
Si karota, e verdha e vezës forcon sytë dhe kujtesën
Fëmijë, ushqimi është më shumë se vetëm kalori. Ushqimi është si një libër udhëzues për qelizat tona. Ushqimi i përcjell mesazhe, se si të veprojnë gjeneve tona, hormoneve të trupit, baktereve të mira që rriten në zorrë dhe vetë sistemit imunitar. (Kemi thënë se sistemi imunitar përbëhet nga qelizat që janë ushtarët tanë mbrojtës dhe që vrasin mikrobet. Por të njëjtën gjë bëjnë edhe bakteret e mira që rriten në zorrë. Kur ushtria e baktereve të mira është e madhe, ato nuk i lënë që të shtohen bakteret e këqija. Dhe që bakteret e mira të jenë sa më shumë, duhet të hamë ushqim të mirë dhe jo sheqer, që i shkatërron ushtritë e baktereve të mira.) Pra, është ushqimi ai, që përcakton se si do të sillet trupi ynë, si do të përgjigjet ai, me sëmundje apo me shëndet vital.
Veza, një nga ushqimet më të mira në planet
Një nga ushqimet më të mira në planet, është veza. Një kokërr veze nuk është më kot e bukur, me të verdhën si diell, brenda topit të bardhë. Ajo është e bukur, që t’u pëlqejë fëmijëve. Ajo është quajtur një ushqim me vlera të mëdha biologjike, sepse përmban të gjithë përbërësit e nevojshëm, për ta kthyer një qelizë të vetme, në një zog. Dhe zogut nuk mund t’i mungojë asgjë, kështu që as vezës nuk i mungon. E verdha e vezës përmban proteina, aminoacide, yndyrna, fosfor, hekur, kalcium, zink, magnez, vitamina A, B1, D, E, çdo gjë që i duhet qelizave të trupit, që të punojnë si duhet. Një e bardhë veze u jep fëmijëve 3.6 gramë proteina. Proteina ndihmon fëmijët të rriten normalisht dhe të fillojnë ditën me energji. Nga e bardha e vezës, ju fëmijë merrni një sasi të mirë koline, një lëndë ushqyese që ndihmon punën e trurit, në veçanti kujtesën për mësime. Kolina është e rrallë të gjendet në ushqime të tjera dhe kjo është arsyeja, që gratë në shtatzëni hanë më shumë vezë.
Veza e fshatit, me medalje ari
Keni dëgjuar nga prindërit të thonë: “Bleva vezë fshati?” Kjo ka një kuptim për shëndetin, sepse veza e bërë nga pula që kullot, është më e mirë sesa veza nga pulat që ushqehen me misër në pulari. Ajo meriton medalje. Pulat janë të projektuara nga natyra të kullosin barëra të këqija, krimba dhe insekte. Kur ato ushqehen vetë, veza e tyre përmban edhe yndyrna të mira që quhen omega-3, për të cilat është i njohur peshku. Kur pulat hanë çfarë duan vetë, ato kanë më shumë ushqyes si karotenoidet, që ju i keni dëgjuar se i përmban karota. Por i ka me sasi edhe e verdha e vezës. Karotat kanë marrë gjithë famën për përmbajtjen e shquar të karotenoideve, por ky antioksidant që u jep ngjyrën e verdhë-portokalli, gjithashtu ia jep këtë ngjyrë edhe të verdhës së vezës. Karotenoidet mbrojnë qelizat nga dëmtimi dhe janë të rëndësishme për shëndetin e syve, pasi prodhojnë vitaminën A, e cila ndihmon funksionin e nervave të retinës së syrit dhe mbron shikimin.
Të mirat e tjera të vezës
Veza bën që fëmijët djem e vajza, të hyjnë të shëndetshëm në moshën e adoleshencës dhe të kenë zhvillim të mirë të hormoneve. (Hormonet janë të nevojshme, që njerëzit kur të rriten, të bëjnë bebe). Më parë, mjekët mendonin se vezët kanë shumë yndyrë dhe bëjnë keq për shëndetin e disa njerëzve, por sot disa studime të reja tregojnë se vezët përmirësojnë djegien e yndyrnave. Te veza gjendet edhe një përbërës tjetër, biotina- që është një vitaminë B, e cila ndihmon vitaminat dhe mineralet e tjera, të futen në vezë. Biotina është e famshme për ndikimin e saj për të pasur flokë dhe lëkurë të bukur. Ndoshta kjo është një arsye, që gjyshet në kohët e mëparshme, edhe pse nuk e njihnin biotinën si ilaç farmacie, njihnin vlerën e lyerjes së flokëve me vezë, për t’u dhënë shëndet dhe shkëlqim. Veza është ushqimi më i asimilueshëm nga trupi ynë. Nëse qumështi asimulohet 91%, asimilimi i vezës është 100 %. Veza përtërin lëkurën, kockat, trurin, nervat, gjakun, mbron mëlçinë, etj. Veza është ushqimi më popullor dhe më i lirë në botë dhe është llogaritur se çdo njeri ha rreth 218 kokrra në vit, pra dy ditë po dhe një ditë jo. Po ti, sa shpesh ha vezë?
Denisa Kona
Gazeta Molla e Shëndetit


Leave a Reply