
Nga Bernard Pecnikaj
Që prej dy ditësh, ka shpërthyer një histeri kolektive në rrjetet sociale për vrasjen makabre të dy turistëve çekë në malësitë e Shkodrës dhe i drejtojnë gishtin banorëve të asaj zone sikur të ishin të gjithë fajtorë. Sigurisht që edhe unë si çdo shqiptar, jam tejet i tronditur nga kjo ngjarje e rendë e do uroja me shpirt që të gjendeshin autorët e raste të tilla të mos ndodhnin kurrë më. Nga ana tjetër, shokohem kur lexoj me qindra statuse që shajnë e mallkojnë veriorët (aktualisht të asaj zone) duke i quajtur të “pabesë”, “malokë”, “kriminelë” e lloj – lloj epitetesh më të shëmtuara se vetë vdekja, a thua se kanë marrë pjesë të gjithë në krim meqë ngjarja ka ndodhur aty. Ka nga ata që kërkojnë Enver Hoxhën dhe regjimin e tij se gjasme vetëm ai u paskish ardhur “hakesh” këtij populli e sidomos këtyre malokëve që përbëjnë gjysmën e Shqipërisë. E pra, gjuha shkon tek dhëmbi i prishur. Kërkojnë Enverin sepse kanë mentalitetin e tij, shajnë e shpifin si regjimi komunist që ai ngriti, janë barbarë si vetë ai, spiunojnë kë të mundin, njëlloj si në kohën e atij. Pushkatojnë pa gjyq këdo që ata duan, dënojnë kolektivisht një komunitet të tërë. Në kohë të Enverit lindën ose u thelluan më tej ndarje të tilla jug-veri, u shpikën epitete fyese e denigruese për komunitete të caktuara anembanë Shqipërisë si “çam i pabesë”, “malok”, “laluc” etj etj. Një popull që nuk do veten, të gjithë kundër të gjithëve. Ku na çon e gjithë kjo histeri e gjoja “sensibilizim” për të dënuar vrasësit e bashkë me ta edhe gjithë atë krahinë ku ka ndodhur vrasja? Asgjëkundi. Thjesht shton urrejtjen për njëri – tjetrin e nxjerr në pah sesa të pabesë jemi, sesa pa tru jemi, sa larg qytetërimit jemi, sa pak njerëzor jemi në shpirt. Mentalitet komunist: të flasësh në emër të popullit, të falësh apo të dënohesh në emër të popullit. Unë personalisht refuzoj të bëhem pjesë e përgjithësimeve të tilla si “jam krenar që jam shqiptar” sa herë bën një gol kombëtarja e futbollit dhe të them “më vjen turp që jam shqiptar” sa herë që një kriminel, batakçi pa moral, pa principe e pa atdhe kryen një akt të shëmtuar brenda Shqipërisë, brenda qytetit, lagjes apo edhe derës përballë meje. Unë mbaj përgjegjësi për veten time në radhë të parë e nuk identifikohem me çfarë nuk më përket. Nëse jeni kaq puritanë, atëherë sensibilizohuni me fshatin Marinzë që banorët po vdesin dita – ditës nga ca “turistë” kanadezë që po i helmojnë me gaz që në bark të nënës. Pse nuk flisni, apo u harrua kjo gjë tani? Mbi të gjitha, o ju moralistë pa shtyllë kurrizore, që e luftoni të keqen me fjalë boshe, a nuk e dini se për shkak të imoralitetit elektoral tuajin, në Parlamentin Shqiptar janë disa të identifikuar si kriminelë (ndoshta më të këqinj se ata që kanë vrarë dy turistët e pafajshëm çekë)? Atëherë nga e prisni drejtësinë? Nga dora juaj që voton kriminelët për të hyrë në parlament e për të bërë ligje?! Nga mentaliteti e gjykimi juaj që nuk shkon më larg sesa mllefi? Nga pasiviteti juaj që nuk ngriheni për të kërkuar as kushtet minimale për të jetuar? Apo mos ndoshta prisni drejtësi nga media e shitur dhe e blerë nga lloj – lloj pronarësh e politikanësh me precedentë penalë? Krimi është krim, ka damkën e zezë të vetvetes, e të askujt tjetër. Mos përhapni panik, mos shkatërroni turizmin, mos cënoni vlerat njerëzore të asnjë komuniteti, largojeni të keqen nga shpirti juaj fillimisht e pastaj përpiquni të pastroni të tjetrit. Identifikohuni me përgjegjësi dhe dinjitet në këtë botë, si vetja juaj fillimisht. E në fund, aman, mos i futni të gjithë në një thes, as për mirë e as për keq…!
Burimi – Facebook


Leave a Reply