Shkruan: Τhanas Boçi – Petraq Pali është autor i rreth 20 librave me poezi e prozë dhe i ka venë vetes detyrë që të ngjitë shkallët e pallatit të letërsisë me përkushtim e dinjitet.
Duke u motivuar nga letërsia dinjitoze, synon që të gjejë rrugët më efikase, duke pranuar me serizitet vërejtjet e kritikat. Pa dyshim vetëm kështu mund të rritësh cilësinë e të shkruarit për t’ua bërë lexuesve më të mundshëm e më tërheqës, duke i komplementuar në formimin e ndërgjegjies estetike. Petrua u bë poet e shkrimtar, jo duke ardhur nga hiçi, por ka arsye e faktorë të ndryshëm, që, për mendimin tim, mund të përcaktohen:
Së pari: P. Pali e ka orgjinën nga një fshat që historia e ka cilësuar si Fshati i Kapedanëve dhe kënga e pasur e traditës popullore qeparotëse e ka përjetuar në vargje brilante që ata heronj kanë fituar atributin e lavdisë e të pavdekësisë. Kjo i ben krenarë qeparotësit, por edhe Petraqin, ku historia, lavdia dhe përjetësimi në kengën e bukur e kanë frymëzuar dhe ka fituar eksperjencë nga e bukura estetike e tyre.
Së dyti: P. Pali është nga Bregu i Detit Jonian, i kësaj krahine të bukur që ka hapsira të pafundme të kaltëra, gjelbërime të përherëshme të natyrës, hirësinë dhe madhështinë e maleve, ku vendësit, por edhe kalimtarët i frymëzon e i ben artistë të vërtetë.
Së treti: Petraqi është i biri i Janko Palit, intelektualit të shek. 20-të, eruditit dhe poliglotit, i vlerësuar nga shoqëria me tituj e atribute me një kulturë të gjerë e me një bibliotekë të pasur, që ka ndikuar tek të tre djemtë e tij, por edhe tek brezat që ka edukuar në vite.
Së katërti: Edhe shkolla e mesme që kreu Petraqi pa dyshim që ka ndikuar me leximet nga programi shkollor dhe ai jashtëshkollor për formimin estetik të tij
Së pesti: Petraqi ka një sedër pozitive që e ka nxitur dhe impulsuar për të mos qenë larg nga të angazhuarit në jetën sociale. Me sedrën dhe energjitë që zotëron, mbaroi fakultetin Juridik. Njëkohësisht duhet theksuar se Petraqi e njeh mirë psikologjinë e qeparotësve dhe di si të hyjë thellë në botën e tyre.
Së gjashti: Qeparoi shquhet edhe për shumë intelektualë të tjerë të fushave të ndryshme nga fusha e politikës, artit, letërsisë, shkencave sociale, ekzakte e natyrore, që rritin nivelin e shoqërisë brenda dhe jashtë vendit.
Së shtati: P.Pali ka qenë dhe vazhdon të jetë e të shkruajë si korrespodent i jashtëm i Radjo Sofjes në emisionin shqip, ku ka ahkruar me dhjetëra informacione, tregime dhe reportazhe, kështu dorën për të shkruar e ka të stërvitur.
Së fundi, është edhe emigracioni, kjo plagë e rendë sociale që përfshiu vendin pas viteve 90. Ikja e tij larg, përtej Oqeanit, kujtimet, përsjatjet, lodhjet, djersa e mundimi, etj. Dhe të gjitha këto Petrua i shndërroi në vargje e proza të tëra, sipas dhembjeve të shpirtit të tij e të gjithë familjarëve. Shkrimtar e poet nuk të ben vetëm ajo që të frymëzon e bukura, por dhe e shemtuara, të cilën, kur e interpreton brenda caqeve estetike, merr përmasat e të bukurës. Duke i drejtuar filozofisë së Bergusonit, “Kujtimet nuk përfaqësojnë jetën e njeriut, por jeta përbëhet nga vetë kujtimet”. Kështu po ndodh edhe me Petraqin.
Gjer tani autori numeron një arsenal të pasur letrar me poezi, tregime, novela, romane, monodrama, reportazhe, duke i shkelur të gjitha fushat e krijimit letrar.
Në të pestë vëllimet poetike i ka kënduar fshatit, bukurive, zakoneve e traditave, dashurisë si ndjenjë e fuqishme fisnikëruese, vajzës qeparotëse e asaj të Bregut, emigracionit, ndarjeve etj. Në të gjithë krijimtarinë e tij udhëhiqet nga dimensioni i lirisë. Njeriu kur është i lirë, i ka rrugët të hapura për jetën.
Në poezi e poetit Pali siç shkruan Vasil Qesari, “Vargjet e tij bien erë trendelinë, burzilok e manxuranë, janë të pafunda hovesh, kujtimesh, brengash shpirtërore, të cilat edhe përse vitet ikin, janë gjithmonë aty, në sytë dhe në zemrën e tij, si një buqetë e freskët lulesh erëmira.” Ky është një vlerësim dhe një konkluzion sa logjik, po aq edhe estetik, jo vetëm për poezinë, por edhe për prozën, në të cilën ka edhe arritjet më të mira. Duke patur përvojën e të shkruarit, Petraqi di që zgjedhë çfarë e çfarë duhet të pasqyrojë, me tituj sinjifikativë, ku mbresat e kujtimet kanë brenda shpirtin e pastër e të bukur të njerëzve, por edhe bukurinë dhe madhështinë e Bregut . Herë- herë fantazia e tij i kalon dhe caqet,duke paraqitur sa të pasur emocionale, aq të mbushur me dashuri e respekt njerëzor. (“Gjema e madhe”). Shkrimtari Iljas Bobaj me të drejtë konstaton: “Tregimi është pronë e krimtarisë të P. Palit” Për gjithëçka Pali i drejtohet historisë së popullit shqiptar, por veçanërisht atij të Bregdetit. “Njeriu ka nevojë për historinë, nuk ben dot pa të. Për historinë e shkruar prej nga mëson të kaluarën e prej nga pret të ardhmen.”-shkruan për këtë autor Evis Marie Xhajanka.
Petraqi është realist e i sinqertë për ato që shkruan. Ai “…pranon se të gjitha janë ngjarje të vërteta të marra nga jeta. Madje në shumicën e tyre poshtë titullit, ka edhe shënimin: Eshtë ngjarje e vërtetë. Emrat janë ndryshuar.” “Tregimet dhe novelat e P. Palit të intrigojnë, dhe, sa mbaron njërin i lëshohesh tjetërit me kërshëri.” – shkruan Përparim Hysi. Por P. Pali ka arritje në zhanrin e romanit dhe numeron 5 të tillë. Ngjarjet intersante që shkrimtari i ka përjetuar e dëgjuar, ka ditur t’i hedhë në letër me mënyrën dhe stilin e tij, të cilin tanimë e ka formëzuar. Në përgjithësi shkrimet e tij i personalizon, duke zgjedhur si njësi estetike rrëfimin, i cili i duket më bindës, i afron lexuesit më pranë ngjarjeve, e duke i bërë ato më të besueshme. Ajo që të lë më shumë përshtypje në librat e tij në prozë, por veçanrisht tek romanet, është realizmi, përshkrimi i çdo gjëje me sa më shumë hollësi, duke përshkruar karakteret, personazhet, detajet, pejsazhet, gjuhën e përzgjedhur me struktura gramatikore të rregullta, etj. Shpesh proza është rrënqethëse, përcaktuar nga ngjarjet e personazhet që trajton, me të cilën kërkon të tipizojë njeriun e lirë në një botë të lirë, e kjo spikat më shumë tek monografia kushtuar Martirit të Demokracisë, Dino Martiko. Shkrimtari Robert Martiko në prozën e P. Palit konstaton se: “Proza tërheqëse gjatë leximit të së cilës ndjen, se nuk mund ta heqësh nga dora, kur përshkruhet fati i heroit kryesor.” Të marrësh vendim të shkruash për njerëz, siç është rasti i Dino Martikos që Diktatura e kuqe i mohoi si njerëz me vlerat e tyre, i mbylli në telat me gjëmba, u humbi qëllimisht varret, është jo një obligim moral, por edhe një krenari e përkushtim human, është një përmendore përjetësie për jetën e tyre. Në pasthënien e librit, i biri i D. Martikos, shprehet: “Është pa tjetër një histori e madhërishme ajo e Bregdetit, një hymn i jashtëzakonshëm rreth karakterit dhe burrërisë njerëzore të shfaqur në një formë e nivel po të jashtëzakonshëm, i cili i ka kapëcyer kufijt e një kombi…”
Libri më i ri i Petraqit është romani “Goja e natës”. Qysh në fillim autori shprehet me sinqeritet se këtë libër ua kushton djemëve të qytetit të tij, Vlorës, të cilët për një jetë më të mirë u ranë pashë më pashë vendeve të botës. Shkrimtari, si qytetar e intelektual që është, nuk mund të qendrojë indiferent ndaj fenomeneve të këqija që i kanë zenë frymën shoqërisë shqiptare, siç është ai i korrupsionit, që ka derivate drogën, prostitucionin, pasurimin galopant të disave e sidomos të pushtetarëve, kur masa të tëra kanë një varfëri i tejskajshme, por që e kanë zbutur sadopak atë përmes emigracionit. Këto do të thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë shkrimtari P. Pali në këtë roman. Faqet e tij mbushen herë pas herës me kronika të zeza. Njerëz të inkrimnuar, tjetërsohen, ndryshojnë karakter dhe arrijnë të përfundojnë në tragjizëm.
Analizën shkencore dhe estetike të romanit e ka zbërthyer me shumë kompetencë z. Leonidha Naqedhrami, i cili ka zbuluar dhe u ka dhenë dritë shumë skutave, duke nxjerrë në pah vlerat ideoestetike të tij, mesazhet e qarta që përcjellë, veçanërisht ato estetike. Askush më mirë se z. Naqedhrami nuk do të mundëte që ta zbërthente këtë roman, ndaj si lexues e studjues e uroj dhe e falnderoj.
Për mendimin tim P. Pali, pas 20 librave që ka shkruar, ka krijuar një përvojë të tij pozitive, duke poseduar me një kompetencë zanatin e të shkuarit. Dikur i patathenë se do ishte më mirë që të shkruante në prozë, se kish premisa më të mundëshme (kur kishte librin e parë në prozë). Dhe ashtu ndodhi e po ndodh: Petraqi e ka hapur të gjithë trasenë e shkrimtarit, ndaj di të shkruajë.
Ky roman, si vazhdë e prozave të tjera, është një arritje e tij, sepse di të ndërtojë ngjarjet, subjektin, kompozicionin, linjat, të zbërthejë personazhet e karakteret, të përdorë gjuhën me elegancë dhe të gjitha i realizon përmes një rrëfimi të lirshëm e të çliruar. Secili poet apo shkrimtar, pas një përvoje të gjatë të tij, krijon atë që është e përbashkët në të gjitha librat, stilin. Ky e ben të dallueshëm njerin nga tjetri, pra është personaliteti estetik i krijuesve e artistëve. Duke iu referuar z. Naqedhrami, por siç kam konstatuar edhe vetë, romani është një vepër e arrirë, e pjekur estetikisht, që na bind për ato që shkruhen në të, por, nga mënyra e të shkruarit, si lexues, jo vetëm që më mban lidhur e nuk mund të ndahem lehtë prej tij, sepse ndikon fuqimisht në krijimin e ndërgjgjies estetike për të cilin ka qëllim parësor letërsia e arti. Romani të mbushë me emocione pozitive dhe lexuesi bëhet bashkudhëtar me shkrimtarin. Të gjitha këto i japin vlera romanit.
Burimi – Facebook


Leave a Reply