
Aleksandë Vezuli
Rrëfimet e një kompozitori shqiptar
Redaktoi : Mimoza Vezuli
Kopertina: Gerald K. Rexho
Formati: 14.5 X 20.5
ISBN: 978-9928-193-73-5
Botimet ADA
Shtëpia Botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, maj 2015
Është hera e parë në historinë e letërsisë shqiptare që një kompozitor shkruan autobiografinë e tij.
Në këtë libër autobiografik prej 588 faqesh shpalosen për herë të parë përpara publikut fakte reale, ndodhi, ngjarje nga jeta e tij në rrugën e gjatë e të vështirë muzikore, si dhe peripecitë e panumërta që i kanë ndodhur pas largimit nga atdheu më 1990, ose më mirë të themi pas largimit nga cezura artistiko-politike.
Parathënia që vijon më poshtë shpreh kuintesencën e këtij libri.
Parathënie
Të gjithë e dimë shprehjen “Varrit t’ia tregoj se ç’kam hequr”, kur kujtojmë dhimbjet apo vuajtjet që kemi kaluar gjatë jetës. Për mua ato dhimbje dhe vuajtje kanë qenë të panumërta, të cilat vendosa t’i rrëfej në këtë autobiografi.
Kuptohet që unë, nuk jam Mozarti, por edhe unë kam pasur
Salierin tim. Kuptohet që unë, nuk jam Cezari, por edhe unë
kam pasur Brutin tim. Do të dëshiroja të isha Davidi e të mundja
Goliatin tim, por fatkeqësisht nuk jam.
Nuk jam unë ai që shkruaj, por shpirti im, i cili kishte kohë që më fliste: “Shkruaj! Çfarë ka ndodhur në tokë, duhet të mbetet në tokë, e çfarë është nën të, lërja zbuluesve ta zbulojnë.” Nuk dua të iki nga kjo botë, pa shprehur atë të vërtetë që më mundon në shpirt.
E vërteta në këtë libër, mund të jetë e hidhur për disa, por mos harroni se këta “disa”, më hidhëruan dhe mua për së gjalli në vitet e rinisë, kur si xhelatë të pamëshirshëm, u prenë kokën “fëmijëve të mi”, krijimeve të mia. Këta “disa”, lënduan zemrën time, kafshuan shpirtin tim, më kafshuan aq fort me dhëmbët e tyre të fuqishëm, sa më bënë copë e plagë… plagë që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time. Ata xhelatë, ato “kafshë të egra artistike”, vranë që në bark të nënës, pa lindur akoma, këngët e veprat e mia, duke mos e lënë publikun t’i njohë ata fëmijë. Këtë krim ndaj “fëmijëve të mi”, muzikës sime, nuk do t’ua fal kurrë.
Ai hidhërim i atyre viteve, për një arsye a për një tjetër, më ndoqi si një re e zezë dhe në vitet e mëpasme jashtë atdheut, re, e cila zinte dhe atë copë diell, që dilte herë pas here e mundohej të ndriçonte sadopak jetën time, ai hidhërim që mori trajtën e një mallkimi, arriti në pikën e tij më të lartë gjatë viteve të mia të
leucemisë, ai hidhërim, ajo dhimbje, ajo brengë e ndrydhur për vite të tëra, më së fundi gjeti mënyrën të dalë e të marrë kurajën të shkruajë këtë libër.
Autori
Burimi – Facebook


Leave a Reply