Zhgënjimi i shqiptarëve në Maqedoni dhe lufta e Kumanovës (1)
Faton Mehmetaj
Nuk ka asnjë dilemë se shqiptarët në Maqedoni nuk i gëzojnë as të drejtat elementare, madje një pjesë e tyre nuk e kanë as të drejtën për të jetuar. Padrejtësitë ndaj shqiptarëve në Maqedoni janë të mëdha; brutaliteti i pushtetit i ngjanë inkuizicionit mesjetar, edhe pse jetojmë në kohë moderne. Që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë e deri në ditët e sotme, kur pasoi edhe lufta e përgjakshme në Kumanovë, ku shqiptarët luftuan për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve, gjatë kësaj kohe çka s’u ndodhi shqiptarëve.
Shqiptarët në Maqedoni, aparati shtetëror maqedonas po i përdorë për të eksperimentuar me ta. Edhe pse shteti i Maqedonisë nuk ka emër të njohur zyrtarisht, nuk ka identitet, nuk ka histori, as autoktoni edhe pse është shtet në inkubator dhe kurrë nuk është zhvilluar, qysh kur është formuar gjithnjë i ka dalë punë me shqiptarët autoktonë të Maqedonisë. Ky shtet pa emër, pa identitet e pa histori e ka një territor prej 26 mijë kilometrash katrorë, me një përbërje të përzier të popullsisë, e cila kapë shifrën prej dy milionë banorësh. Në këtë përbërje të përgjithshme të popullsisë, mbi një milion janë shqiptarë, mbi 300 mijë të tjerë janë shqiptarë ortodoksë të konvertuar me dhunë në periudha jo të largëta të historisë, të cilët shkruhen si ortodoksë apo vllehë, kurse të tjerët janë bullgarë, serbë, arumunë, boshnjakë, romë, egjiptianë, turq etj. (Mbi 75 mijë shqiptarë ortodoksë të Maqedonisë kanë kërkuar publikisht të ushtrojnë të drejtën e besimit të tyre përmes ndërtimit të një kishe ortodokse shqiptare). Sllavët e Maqedonisë e dinë fare mirë dhe e kanë të qartë se ata janë bullgarë dhe ndihen krenarë që janë të tillë. I vetmi komunitet autokton në Maqedoni janë shqiptarët, ata janë në tokën e tyre, kanë historinë e tyre dhe e përbëjnë shumicën në Maqedoni. Ky është një tregues i qartë se maqedonasit po tentojnë ta formojnë identitetin e tyre me copa e harrna të historisë, duke marrë nga diçka të popujve fqinj. Sllavët erdhën vonë në Ballkan aty rreth shek 6-7, afërsisht dhjetë shekuj pas lulëzimit dhe rënies së qytetërimit maqedonas të Filipit të II-të dhe të birit Lekës së Madh, që ishin të racës ilire. Nuk mund të flitet për identitetin maqedonas kur asnjë prej popujve që jetojnë në Maqedoni nuk kanë të bëjnë me maqedonasit e lashtë, përveç shqiptarëve. Duhet vënë në dukje se në spektrin e të gjitha këtyre kualifikimeve, shqiptarët në Maqedoni janë shumicë dhe e përbëjnë fuqinë motorike për t’i lëvizur të gjitha proceset e ndërtimit apo të shpërbërjes së Maqedonisë.
Tendencat për asimilimin e kulturës shqiptare, spastrimin etnik nga popullsia shqiptare, falsifikimin e historisë dhe aktet e vazhdueshme raciste kundër shqiptarëve, tendencat për nënshtrimin e dhunshëm të shqiptarëve në Maqedoni, duke i konsideruar si qytetarë të rendit të dytë dhe duke tentuar t’i detyrojnë ata për t’i pranuar të gjitha kushtet e palës maqedonase janë jo vetëm absurde, por edhe të papranueshme.
Aparati shtetëror i Maqedonisë, i kriminalizuar tërësisht, për t’i shtypur dhe denigruar shqiptarët në format më antinjerëzore, ndonëse përbëjnë fuqi të padiskutueshme, e ka shfrytëzuar servilizmin dhe nënshtrimin e pakusht të klasës politike shqiptare në Maqedoni, të cilët fatkeqësisht janë bërë pjesë e mekanizmave shtetërorë të pushtetit maqedonas që po i shtypin e denigrojnë shqiptarët. Ata e kanë zhvilluar një luftë të ashpër brenda llojit, të ndihmuar nga shërbimet dhe mekanizmat tjerë të Maqedonisë, të cilët kanë bërë aleanca të fshehta për ta shkatërruar elementin shqiptar në Maqedoni pa zgjedhur mjete, forma e metoda për ta arritur qëllimin.
Gjatë vitit 2001, Kosova e ka pasur një kontekst kufitar me Maqedoninë, me ç’rast, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar më 23 shkurt 2001, ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Maqedonisë, 2500 hektarë tokë të Kosovës (nga pjesa e Debëlldesë), Serbia ia dha Maqedonisë! Lidhur me këtë, për shumë kohë vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë kishte mbetur kontestuese. Ky problem qe mbyllur me pakon e Ahtisaarit për Kosovën edhe pse ekspertët thonë se, bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare, lejohet që kufijtë të lëvizin vetëm deri në 300 metra hapësirë.
Raportet Maqedoni-Kosovë që nga fillimi ishin të brishta, madje të tensionuara, me vet faktin se njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Maqedonisë u kuptua si një akt i presionit nga ana e faktorit ndërkombëtar, e jo si vullnet për të krijuar raporte të mira fqinjësore.
Në janar të vitit 2001, pikërisht nga Debëlldeja kanë depërtuar njerëzit e parë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-om). Nga kjo pjesë, armatimi dhe formacionet ushtarake të UÇK-omit u bartën në fshatrat dhe në qytetet tjera të Maqedonisë, për të filluar lufta e armatosur për ta përmbysur regjimin e egër maqedonas, i cili nuk i njihte dhe i shkelte për ditë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Luftës për liri në Maqedoni, që e zhvilloi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, iu bashkëngjitën djemtë e vajzat më të zotët të Kosovës, Kosovës Lindore, Shqipërisë, Malit të Zi, diasporës e mbarë trojeve shqiptare, të cilët u shkuan në ndihmë vëllezërve të tyre në Maqedoni, që ishte diçka shumë e natyrshme. Pos kësaj, ajo luftë u përkrah në një mënyrë edhe nga spektri politik në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Mbase nuk është e tepërt të kujtojmë se që nga 1913-ta shqiptarët administrativisht janë ndarë padrejtësisht për llogari të Fuqive të Mëdha, por janë një popull dhe kurrë nuk janë sjellë si të ndarë. (Me mijëra vjet shqip kemi folur e mësuar gjuhën e nënës; si shqiptarë jemi rritur e na ka njohur bota kurdoherë; doket, zakonet e traditat i kemi të njëjta; festat i kemi të njëjta; flamurin kombëtar e kemi të njëjtë; pashkëputshmërinë territoriale po ashtu. Bashkë kemi luftuar gjithmonë për të drejtat tona. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi, Çamëri, Kosovë Lindore, Shqipëri, nuk dallojnë nga njëri-tjetri, jemi një komb, kemi një gjuhë, jemi shqiptarë, jemi autoktonë në trojet tona).
Shqiptarët bashkë ishin në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, bashkë ishin për ta mbrojtur Sanxhakun e Nishit, bashkë e mbrojtën Plavën e Gucinë, bashkë ishin në përpjekjet për shkatërrimin e Jugosllavisë në vitin 1981, bashkë ishim edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në UÇPMB, UÇK-om, bashkë ishim gjithnjë. Ky është fakt i pamohueshëm.
Të gjithë e dinë se shqiptarët në vitin 2001, e shpëtuan Maqedoninë pa u ndarë. Prandaj, mos u habitni aq shumë pse dikush prej Kosovës paska marrë pjesë në luftën e Kumanovës. Shqiptarët e Kosovës në Kumanovë janë në vendin e tyre, siç janë në vendin e tyre me qindra e mijëra shqiptarë nga Presheva, Sanxhaku i Nishit, Mali i Zi, Maqedonia etj., që jetojnë në Kosovë, Shqipëri e gjetiu në trojet e tyre. Jo rastësisht, drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në frontet e luftës ishin nga Kosova, si Sami Ukshini, i njohur me pseudonimin Komandant Sokoli, Maliq Ndrecaj, i njohur me pseudonimin Komandant Mala, etj. Ali Ahmeti shumicën e kohës gjatë luftës në Maqedoni ka qëndruar në Prizren, me qëllim që të kursehet, sepse llogaritej lideri i ardhshëm i Maqedonisë sikurse edhe ndodhi. Pas fitores që korri Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, e cila u finalizua me Marrëveshjen e Ohrit, që e shënoi përfundimin e luftës dhe fillimin e njohjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, filluan të hedhen themelet e demokracisë së shtetit të së drejtës dhe të respektimit të shqiptarëve.
Realisht, lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk u bë për ndarjen e Maqedonisë, por për ta përmirësuar gjendjen e shqiptarëve atje. Në ditët e para imazhi i nëpërkëmbur i shqiptarëve filloi të përmirësohet. Shqiptarët për herë të parë filluan të ndjejnë aromën e lirisë dhe të demokracisë. U formuan institucionet demokratike në Maqedoni ku pjesë e tyre ishin edhe shqiptarët, përdorimi i simboleve kombëtare u rregullua me ligj, filloi të aplikohet dygjuhësia nëpër institucione (edhe pse kjo pikë nuk është implementuar), u fitua e drejta për shkollim universitar, etj. Shqiptarëve, që dikur për hir të së kaluarës nuk mund ta identifikonin veten, d.m.th. nuk mund ta identifikonin përkatësinë e tyre me shtetin, kjo iu mundësua me fitoren e luftës nga ana e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Shqiptarët e robëruar skajshmërisht dikur, pas luftës së UÇK-omit, nxorën në skenë klasën politike të shqiptarëve në Maqedoni, për t’u vënë në shërbim të qytetarëve të vet dhe të të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në Maqedoni.
Me kalimin e kohës, nën presione të vazhdueshme, apo për arsye të tjera që nuk i kemi të njohura, partitë politike shqiptare apo segmente të caktuara të tyre u futën nën ombrellën e rrjeteve dhe nomenklaturave të shërbimeve sekrete të maqedonasve, grekëve, rusëve, serbëve e shërbimeve të tjera që veprojnë në Maqedoni. Kjo bëri që partitë shqiptare të mbeten në varshmëri të aparatit shtetëror të Maqedonisë, që asnjëherë nuk e la klasën politike shqiptare të zhvillohet e pavarur. Si rezultat i kësaj, shqiptarët ndonëse janë popull i fuqishëm shtetformues edhe më tutje konsiderohen si qytetarë të rangut të dytë. Ç’është më keq, partitë politike shqiptare në Maqedoni, madje jo vetëm atje, janë parti lideriste, ku lideri i partisë shihet si mbinjeri. E keqja e këtij koncepti partiak, siç dihet, është se ndodh që personat e parëndësishëm brenda natës të shndërrohen në VIP-a. Këta njerëz u bënë ministra, zv/kryeministra, drejtorë, këshilltarë, sekretarë shtetërorë, kryetarë degësh, shefa të mëdhenj në vendimmarrje, por pa vonuar një pjesë e tyre u shndërruan në matrapazë, drejtues të klaneve mafioze, shitës të tenderëve e vendeve të punës nëpër kafene. Jo vetëm kaq, gati të gjithë janë të lidhur me afera korruptive apo të ndonjë natyre tjetër. Që nga shitja e “Telekomit”, ku i dyshuar për mitmarrje është një funksionar i lartë partiak dhe ministër e deri tek afera e kompanive të reklamimit dhe shitjes së kapaciteteve energjetike të Maqedonisë, në të gjitha këto mega-afera përflitet për ryshfete milionëshe. Pikërisht te këto raste qëndron papërgjegjësia e funksionarëve të partisë shqiptare në pushtet dhe liderit të saj, i cili ka heshtur para gjithë kësaj situate. Ata janë njerëz që akuzohen për garantim të monopoleve për kompani të huaja në këmbim të ryshfeteve të majme, për organizim vjedhjesh ose edhe për shpëlarje parash. Harruan për mjerimin e popullit shqiptar në Maqedoni dhe shkeljen e të drejtave të tyre nga pushteti.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
Leave a Reply