Nga Jona Dervishi
Rrugë të boshatisura të hirta vetëm me një destinacion, hapa mërgimtare për mos tu rikthyer kurrë më në tokën e ëmbël të atdheut…
Dyer të mbyllura porsi amanetet e të parëve. Kohë e acartë shpirtërore deri në maraz…
Njerëz që edhe dielli tashmë i ka harruar…
Njerëz që jetojnë çdo ditë me Shijen e hidhur të mortit…
Njerëz të pashpresë, ku fjalën “vdekje” e përtypin çdo ditë si kafshatë të helmuar, e ku në garderobë e zeza sundon pa rivalitet …
Kulla të larta që të japin idenë e një blindimi të ngurtë e frymëmbytes, e porta të mëdha përtej të cilave nuk mund të dëgjosh dot më kurrë buzëqeshjen naive dhe të ëmbël fëminore…
Një trishtim e një dhimbje e madhe për këta njerëz që fati i mbuloi me një mantel të zi mortor, që sa herë çelin sytë në mëngjes valëvitet si për t’i kujtuar që fundi është shumë pranë asaj porte të rendë e te mbyllur në fund të oborrit…
Se ata fëmijë nuk do të munden kurrë të shkojnë në shkollë, nuk do të munden kurrë të luajnë me bashkëmoshatarët e tyre. Për ta bota fillon e mbaron brenda katër mureve të ftohta të shtëpisë! Jeta për ta nuk rrjedh më hareshëm si tek fëmijët e tjerë. Ata vuajnë sot mëkatet e kryera nga të parët e tyre. Ata që i dhuruan farën e jetës, i mbollën dhe qiparisin e vdekjes.
Thonë që gjaku nuk falet. E as nuk bëhet ujë. Por as drita që shkëlqen në sytë e fëmijëve të pafajshëm nuk mund të bëhet errësirë. Vajza të reja me ëndrra shumë, ku s’do të mund të veshin dot kurrë fustanet e bardha të nusërisë. Djem të rinj të pezmatuar, të trishtuar për vitet e jetës që koha ua merr pa mëshirë.
Janë pikërisht ata, ata që vuajnë sot izolimin, ngujimin, tensionin e marazin që Kanuni me ligjet e tij të ashpra ua fali dikur…, por sot aq me tmerr ato ligje të ashpra janë bërë edhe te çartura, se besa e malësorit u kthye ne pabesi, duke dalë nga binaret e rëndë të ligjeve të gjakmarrjes.
Sot këta djem e vajza nuk vuajnë vetëm nga gjakmarrja, por mbi të gjitha nga hakmarrja! Një fenomen ky që ka pushtuar veriun, por që nuk ka aspak lidhje me termin gjakmarrje.
Të kryesh vetëgjyqësi për larjen e gjakut nuk ka asnjë lidhje me të vrarët e të plaçkiturit për inat e për ambicie personale.
Kanuni nuk lejon që të merret gjak nga femrat e nga të miturit, por ja që shumë vajza humbin jetët e tyre nga fenomeni i shtrembëruar i gjakmarrjes, siç ishte dhe rasti pikëllues i 17 vjeçare Maria! Maria vdiq nga pabesia, nga atë qe e kanë përlyer me turp e instinkt kafshëror dhe vetë Kanunin e egër, i cili dikur vendoste rregull ne një botë pa shtet e pa civilizim me parimin kokë për kokë, sot veç si pretekst sjell vdekje a ngujim pa kut, pa kursyer edhe fëmijë e vajzat.
Një përbindësh i tmerrshëm, gjakpirëses si një vampir i pangopur nuk kurseu as atë e bir në Shkodër, të cilët u qëlluan me breshëri automatiku. Si pasojë mbeti i vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku nga Mirdita, ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku u plagos rëndë.
Metropolia Katolike e qytetit të Shkodrës kreu dhe hapin e parë duke shpallur dekretin e shkishërimit. Një reagim ky i fuqishëm ndaj fenomenit të gjakmarrjes.
Ndërsa shteti hesht, asnjë përpjekje thelbësore për të dalë nga ky makth që qënkërka i pambarimtë.
U desh të vinte demokracia e bashkë me të të riaktivizohej edhe ky mllef gjakmarrës ku si një llavë vullkanike djeg e përcëllon shoqërinë tonë! Kur në fakt kjo demokraci duhej ta asgjësonte këtë fenomen prehistorik, që na bën të ngjasojmë me Sicilinë e Viteve 30!
Kryeministri nuk duhet të ngatërrojë qoftë me qëllim apo jo gjakmarrjen me hakmarrjen sepse njëra është “ligj” e tjetra delikuencë.
Ky fenomen që po merr përditë jetë inocente tashmë nuk ka më emër, të thuash është hasmëri, nuk e thua dot sepse vdekja është e pajustifikueshme kur nuk ke asgjë për të marr hak ndaj viktimës në fjalë, e të thuash është gjakmarrje as kjo nuk ka më kuptim, se nga gjakmarrja s’mund të vdesin të mitur e femra, e s’mund të vdesin çuna e burra vetëm se kanë dashur t’i vjedhin e plaçkisin… nuk ka asnjë sens!
Po deri ku do arrijmë me këtë zgjedhje e zgjidhje?! A e meritojmë ne të marrim statusin për vend kandidat europian, ndërkohë kur jemi ende në kushtet e mesjetës?!
Si mund vallë kjo mazhorancë ta anashkalojë këtë plagë e të hidhet tutje si një fëmijë që kërkon të blejë një lodër të shtrenjtë për t’i thënë fëmijëve të tjerë europianë “unë jam si ju”, ndërkohë që me dhjetëra fëmijë humbin jetën përditë nën faturimin “gjakmarrje”.
Si mund të gjejë paqe ky komb në djepin e statusit kandidat kur ende ka djepa me foshnje të destinuar për të vdekur pa e gëzuar ende jetën e tyre.
Shifrat e vdekjes nga gjakmarrja janë duke u shtuar në mënyrë të frikshme, vetëm në 10-vjeçarin e fundit rezulton se vrasjet e kryera me motiv gjakmarrjen zënë 38 % të këtij krimi, shifra këto ekstremisht të larta për një shtet që pretendon të jetë në familjen europiane!
E ja ku rigjendemi sërish aty ku e nisëm, pa zgjidhje, pa një plan të qartë në mos për t’i dhënë fund, të paktën për tu përpjekur për ta parandaluar këtë fenomen makabër.
Një shprehje e moçme popullore thotë që “mali me malin nuk puqen, njeriu me njeriun po”!
Ndaj le të shërbejë si shprehje apeli kjo fjalë e urtë popullore.
Të gjithë duhet të bëjmë diçka apo japim sado pak kontribut për të arritur pajtimin e gjaqeve ndërmjet fiseve në gjakmarrje.
Sipas studiuesve, disa mënyra efektive për parandalimin e këtij fenomeni do ishin:
Hartimi i një Strategjie Kombëtare për parandalimin e gjakmarrjes, pas një studimi të hollësishëm.
Parandalimi i kriminalitetit dhe vrasjeve në veçanti sipas parimeve të parandalimit.
Pajtimi i familjeve në hasmëri duke u përpjekur të bëhet një parandalim i konflikteve.
Ndihma e fondacioneve, misioneve e shoqatave, që punojnë për zgjidhjen e konflikteve dhe për pajtimin e mosmarrëveshjeve, sidomos të atyre me karakter penal, që sjellin si pasojë vrasje..
E ç’ka është më e rëndësishmja, një vëllazërim i madh kombëtar, një përpjekje për paqe e për drejtësi.
Me shpresën se gjithë këta njerëz që vuajnë sot të mund të pajtohen një ditë e të mos kultivohet më mes tyre urrejtja e marrja hak e gjak, e cila korr vetëm vjedhje shpirtrash të pafajshëm.
Këta njerëz nuk mund të lihen në harresë derisa vdekja të kujtohet për ta!
http://www.ama-news.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply