Legjendat, mitet dhe baladat kanë përkundur në djepin e tyre për vite e vite me radhë njeriun duke e rritur dhe ushqyer me moralin e tyre. Si një krijesë popullore e transmetuar gojarisht nga brezi në brez, ato jo vetëm i kanë dhënë jetë malësorit nëpër shkreptimat e jetës së tij, por na kanë lënë një dëshmi të rëndësishme të mendimit dhe jetës. Vjen një kohë dhe shpirti i tyre dorëzohet, shpirti i mbrumjes së tyre në vite, muzën që kishte qenë frymëzimi, jeta dhe kënga. Kështu që lindi nevoja që pas shumë vitesh të nxirreshin nga shkrepat e maleve, për të mos ngelur të varrosura njëherë e përgjithmonë. Sigurisht kam vendosur të marr si objekt studimi një nga baladat që u ngjiz në një nga fshatrat e Kacinarit të Mirditës. Unë këtu gjej rastin të falenderoj miqësisht studiuesin mirditor Ndue Dedaj që bëri të mundur shkrimin e saj dhe, duke gjetur mundësinë për t’i kërkuar falje, për transmetimin e baladës në një mënyrë krejt të ndryshme, nga që ka paraqitur ai më parë. Unë jam i interesuar për funksionin komunikativ të shprehur nga ajo.
‘Balada e Nuses së Vdekur’ lindi jo nga një krijim popullor, por nga një ngjarje sa reale aq dhe mitike. Një kujë rinore e pafajshme që edhe malet u dridhen kur u lëshua mbi to. Fjala është, siç thuhet, për të lexuar traditën nëpërmjet aktuales dhe aktualen nëpërmjet traditës. Duke u mbështetur në këtë model të arsyetuari, do të dëshironim të flisnim për lirinë e femrës në shoqërinë e sotme shqiptare sa e lirë është ajo në individualitetin e zgjedhjes së saj, a pranohet ajo si një qenie e barabartë me mashkullin në të gjitha sferat e jetës. Të gjitha këtyre pyetjeve sigurisht mund ti japim përgjigje nga më të ndryshmet. Po-të janë aq pasionante sa dhe jo-të.
Historia është kjo: zezona ka lindur jo në thellësitë e shekujve por pikërisht në vitin 1924 në lagjen Shtuf të Kacinarit të Mirditës. Dila e Nikoll Gjok Brungës ishte një vajzë e urtë Mirditore 17-18-të vjeçe që do të martohej atë verë në Livadhëz të Oroshit. Nëna e cucës-nuse e shikon bijën teksa qante por kujton se ajo asht t’u ba ‘sutzën’ (ritin e të qarit) megjithëse kishte qenë e sëmurë, ku me sa shihet, ajo nuk e zgjat më tej. Ndoshta se fjala e saj nuk mund të bënte asgjë për të ndryshuar fatin, ndoshta nuk e kuptoj që ishte aq sëmurë, apo mos vallë edhe fati i saj kishte qenë i tillë ku të tjerët kishin vendosur për të. Thellë në shpirt ajo ishte e bindur se nuk kishte kthim mbrapa, udha sa kishte nisur! Në kullë flisnin peshëm. Pala e nuses ngulte këmbë se ajo nuk mund të dilte nuse atë ditë, ashtu e sëmurë rëndë, ndërsa krushqit ishin të vendosur se nuk kthenin mbrapsht pa marrë nusen, ‘më mirë dekun se sa gjall’. Dilema zgjidhet nga babai i Dilës i cili tha, nuk mund t`i ndalet nusja mikut. Një vendim i marrë në emër të një sakrifice pa kufi, ndoshta një besë që nuk mund të kthehet mbrapsht, veçse i vdekur. Fjala e dhënë është ajo që dredh tokën dhe hap varret, ose ndoshta i është referuar nenit 44 të kanunit ku thuhej “Krushqit e marrin nusen me qan tu dekë”, apo mos ishte frika e një gjakmarrje nga ana e mikut për mos mbajtjen e fjalës. Sigurisht njëra nga këto mundësi mund të ishte, por nuk mund të përjashtohen edhe të gjitha së bashku. Kështu nusja me xhup e strengla e xhurdi pushi hipën mbi kalë e nis udhën për në shtëpinë e burrit, një fshat përtej. Krushqit nisen herët duke thanë, në qoftë se nusja do të vdiste pa shkue të kisha e Shëngjergjit, do të kthejmë e ta varrosim në fshatin e vet. Në të kundërt do të varroset në fshatin ku do të martohej. Kjo qe marrëveshja e parë. Po pa shkue te kryqja e Gjakonit në Shëngjergj, Dila-nuse e syrgjynosur gjeti forcë dhe ju drejtua krushkut të parë. “N’oret tane Preng Ndue Koka”. Ajo i lutët të ndalojë se nuk mund të qëndronte më mbi kalë. E qetësojnë i lagin ballin me ujë të ftohtë dhe nisin udhën. Ajo të jepte përshtypjen e një qenie të nxjerrë nga konteksti i saj utilitar dhe e shprishur mbi kalë, është vendosur me dinjitetin e vetëm të braktisurit, e paaftë për asgjë, e gatshme për të sakrifikuar, ajo është e gjallë. Ajo e shtyn në zgrip të ekzistencës jetën e saj absurde dhe të shqetësuar. Zbritën pllajës së Kalorit, nusja e hipur mbi kalë dhe pak metra më tutje, zalli i Kalorit. Nusja sapo kishte dhënë shpirt. E bekoi Mrika krushka një kushëri e nuses me qiri në ballë duke i bërë kryqin. Tani ky ishte udhëtimi më tragjik i bërë ndonjëherë. Një karvan krushqish që ngjitej tërmales së Livadhëzit me një nuse të vdekur mbi kalë. Por le të hidhemi në një botë të arsyetimit filozofik. Filozofi i shquar amerikan Xhon Rolls që mbizotëron në skenën e filozofisë së sotme amerikane shprehet, se shoqëria demokratike dhe e tregut të lirë, nga vetë natyra e saj, përmban një strukturë bazë, një model bazë teorik, i cili duhet të krijojë teorikisht një barazi shansesh, të drejtash institucionesh dhe agjencish shoqërore të hapura në mënyrë të njëjtë për të gjithë. Mirëpo, në realitet e vërteta është paksa ndryshe, vazhdon ai, sepse në funksionin praktik të këtij modeli teorik lindin faktorë shoqërorë, politikë, pasurorë, kulturorë, të cilët edhe në rastin kur shoqëria funksionon me drejtësi dhe pa cene subjektive, prodhojnë pabarazi, padrejtësi të ndryshme, krijojnë një sistem të drejtash dhe shansesh të pabarabarta. Ai ka mendimin se ajo çka duhet të administrohet prej teorisë së drejtësisë janë pabarazitë e perspektivave të jetës midis qytetarëve, të cilat rrjedhin nga pozicionet shoqërore të pikënisjes, nga përparësitë natyrore dhe nga rastësitë historike. Megjithëse këto pabarazi mund të jenë shumë të vogla, pasoja e tyre mund të jetë mjaft e rëndësishme, sepse ato në një të ardhme mund të sjellin pabarazi të grumbulluara të rëndësishme. “Në Livadhëz së Oroshit kënga dëgjohej që në hyrje të fshatit ku e gjithë graria ishte mbledhur e këndonte. Por një zë i fort fkat. “Ndaleni këngën, kthejeni në vajë”. E kush mund ti besonte veshëve se mund të dëgjonte një urdhër të tillë. Mos vallë u çmend dikush? Filozofi amerikan thotë, sigurisht duke patur parasysh shoqërinë e tij, se edhe kur shoqëria demokratike funksionon rregullisht, apo lind pabarazi shansesh e të drejtash, ajo lind “viktima të pafajshme“ pa drejtësi që duhen ndrequr në mënyrë të vullnetshme… Nuk vonoi shumë dhe u shfaqen siluetat e krushqve kryeulur. Kënga u kthye në vajë. Dasma u kthye në mort dhe dasmorët në mortaxhijn. Të nesërmen e varrosën në Bukmirë. I ati deshi që ta fuste në dhe nuse me stringla, xhup, kryq, i vjehrri jo. Por ditën fitoi urdhëri i heshtur i të atit, natën thuhet se nusja nuk mund ti shpëtonte një fati dhe më të keq…. “zhvarroset nga vjehërria për ta rivarrosur pa teshat e nusërisë”. Siç shihet kemi një shndërrim të së vërtetës në sytë e fshatit, ku kolektivisht pranohet mendimi i familjes së nuses në dritën e diellit dhe në sytë e të gjithëve. Por në histerinë e nevojës individuale, në verbërinë e dëshirës për të pasur në zotërim trupin e tjetrit. Gruaja tashmë si simbol i pafuqisë ndëshkohet, zhvarroset nën terrin e natës, në të njëjtën kohë pranohet, kërkohet me ethe, me epsh, individualisht në rrugë personale, po aq sa kërkohet edhe dhunohet. Pa marrë parasysh aspak moralin kolektiv ku në sytë e tij pranohet si e barabartë.
Legjenda na fut në rrugën e një të pavërtete ku shitet si e vërtetë në sytë e kolektivit (fshatit) por edhe në tragjedinë e një vajze që nuk mund të rebelohet për fatin e saj ku të tjerët vendosin për të. Mos pranimin e një zgjedhje individuale, të cilën Dojçi e quan “revolucioni i Romeos dhe Zhuljetës”. Zëvendësimi i aftësisë së vërtetë vendim-marrëse, në kushtet e një bashkësie me individë të barabartë në të drejta , me marifetin e një marrëveshje të fallcët të përshëndetur nga të gjitha palët, mund të arrijë të ketë një sukses afatshkurtër, por nuk mund të realizojë atë koherencë të brendshme të familjes që mund ta bëjë atë të evitojë katastrofat hakmarrëse të mëpastajme. Uniteti është vendosur, ndonëse i mbështetur mbi një hipokrizi vrastare. Për të mbajtur fjalën e dhënë shqiptarit i duhej të bënte të pa mundurën, jo vetëm kur të ishte ndër të gjallët, por edhe kur gjendej ndër të shumtët. Legjenda na thotë se i ati i vajzës, pavarësisht sakrificës së pa masë e nxori vajzën-nuse gjysëm gjallë e gjysëm vdekur. E nxori nga shpija për të mos e kthyer më kurrë, për hirë të një fjale të dhënë. Në emër të një institucioni mashkullor që shndërrohet nga një formë ideologjike kolektive, një gjyqësie gjoja të legjitimuar të kujtesës kolektive,në një instrument që plotësohet me të kundërtën e tij, përgjatë përditshmërisë individuale në marrëdhëniet jashtë institucionale (besëshkeljen) pikërisht në atë që përjashtohet në rrafshin kolektiv. Besëshkelja e përjashtuar si aktor institucional, kërkohet fshehurazi, turpërisht natën. Në një farë mënyre e shan tek tjetri dhe e pranon tek vetja. Pra babai pa e kuptuar si autoritet vertikal vret veten dhe njëkohësisht edhe vajzën. Ai u shemb në një barrë që as e hidhte, as e mbante dot.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani



Leave a Reply