shkjetë ja paskan vra”.
Meqë në të nuk ka kurrfarë veprimi heroik, nuk ka ndonjë arsye për ta konsideruar si këngë kreshnike. Ky tekst nuk mund të merret as si vajtim, as si vajtim i mirëfilltë, sepse nuk është improvizim ritual, i bërë nga ndonjë vajtore mbi kufomën e trimit të vrarë, por është një përjetim poetik i një lahutari gjenial, i cili ka shprehur dhimbjen që mund të ndiejë nëna për vdekjen e djalit të vetëm.
Në ndonjë botim të mëparshëm, më ka tërhequr vëmendjen një dukuri domethënëse: disa tekste, që sot i quajmë balada, kanë si nëntitull fjalën “Valle”, e cila etimologjisht lidhet me fjalën “baladë”. Kështu ka ngjarë te përmbledhja “Kangë popullore gegnishte”, me këngët” “Moj e bija e hoxhë Mehmetit”, “Mori drandofidhja e bardhë”, “Ç’u këput një buzë prej malit”, “Ndër dega të ftonit t’butë”, “Moj Nasibe sytë e shkrue”, “Hanko Tata del në derë”, “Sa bukur zogu i ltinit” etj. Edhe te përmbledhja “Këngë e melodi nga festivalet folklorike kombëtare”, botuar më 1986, kënga “Bilbilenjtë” mban nëntitullin “valle”. Me sa duket, përgatitësit e përmbledhjeve të mësipërme e kanë ndier me intuitë se këto këngë kishin atribute të baladës.
Në stadin e tanishëm të studimeve dhe të botimeve tona, besoj se ka ardhur koha që të synohet për një klasifikim sa më të saktë të teksteve të poezisë sonë gojore, duke korrigjuar gabimet që mund të jenë bërë në të shkuarën. Jam i vetëdijshëm se do të ketë zëra që mund të thonë se kësodore na u varfëroka ky apo ai lloj poetik. Një vërejtje e tillë nuk mund të qëndrojë, sepse klasifikimi i saktë i këngëve, si çdo klasifikim tjetër, nuk mund të jetë shkak varfërimi apo pasurimi. Pavarësisht se çfarë lloji letrar i takon një tekst letrar, ai mbetet pasuri e folklorit tonë. Tek e fundit, klasifikimi nuk merr parasysh keqardhjen apo parapëlqimin për këtë apo atë lloj, por vetëm kriteret shkencore.
Sidoqoftë, sado të sakta që të jenë klasifikimet, edhe në të ardhmen do të ketë tekste të diskutueshme, sepse “… ka edhe forma të krijimeve hibride, që qëndrojnë ndërmjet baladës dhe këngës historike”.


Leave a Reply