Nga Kimete Berisha- Marshall Zaevi ‘nek nas vodi’. Little Jugosllavia po ndodh sot në Shkup. S’di a është mirë a keq, por e di se shqiptarët e Maqedonisë kanë mbetur pa prijës shqiptar!U kënaq Gruevski muzikë pa pare. Se, Ali Ahmeti nuk e ka atë kënaqësi të dëgjojë sot muzikë shqip!
Thuhet se muzika e shëron një mendje të trazuar. Thuhet se me muzikë mund të shërohen plagët e shpirtit. S’di a mund të shfrytëzohet muzika si mjet për të përzënë një qeveri nga pushteti; dhe s’di a rrëzohet pushteti në mënyrë festive, por e di se (me grusht e pa grushtin e tij të cilin po e mban përpjetë), lideri i opozitës maqedone Zoran Zaev, sot është ‘Tito’ i Ri i të gjithëve, edhe i shqiptarëve në Maqedoni.
Zaev ia doli që të lë shqiptarët pa opozitë (ose: ia doli t’i bëjë shqiptarët për vete, duke i bindur ata se nuk kanë prijës të sinqertë, dhe se prijësit e tyre janë kriminelë antishqiptarë); Zaev, ia doli të bëhet opozita edhe e shqiptarëve; ia doli të përfitojë politikisht nga viktimat shqiptare të regjimit maqedon në Kumanovë; Ia doli të flas në emër të shqiptarëve; Dhe, t’i magjeps shqiptarët deri në atë shkallë, sa t’i bëjë ata që të mbajnë një minutë heshtje për policët maqedon, por jo për të dënuar dhunën dhe terrorin e forcave maqedone kundër qytetarëve shqiptarë në Kumanovë.
Si në vakt të Titos, Zaev, ia doli të organizojë këngëtarët maqedon që në protestë sot të këndojnë në shqip ‘Rroka mandolinën’, si ‘Bijello dugme’ atëherë në Jugosllavi. Dhe, pastaj të kapen dorë përdore protestuesit e të gjitha komuniteteve, ama vallja të jetë maqedone.
Protesta e organizuar nga Zaev është multietnike, ama në të flitet vetëm maqedonisht. Po, po, foli edhe shqip një studente shqiptare, ama ajo e përktheu tekstin e parafolësit të tij maqedon. Plus ajo e mbylli me thirrjen në gjuhën maqedone!
P.S. Përveç grushtit në dorën e Zaevit, më ra në sy edhe simbolika e Zaevit në bluzat e folësve maqedon, sidomos mbishkrimi (anglisht) në bluzën e regjisorit Vlade Milcin, ku thuhej: Krishti vdiq për mëkatet e të tjerëve.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
Leave a Reply