Smajl Martini Smajl Martini Ivezaj, bajraktari i Grudës së njohur, është një ndër shqiptarët më patriot, për të cilin deri më sot fare pak është bërë për nderimin e tij në rangun kombëtar. A e meritonte Smajl Martini një nderim të tillë, e sidomos në përvjetorin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë? Për këtë le të pyetët historiografia shqiptare, le të shfletohen arshivat dhe bibliotekat, edhe pse për personalitete të tilla ka pas shumë rezerva për t’ua vënë në dukje trimëritë dhe aktivitetin e tyre.
Smajl Martini është pa dyshim njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj që pati Malësia, e për më shumë, gjithë Veriu i Shqipërisë. Ai, qysh në moshën 18 vjeçare u dallua si një prijës trim dhe i vendosur në luftën kundër okupimit turk, duke marrë pjesë në shumë lufta çlirimtare. Nuk mund të kalohen luftërat e njohura në Shkodër, Vraninë e Shipshanik, në Deçiq e Bukovik, në Plavë e Guci, në Pejë si dhe në betejën (Kryengritjen) e përgjakshme në tokat e Maqedonisë kundër Sadri Agë Pashës etj., duke qenë në ballë të kryengritjeve liridashëse kudo në trojet shqiptare të okupuara padrejtësisht prej pushtuesve historik, që tashmë njihen.
Smajl Martini, jo vetëm që vinte nga një familje me tradita patriotike dhe shumë e njohur në Malësi e më gjerë, siç ishin atdhetarët Preç dhe Bacë Vuksani të njohur për luftërat e viteve 1780, të thirrur “Princat e Grudës”, që u vunë në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit në qytetin historik të Shkodrës, por edhe vetë Smajli, në vitin 1835 i vuri gjoksin e me heroizëm shembullor mbrojtën këtë Kala dhe Kishën rrëzë saj, të quajtur “Zoja e Shkodrës”.
Janë historianë të njohur, të cilët kanë shkruar për këtë prijës e luftëtar të pamposhtur. Një ndër to ishte historianja e njohur Gradizhinia, që në vitin 1837 do t’i përshkruante këto beteja dhe Smajl Martinin si një hero për mbrojtjen e çështjes shqiptare.
Perandoria turke e ndoqi hap mbas hapi veprimtarinë e Smajl Martinit, duke e dënuar në vitin 1883 në një izolim të përkohshëm për t’iu rikthyer dënimit të përjetshëm në vitin 1886, ku gjyqi ushtarak i Sulltanit do të dënojë bashkë me Smajl Martinin Ivezaj edhe një numër të madh malësorësh të Grudës, bashkëluftëtaret më të ngushtë të tij: Dedë Ula (Lulgjuraj), Ujk Dushi (Kalaj ), Shabë Smaku (Berishaj), Gic Gila (Grimaj Ivezaj), Prëk Gjetja (Ivezaj), Lulash Deda (Ivezaj) dhe Lucë Preka (Ivezaj).
Internimi i këtij luftëtari në Diari-Bekir të Turqisë, bëri që ai, pas më shumë së dhjetë vjetësh të vdes në internim dhe, sot e kësaj dite, të mos i gjendet as varri.
Vite më parë ai do të merrte pjesë bashkë me Baca Kurtin e Dedë Gjo Lulin në Lidhjen Historike të Prizrenit, në Qershor të vitit 1878.
Për të gjitha këto e të tjera, që saktësisht i kanë shpëtuar kohës dhe mundësisë për t’u dokumentuar, ekzistojnë shkrime deri në Ipeshkvinë e Venecias, ku Ipeshkvi i njohur edhe në fushën e historisë, Toni Assagazino do të shkruante për qëndresën liridashëse të Malësisë në vitin 1780, historianët Pjetër e Arben Teodori ( ACC.PO, fq 117) në vitin 1856 do të shkruajnë për rolin e këtyre bajraktarëve për të mbetur Malësia e pandarë nën territorin shqiptar, e jo ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Njihet thënia e Smajl Martinit në shenjë proteste, kur mësoi se Malësia po copëtohej: “Nuk kam qenë dhe s’do të jem kurrë për copëtimin e trojeve tona të shtrenjta të lëna trashëgim nga të parët tanë.”
Po kështu, sipas Andrija Joviçeviqit, Smajl Martini ka luftuar vazhdimisht edhe kundër sundimit malazias në tokat shqiptare të Malësisë, me të njëjtin intensitet që ka luftuar kundër pushtuesve turq, duke bërë që luftërat dhe qëndresa e kësaj familje të njihen deri në Amerikën e largët. Për këtë është shkruar me datat 9 dhe 21 Maj të vitit 1911 në gazetën e njohur “The New York Times”.
Për të gjitha këto e të tjera veprimtari të këtij heroi popullor, folklori shqiptar njeh me qindra vargje në dhjetra këngë të shkruara e kënduara për të.
Smajl Martini edhe pse mbeti jetim në moshën 17 vjeçare dhe e dinte ç’do të thoshte lufta, i dha dy djem luftërave kundër Malit te Zi, Gjonin dhe Pjetrin, i dha nipin Martin dhe për më tepër i dha historisë tonë Tringë Smajlin e njohur. Pra, Smajl Martini Ivezaj duhet vënë në piedestalin që e meriton.
Disa të dhëna të shkëputura u moren nga:
Pr.Dr. Palokë Berisha “ Punime nga shkencat humanitare” Ulqin, 2011
Edi Shukriu “ Gratë e shquara shqiptare”, Prishtinë 2003
Andija Joviçeviq, “ Malësia 1914-1923
“The New York Times” dt 9 dhe 21 Maj 1911Vdekja e ringjallja në epikën shqipe
“Po vijn shqypet per hava
N’oborrin e Smajlit paskan ra
Sa shpejt Smajli n’kamb asht cua
Kan nis shqypet me lot me lotua
A je Smajlo princi i Malcis
Shpata e Shkodres e e Shqypnis
*****
Sa te jetë gjall Smajli n’Malci
Nuk la anadoll t’Turkis
As nuk nuk la sllav t’Serbis
Per me shkel tokat e Shqypnis.”
Smajl Martini Ivezaj dhe qëndresa heroike për mbrojtjen e tokave shqiptare
A do të kujtohet ndonjëherë shteti shqiptar për këtë bir të tij?
nga Gjeto Ivezaj
(17. 11. 2007 RV)Atë Gjergj Fishta ‘Vorrimi i Tringës’
(Nga ‘Lahuta e Malcís’)
Ora e Madhe e bjeshk’s s’Trojanit,
Ardh’ si rrezja e nadjes s’ré,
Me nji hýll t’shkelqyeshëm m’báll,
Shllungës s’flokvet, fijes s’mndashit,
5 Për mbas shpinet dhan’suvalë :
Avra-avra edhe derdh’ shtatit
Veshun bardh si bora shpatit,
Kur t’i bjer’ dielli kundruell:
Njeshë nën parzme me ‘i trizë arit,
10 Kambën mbath’n’nalla t’prarueme:
E si hana katërmbdheçe,
Në ndo’i mbrame t’asaj vere
Qitun ballin, qêth argjani,
Permbí vetulla t’ndo ‘i mali,
15 Gjatë së kthielltes rav’ t’Empirit
Npër mes t’hyjvet bjen madhnueshim ;
Rudin’s s’blerë, në lule shtrue,
Kshtu madhnueshim bjen e Mira,
Aq kalecas, kambën matun
20 Për mbas gjethit të ndo’i lili,
Udh’s tue ndrrue, porsa m’boç’ lulet
Me i përkulë; edhe nji filli
Drejt ka shkue ke Zana e Madhe,
Ku, qit’ duert asaj nën sjetulla,
25 Si përdhuni e çon në kambë :
E me t’shmajtën llanë eburne
Qark tue u ardh’ lilave t’njomë
T’ijes s’asaj, e me dashtní
Tue e shtërnguem ambël për parzme;
30 Ndërsa e Bukra me dor’ tjetër,
Flok’t, derdh’ ballit edhe çenash,
Me shum máll po i a shestote
Për nën riz’, ka marrë e i thotë,
Lott posht’ mollzazh ka’ i rigojnë :
35 Po ti, Motër… mos kështu !….
Qindro pak, he bujareshë!…
Se ti kshtu, manati i Zotit,
Cok po e çueke vedin dâm…
Mjaft tash mâ… të kjofsha true!
40 Lêne vaj’n nji her’, se plase!
Zana e Madhe, kryet pështetun
M’bor’ të gjall’ t’Motërs trojane,
E tue dnesë, dhimbshim tue fshà,
Merr e i thot’ me fjal’ të kputuna :
45 Qyqja Motër, se ç’m’ka gjetë !
Se un mâ t’gjall’t nuk kam shka e bâj !
Se mue Tringën m’a kan vrá !
Se mue t’rijt-o m’a kan’ thá !
Të dy sŷt m’i kan’ verbue !
50 Bjeshkë e vrrî m’i kan’ shkrumue !
Gurrë e prrue m’i kan’ helmue !
As nuk kam pse t’hî ndër valle !…
Aa nuk kam pse t’bij ndër zalle !…
Pse t’kerkoj hije edhe mriza…
55 Pse t’kerkoj gurra e currila…
T’kerkoj lila e drandofille,
T’ndjeki flutra nepër shtoja,
Mollakuqe e xixilloja :
Të prigioj un zogjt bylbyla !
60 Kta për mue, Zot u farojshin !
Kurr mos kndojshin ! mos vallzojshin !
Kurr mos dal’t për mue prendverë,
Tash qi m’vran’ Tringën e mjerë,
Qi e kam dasht’ si sŷt e ballit :
65 He mue m’gjoft’ moti për s’kthiellti !
Orë e Zana prap piskatën,
Prap ulkojat uluruen :
Bjeshkë e male larg ushtuen.
Ora e bardh’ her’ tue i a lmue
70 Me dor’ ftyrën, her’ me rizë
Lott prej sŷvet tue i a terun
Se sa ambël po i a kthen :
Po ti jo, moj rrezja e bardhë,
Moj shtatrrituna në mjaltë !
75 Se ty Tringa nuk t’ka dekë :
Nuk t’ka dek’, moj, pasha verën !
Pasha vesën, qi rig’ Drita,
Kur vegon m’at buzë të malit !
Nuk t’ka dek’, moj, por t’ka lé
80 Sod për s’dyti ; se n’Nokshiq
Shqyptarís i la ajo nám !
Se kur sod npër buz’ t’agimit
Krisi pushka në Nokshiq
E zu Shkaju me djeg’, me pjekë,
85 Me vra gjind, e me ra pré
M’dhên e dhí e m’lopë e qé :
Si atij p’rherë i a ka hjek’ dera :
Cull e mull’ shka i kisht shpëtue,
U vû n’t’hikun, e muer rreget
90 Rrezga- bjezga drejt Sutjesket,
E as rob njerit s’mbet n’Bajrak ;
Veç se Tringa me t’vllán,
Me at Curr Ulën shtrî për dekë :
Shtrî për dekë kah nis’ me hjekë.
95 Anë e kand visesh s’Nokshiqit
Rrihte pushka kurr pa prâ :
Stane e t’bana i’n flakadâ :
N’tym t’agusht’ qiella mbërthye
Mos me u pá shoqi për brî :
100 Tue lurue shkina edhe shkjé,
Si lavë ujqsh zije në Shndré.
Kah robitshin, kah plaçkitshin,
Pleq e qull e grá kah vritshin :
Me gjith kta kjo e bija e botës,
105 Tringe Ulja e Ul Keqotës.
Vllaut fisnikja, nuk u dá,
Der qi sŷt ktij mbyll’ s’i a ká,
E si vllaut sŷt mbyllë i a ká,
E ka ndie si Shkjau po rrâte
110 Drejt kah tbani i saj, kqyr ç’bâni
Tringa at-her’. Në kambë âsht çue,
Edhe aty, mbi vllá të dekun,
Ka zanë vasha ‘i bé të madhe ;
Ka bâ Zotin – qoft’ levdue !
115 Gjall’ Shkjaut n’dor’ se s’do t’i bijte,
Tatë e nan’ se s’do t’koritte,
S’do t’koritte vllán për s’dekuni,
Fisit marre s’do t’i lîte :
Edhe, kap’ “hutën” e vllaut,
120 Fìll n’oborr vasha ka dalë.
E ka pá nji Shkjá kryekcyem ;
E ka pá, keq ká mendue,
Fort mâ keq desht me punue :
Me e çue rob për vedi n’shpì.
121 Por, kur qeni i biri i qênit,
Ka marr’ turrin me e robitë,
Sa shpejt Tringa aty i ndêi gati,
Edhe m “hut’”, po sokolesha
Mu në parzme shkjkaut i a njiti,
130 M’rragam dekun edhe e qiti.
At-her’ shkjét Tringën’ kan vrá.
Nuk ké, Zanë, pra pse me kjá ;
Se, mana, bija e malcores
Ka qindrue si gjith fisniket:
135 Për të gjall’ nuk u dá vllaut,
Gjall’ në dor’ nuk i rá shkjaut ;
Edhe vedin ka pague
Si mâ i miri burr’ n’Malcí ;
S’ka koritë as t’par as t’mbramë :
140 Shqiptarís i a la ajo nám !
Ka me dalë kanga dikúr,
e kahdo qi shqipja t’flitet
– Kjo e mashkulla gjuh’ hyjnísh –
Ka me u kndue ndër burra t’dheut
145 Për shka bâni e bija e botës
Tringe Ulja e Ul Keqotës,
Kur pat kris’ lufta n’Nokshiq ;
E nder rrezja shekllit t’êndet,
Emni i Tring’s larg do t’përmendet !
150 Shka i ka thân’, váll, Zana e Madhe :
T’paçim, Orë, sa gjith kto male !
Mori e mbruemja me ves’ qiellit,
Mori e njeshmja me gjeth lilit,
Mir’ shartue me rreze t’diellit :
155 Qi m’a ké synin si hýll,
Qi m’a çilë e qi m’a mbyllë
Si ajo hana nepër pyllë :
Se mue shpirtin m’a freskove,
Se mue zemrën m’a balçmove
160 Me kto fjal’, moj, t’u ngjat’t jeta !
Moj pinjolla, vetull-holla.
Se, mana, tash kurrnji grimë
Un për Tringën s’po kam dhimë ;
Ke ajo, lule në ket jetë,
165 Lule paska shkue n’at jetë,
Edhe faqe t’bardh’ Malcís
Lânë i paska, e ‘i nám Shqipnís.
Animâ, moj Bujareshë,
Tash ti Tringën me m’ a veshë,
170 Me m’a veshë e me m’a njeshë,
Me m’a bâ gati për dhé ;
Se, manà, zemra s’po m’bân
M’i a veshë un pajën e dekës.
E kam dasht’ moj Ora e Madhe,
175 Si dritën e syvet t’mí !
Sa mirë Ora veshë e ka !
Sa e mir’ Tringa aty m’ka dá !
Zana e Madhe se ç’ka kjá !
Edhe ulkojat, manà t’ Zotit,
180 Rrijnë e kqyrin si për mall.
Mbasi veshë e ka e stolisë,
Si ato virgjnat e Malcís,
“Ndjesën” arit n’varg florini
M’fyt i a njet e Bukra e dheut.
185 T’dyja duert mandje mbí zemër,
Njanën m’tjetrën kryq, vendue
I a ka e Mira, e me ‘i par’ rruza,
Rreth për rreth tue u ardhë, ia lidhë:
Si Shqiptarve t’dy mijë vjetvet
190 Doke lânë ua kan të Parët.
Nderkaq Zana Shtatzarana,
Me at Shtrumoren e Vathnoren,
Vorrin n’lila e drandofille
E kan shtrue. Si e bân’ gati
195 Me e shtî n’dhé, kjo Zana e Madhe
Po i bjen sipri, e puth e kjaj
Dnes e fshâj e shkrifu n’váj,
Fryma s’mjerës n’fyt ka ‘i zêhet.
Por si Ora e bardh’ trojane
200 Me shum múnd e ka shkep’ soje
E për zemër pshtet’ po e mbate,
Orë e Zana Tringën pezull
Para duersh e çuen, kalecas
205 Edhe m’vorr e shtrîjnë mbí lule
Drandofille. Zana e vogël,
Njajo Dardha moskadele,
Tue dnes’ qyqja, e tue u lvyrë,
Shkon e merr zogun e veres
210 Dhimbet dek’nën shkamb rà i voccri,
E e shtje n’vorr me Tringën bashkë :
Qi për s’gjalli aq fort, e mjera,
Dasht’ m’ i kishte zogjt e verës !
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR


Leave a Reply