Pas dritares kishte ardhur e drojtur, ajo, ëndrra endacake
Ah, s’kisha rregulluar dhomën për miken ballëpraruar.
E thinja e parë më tradhëtoi e më solli ca copëza nate
Teksa Rozafa po më sillte nga Kalaja pak qumësht të gurëzuar.
E sytë i ktheva në bahçe ku vetë isha kopështari.
E si kovaç duarnxirë e i palodhur farkëtoja … puthjet.
Oo, ëndrra më kishte ardhur në derë si një dru i patharë
E priste duart e mia të dridhura që t’ia rrihte supet.
E hëna qiellore ish fshehur si vajzë pas reve të nxrirosura.
e Zanat që ma sollën ëndrrën, shkuan në udhë shitimi.
Po vinte nga larg AJO, nga një udhë hyjnore e pasosur.
Me një violinë telnderur që i mungonte violinisti.
2.
E derën s’ia mbylla, po dhe në kolltuk s’e ftova
Kish folur heshtja e perdja që tundej si flutur te xhami
.. Kish ardhur e kishte ikur sërish… ËNDRRA endacake.
Diku e priste padurimthi nata, agimi, rudina, tufani.
Diku e priste lisnaja, mulliri e ara me grurë të pjekur.
E priste një log burrash pa valle, pa lodra e lahutarë
…Fjalët m’u kthyen në mëndafsh që vesh vetëm mbretër
E dora m’u bë si fluger i zemrës së djegur si prushnajë.
Kishte ardhur ajo, ëndrra endacake….
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply