Bashkë me zhvillimin e banesës popullore u zhvillua dhe u pasurua edhe mënyra e mobilimit të mjedisit të saj.
Në kuzhinat shqiptare zakonisht përdoreshin enë balte, prej druri dhe prej bakri për gatimin e ushqimit, pjekjen e bukës dhe ruajtjen e bylmeteve. Përdorimi më shumë i njërit grup apo tjetrit varej nga forca ekonomike e familjes dhe nga mjedisi gjeografik i vendosjes së objektit.
Në familjet e varfëra fshatare mbizotëronin enët prej druri dhe ato prej balte. Raporti i tyre ndryshonte varësisht nga vendodhja e fshatrave. Në zonat malore mbizotëronin enët prej druri si në ato të ngrenies, të bylmetit apo ato të ruajtjes së zahireve (ushqimet e konservuara). Në zonat fushore mbizotëronin ënët prej balte si ato që përdoreshin për ngrënie dhe për ruajtjen e ushqimit, ato për mbajtjen e bulmetit dhe enët e ujit. Rrallë ndonjë enë mund të ishte prej druri apo prej bakri. Në familjet me të ardhura mesatare dhe për më shumë në familjet e pasura, mbizotëronin enët prej bakri dhe ato prej porcelani.

Edhe mobilimi i mjediseve të përdorura për fjetje ndryshonte sipas pozicionit gjeografik dhe forcës ekonomike të familjes. Zakonisht këto mjedise ishin mjaft të thjeshta. Në zonat malore me klimë të ftohtë antarët e familjes flinin në shtretër prej druri mjaft të thjeshte të shtruar me fier të thatë ose me kashtë, të mbuluara me plafe prej leshi. Në zonat fushore të Shqipërisë së mesme dhe sidomos në Myzeqe flinin në shtroje të vendosura mbi dysheme. Në qytete këtyre mjediseve u kushtohej më shumë vëmendje, duke i paisur me shtretër, me dyshek dhe çarçafë të endur në avlëmend shtëpish. Njëkohësisht me këto mjedise zinin vend dhe baule të madhësive të ndryshme, ku ruheshin rrobat e çiftit dhe të fëmijve të tyre.

Kujdes më i veçantë u kushtohej dhomave të caktuara për pritjen e miqve. Në disa raste ato ambjente u ngjanin ekspozitave të vogla etnografike në të cilat mund të admiroje llojet e shtrojeve më të mira, si qilima, sexhade, velenca, jastekë etj; gdhendje të ndryshme në dru si tavanet, kapakët e dollapeve, trapazanët etj, etj. Perveç këtyre në këto dhoma gjithnjë ishin të pranishme enë të ndryshme prej bakri apo prej balte e porcelani, takëmi i kafesë, instrumentet popullor të krahinës, armë të varura në mur etj. Veçanërisht në qytete dhomat e miqve shquheshin për paisjet e shumta e të punuara me mjeshtri, sidomos në familjet e pasura, mund të shiheshin mobilje e paisje të ardhura nga qendrat e zhvilluara të vendeve evropiane si dhe nga vendet e Lindjes.

Të gjitha këto mjedise dhe paisje të tjera ishin pjesë e mënyrës së jetesës të krahinave të ndryshme shqiptare. Ndërkohë edhe veglat e punës të përdorura nga bujqit, blegëtorët apo zanatçinjtë e ndryshëm, pasqyrojnë mënyrën e jetesës.
* * *
Një nga aspektet e rëndësishme të mënyrës së jetesës janë veshjet popullore të cilat me larminë dhë variantet e tyre pasurojnë trashëgimine kulturore shqiptare.

Ashtu si veglat e punës, banesa dhe ushqimi edhe veshjet konsiderohen ndër mjetet kryesore të jetës së njeriut. Gjurmët e para të përpjekjeve të njeriut për të veshur trupin e tij, vërehen në paleolitin e vonë (në fillim të rendit gjinor). Ndonse kategori të ndryshme e shpjegojnw origjinën e veshjeve me arsye estetike, magjike, etj, mendojmë se arsyeja më bindëse ishte nevoja, për të mbrojtur trupin nga faktorët klimatikë, për t’u ndjerë më ngrohtë e më i mbrojtur edhe nga faktorë të tjerë. Gjithmonë duhet ditur se zhvillimi i saj ka ecur paralelisht me zhvillimin shoqëror, historik e kulturor të njeriut, duke patur si qëllim kryesor mbrojtjen e komoditetin e trupit dhe pastaj zbukurimin e pjesëve të veçanta.

Gradualisht në proçesin e zhvillimit të shoqërisë njerzore u krijuan veshje në përshtatje me stinën, me seksin, me rastin kur përdorej, me moshën, profesionin si dhe shtresën shoqërore. Të gjitha këto kanë krijuar atë pasuri e larmi të madhe veshjesh. Ashtu si të gjithë popujt e botës edhe shqiptarët, ndonwse tw vogwl nw numwr, e kanë këtë begati kulturore. Me kohë u krijuan edhe tipet etnike të veshjeve popullore shqiptare. Shijet estetike të përdorura për zbukurim, por edhe mënyra e stilimit janë ato që pasqyrojnë veçanti etnike. I gjithë zhvillimi i veshjeve, është i lidhur ngusht me historinë e zhvillimit te kjo popullsi, për pasojë edhe me historinë e popullit shqiptar.

Elemente më të hershëm të veshjeve konsiderohen llojet e shalleve që hidheshin krahëve, brezat, përparjet, strukat (si kapuçonë), lëkurët e kafshëve të egra etj. Si dëshmi për mënyrën ë përgaditjes së tyre janë llojet e fibulave, boshtet e përdorura për tjerrje, peshat e avlëmendeve etj. Me kalimin e kohës pjesët e veshjeve dhe materialet e përdorura për përgaditjen e tyre u shtuan dhe u pasuruan më tej.
Për veshjet popullore shqiptare mund të flitet pas formimit të kombësisë shqiptare. Siç dihet formimi i bashkësive ekonomike e kulturore tek shqiptarët filloi në shek. XII me Principatën e Arbërit. Më pas pasuan të tjera, e kështu gradualisht muarën zhvillim të fuqishëm qendra ekonomiko-tregtare, të cilat prodhonin mallra jo vetëm për tregun vendas por edhe për eksport. Në kohën e formimit të principatave feudale, filluan të marrin pamjen e tyre edhe veshjet popullore. Siç dihet këto principata ishin të ndara e të mbyllura në vetvehte, çka bëri të krijohen dallime të ndjeshme edhe në kulturën materiale e shpirtërore. Në këtë kontekst u krijua edhe ajo larmi e pasurisë së kostumeve popullore, gjurmët e të cilave u ruajtën deri në shek. XX. Por dallimet janë edhe rezultat i proçeseve kulturore, që ndodhën pas pushtimit turk. Një kategori popullsie e cila përqafoj fenë muslimane ra më shumë nën ndikimin e kësaj kulture. Nderkohë dallimet u krijuan edhe nga krijimi i shtresave të ndryshme shoqërore si dhe nga krijimi i profesioneve të ndryshme. Megjithatë duhet theksuar se pavarsisht nga ndikimet e kulturave përendimore e lindore (për shkak të pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe kushteve të zhvillimit historik) apo dallime klasore, tipologjia e hershme e veshjeve popullore shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me ato të huajat.
Pjesën më të madhë të veshjeve masat e gjera fshatare i përgatisnin brenda ekonomisë familjare, pra të endura e të qepura me pëlhura liri, leshi, pambuku e më pak prej mëndafshi. Ndersa në qytet, krahas pjesëve të endura në avlëmend, shpesh një pjesë e mirë e veshjeve qepeshin e qëndiseshin nga mjeshtrit rrobaqepës e qëndistare të specializuar sipas shijeve e kerkesave të ndryshme të popullsisë.
Koleksionet muzeale për veshjet popullore shqiptare kanë filluar të krijohen mbas Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj përiudhe kanë ekzistuar koleksione të vogla private, të grumbulluara nga priftërinjtë françeskanë (rreth 300 objekte), Aktualisht në fondet muzeale të Insitutit të Kulturës Popullore ruhen mbi 18 mijë pjesë veshjesh të marra nga krahina të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtw Shqipërisë.
Krahas grumbullimit të tyre në fondet e IKP ekzistojnë edhe mjaft veshje të ruajtura dhe ekspozuara në disa muze të tjerë në Shqipëri.
Mbas grumbullimit të pjesës më të madhe të veshjeve të krahinave të ndryshme, është bërë dokumentimi i tyre në regjistra dhe kartela të ndryshme, të cilat pasqyrojnë në mënyrë shkencore të dhënat e nevojshme për emërtimin e tyre, materialin e përdorur, mënyrën e zbukurimit e të përpunimit, vendin e prejardhjes, etj, etj. Të gjitha këto të dhëna kanë bërë të mundur, që ato të përdoren për studimin e botime të ndryshme studimore dhe ilustrative. Veçanërisht me shumë vlerë janë vëllimet e albumeve që përmbajnë veshjet popullore të krahinave të ndryshme shqiptare, si dhe ato të minoriteteve. Me shumë vlerë konsiderohen studimet e bëra për klasifikimin e veshjeve shqiptare, veçanërisht për klasifikimin e veshjeve popullore shqiptare e hartuar nga Prof. Rrok Zojsi, i cili ka edhe meritën më të madhe për grumbullimin e tyre në fondet muzeale, studimi madhor i Prof, Andromaqi Gjergji i titulluar Veshjet Shqiptare në Shekuj, si dhe një varg studimesh e botimesh të tjerë të kryera nga A. Dojaka, S. Shkurti, M. Tirta, Ll. Mitrushi, A. Onuzi, Y. Selimi etj.
Klasifikimi i bërë është bazuar në fazën e zhvillimit të kostumeve popullore në fillim të shek. XX.
Për të dy gjinitë klasifikohet 10 tipe veshjesh: pesë për gra dhe pesë për burra.
Në kostumet e grave dallohen këto tipa, të emërtuar nga pjesë më dalluese të tyre.
1 – Veshja me Xhubletë. E merr këtë emër nga një lloj fundi në formë këmbane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtana të hollë prej leshi.
Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës të cilat quhen grykës, mangë, dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana i cili në të folmen vendore quhet kërrdhokëll. Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllçi shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure.
Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saja me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura; si ngjyra e zezë, çiklamin, vjollcë ose blu. Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë përfshirë edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi. Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare.


Leave a Reply