Nga Enzo Bianchi
Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin (Mt 5,8)
Zoti t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë që të mund të kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij. (Ef 1,18)
Jeta shpirtërore, e bashkë me të edhe lufta, rrjedhin nga një qendër e brendshme, një organ qëndror i njeriut që Bibla, e më pas etërit (e Kishës), e kanë quajtur “zemër”. Bëhet fjalë për një koncept i cili shkon përtej vlerës pothuajse krejtësisht afektive që i jep kësaj fjale kultura jonë; në antropoligjinë biblike, në fakt zemra është vendi i inteligjencës dhe i kujtesës, i vullnetit dhe i dëshirës, i dashurisë dhe i guximit. Me një fjalë është organi që më së miri paraqet jetën në tërësinë e saj: “Është selia e jetës së ndjeshme, e jetës afektive dhe e jetës intelektuale, zemra përmban elementët përbërës të atij çka ne e quajmë “person”.
Nuk është e kollajtë të flasësh për këtë vend të padepërtueshëm (shih Ps 64,7); e megjithatë nëse nuk e perceptojmë zemrën si qendrën e vetes tonë, si hapësirën në të cilën arrihet në një njohje të ndryshme në krahasim me atë racionale dhe intelektuale, nuk do të ishte e mundur atëherë të nisej ai shtegtim i gjatë e plot durim në drejtim të qënies tonë të thellë që është jeta shpirtërore. Në lidhje me këtë, të mos harrojmë atë shprehje të shkëlqyeshme të përdorur në Letrën e parë të Pjetrit: “Njeriu i fshehur i zemrës” (ho kryptos tes kardias anthropos: 1 Pt 3,4). Në çdo qënie njerëzore fshihet një njeri i brendshëm: ai ka për detyrë të jetë i vetëdijshëm dhe të përgatisë gjithçka në mënyrë që ky idenitet i thellë të rritet dhe të përtërihet dita ditës (shih 2 Kor 4,16).
Në zemër ndodh sinergjia ndërmjet “hirit shenjtërues që është Shpirti shenjtë” (Karl Rahner) dhe shpirtit të nejriut me “s” të vogël: “Vetë Shpirti shenjtë dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit” (Rm 8,16). Sigurisht që është shumë e vështirë, madje e pamundur, të përcaktosh se ku përfundon veprimi i Shpirtit të Hyjit dhe ku fillon ai i shpirtit të njeriut. Thënë ndryshe: “Kush mund ta njohë zemrën? Unë Zotëria, shqyrtoj zemrën, sprovoj veshkat” (Jer 17,10; shih Ps 7,10; Lk 16,15; etj.). Gjendet në zemër pjesa më e fshehtë e çdo qënie njerëzore, ku është gdhendur shëmbëllimi i Hyjit në ne; vetëm Hyji është i aftë që të ketë një shikim “ndryshe” mbi të, më të thellë dhe më të vërtetë se sa çdolloj leximi i yni: “Nëse zemra jonë na qorton, Hyji është më i madh se zemra jonë e njeh gjithçka” (1 Gjn 3,20). Gjithashtu në zemër janë të vendosura edhe dhuntitë hyjnore: Shpirti shenjtë (Gal 4,6), dashuria e Hyjit (Rm 5,5), paqja e Krishtit (Kol 3,15); Krishti vetë banon nëpërmjet fesë në zemrat tona (Ef 3,17). Zemra na shfaqet kështu si banesa e Hyjit brenda njeriut nëpërmjet dashurisë (shih Mk 12,30 dhe paralelet), besimit (shih Rom 10,10), shpresës (shih Ef 1,18) dhe lutjes (shih Gal 4,6; Ef 5,19; Kol 3,16).
Brenda kësaj hapësire që i ikën rreptësisë së koncepteve, por që është e depërtueshme nëpërmjet gjuhës simbolike, Hyji mund t’i flasë njeriut dhe ta ftojë të përgjigjet, të hapë me të një bashkëbisedim (shih Oz 2,16-17). Dhe pikërisht në këtë nivel vendohet për çdo ditë zgjedhja ndërmjet një “zemre që dëgjon” (lev shemea’: 1 Mbr 3,9), që lufton për të mirëpritur dhe për të bërë të frutshme Fjalën e Hyjit të mbjellë në të (shih Mk 4,1-2- dhe par.) dhe një zemre të pandjeshme ndaj Fjalës, që përfundon medoemos duke rënë në atë mosbesim të cilin Beslidhja e Re e përkufizon si “ngurtësia e zemrës” (sklerokardia: Mt 19,8; Mk 10,5; 16,14). Duke e mirëpritur në zemër Fjalën e Hyjit – që “është e gjallë dhe vepruese, është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehëshe, përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zmerës” (Heb 4,12) – i hapemi veprimit të hirit, d.m.th. energjive të Shpirtit shenjtë, që është në gjëndje të shndërrojë gjithë qënien tonë. Nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm të përsëritet se sa është thelbësore që t’i lihet hapësirë dëgjimit të Fjalës së Hyjit dhe mirëpritjes së Shpirtit; vetëm nëse ekziston kjo gatishmëri, Hyji mund ta pastrojë dhe ta ri-krijojë zemrën e njeriut: “Do t’ju jap një zemër të re, do të vendos në ju një shpirt të ri, do t’ju heq zemrën prej guri dhe do t’ju jap një zemër mishi” (Ez 36,26).
Është e qartë se pikërisht ky është terreni në të cilin rrënjoset lufta shpirtërore. Në në fakt zemra është vendi i takimit të brendshëm dhe i besëlidhjes ndërmjet Hyjit dhe njeriut, ajo është edhe selia e lakmisë dhe e epsheve të yshtura prej fuqive të së keqes: “Nga brenda, d.m.t.h nga zemra e njeriut dalin qëllimet (dialoghismoi) e këqija” (Mk 7,21). Zemra bëhet kështu vendi në të cilin përballen dredhitë e Djallit dhe veprimi i hirit të Hyjit. Këtë gjë e sprovojmë çdo ditë: zemra mund të jetë pa inteligjencë, e paaftë të kutpojë e të shoshisë (shih Mk 6,52; 8,17-21); mund t’i mbyllet mëshirës (shih Mk 3,5), duke ushqyer inat dhe urrejtje (shih Lev 19,17), xhelozi dhe smirë (shih Jak 3,14), mund të jetë gënjeshtare dhe “e dyfishtë” (dipsychos: Jak 1,8; 4.8), më shumë akoma është e mundur të shtrijmë ndaj çdo mëkati përmbledhjen shumë të qartë që Jezusi ka bërë duke folur për tradhëtinë bashkëshortore (shih Mk 5,28): para se të kryhet së jashtmi dhe të na udhëheqë në shtigjet vdekatare të shpërngjasimit prej Hyjit, çdo mëkat është kryer tashmë në zemër, sepse janë ato gjëra që dalin prej zemre të cilat e bëjnë të papastër njeriun (shih Mk 7,23).
Zemra pra është vendi i luftës së pashmangshme; aty mund të ketë zanafillën e vet kthimi te Zoti, konvertimi (shih Jer 3,10; 29,13), ose mund t’i dorëzohemi joshjes mashtruese të mëkatit dhe skllavërisë së idhujtarisë. Çfarë luftrash, çfarë dyluftimesh që ndodhin në zemër, e sa më shumë je afër Zotit, zjarri që përpin, më shumë njihet ky dyluftim trup me trup me djallin … është një luftë shumë e rreptë ajo që ka si qëllim të arrihet në një “zemër të bashkuar” (Ps 86,11), e aftë të bashkëpunojë me jetën e re që në ne është vepër e Atit, nëpërmjet besimit në Krishtin e vdekur dhe të ngjallur, në fuqinë e Shpirtit shenjtë; por kjo është beteja themelore për të cilën është i thirrur i krishteri. Në fakt “vetëm një zemër mishi mundet të luftojë përnjimend, mund të gjallërojë të gjithë trupin. Vetëm në një zemër të tillë mund të zbresë Shpirti, e kështu zemra që më parë ishte mbyllur ndaj hirit, tani përsëri i hapet shestimit të tij të dshurisë” (Andre Louf).
Sigurisht të flasësh për zemrën si vendin e luftës shpirtërore do të thotë që ta konceptosh atë edhe si selia e një pune të brendshme plot durim në rrafshin krejtësisht njerëzor. Është një punë e vështirë dhe e lodhshme, që kërkon aftësinë e përkujdesjes, kërkon të banosh në mënyrë vepruese heshtjen dhe vetminë, të mendosh, të dëgjosh vetveten, të lexosh, të përpunosh së brendshmi atë çka jetohet së jashtmi. E gjitha kjo me vetëdijen që çka është autentikisht njerëzore është autentikisht e krishterë.
Duke përmbledhur mund të thuhet se në zemrën e njeriut që gjen vend vendimi thelbësor, ai nga i cili varet kuptimi i çdo ekzistence: të ecësh në rrugën e koinonisë, të bashkimit, apo mbi atë të philautisë, dashurisë për vetveten.
Leave a Reply