Një nga perlat turistike dhe klimaterike të Shkodrës, por edhe në rang kombëtar e njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative edhe në Europë, quhet Shirokë. Janë disa personazhe dhe emra të lartë që përmendin fshatin Shirokë, por që në vitet 1880 dhe më këndej nuk e trajton askush më si një fshat, por si një lagje të qytetit të madh verior. Në Shirokë, sot është një popullsi e vogël autoktone por dhe disi jashtë qytetit. Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, rrëzë malit të Taraboshit. Pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qënë pranë saj. Një fundjavë, që përveç klimës dhe ajrit të pastër ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone.
Pjesët më të frekuentuara janë ato të “rrasave”, siç i quajnë prej vitesh shkodranët, në të majtë të qendrës së Shirokës, ndërkohë që pushues të shumtë ka pasur edhe në segmente të tjera. Banorët e Shirokës të thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afrimiteti i plazhit me qytetin. Ndërkohë, krahas pushuesve që mbërrijnë me automjete private, në dispozicion
të plazhistëve janë edhe autobusët urban që qarkullojnë nga qendra e qytetit të Shkodrës drejt Shirokës.
Përveç vlerave të padiskutueshme që të servir, Shiroka ka shansin që është gjeografikisht shumë pranë qytetit, çka i jep mundësi komunitetit ta frekuentojë më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me plazhet e tjera larg qytetit, si Velipoja dhe të tjera të kësaj natyre.
Për të shkuar në Shirokë kalon urën e Bunës. Pas 2 km rrugë që nga ura e Bunës, mes ujit dhe
malit, udhëton në rrugën rrëzë Taraboshit dhe mbërrin në Shirokë.
Shiroka ka në dispozicion një pamje madhështore të rreth 360 km katror ujë dhe maleve në formë kurore anash të një kufiri të gjatë midis Shkodrës dhe Podgoricës dhe rrethimit me shqiptarë nga ana e Krajës në Malin e Zi dhe nga ana e Koplikut dhe Bajzës. Me të vërtetë që jeta aty është më e mirë se sa në Shkodër për nga ajri dhe natyra, afër liqenit dhe disa mrekullive të tjera kurative si sherbela në Tarabosh.
Pozita gjeografike e zonës turistike të Zogajt pranë shpatit të Taraboshit dhe të liqenit të Shkodrës ndikojnë në formimin e mikroklimave. Duke qenë buzë liqenit të Shkodrës përveç dritës direkte përfiton edhe nga reflektimi i thyerjes së dritës në sipërfaqen e ujit dhe asaj që thyhet nga shpatet e maleve. Sasia e reshjeve mesatare vjetore është rreth 1800 mm, temperaturat maksimale të ajrit janë 40°C dhe të ujit 27°C.
Në zonën turistike të Zogajt jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish,shpendësh dhe kafshësh. Ka mjaft lloje bimësh subendemike në formë shkurresh. Gjithashtu dallohet për pasurinë e bimëve medicinale si trumëza, balsami, kina e verdhë dhe e kuqë e sidomos është e pasur me sherbelë me të cilën është e veshur pjesa më e madhe e malit të Taraboshit.
Për sa i takon faunës si ajo tokësore ashtu dhe ajo ujore është e pasur. Ndër llojet e kafshëve që gjenden këtu dhe që shrytëzohen për gjueti janë derri i egër dhe lepuri. Gjithashtu gjenden ujku, dhelpra dhe një sërë kafshësh zvarranike. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët. Numërohen gjithsej 240 lloje shpendësh. Tipike dhe shumë të bukura këtu janë pulëbardhat. Ndër shpendët që shfrytëzohen për gjueti janë: rosat e egra, shapkat, karabullakët, patat e egra, fllanzat etj. Për të apasionuarit e peshkimit fauna ujore ofron rreth 65 lloje peshqish. Përmendim këtu: krapi, ngjala, karasi, kubla, qefulli, gjunca, skorta etj
Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bën këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe atraktiv.
Fshati i Shirokës është mjaft i vjetër dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike që janë bërë në afërsi të tij, në vendin e quajtur “Ullini i Vetun”, në vitin 1959. Ketu u gjetën disa spata bronzi të cilat ruhen në Muzeun e qytetit. Pikërisht në hyrje të fshatit, në brrylin e rrugës pasi kalon furrën shumë të vjeter e të rikonstruktuar të gelqeres e përballë ishulit të vogël shkëmbor, duken poshtë dhe mbi urë trakte muresh të
periudhës romake. Toponimin e këtij katundi (Shirokë) e gjejmë në dokumentet e shkruara të vitit 1610 dhe
në rregjistra të ndryshëm të viteve 1745, 1760, kurse si patronim e gjejmë në vitin 1416 – 1417.
Shirokasit janë marrë kryesisht me gjuetinë e peshkut, por edhe me rritjen e krimbit të mëndafshit e me punimin e veglave të gjuetisë së peshkut. Njekohësisht ata janë marrë edhe me blegtori. Bagëtitë e tyre i kullotnin në malin e Taraboshit që në atë kohë ishte i pyllëzuar. Mbasi Shiroka ka pasur afër qytetin e Shkodrës dhe Pazarin, ata janë marrë edhe me tregtinë e peshkut. Duke qënë se mali i Taraboshit ka rezerva të konsiderueshme sherbele, u rrit numri i bletërritësve vendas. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste shumë fshatarë të Shirokës u dyndën në qytet, duke u punësuar në ndermarrje të ndryshme. Shiroka ndonëse është vetëm pak kilometra larg nga Shkodra ka disa veçori etnografike që ndryshojnë nga ajo.
Në Shiroke shtëpitë ndërtoheshin duke iu përshtatur terrenit të thyer e duke zgjedhur sheshet pak a shumë horizontale, rrëze malit me pamje përballë liqenit. Shtëpitë me kopshtet pranë lidheshin me njëra tjetrën përmes rrugëve e rrugicave të shumta, shpesh të bëra me kalldrëm. Për të lehtësuar qarkullimin e këmbësorëve, por edhe të kafshëve, shpesh janë vendosur shkallë e pragje guri. Shtëpitë janë ndërtuar prej guri dhe në pergjithësi ato kanë qenë përdhese, me dy ose me shumë ndarje të brendshme. Me kalimin e kohës disa familje filluan t’i ndërtonin ato dykatëshe, me ahure e hajate që të pershtatej me veprimtaritë ekonomike që kryenin.
Shiroka ofron shumë variacione, mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me barkë e të ngjiteni në mal. Duke pasur parasysh sasinë e madhe të shërbelës që gjendet në këtë zonë, Shiroka ka ajër të pastër e shumë kurativ që rekomandohet sidomos për fëmijët e vegjël azmatik dhe alergjik.
Shërbimi komunal, shëndetësor e tregtar është i pranishëm edhe këtu.
Shkodra Daily


Leave a Reply